ANTON MARKU: FYTYRAT E POLITIKANËVE

Vjenë, 03. 06. 2015 – (Një shkrim për ata që mund të vendosin si do të duket e nesërmja jonë, për çajin e rusit dhe vezët e skuqura…) – Shoqëria jonë gjendet në një fazë kalimtare, nga ‘‘më mirë se nesër’’ në ‘‘më keq se dje’’. Armiqtë e djeshëm na ulën dinjitetin si shqiptarë. Sot ‘‘kuadrot autoktonte’’ po na e ulin dinjitetin si njerëz. Për shkak të politikave shkurtpamëse e të mbrapshta të politikanëve vendas, Evropa ende i mban të mbyllura dyert për ‘‘evropianët e rinj’’. Një lëvizje qytetare, andej dhe këndej gurëve, e llojit të ‘‘Rilindjes’’ apo ‘‘Rizgjimit‘‘ do të mund të prodhonte politikanë të tipit të parë, atyre me një fytyrë…
Prolog
Për dikë politika është arti i së (pa)mundurës. Për disa mjet për realizimin e qëllimeve që i kanë parashtruar vetes, më shpesh si ambicie personale se sa vizion kolektiv. Të tjerët e kuptojnë si profesion. Një numër i madh i njerëzve e lidh me privilegje që ajo mund të sjellë. Të paktë janë ata që e identifikojnë politikën me mision fisnik në shërbim të njerëzimit. E përbashkëta është se ajo paraqet një veprimtari publike që synon përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe sigurimin e parakushteve për paqe, zhvillim dhe mirëqenie shoqërore, si në nivelin lokal ashtu dhe në atë global. Në këtë kuadër, bartësit e politikave janë ata që ato i ideojnë, dizajnojnë dhe zbatojnë, pra politikanët. E vet ata kanë përceptime të ndryshme për sa i përket asaj që thonë dhe që bëjnë. Kryesisht janë disa tipa të këtyre ‘‘specieve të veçanta‘‘, ndër të cilët më të shpeshtë janë ata që do të mund të klasifikoheshin në katër grupe.

Politikanët me një fytyrë
Që si fëmijë dallohen me prirje për të ndihmuar dhe për të qenë shembull i mirë për të tjerët. Në moshën e rinisë arrijnë të zgjidhen nëpër forume rinore, qoftë të partive politike apo shoqatave joqeveritare. Përfundojnë studimet, punësohen dhe bëhen emra të respektuar në shoqëri. Duke pasur sukses në fushat në të cilat janë angazhuar, nuk ndalojnë së marri pjesë në seminare e konferenca në shkollat dhe akademitë politike të partive në programin e të cilave besojnë. Ngadalë por sigurt ngjiten shkallëve (jo me ashensor) të hierakisë partiake. Në fillim në këshillat e lagjeve, pastaj të qyteteve, për të vazhduar me kuvendet e provincave e deri tek postet e të përzgjedhurve si deputetë në parlamentet nacionale apo dhe në qeveri si ministra, të udhëhequr nga motoja ‘‘të lëmë botën më mirë se sa e kemi gjetur’’. Përgjegjësia dhe llogaridhënia nuk është fjalë e huaj për ta. Ata më shumë shtrojnë pyetje se sa japin përgjigje, janë avangardë që u prijnë procesve dhe ndryshimeve pozitive në shoqëri. I drejtojnë turmat dhe nuk i pasojnë ato. Paraqitja e tyre numërohet ndër fenomenet më të mira që kanë mundur të ju ndodhin shteteve ku kanë lindur. Ata i ziejnë vezët aty ku duhet, janë armiq të përbetuar të gjitha ideve totalitare dhe bëjnë më shumë punë praktike se sa intelektuale apo akademike, me bindjen se shkrimi i ‘‘vargut’’ apo ‘‘rreshtit’’ më të mirë të tyre edhe mund të pres.
Ky tip i politikanit zakonisht haset mijëra kilometra para dhe larg nesh. Në kontinentin e vjetër kryesisht në rajonin e Skandinavisë, por edhe në disa vende tjera përreth, aty ku të gjithë janë nën ligjin, askush mbi të, dhe ku gjyqësori është pushteti më i fuqishëm në shtet.
Politikanët e paftyrë
Karakteristika kryesore e këtij lloji të politikanit është: Sa më i paftyrë aq më ‘‘faqebardhë’’ para partisë e më ‘‘faqegri’’ para elektoratit dhe oponentëve politikë. Para se të dalin në foltore lexojnë ‘‘analizat’’ e fundit të komentuesve të faqeve të gazetave elektronike për të matur ‘‘pulsin’’ e masave. Për ta patriotizmi është bukë e përditshme. Nuk jetojnë për të por nga ai. Në ambientet ku ata veprojnë, në partitë e majta ka më shumë konservatorë se sa ‘‘proletarë’’ e në kampet djathtiste shumicën e përbëjnë socialdemokratët e ‘‘zinj’’. Janë largpamës të shpifur që ngujohen në të kaluarën dhe nuk e nuhasin të ardhmen. Përderisa udhëve të botës enden me vezë të thyera në xhep, instrumenti i komunikimimit të tyre me popullin janë premtimet, të cilat i ndajnë më shpesh se komplimentet, me betimin se premtimi mbetet (vetëm) premtim. Përndryshe përmbajnë tipare të mëlmesave: përzihen në gjithçka. Për nga pasuria edhe më i varfëri ndër ta është milioner. Ky tip i politikanëve dominon skenën publike në Ballkan dhe gjithandej ku mungon tradita dhe kultura demokratike.
Politikanët dyftyrësh
Ata i urrejnë si martesat e përziera ashtu dhe të gjinive të njëjta. Pra, shtohen vetëm brenda grupit të llojit të tyre. Nga dashuria e madhe për pasuritë nëntokësore të vendlindjes kanë krijuar një organizatë joformale mbarë-kombëtare që quhet ‘‘Miqët e Nëntokës’’ e cila vepron nën slloganin ‘të bëra një shërbim që të ma kthesh atë me një shërbim tjetër. Sa më parë aq më mirë’’. Në botën e tyre kontaktet i bëjnë ligjet dhe jo e kundërta. Hobi i tyre kryesor është zierja e vezëve në ujë të ftohtë. Respekti për emrin nuk u mungon kurrë. Shpesh ndalen dhe pa turp i heqin kapelen vetvetes. I admirojnë revolucionet, sidomos ata të rrugëve, por sapo gjenden në pushtet turmat i konsiderojnë tufa të pa-orientuara që duhet drejtuar sytë dhe mendjen, e besa dhe kurrizin, mundësisht edhe me kërbaq. Ditën ‘‘bëjnë dashuri’’ me lindjen, natën i ‘‘dorëzohen’’ perëndimit. Koten me çaj rusi në Bosfor, darkojnë fushave të Andaluzisë e mëngjesin e hanë përtej Atlantikut. (Është sa e dhembshme aq dhe e tmerrshme kur sheh se kombi më pro-amerikan në Evropë, në qytetin e besëlidhjes së vet nacionale, valvit flamuj të një shteti të huaj ‘‘mysafir’’ 500 vjeçar dhe i duartroket deklaratës ‘‘Turqia është deri në Prizren’’ Sic!).
Këta janë aq fleksibil sa që pas çdo cikli zgjedhor, nëse ju jepet mundësia apo bëhet oferta, ndrojnë idealet, parimet dhe principet (nëse i kanë pasur ndonjëherë). Ata janë e keqja më e madhe e shteteve që kanë fatkeqësinë t’i kenë, disa në ‘‘gji’’ e disa në ‘‘qafë’’. Ky është lloji më i përhapur i politkanëve në hapësirat shqiptare sot.
Politikanët me shumë fytyra
Ata gjithçka e bëjnë nën mashtrimin perfid me sfond ‘‘Ne ju sjellim të ardhmen. Nëse ju pëlqen e mbani, nëse jo e ktheni mbrapsht’’. Thuajse jeta nuk është më shumë se një fragment. Hap pas hapi shndrrohen në prostituka fjalësh, që në kundërshtim me të gjitha rregullat e etikës zgjedhin dhomën e fjetjes me pamje nga rruga. As vet nuk e besojnë se sot po jetojmë më mirë se nesër. Por, nuk heqin dorë nga demagogjia e manipulimit të cilën e njohin më mirë se këmishën në trupin e përkulur e plot njolla. Pasi që pothuajse asnjëherë nuk gjenden në(n) hije, këta zakonisht i skuqin ‘‘vezët’’ në diell.
Këta janë politikanët ‘‘në ardhje’’ në viset shqiptare. Atyre i takon ‘‘e nesërmja që lind sot’’. Profesionin e kanë mësuar dhe pjekur nga paraardhësit e tyre, e tashmja jonë e ndritur-politikanët me dy fytyra. Këta do jua kalojnë të parëve në çdo aspekt. Se ku do ta zbarkojnë kombin pas 20 viteve vëshirë të thuhet. Një është e sigurtë: spirancën do ta ngulin thellë. Në baltën që edhe mund të jetë edhe mund të mos jetë e tyre.
Epilog
Shoqëria jonë gjendet në një fazë kalimtare, nga ‘‘më mirë se nesër’’ në ‘‘më keq se dje’’. Armiqtë e djeshëm na ulën dinjitetin si shqiptarë. Sot ‘‘kuadrot autoktonte’’ po na e ulin dinjitetin si njerëz. Për shkak të politikave shkurtpamëse e të mbrapshta të politikanëve vendas, Evropa ende i mban të mbyllura dyert për ‘‘evropianët e rinj’’. Një lëvizje qytetare, andej dhe këndej gurëve, e llojit të ‘‘Rilindjes’’ apo ‘‘Rizgjimit‘‘ do të mund të prodhonte politikanë të tipit të parë, atyre me një fytyrë. Të veten. Përndyshe rruga e ‘‘evropianizimit’’ të kombit tonë doemos do të kalojë përmes ‘‘ballkanizimit’’ të tij. E Ballkani arriti ta bëj atë që nuk i doli për dore asnjë rajoni tjetër në botë: -ta kthej rrotën e histories. Mbrapsht. Për së paku një çerek shekulli.
Megjithatë, Kosova ka (dhe pak) shpresë. Vet ajo është shpresa.
Latinët e vjetër do të thoshin ‘‘fola dhe e çlirova shpirtin’’.
P.S: Çdo rastësi me politikanët aktualë është e qëllimshme. Respekt për përjashtimet, e që janë të rralla. Shumë të rralla.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura