FATBARDHA DEMI: BESIMI HËNOR – DËSHMI E AUTOKTONISË SË KOMBIT ARBËR (I)

Tiranë, 17. 10. 2013 – Zgjidhja më e keqe, qëndron pikërisht në fshehjen e historisë pas një strukture të ngritur tashmë, ku ajo bëhet objekt dhe mohohet si vlerë.(Emmanuel Mounier) Po të pyesim shqipetarët e shekullit të 21, se ku ndodhet krahina e Manit, duke patur parasysh historinë e famëshme të saj, nuk do të mundin të na përgjigjen. Kjo për faktin, se në tekstet e Historisë nuk ekziston një emërtim i tillë. Siç duket vendimet politike të 1913 dhe veprimet ushtarake që i ndoqën, ndanë jo vetëm territorin dhe popullsinë, por edhe historinë e Shqipetarëve. Historia e vërtetë e krahinës së Manit (pjesë e Akaisë dhe Moresë së më vonëshme) krahas asaj të Dardanisë (Kosovë-Sërbi) Thrakisë (Bullgari-Greqi-Turqi) , Thesprotisë dodonase (Greqi) dhe krahinave të tjera, sot është fshirë ose tjetërsuar, jo vetëm në literaturën historike europiane por edhe atë shqipetare. Bëhet fjalë për një hapesirë kohore që zë fill nga para-historia e deri në ditët tona. I vetmi fill, që lidh sot shqipetarët me këtë krahinë , është kënga e famëshme “Moj e bukura More”.


(majtas) Mani në hartën e sotme administrative (Greqi).

Historia e Manit eshte simotra e historisë së iliro-shqipetarëve, jo vetëm për rrënjët e saj mijëravjeçare në kohë dhe të popullsisë së saj autoktone arbërore, por edhe për tiparet dhe karakteristikat e saj luftarake. As Filipi i V-të i Maqedonisë (219-218 pk) dhe as romaket që nënshtruan të gjithë Peloponesin, nuk mundën ta pushtojnë këtë krahinë malore.(1) Mani dhe banorët e saj manjotë, gëzuan autonomi administrative pothuajse në të gjitha kohërat, fakt që dëshmohet edhe për zonat e tjera shqipetare. Studiuesi Veis Sejko pohon se “Bëjnë plot 2065 vjet pavarsi administrative,ushtarake dhe ekonomike e Malësisë shqipetare e cila gjatë kësaj kohe ka krijuar një kulturë të pastër kombëtare me të cilën ne mund të krenohemi”.(2) Në Areopol, kryeqyteti i lashtë i Manit, emri i të cilit i kushtohet Perëndisë së luftes-Ares, Petrobej Mavromihali me 17 mars 1821, ndezi i pari luftën për pavarsi kundër Perandorisë Osmane, (3) që u kurorëzua me ngritjen e shtetit të pare të pavarur në Ballkan, ay i shqipetarëve (1821-1834) i tjetërsuar nga aleanca ortodokso-anglo-ruso- franko-prusiane, në shtetin helen të Helladës (Greqi). Homeri ishte i pari, që i përmënd qytetet e krahinës së Manit në Librin e dytë të Iliadës. Mitet gjithashtu na kujtojnë se Paridi, princi i Trojës, mbasi e rrëmbeu Helenën, gruan e Menelaut, e kaloi natën e parë pikërisht në ishullin Cranae të krahinës së Manit. (4) Gjashtë kilometra larg qytet-shtetit të Spartës (në Man), në qytetin e Mistrës, e ngrysi jetën e tij eruditi arbër Gjergj Xhemisto Pletone (shk XV), një nga figurat më të shquara të Rilindjes Europiane. Napoleon Bonaparti, bir i një familje të emigruar nga kjo krahinë, sikurse edhe të parët e familjes së shquar Mediçi, ju drejtohej banorëve të Manit si “pasardhës të Spartës”. Edhe udheheqësi arbër i luftës së 1821, Theodor Kolokotroni, i quante bashkë-kombasit e tij manjote “spartanë”.(5) Ky emërtim nuk qe një përvetësim i emrit, prej lavdisë që gëzonin banorët e shtetit të Spartës, siç ka ndodhur rëndom me fiset aziatike të ardhur në Europë. Por rrjedhojë e njohjes së origjinës së tyre, traditave kulturore, zakonore dhe të besimit të njejtë të maniotëve të shekujve modernë, me ato të spartanëve të lashtë. Një dëshmi e autoktonisë së arbërve, në jugun e Gadishullit është edhe vetë emërtimi “Mani” i krahinës, që e ka burimin tek emri i Hënës dhe besimin hënor (sellenizmi) dodonas dhe përbën objektin e këtij shkrimi.
Po ç’lidhje ka emërtimi i krahinës “Mani” dhe emrit të Hënës?
Fillimisht kjo lidhje ishte një hamëndesim, i mbështetur nga fakti se besimi dodonas ishte hënor dhe emertimin “mani”apo forma të rrjedhura nga kjo rrënjë e Hënës, gjëndeshin në vëndet e tjera. Me sa di, emri “Mani” apo i përafërt me të për Henën, nuk njihet në fjalorin shqipetar të sotëm. Antropologu William Smith (1846-1894) në veprën e tij “A Dictionary of Greek and Roman biography and mythology” pohon, se “Mene” ishte një nga emrat e Hyjneshës hënore Sellena e Dodonës.(6) Edhe në mitologjinë romake gjejmë perëndeshën Mena të cilën Plinio (Plinio 29, c.4) dhe profeti biblik Isaia (650 pk, Isaia C.67 v.11) e pohojnë si hyjneshë të Hënës.(7) W.Smith gjithashtu sjell një dëshmi të Stephanus Byzantinus (s. v. Μάσταυρα), se Hyjnesha Rea, nga Lidjanët emërtohesh “Ma” dhe i sakrifikoheshin demat, simbol kultik i Hënës. (Comp. Welcker, Trilog. p. 167.) (8) Por edhe i biri i Reas, Zeusi/Giove romak, ndër emrat e shumtë të tij ishin Maius dhe Sum-manus. (9) Për t’u bindur dhe gjetur formën zanafillore të këtij emri, do të duhet të kërkojmë emërtimin “Man” të Hënës, në fjalorin dhe mitollogjinë e hapësirës “euro-afro-aziatike”, ku u përhapën fiset pellazge. Kjo metodë krahasuese gjuhësore dhe e besimeve, plotëson boshllëkun në studimet e Lashtësisë, e krijuar nga mungesa e dëshmive për arsye natyrore apo njerëzore. Historiani i lashtesise, Franz Altheim (1898-1976) më 1939 shkruante: “Ne duhet të mësohemi të mendojmë jo mbi një kulturë, por kulturat, mbi perandori dhe hapësira të medha”. Kërkimi përfshiu emërtime të dukurive: në fushën e besimit, mitollogjisë, riteve, dukurive shoqërore historike e shkencore, të toponimeve etj, që njeriu primitiv dhe ay modern, i ka lidhur me besimin hënor dhe Hënën dhe kanë emrin apo rrënjën e emrit të saj. Në këtë material do të pasqyrohen vetëm disa prej tyre.
Në gjermanishten e lashtë të veriut, Hëna emërtohej “Man” dhe në folklorin e gjerman-folësve të Belgjikës emërtohet “Mana”. (10) Në mitin e popujve gjermanik të Skandinavisë, Hënën-Mana, çdo natë e ndiqte ujku “Hati”për ta ngrënë. Rrënja e emrit “Ha-ti” dëshmon kuptimin edhe të emrit të Hënës në shqip: “Ha-na”, dmth atë që “e hanë”, kur çfaqej e përgjysmuar apo zhdukej nga qielli i natës. Në Shqiperi, kur zihej Hëna mendonin se e hante Lugati apo Lubia dhe qëllonin me pushkë në drejtim të saj. (Fjalori i Mitologjisë dhe Demonologjisë Shqiptare.)

Studiuesi Massimiliano Franci në librin “Astronomia e Egjiptit” pohon se: “Vëzhgimi i Hënës i pasuroi egjiptianët me mjetin e parë për matjen e kohës: të gjatësisë së vitit, të muajve dhe ndarjen e tyre në javë”. (11) Nuk duhet harruar, se dinastitë egjiptiane të lashtësisë kanë qënë pellazge dhe këtë e dëshmon edhe emri i Hënës në gjuhën afrikane “maan”.(12) Hëna i dha emrin e saj: njesisë matëse “mas-mat”, muajit, si dhe ditës së parë të javës. Këtë e vërejmë në gjuhë të ndryshme : [hëna-muaji-dita e parë e javës] në gjuhën afrikane”maan-maand-maandag”, angleze “moon- month-monday”,suedeze “moon- manad- mandag”, gjermane “monat-mond-montag”, persiane “mâh-mâh”(hëna dhe muaji),etj.
Ky fakt dëshmohet edhe tek popujt që erdhën në shkVII-XI në Europën lindore dhe Gadishullin Ilirik, që sot quhen “sllavë”. Ashtu sikurse morrën prej Ilirëve mënyrën e administrimit, njohuri bujqësore dhe mjeshtëri të ndryshme, morrën edhe besimin dhe emërtimet. Në sllavishten e vjetër (gjuha e vjetër kishtare), muaji dhe Hëna kanë të njetin emër “mésjac”, që përdoret edhe sot nga rusët, ukrainasit, maqedonasit, kroatët etj. Me pushtimin romak hyri në përdorim emri “luna”, ndërkohë që rrënja apo emri i Hënës tek emri i muajit, ka mbetur i pandryshuar. Për formën “mana” te emrit të Hënës, na dëshmojnë emertimet në gjuhën e vjetër gjermane të veriut “man”, gjermane “mond”, daneze “manen”,malteze “moon”, lituaniane“menuo”, ukrainase “misjac” , latviane “mēness”, etj. (13) Siç vihet re, rrënjët e emrave të Hënës janë “ma/me/mo/mi”etj. Dihet se, fillimisht njeriu përdori vetëm bashtinglloret dhe në rastin tonë ajo është “m”. Sipas studiuesve, emri “man” në gjuhën e vjetër gjermane, angleze dhe skandinave, e ka origjinën nga gërma “m” e alfabetit të lashtë grek (pellazg-shën im). (14) Me fillimin e përdorimit të zanoreve, rrënja zanafllore, mendoj se ka qenë “ma”, ndërsa rrenjët e tjera janë rrjedhojë e shqiptimeve të ndryshme të germës “m”, nga kalimi i kohës, dialektore apo nga emërtimet pellazgjike të folura prej popujve të mëvonshëm të racës jopellazge. Rrenja zanafillore dëshmohet edhe nga emërtimet një rrokëshe të lashta: “mal”, “mama”, “mas”, etj, që janë të rjedhura nga rrenja “ma” e Hënës, siç do ta shikojmë më poshtë. Dëshmi është edhe emri i Amazonave në mite, për të cilin studiuesi Arif Mati pohon se “ sipas një burimi armen, ky emër do të ketë nënkuptuar “gra të hënës” (15)

(Piero Angela, “La straordinaria storia della vita”) Ndjenja e parë që e ka zotëruar njeriun pre-historik ka qenë frika, e cila ishte një formë instiktive e mbrojtjes, shmangies së rrezikut dhe sigurimin e mundësisë për të jetuar. “Frika është ndjenja më e lashtë e botës”, shprehet studiuesi Massimiliano Franci (16) Kjo ndjenjë është e përbashkët me botën shtazore. Tek shqipetarët ka mbetur shprehja “frika ruan vreshtat”, duke treguar elementin mbrojtës të saj. Në hapat e para të njeriut, dukuritë kryesore të natyrës emërtoheshin krahas thurrjes së miteve për to, për t’i kuptuar dhe shpjeguar ato. Rrënja “ha” e Hënës (Hana), e sipër-përmendur, mendoj se shpreh perudhën kur mitet akoma nuk përfshinin hyjnite në formën njerëzore. Kjo periudhë i përket besimit natyror (pa tempuj) pranë lisit në Dodone, apo të drurëve të pyllit, tek besimi “druid”(nga “dru” në shqip) i galo-keltëve. Toponime me emrin “hana” gjenden në një hapësire të gjerë gjeografike, si në Amerikë, ishullin Hawai, Etiopi, Iran, Çeki, Norvegji dhe “hanna” në Iran, Pakistan, Poloni, Kanada, dhe 12 qytete në shtetet amerikane, (17) gjë që nuk është e rastësishme, por nuk përbën temën e këtij shkrimi. Në kohën e çfaqjes së tempullit pellazgjik-Dodonë, i cili i kushtohej kultit të Hënës, në fronin e tij qe ulur hyjnesha Dione, e cila nderohej edhe nga romaket e Asirët e lashtë. Kjo hyjneshë, të parës që iu ngrit tempulli në historinë e besimit, ishte njëkohësisht edhe Hyjnesha Mëmë (Dea Madre). (18) Rrenja “di” që shpreh dritën dhe dijen në gjuhën shqipe (në mite-Diona) është trashëguar si emër i Krijuesit edhe në besimin e sotëm të krishterë-Dio.
Studiuesi G.Dumezil, duke marrë të gjitha gjuhët e reja dhe të vjetra, pohon se emri “dio”, e ka origjinën nga gjuhët indo-iranike, nga ajo vedike në formën« deva ». Ky fakt, sipas studiuesit, dëshmon plotësisht ndikimin e gjuhës së popujve “indo-europian”. Gjuha pellazgo-shqipe dhe besimi hënor, e përgënjeshtrojnë këtë teze të shkencës historike botërore, sepse në fjalorin e saj gjëndet shpjegimi zanafillor i fjales “Dio” nga “di” (di-une di dhe di- agoi,u be drite,dialekti çam) dhe gërma “ i ”, për pellazgët, përfaqësonte KRIJUESIN. (shiko Xhuzepe Katapano “Thoti fliste shqip”)

Dodona dhe (djathtas) Sellena, në mite përfaqëson Hënën e plotë. Emri Diona, nga studiuesit mendohet si bashkë-kohëse me të hyjneshës Sellena (Mene) që përfaqësonte kultin e Hënës (apo e njejtë, sepse “di” = “mend”). Megjithatë, unë mendoj se forma zanafillore ka qenë “ma” dhe jo “me”, sepse në sanskritishten e lashtë, emri “manas” [man-as] do të thotë, mëndje.(19) Këtu shikojmë po atë kalim, të një “a” hundore në “e” si tek hana-hena. Si zotëruese e misterit “të krijimit” të racës njerëzore, femra shikohej e ngjashme me Hënën “mëmë” dhe Tokën, që krijonte bimësinë. Në gjuhën e sumerëve të Mesopotamisë (3000pk) emri “Ma” do te thotë “tokë” (20). Rrënjën “ma” e gjejmë edhe në fjalorin sanskrit për tokën – “mahatī”. (21) Këtë botkuptim, e shprehin shumë skulptura të femrave në lashtësisi që tregojnë gjirin, si dhe emri “Ma” i Reas, nënës së Zeusit apo Cibelës, kulti i së cilës ishte më i rëndësishmi në të gjithë Lindjen e Afërme.

(majtas) Dea Madre 6000pk, Samarra (Iran), (Louvre Museum) (djathtas) Rea, Perëndeshë hënore, që dëshmohet nga demi (kau) pranë figurave të saj, simbol kultik i Hënës.
Homeri tek Iliada e përshkruan Hënën/Selenë me sy dhe brirë kau dhe i drejtohet: “ mëma universale”. Robert Graves pohon, se në tërë Mesdheun dhe Europën qëndrore, Hëna trajtohej si « mëma » e të gjitha gjerave, si dhe e të gjitha Perëndive, zonjë e Jetës dhe e Vdekjes. (22) Në gjuhën shqipe kemi emërtimin « mëmë-dhe » (“at-dhe” i përket periudhës së vonë, të patriarkalizmit) dhe shpreh simbolikisht, besimin e pellazgëve se ishin “të lindur nga dheu”.
Zbulimi i parë “shkencor” i njëriut para-historik, ka qenë ndryshimi i Hënës : rritja e formës së hënes-hëna e plotë-zvogëlimi i formës së hënës. Këto tre faza të Hënës që përsëriteshin ritmikisht, ndiqte edhe jeta e njeriut (lindja-maturim-plakja), bota bimore dhe shtazore në natyrë. Pikërisht ky “zbulim” u bë shkas i krijimit të besimit hënor dhe të zbulimeve të rëndësishme praktike të mëvonshme, si matja e kohës, numërimi, përdorimi i baticave të ujit,etj. Arkeologu Alexander Marshack (1918-2004) ka zbuluar në artin e njeriut të periudhës magdaleniane (para13.000 vjetëve) forma të drapërit – hënë dhe tre rrathëve që vijnë duke u zmadhuar , që lidhen me fazat hënore.(23)

Në një papir të gadishullit pellazgjik, gjejmë shprehjen “tre fytyrat e Sellenës”. (Sellena/hyjnesh hënore e Dodonës). (24) Në mitollogjinë e mëvonëshme të euro-afro-azise, do të gjejmë shpesh grupin prej tre perëndish (Hekate, Persefoni, Sellena,tre Karite, tre Moirat, tre Erinat, etj ) Carl Jung vëren se kjo lidhje në grup tresh, është shfaqur që herët në lashtësi dhe përbën , modelin e parë në historinë e besimit, dhe të Trinitas kristiane. (C. G. Jung. “A Psychological Approach to the Dogma of the Trinity “) (25)
Mirçea Eliade pohon, se koha e ndrimit të fazave hënore është përdorur nga njeriu primitiv afro 15 mijë vjet para njohjes së bujqësisë dhe është e kuptueshme rëndësia e Hënës në mitologjinë e herëshme dhe sidomos përfshirja në “sistemin” e simbolit hënor, të dukurive nga më të ndryshme si : gruaja, uji, bimësia, gjarpëri, vdekja, ri-ngjallja, etj (26)
I : Të gjitha veprimet apo dukuritë njerëzore dhe të natyrës, që lidheshin me Hënën, trashëgonin prej saj rrënjën zanafillore “m/ma” apo emrin e saj, me variantet e mëvonëshme të zanoreve: “e,o,i,u”.
Shëmbull, siç e përmendëm më lart, kemi emërtimin e njejtë të Hënës-muajit-ditës së parë të javës. Në gjuhen shqipe kemi “Hëna-e hene” por ka mbetur emëritimi “muaji”, që dëshmon qënien e emrit kultik “man-a” të Hënës, në gjuhën e lashtë shqipe. Janë pikërisht këto emërtime “bija”, ”mbesa”dhe “stërmbesa”, të mara nga emri i Hënës, që do ta vërtetojnë emrin e saj “të humbur”, në fjalorin e gjuhës pellazgo-shqipe. Kjo rrugë ka vështiresinë e saj, sepse siç vëren studiuesi Niko Stillo: “Etimologjia e shumë emrave pellazgjik nga grafia e tyre greke apo latine, nuk është kurdoherë e saktë, sepse të dyja këto gjuhë, shumë nga emrat e lashtë i kanë fallcifikuar gjatë transkriptimit të tyre. (27)

Hena, vdekja dhe shpirti i pavdekshem (28)

Ky tatuazh i përdorur nga gratë dhe vajzat e krahinës së Zadrimës, sipas mendimit tim, shpreh Hënën në dy pamjet e saj: të dukshme dhe të padukshme , ose dy fazat kryesore: Hëna e plotë rrezatuese dhe Hëna që nuk shihet, apo « e zezë » siç njihet në praktikën e mistereve (ezoterike), të heshtjes, të forcave magjike dhe të botës së të vdekurve. Paraqitja e rolit të dyfishtë të henes, në traditën popullore (« të mirë » dhe « të keqe ») është me rrenjë mijëra-vjeçare. Studiuesit e miteve, kanë vërejtur se në këtë paragjykim të saj, kanë ndikuar edhe njohja e dallimit të stinëve të vitit. Hëna paraqitet si hyjneshë e JETËS në periudhën e solsticit të dimrit dhe e VDEKJES në kohën e solsticit të verës. (29) Të gjitha perënditë e para dhe më të rëndësishme në mitologji, ishin hënore (paraqiteshin me krahë të shqiponjës, sepse Hëna ishte bijë e Ipes=Shqipes) dhe trashëgonin, sikurse edhe ajo, lidhje të dyfishta, dmth me mbi-tokën e nën-tokën dhe përfaqësonin dukuri natyrore.
Mitollogjia pellazge, ka krijuar figura madhore të hyjneshave hënore të lidhura me natyrën: me pyllin, kafshët dhe gjuetinë, ujin, peshqit dhe lundrimin, tokën dhe malet etj. Më e shquara ndër të cilat, sot njihet hyjnesha Artemisi (në mite përfaqëson Hënën e re). Një tempull madhështor i Artemisit ngrihej në Sparten e krahinës së Manit. Sipas Enciklopedisë Trecani, Artemisi qe themeluesja e shoqërisë së Amazonave (murgeshave hënore) dhe në paraqitjet e herëshme ishte me krahë. (30)
Në traditën popullore shqipetare është e njohur edhe hyjnesha e natyrës-Thana apo Zana sipas E. Çabeit, që mund të hamendsohet si një emërtim i ardhur nga “hana”. Sipas studiuesit Moikom Zeqo, hyjnesha Thana (Thalana, Thana, Thalne) kishte po ato atribute si hyjnesha hënore Artemisi. (31) Këtë hyjneshë e gjejmë, po me këtë emër edhe në mitologjinë etruske, si grua të Tinias (Zeusit).(32) Artemisi në gadishullin Pellazgjik, fillimisht qe adhuruar si hyjnia Mëmë (Dea Madre)(33) sikurse edhe ajo etruske -Mater Matuta, festën e së cilës romaket e festonin më 11 qershor (“matralia”). Studiuesi G.Dumezil e barazon me Aurorën (dritën e mëngjezit-lat. matutinus) dhe e lidh me emërtimet: “Maturus, Matuta, matutinus, manus (manis), manes, mane” (34)
Çfaqja e Hënës në qiell me tre forma të ndryshme, krijoi një sërë mitesh dhe bestytnish, që shprehnin tre periudhat kohore të njeriut : jetën, vdekjen-botën e përtejme dhe ringjalljen. Zakonisht në ritet e vdekjes, lidhja me Hënën shprehej nëpërmjet numrit 3.
Në librin e tij “Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe”, Franc Nopça na dëshmon se : “Në Malcinë e Madhe dhe të Vogël ,para se ta nxjerrin të vdekurin nga shtëpia, e ngrenë dhe e ulin qivurin tri herë. (35) Kur e nxjerrin të vdekurin nga shtëpia mbartësi i parë i qivurit pret tre dhëmbë te trari që mban derën. Gërmimi i varrit e fillon punëtori më i vjetër , pasi ka bërë tre dhëmbë në bishtin e kazmës ose lopatës. Ditën e tretë mbas mbarimit, të njohurit e të vdekurit vizitojnë varrin e tij dhe qajnë e ulurisin mbi varr, ndërkaq shtrohen dhe hanë.(36)
Ky numër – 3, që ndiqet me përpikmëri në rastet e vdekjes, është ligjëruar edhe në Kanun : “ Asht me ba gjamë mbë të dekunin tri herësh, tuj përsritun fjalën- i mjeri un”! Lidhja zanafillore e numrit 3 me Hënën, me kohë u harrua, por ritet dhe kultet e besimit pellazgjik, vijuan të kryheshin deri në ditët e sotme. Siç pohon Georges Dumezil, “Në kohën e romakëve , veprimet tradicionale të kulteve ndiqeshin me përpikmëri edhe kur nuk do t’i kuptonin më”. (37)
Nga studimi i formës së ndërtimit të varreve del, se në lashtësi, nuk kuptohej dukuria natyrore e vdekjes. Mendohej se, sikurse Hëna dhe bimësia në tokë, rishfaqeshin pafundësisht edhe i vdekuri “do të rilindte”. Prandaj Pellazget ia kthenin trupin “mëmës Tokë”(Demitrës) që “ta lindëte” përsëri. Këtë e dëshmojnë varret në formën e mitrës së gruas me një dalje të zgjatur. Studiuesi Reichel-Dolmatoff, përshkruan “ritin e vdekjes” (më 1966), gjatë një varrimi tek indianët e fisit Kogi (Columbi). Mbasi zgjodhi vëndin, « shtëpine e vdekjes » magjistari i mbiquajtur “mama”, shqipton: « Këtu është mitra » dhe futin trupin mbrënda. (38)
Në Sardenjën pellazgjike, janë zbuluar afro 321varreza të përbashkëta fisnore, që i përkasin qytetrimit nuragjik, (2000vjet pk- shekulli i dytë), ku pjesa ballore kishte formen harkore të Hënës dhe planimetria e brëndëshme kishte zgjatimin për “ri-lindjen” e të vdekurve. Ato janë emërtuar nga banorët “varre të gjigandëve”.

(majtas) “varri i gjigandeve” (Siçili) (39) (djathtas) Në planimetrinë e brëndëshme të varrit në Mana-Kerioned (Francë) vihet re ndërtimi me gurë në formën e mitrës me një zgjatim për dalje, « ri-lindjen ».(40) Krahina mban të njejtin emër “Man-e”, si “Man-i” i gadishullin Peloponez.
Studiuesja e besimit druit, Emma Restall Orr, shprehet se, paraqitje të figurave që dëshmojnë numrin 3 shprehin “lëvizjen e shpirtit” dhe se “kjo energji shpirtërore është thelbi i jetës”.(41)

Figurë që shpreh numrin 3 (Triskele – Amfreville) në një helmetë luftëtari . (42)

( VIJON… )

======================

– PJESA E DYTË –
FATBARDHA DEMI:BESIMI HËNOR-DËSHMI E AUTOKTONISË SË KOMBIT ARBËR(II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=2011

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura