GJOKË DABAJ: REKTIFIKIM I NJË INTERVISTE – TË BOTUAR TE GAZETA ‘DITA’ NË KORRIK 2013(I)

Durrës, 20. 10. 2013 – Filluar nga data 6 korrik, për 9 numra rresht, u botua në gazetën DITA një intervistë e imja, marrë nga gazetari i ri, z.Kujtim Boriçi. Gjej rastin ta falenderoj gazetën DITA për faqet që i ka kushtuar jetës dhe veprimtarisë sime dhe nuk dëshiroj që, me këtë ngjarje, të cënohet imazhi që i ka krijuar vetes ajo gazetë.
Zotin K.Boriçi ma rekomandoi dhe më prezantoi me të i njohuri im dhe miku im, Dilaver Goxhaj. Në të vërtetë, unë po kërkoja një njeri, që të bënte një investigim te Qendra e Studimevet Albanologjikë, sepse dikush atje po kërkon të luajë me ndjenjat e ne shqiptarëvet, të cilët, para 150 vjetësh, jemi pushtuar prej Malit të Zi. Pak se “për hir të stabilitetit në Ballkan”, nuk po ngulim këmbë për t’u ribashkuar në një shtet me shqiptarët e tjerë, por po duan të na i marrin nëpër këmbë edhe ato pak të drejta që na janë dhënë, nën trysninë e perendimorëvet, brenda shtetit të Malit të Zi.
Mirëpo, zotit.K.Boriçi nuk ia mori mendja që të merret me një investigim të tillë, i cili, duhet pranuar, nuk është pa rrëziqe, por iu vu punës menjëherë të më INTERVISTOJË.
Iu përgjigja pyetjevet që më bëri. Mori shënime ME DORË. Ia dhurova edhe një libër “Në rrugë rrëziqesh me vetëdije”, ku jam bashkautor me shokun tim të ngushtë, Fadil Cukaj, dhe u ndamë. Takimi u bë para 23 qershorit (2013), por unë i thashë Kujtimit të kalonte njëherë zallamahia e zgjedhjevet, pastaj ta botonte intervistën.

Gabimi im i madh qe, se unë nuk kërkova ta lexoja tekstin e hartuar e të redaktuar, para se ai të dorëzohej për shtyp. Veç kësaj, meqë unë jetoj në një fshat të rrethit të Durrësit, as gazetën nuk munda ta lexoja rregullisht që në numrin e parë. Kështu që, më mbeti të filloj leximin në numrin 6 apo 7.
Z.K.Boriçi ka pasë qëllimin e mirë, për ta paraqitur intervistën sa më tërheqëse, dhe mirë do të kish bërë, sikur aty të mos kishin shpëtuar disa PASAKTËSI TË RËNDA. Pasaktësitë janë bërë, ma merr mendja, pa dashje, megjithatë, unë jam MORALISHT I DETYRUAR ta bëj një REKTIFIKIM, në mënyrë që opinioni të mos mbetet i painformuar. Janë gjëra që mbeten të shkruara dhe pastaj mund të turbullojnë shumë mendje njerëzish.
Po e filloj nga numri i parë dhe po vazhdoj deri në fund, duke iu lutur gazetës që t’i botojë këta shënime rektifikues pikërisht kështu siç po ia dorëzoj unë, vetë intervistuersit, zotit K.Boriçi.
DITA, e shtunë, 6 korrik 2013, f.18-19.
Titulli: “ARRATISJA”…etj. Unë nuk jam arratisur. Unë, thjeshtë fare, kam kaluar kufirin ndërshtetëror, me mendimin për t’u rikthyer sërish në ato pjesë të Shqipërisë që ishin të pushtuara prej sllavëvet, dhe për të punuar për çlirimin e tyre. Kjo nuk mund të quhet ARRATISJE, as IKJE. Një e këtillë shprehje, tejet e bezdisshme për mua, është përdorur gjatë krejt variantit të botuar të intervistës dhe kjo e ul jashtë mase vlerën e kësaj interviste.
Shprehja “nga Jugosllavia në Shqipëri”. Duhet thënë: “nga shteti jugosllav në shtetin shqiptar”. Ose: “nga RFS e Jugosllavisë në RP të Shqipërisë”, sepse, në kuptimin gjeografik, unë edhe atje isha në NË SHQIPËRI. Gjeografikisht, edhe Prizreni, edhe Tivari, edhe Shestani, gjenden NË SHQIPËRI. Të kalosh nga Tivari në Shkodër e të thuash: “Erdha në Shqipëri”, nuk ka logjikë. Është e vërtetë që këtë shprehje, shprehjen SHQIPËRI, në vend të shprehjes REP.E SHQIPËRISË ose SHTETI SHQIPTAR, e përdorin shumica e shqiptarëvet të sotëm. Por unë nuk jam i detyruar ta pranoj një terminologji të tillë.
Te nëntitulli “Çfarë incidenti ndodhi në aksionin për ndërtimin e rrugës në Ostros”, fjalët e Fadil Cukajt më janë atribuar gabimisht mua. Edhe në vazhdim të intervistës ka shumë raste, kur ngjarjet, mendimet apo përjetimet e Fadilit, paraqiten sikur i kam thënë unë për vete. Kjo ka ndodhur, sepse z.K.Boriçi ka lexuar librin që i kam dhuruar unë, por nuk e ka vënë re se aty flet Fadili e jo unë. Në fillim të librit ne kemi shënuar: Rrëfen Fadil Cukaj, shkruan Gjokë Dabaj dhe në fund: Rrëfeu Fadil Cukaj dhe shkroi Gjokë Dabaj, z.Kujtim, si duket, nuk e ka vënë re këtë “hollësi”.
Edhe në pasqyrimin e revoltës në konviktin e Gjakovës në prill të vitit 1961 ka pasaktësi. Ndër të tjera, atje thuhet: “Nuk mendonim se kjo revoltë do të kishte ndikim të madh e të menjëhershëm.” Ka qenë e kundërta: Ne e organizuam atë revoltë, pikërisht për të ndikuar në opinion dhe ky qëllim u arrit ashtu siç e kishim MENDUAR ne. Atje thuhet: “Unë, përballë presioneve e torturave”. E vërteta është se presione e makinacione, organizuar nga UDB-a, ka pasur shumë, por TORTURA jo. TORTURA nuk ka pasur me atë rast, sepse ne iu shmangëm atyre me mjeshtri. Kanë goditur Hamdi Bucollin me shkop gome vetëm 2 a 3 herë në duar, në një kohë kur Hamdiu as që kish lidhje me atë revoltë.
Në vend të emërtimit “grupi ilegal ‘Liria’”, është përdorur gjithandej shprehja “shoqata patriotike ‘Liria’”. Kjo shprehje nuk është e saktë. Ne nuk ishim SHOQATË. Shoqata ka krejt tjetër domethënie. Për SHOQATËN nuk të vënë pranga dhe nuk të çojnë në Goli Otok.
“Organizata patriotike ‘Liria’ kishte për mision bashkimin e shqiptarëvet, komunikimin kulturor e fizik mes tyre.” Është fjala për grupin illegal “Liria” e jo për “shoqatë patriotike”, as për “organizatë” (sepse ajo ka kuptim më të gjërë se grupi) dhe, kur themi “BASHKIMIN E SHQIPTARËVET” (NË NJË SHTET TË VETËM), shprehja “komunikim kulturor e fizik”, është, jo vetëm e tepërt, por edhe e dëmshme, sepse thuhet në frymën e njëfarë DEMAGOGJIE a la Bashkim Evropian, e cila DEMAGOGJI pohon konfederimet ndërshtetërorë, por mohon lirinë e secilit komb për të pasur NJË SHTET TË VETIN.
“Shkollohet dhe punon si mësues në disa rrethe vendi”. Nuk është e vërtetë. Unë kam punuar si mësues vetëm në një rreth, në rrethin e Matit, që nga emërimi deri sa kam dalë në pension.
“Pas gati 3 dekada e gjysmë takohet me vëllanë.” Shifra 3 dekada nuk është e saktë. Me vëllanë jam takuar pas 18 vjetësh.
E tash, një problem nga më të rëndësishmit. Jo vetëm në këtë numër, por në krejt tekstin e intervistës, është përdorur shpeshherë shprehja “pësoi zhgënjim”.
Dua të sqaroj këtu një herë e mirë opinionin: Unë nuk kam pësuar ZHGËNJIM kur kam ardhur në RP të Shqipërisë. Zotit K.Boriçi ashtu i duket. Edhe shumë të tjerëve ndoshta ashtu do t’u dukej, kur të lexonin këto ngjarje të miat, por shikimi im ka qenë dhe është krejt ndryshe. RPSH në atë kohë po i tregonte gjithë Botës se ishte një shtet I PAVARUR.
Ia kish treguar vendin dhe e kish detyruar të zbrapset nga RPSH-ja një shtet të madh siç ishte Bashkimi Sovjetik. Një Bashkim Sovjetik, i cili shtypte me armë kundërshtarët në Hungari e në Çeki. Një Bashkim Sovjetik, i cili çonte raketa në Kubë dhe kërcënonte një SHBA të madhe, ndaj RPSH-së nuk mundi të ndërmarrë thuajse asnjë masë. Dhe kjo, mua më pëlqente.
RPSH-ja e atëhershme, ose më saktë, e pakmëvonshme, kish vendosur të ndërtonte ekonominë e vet me forcat e veta dhe kjo, mua më pëlqente.
Në RPSH po ndërtoheshin vepra industriale dhe unë gëzohesha, sa herë që bëhej ndonjë inaugurim. Më kujtohet, në ata vite po ndërtohej Uzina e Superfosfatit në Laç dhe Laçi po lindte si qytet krejt i ri. Në atë kohë po ndërtohej Kukësi i Ri. Në atë kohë punohej gjithandej me përkushtim dhe kjo, mua më pëlqente.
Po zbukurohej toka shqiptare! Po hapeshin kanale të mëdhenj ujitës! Po thaheshin këneta! Po zgjateshin linjat e hekurudhës! Po krijoheshin gjithandej plantacione me vreshta: “Gjergj Dimitrovi”, “Perlat Rexhepi”, më vonë Lukova. Këneta e Maliqit tashmë ishte kthyer në një prodhues të madh. Kooperativat po shfaqeshin gjithandej si ekonomi moderne dhe e gjithë kjo, mua më pëlqente.
U bë, në ndërkohë, edhe elektrifikimi i krejt vendit!
RPSSH-ja kish një ushtri të fortë e të organizuar, komanduar e armatosur shumë mirë, ushtri që Kombi ynë s’e kish pasur kurrë më parë dhe kjo s’kish si të mos më pëlqente mua, që synoja çlirimin edhe të pjesëvet që na i kishin pushtuar fqinjët.
Në vend kishte qetësi e rend publik të përsosur.
Shërbimi në spitale ishte jo vetëm falas, por edhe shumë cilësor.
Mbi të gjitha, këtu flitej shqip fare lirshëm dhe askush nuk më përbuzte, kur më dëgjonte duke folur shqip.
Si ish e mundur të ndjehesha I ZHGËNJYER në një ambient të tillë?!
E tash po ju tregoj se kur fillova të shqetësohem e të ZHGËNJEHEM. Unë fillova të shqetësohem dhe të zhgënjehem atëherë kur puna në kooperativa zuri të bjerë, atëherë kur pashë se njerëzit po vraponin pas rehatisë, një rehati meskine, dhe nuk po pyesnin ç’po bëhej me Atdheun tonë, atëherë kur zyrat po mbusheshin përditë e më shumë me ca burokratë e me ca njerëz injorantë. Atëherë unë fillova të shqetësohem dhe të zhgënjehem, jo për vete, por për vendin tim.
Ndërsa ZHGËNJIMIN E MADH, atë që ma tronditi shpirtin aq thellë, sa ndenja si i marri, duke ardhur vërdallë nëpër Tiranë për gati 8 muaj, ishin vitet 1990-1992 e këndej, viti 1997, e deri më sot. Kjo është periudha kur Gjokë Dabaj U ZHGËNJYE e s’gjeti kurrë më qetësi e ngushëllim në shpirtin e vet!
U shkatërrua industria! U shkatërruan e u rrëgjuan qytetet, përveç nja 3 a 4-vet! U shkretua toka e Rep.së Shqipërisë! Iku rinia nëpër vendet e Botës për një copë bukë! U mbushën burgjet e Greqisë dhe burgjet e krejt Evropës me djem shqiptarë deliktiozë! U mbush Evropa me vajza shqiptare prostituta! Arsimi u shkatërrua! Droga i mbushi skutat e errëta të qytetevet tanë “modernë” me drogmenë familjemjerues. Sida i thau jetët e qindra, apo edhe më shumë shqiptarëve. Gjaqet dhe gjakmarrjet shtinë në dhe qindra djem dhe lanë të gjallë e të pavarrosur, mbi dhe, mijëra familjarë, nxirë jeta për gjithnjë! Të ashtuquajturit aksidente rrugorë po çojnë në varre përditë qindra shqiptarë dhe shqiptare! Të zë lemeria kur shkon nëpër varreza dhe lexon vitlindjet e vitvdekjet e të varrosurvet! Ky ishte dhe është ZHGËNJIMI IM, z.Kujtim, dhe unë kam bërë gabim që nuk kam ngulur këmbë të t’i sqaroj mirë këto gjëra para se intervista të publikohej.
Nuk është fjala që socializmi i asaj kohe të mos përmbysej. Ai duhej përmbysur, sepse defektet i pat që në doktrinë. Por është fjala që kthimi në kapitalizëm duhej bërë me mendje të kthjellët dhe me kujdesin e nevojshëm patriotik. Por RPSSH-ja në këtë kohë kish mbetur PA BURRA atdhedashës, që t’i dilnin zot Atdheut të tyre, ashtu siç kish mbetur PA BURRA edhe më 1939-n. Ra pushteti në duart e horravet, që për ideal kishin vetëm pasurimin e vetëvetes me çfarëdo mënyre që të mundnin.

– Gazetari Kujtim Boriçi –

Ky është ZHGËNJIMI im dhe tash s’më mbetet tjetër, veçse të shpresoj që pushtetin, në këtë shtet tonin, që mezi e kemi, ta marrin në dorë njerëz më seriozë. (Ky rektifikim u shkrua në korrik 2013.)
DITA, e diel, 7 korrik 2013, nuk e kam.
DITA, e hënë, 8 korrik 2013, f.18-19.

Titulli i intervistës: “Si e themeluan organizatën patriotike ‘Liria’, me qëllim komunikimin e lirë me Shqipërinë”. Ky titull është krejt gabim. Nuk ishte organizatë, por grup ilegal. Organizatë ishte ajo e Adem Demaçit, e cila përbëhej prej një numri grupesh ilegalë, krijuar në atë kohë në pothuajse të gjithë qytetet e asaj pjese të Shqipërisë.
Por, pjesa më papranueshme e këtij titulli është: ”me qëllim komunikimin e lirë me Shqipërinë”. Kjo shprehje krijon përshtypje denigruese për krejt punën dhe mundin e pjesëtarëvet të asaj veprimtarie ILEGALE. Qëllimi ynë nuk ka qenë “komunikimi i lirë me Shqipërinë”. Ai mund të kërkohej me rrugë LEGALE, siç edhe është kërkuar prej një shumice shqiptarësh të atjeshëm. Qëllimi ynë ka qenë: ÇLIRIMI I PJESËVET TË PAÇLIRUARA TË SHQIPËRISË.
Shprehja “rolin e saj në komunitetin shqiptar në ish-Jugosllavi” është edhe më denigruese për ne. Ne nuk ishim “KOMUNITET” në ish-Jugosllavi! Ne ishim gjysma e Kombit shqiptar, KOMB jojugosllav, lënë padrejtësisht nën pushtimin e sllavëvet. Ishim, në anë tjetër, për nga numri, KOMBI i tretë në atë shtet që quhej Jugosllavi.
Te nëntitulli “Si e kërkuat barazinë?”, shprehja “i cili kishte ardhur në shkollën tonë nga ‘shkolla sërbe’”, duhet saktësuar: “nga një shkollë fetare sërbe, nga Bogosllovia, e cila përgatiste jo sekretarë të Rinisë Komuniste Jugosllave, por priftërinj. Ndërsa ai prift sërb ish bërë tash sekretar i Rinisë Komuniste për shkollën tonë.” Te shprehja “drejtuesit nuk i pëlqeu” duhet saktësuar: “drejtuesi Mahmut Bakalli”, emri i të cilit nuk mund të anashkalohet, sepse më vonë ai ka luajtur rol jo të vogël në hierarkinë kosovare të asaj kohe.
Atje ku flitet për qëndrimin tonë ndaj Fuqivet të Botës, qëndrimi ynë ndaj Rusisë ka qenë shumë më i qartë se ç’paraqitet aty.
DITA, e martë, 9 korrik 2013, f.18-19.
Te ky numër nuk ka shumë shmangie nga e vërteta, me përjashtim të përdorimevet të gabuar të fjalës ARRATISJE dhe të makrotoponimit SHQIPËRI. Ka aty-këtu edhe ndonjë ngatërrim të ngjarjevet që lidhen me Fadilin, sepse thëniet, pra edhe përjetimet, janë të Fadilit e jo të miat.
DITA, e mërkurë, 10 korrik 2013, f.18-19.
Këtu kemi fjalinë “Unë u befasova shumë nga ky lajm, por e kuptova se ishte detyrë.” Kjo është pjesë e rrëfimit të Fadilit, marrë nga libri “Në rrugë rrëziqesh me vetëdije”, sepse unë nuk mund të befasohesha, për një detyrë që më ishte dhënë 1 muaj më parë.
Kryetari grupit illegal “Liria”, Bedrush Çollaku, pasi kish kontakruar me njerëz të kryesisë së Komitetit Organizativ për Bashkim (K.O.B.) dhe, siç e kemi marrë vesh vitet e fundit, personalisht me Adem Demaçin, më ka komunikuar mua miratimin nga ana e atij Komiteti, për të kaluar unë kufirin me RPSH. Pasi e kam pranuar detyrën, Bedrushi më ka dhënë udhëzime për jo më pak se 2 javë rresht, nga 1 ose 2 orë në ditë, për çfarë duhej t’u thosha unë, për çfarë duhej t’i informoja dhe çfarë duhej t’u kërkoja organevet shtetërorë të RPSH-së.
Ky është formulimi i saktë që duhej të ish pasqyruasr në gazetë. Ndërsa, në datën 29 qershor unë kam njoftuar Fadil Cukajn mbi detyrën që kishte dhe, natyrisht, ai është befasuar.
Edhe shprehja “unë gjithmonë kam dyshuar” është e Fadilit e jo imja.
Fjalia “Kisha materialet që do çoja në shtetin amë”, është krejt e pasaktë. Unë nuk kam mbajtur me vete kurrfarë materiali të shkruar, sepse një punë e tillë do të ishte krejt pa mend. Nëse do të më kapnin jugosllavët në kufi, krejt veprimtaria, jo vetëm e grupit tonë, por e krejt organizatës ilegale, e cila në atë kohë numëronte rreth 400 anëtarë, do të dekonspirohej.
Më duhet të saktësoj edhe një moment tjetër lidhur me momentin e ndarjes me Fadilin. “U përshëndetëm, lot, dhimbje, por isha edhe krenar.” Nuk ka pasur kurrfarë lotësh në ata çaste ndarjeje. Ne ishim njerëz që i kishim vënë vetes detyra të mëdha. Në të tillë kushte, nuk mbetet aspak vend për sentimentalizma. Madje as shprehja “por isha edhe kranar” nuk pasqyron të vërtetën. Preokupimi im i vetëm në ato rrethana ka qenë: Si do ta kryeja atë detyrë? A do të mund ta kryeja si duhej atë detyrë? A isha unë njeriu i duhur? A e kisha guximin që më duhej, nëse më kapnin? Vendimi im vetjak, në ata pak sekonda, ka qenë vetëm ky: Të mos dorëzohem i gjallë, sepse, nën tortura, nuk dihej si mund të sillesha. Ku ka vend në ata momente për krenari?!
DITA, e enjte, 11 korrik 2013, f.18-19.
Kjo pjesë interviste ka shumë gabime. Unë po mundohem të vë në dukje më kryesorët.
Aty thuhet që më kanë çuar në Degën e Punëvet të Brendshme në Shkodër. Nuk është e saktë. Nuk më kanë çuar në Degën e Punëvet të Brendshme, sepse unë kisha kërkuar në kufi të takohesha me organet qendrorë. Kuptohet që Dega e Punëvet të Brendshme ka pasë dijeni, por mua më kanë vendosur në një nga shtëpitë, me sa duket, nga ato të konfiskuarat, ku nuk banonte asnjeri. Ka qenë një shtëpi familjare, me një baçe, e rrethuar me avlli, me një pus grykëbukur përpara dhe me verandë, shtëpi karakteristike qytetare shkodrane. As polici që rrinte te dera ose në verandë, nuk kish të drejtë të më pyesë për asgjë e unë nuk duhej t’i tregoja policit: as emrin, as nga jam dhe as pse kam ardhur.
Kam ndenjur aty 2 ditë e jo 10 ditë, siç thuhet në gazetë. 8 ditët e tjera, para se të më çonin në Shijak, kam ndenjur në një pikë sekrete në ambientet e Kinostudios në Tiranë.
Aty, prapë thuhet “duke u dorëzuar gjithë dokumentacionin që kisha me vete”. Duhet thënë edhe njëherë: nuk kam pasë me vete kurrfarë materiali të shkruar, që lidhej me punën tonë ilegale. Do të ish mendjelehtësi. Do të ish budallallëk të merrja gjëra të shkruara, pa e ditur se, a do ta kaloja apo jo kufirin.
“Nga pyetjet e shumta, kuptova se ata kishin dyshimin se unë mund të isha agjent i UDB-s.” Dyshimi mund të ekzistonte, por njerëzit tanë të Sigurimit nuk ishin aq naivë sa ta shfaqnin atë dyshim. Pra, nuk ka qenë ashtu. Njerëzit që erdhën për të më takuar, janë sjellë shumë mirë me mua, qoftë në atë shtëpi në Shkodër, qoftë në pikën sekrete në Kinostudio. Ata vinin, bënin një copë herë bisedë të zakonshme, pyesnin për ushqimin, për kushtet e fjetjes, për cigaret. Në të 2 vendet ka pasur ujë të bollshëm, por ky i Tiranës ishte akull i ftohtë, ujë Selite, dhe vizituesit më thoshin që, në Tiranë, pas prurjes së këtij uji, kish rënë shitja e birrës. Në një aneks magazine kish çarçafë me qindra dhe rroba të tjera fjetjeje, nga të cilat mund të përdorja aq sa më duheshin. Merrnin prej meje fletët që i kisha shkruar, m’i diktonin disa pyetje të reja dhe largoheshin, për të ardhur prapë mbas dite ose të nesërmen.
Vetëm 1 ditë para transferimit tim për në Shijak, kur unë, natyrisht, isha i shqetësuar: Do të më kthenin apo jo?, ka ardhur një burrë, mjaft i ashpër nga pamja, për të cilin unë më vonë kam konkluduar se mund të ketë qenë Asim Alikoja, dhe më ka bërë disa pyetje me një intonim, edhe kundërshtues, edhe qortues. Biseda ka qenë pak e tensionuar, por nuk ka qenë pa vend nga ana e tij. Shumë gjëra ne nuk i kishim bërë ashtu si duhej.
Në vazhdim, gazetari ka shkruar: “Një pyetje direkte për ju: A ju kërkuan të bëheni bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit?”
Sado që për mua kjo pyetje është e çuditshme dhe krejt pa vend, unë nuk mund t’i vë faj zotit K.Boriçi. Isha unë ai që kërkoja të bëhesha bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit Shqiptar, në mënyrë që ai Sigurim të ndihmonte, mua dhe grupin ilegal ku bëja pjesë, në punën tonë konkrete, atje në terren, në pjesët e paçliruara të Shqipërisë. Dhe duhet të dihet njëherë e mirë: Për të gjithë ne që vinim nga jashtë kufirit, Sigurimi i Shtetit ishte organi, te i cili mbështetej krejt besimi ynë. Të gjithë ne kishim lidhje më parë me Sigurimin, pastaj me organet e tjerë të shtetit. Varej sa do të na angazhonte ai Sigurim për të punuar në drejtim të visevet të Shqipërisë që ndodheshin nën Jugosllavi. Dhe duhet ditur përsëri që shumica prej nesh, ose nuk ka mundur të veprojë më në atë drejtim, ose mund të bënte fare pak, prandaj dhe duhej të inkuadroheshim në jetën e këtushme, duke ua lënë të tjerëvet punët që do të bëheshin përtej kufirit, të drejtuara, sigurisht, nga PPSH dhe Sigurimi i Shtetit Shqiptar.
Sigurimi i Shtetit Shqiptar ka qenë arma mbrojtëse e shtetit shqiptar dhe e interesavet të shqiptarëvet kudo që ata jetonin. Sigurimi i Shtetit tonë nuk ishte dhe nuk mund të ishte kundër shtetit që e kish krijuar. CIA nuk mund të jetë kundër SHBA-së. FBI-ja nuk mund të jetë kundër SHBA-së. UDB-a nuk mund të ishte kundër Jugosllavisë. KGB-ja nuk mund të ishte kundër BS-së. Kështu, as Sigurimi i Shtetit Shqiptar nuk mund të ishte dhe nuk ishte, as kundër shtetit shqiptar, as kundër interesavet të Kombit shqiptar, në atë kohë për të cilën po flasim.
Tjetër gjë është se në radhët e atij Sigurimi ka pasur në të gjitha kohët agjentë, edhe të UDB-s, edhe të KGB-së, edhe të CIA-s apo Inteligjencë Servisit. Kjo dihet se ndodh në të gjithë shërbimet sekretë të Botës. (Siç po e shohim edhe tash.) Për fat të keq, në Sigurimin tonë kjo ka qenë shumë e theksuar. Aty, sidomos UDB-a, e ka pasur gjithmonë nga një agjent të vetin, madje, mu në krye ose afër kreut.
Një gjë tjetër që duhet të kemi parasysh, është edhe se, një shërbim, qoftë sekret, qoftë jo sekret, mund të bëjë edhe gabime, por kjo prapë nuk do të thotë që ai organizëm ka punuar ose punon me vetëdije kundër shtetit e popullit të vet.
I thashë këto gjëra, sepse në opinionin tonë është bërë gati traditë të shikohet Sigurimi Shqiptar si armik i shqiptarëvet. Absurditet i mirëfilltë. Kanë kaluar mbi 20 vjet që ai Sigurim nuk ekziston më dhe secili prej nesh mund të thotë çfarë të dojë. Por, a është ashtu? Unë mund ta shaj atë Sigurim dhe mund të flas kundër tij sa të dua. Por, a është ashtu? Mund të flas edhe kundër atij pushteti, madje duke përfituar ndonjë gjë. Mund të flas edhe kundër asaj ushtrie. Mund të flas edhe kundër Enver Hoxhës, apo Mehmet Shehut, apo Hysni Kapos. Por, a jam realist në thëniet e mia?!
“Ymer Mekuli” thuhet në gazetë, “ishte njeri i mirë.” Unë kam thënë ndryshe dhe, më duket, kam thënë pikërisht kështu: “Ymer Mekuli ka qenë dhe mbetet një ndër patriotët tanë më të shquar, i cili ka kontribuar shumë për çështjen e Kosovës.”
“Mihallaq Ziçishti më tha: Qenke njeri i mirë!” Nuk më ka thënë kështu Mihallaq Ziçishti. Ai më ka thënë: “Ti po na thua se je burrë i mirë, por ne si ta vërtetojmë?!” Unë i jam përgjigjur në mënyrën time. Më në fund i kam thënë: “Ia lëmë kohës.” Dhe koha na ka vërtetuar shumë gjëra, si për mua, si për Mihallaqin.
“Më pas (Mihallaq Ziçishti) më tha: ‘Do të kthehesh në vendlindjen tënde në Jugosllavi?’ Unë iu përgjigja: ‘E si të shkoj, më presin kokën atje!?’” 1.Pyetjen s’ma ka bërë Mihallaqi, por hetuesi im, Ymer Mekuli, dhe jo në atë rast, por në një tjetër seancë pyetjesh. 2.Jugosllavia nuk është vendlindja ime, prandaj një i tillë formulim pyetjeje do të ish krejt pa logjikë. 3.Nuk kam thënë, më presin kokën, do të ish një budallallëk nga ana ime, por kam thënë: Më fusin në burg, ashtu siç edhe do të ndodhte, nëse kthehesha.
Aty përdoret edhe fjala KALVAR. “Do të fillonte edhe kalvari i stërmundimshëm i jetës, larg vendlindjes e familjes për shumë dekada.” Është përdorur fjala KALVAR edhe në shumë vende të tjerë të kësaj interviste të gjatë, dashamirëse, por, për fat të keq, e mbushur plot me pasaktësi.
Unë nuk e kam konsideruar kurrë jetën time si KALVAR. Që kur u kishim hyrë atyre punëve, të gjithë ne e dinim se do të kishim vështirësi. Do të burgoseshim, do të torturoheshim nëpër hetuesira të UDB-ës. Mund edhe të vriteshim. Unë e kam ditur qysh më parë se shteti shqiptar mund të mos më kthente. E kemi përmendur shpeshherë me Bedrushin një mundësi të tillë. Madje ai edhe më pat thënë: “Nëse e sheh të vështirë për ta kryer këtë punë, mund edhe të mos shkosh.” Çdo gjë ka qenë mbi baza vullnetare. Vetë Bedrushi, siç ka dalë edhe në hetimet, ka pasë ardhur deri në Kukës dhe ka pasë marrë udhëzime prej Sigurimit tonë. Kur është arrestuar Fadili, Bedrushi dhe Haxhiu e kanë ditur që do të arrestoheshin, por nuk kanë ikur, sepse të tillë kanë qenë udhëzimet prej këndej: “Ju duhet të qëndroni atje dhe, nëse ju arrestojnë, t’i demaskoni jugosllavët nga sallat e gjyqit.” Edhe Adem Demaçi ka pasë mundësi të largohet, por nuk është larguar. Dua të them: Punët tona nuk mund të quhen KALVAR. Ne kemi bërë vetëm detyrën që na takonte të bënim dhe madje shpeshherë e ndiejmë veten që nuk kemi bërë aq sa duhej.
Përdoret në këtë intervistë, në shumë vende, edhe shprehja SHTETI AMË. Nuk qëndron nga ana logjike. Kosova nuk është BIJA e këtij shteti. Tivari nuk është BIRI i këtij shteti. Prandaj ky shtet nuk mund të jetë kurrsesi NËNA jonë. Por fajin e kanë studjuesit e gjuhës, që nuk i trajtojnë këto gjëra, dhe mësuesit e gjuhës, që nuk ua mësojnë nxënësvet si duhet gjuhën shqipe. Fajin e kemi krejt ne, si komb, që merremi më shumë me manikyr e me pedikyr, se sa me mënyrën, si flasim e si duhet të flasim.

( VIJON… )

 ==========================

– PJESA E DYTË –
REKTIFIKIM I NJË INTERVISTE – TË BOTUAR TE GAZETA ‘DITA’ NË KORRIK 2013(I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura