Vjenë, 06. 111. 2013 -Vjena ishte qendër e fuqishme politike e kulturore në kontinent. Përkrahja ndaj kombit shqiptar ishte me rëndësi të madhe historike, kulturore e shkencore. Vjena duke qenë vendqëndrimi i perandorëve e mbretërve që sunduan Evropën apo pjesët kryesore të saj ishte po ashtu qendër me ndikim të madh në kulturën evropiane. Këtu duhet veçuar Dinastia e Habsburgëve me një histori disa shekullore e cila mbajti një qëndrim përparimtar ndaj kulturave të kombeve të ndryshme përfshirë këtu edhe kulturën shqiptare. Qe nga kohë të lashta hasim në dokumente ku shihen lidhjet e kulturave në lëmin gjuhësor, kulturo-artistik dhe shkencor.
Dihet se shekuj më parë u krijuan lidhje mes dy popujve tanë. Qe nga koha ilire dy popujt morën njëri nga tjetri elemente nga kultura, gjuha etj. Shtrirja e elementeve ilire në territorin e sotëm austriak ishte evidente dhe e fuqishme në disa pika gjeografike të kohës. Akoma shum studimet të rreth elementeve gjuhësore e të kulturës mes dy popujve, por dihet se gjuhëtarët albanolog më të njohur vijnë nga gjermano-folësit në përgjithësi dhe austriakëve në veçanti. Prezencën ilire në territoret e sotme austriake e vërtetojnë krahas të tjerave prezenca e kështjellave ilire apo me elemente nga kultura ilire. Pas luftës së parë Austro-Turke e vjetëve 1716-1718, ku pëson ushtria turke, ndikimi i Austrisë rritet në tërë Ballkanin. Pas luftës së dytë Ruse-Austro-Turke, Austria shtrihet akoma më në jug, deri në viset e Dalmacisë. Pas rënies së Venedikut dhe Paqes së Vjenës, më 1815, zotërimet venedikase kaluan në zotërimet austriake. Kështu, Austria bëhet fqinja i parë me tokat shqiptare. Austria ishte që atëherë e interesuar për popullsinë katolike e cila nuk kishte asgjë të përbashkët as me sllavët e as me turqit.
Vjena, qendër kulturore me rëndësi në kontinent edhe për shqiptarët.
Pas këtyre luftërave, Porta e Lartë dobësohet edhe në territoret shqiptare. Disa familje feudale shqiptare u fuqizuan dhe krijuan pashallëqet e mëdha, e të cilat kishin ndikim të fuqishëm në zonat e vendit. Pashallëku i Bushatllinjve në Shkodër dhe më vonë ai i Janinës. Ndikimi austriak duke qenë i fuqishëm tani në Evropë, pas reformave të marra nga Maria Theresa dhe Josefi II, shtriu ndikim të fuqishëm edhe në viset shqiptare. Tregtia e fuqishme shkodrane duke shfrytëzuar flotën e fuqishme ulqinake , depërton thellë në territoret e zotëruara nga austriakët deri në Trieste. Kështu trevat shqiptar tregtinë e tyre, në vend të parë e kryenin me Austrinë, kurse në vend të dytë me Italinë. Kjo solli një erë të re në lëvizje dhe ndikimet e kulturave. Austria e fitoi të drejtën e mbrojtjes së popullsisë katolike, e shoqëruar kjo me kthimin e Urdhrit Jezuit, i cili ishte prezent më 1842. Kjo mundësoi edhe lejimin e seminarit jezuit, të kolegjit Saverian. Këto rrethana krijuan mundësi të mëdha për interesimin akoma më të fuqishëm për shqiptarët dhe rreth shqiptar.
Shqiptarët në Austri dhe veprimtaritë e tyre me rëndësi në kulturën kombëtare
Shkencëtari i njohur slloven, themelues i shkencë së sllavistikës, Franc Xaver Ritter Miklosich, në veprën “Albanische Forschungen” (Kërkime shqiptare), botuar në Vjenë, më 1870, në faqen 10, shënon një fakt interesant, që tregon vendosjen e shqiptarëve intelektuale, në Austri, qysh ne fillim të shekullit XIX. Ai shkruan se “dijetari slloven Kopitar ,me 1829, boton një studim mbi marrëdhëniet midis shqipes, rumanishtes e bullgarishtes, brenda të cilit gjendet përkthimi në shqip i Shen Llukas, “Djali plëngprishës”, hartuar nga te dy veI1ezerit gjirokastrite, Anastas dhe Spiridhon Çelo,
Dr.Gergj Pekmezi themelon Katedra e Gjuhës Shqipe në Vjenë në vitin 1903
Austro-Hungaria filloi një politikë të prekshme në shërbim të arsimimit e kulturës shqiptare. Ajo financoi shoqëri kulturore, gazeta, revista, si ne Vilajetin e Shkodrës dhe më gjerë, deri ne Vjenë. Kjo u realizua përmes inteligjencës shqiptare, të cilët kishin kryer studimet në Austro-Hungari dhe që përbënin pjesën më të ngritur të intelektualëve shqiptarë. Prirja e shqiptarëve për t’u arsimuar në shkollat e Austrisë është e hershme dhe kjo prirje nuk ishte vetëm tek shqiptarët katolike të Shqipërisë Veriore, por edhe shqiptarë ortodoks të Elbasanit, Korçës , Voskopojës, Gjirokastrës, Lunxhërisë, si dhe tek shqiptaret e besimit islam. Para se gjithash, në mbresat e jashtëzakonshme që i kishte lënë tregtarëve shqiptarë të Shkodrës, Voskopojës, Beratit, Elbasanit, institucionet shtetërore austriake, ndërtimi dhe organizimi i përkryer i shtetit, disiplina, rregulli qytetar, shkollat, nxënësit, studentet, institucionet , do jenë shembulli se si duhet ndërtuar vendin e tyre. Për inteligjencën shqiptare tani shteti austriak ishte ideal evropian.
Në mësimet albanologjike, pa dyshim, njëri nga figurat madhore është Norbert Jockli, albanolog hebre, pastaj Franz Nopca, ndër të parët themeltarë të albanologjisë si shkencë, të cilën e vazhduan pastaj nxënësit e Jocklit, siç ishin Eqrem Çabej, Aleks Buda etj. Njëri nga veprimtarët pararendës të kësaj plejade studiuesish, pa dyshim ishte Dr. Gjergj Pekmezi, me iniciativën e tij në Institutin e Orientalistikës së Vjenës u hap katedra e gjuhës shqipe në vitin 1903, njëra nga të parat në Evropë dhe në botë, ku do studiohej gjuha shqipe. Ai ishte edhe nga të parët ligjërues i gjuhës shqipe në UN-e Vjenës deri në vitin 1938. Ai, një vit para Kongresit të Manastirit” botoi gramatikën e shqipes në gjermanisht, një vepër e rrallë e kohës me vlera gjuhësore.
Franc Xaver Ritter Miklosich, në veprën “Albanische Forschungen” (Kërkime shqiptare), botuar në Vjenë, viti 1870.
Në historinë e hapësirave Austro-Hungareze, lanë gjurmë të pa shlyer veçan këto figura: Gjergj Basta, Karl Gega dhe Aleksander Moisiu. Duke qenë jo larg trevave shqiptare, Austria si qendër me rëndësi kulturore, u bë vend ku migruan në numër të vogël shqiptarët. Edhe pse të paktë në mesin e tyre kishte intelektual të ngritur dhe formuan shoqëritë e tyre në Vjenë dhe qendra tjera, veprimtaria patriotike e të cilave ishte me rëndësi në rrugën e formimit të shtetit shqiptarë.
Austria e ndihmoi arsimin e shqiptarëve
Qëndrimi miqësor i Austrisë ndaj shqiptarëve është i hershëm. Kjo vjen jo vetëm për shkak të rivalitetit gjeostrategjik në raport Austro-Hungari përball Rusisë, por edhe nga lidhjet e vjetra që ishin venë qysh nga kohët e hershme. Kjo përkrahje është më e theksuar në pjesë veriore të Shqipërisë veçan në krahinën e Mirditës banorët e së cilës janë të besimit katolik. Qe para vitit 1855 në Shkodër kishte shkolla private të cilat financoheshin nga qytetarët shkodran. Me 1859 Perandoria austriake hapi shkollat e para fillore në Shkodër dhe Seminarin Pontefik me 20 nxënës. Në periudhën 1855-1861 numri i nxënësve u rrit. Ata fillimisht mësonin në gjuhën italiane pasi gjuha shqipe ishte e ndaluar nga pushteti. Në shkollat e para u regjistruan vetëm djem kurse më vonë hapet shkolla për vajza ku mësueset e para ishin Tushe Mici e Terezina Berdica. Me ndihmën austriake, kleri katolik ishte pro politikës arsimore austro-hungareze kështu në vitin 1877 me urdhrin jezuit hapet në Shkodër Kolegji Saverian. Ndihma austriake jepej drejtpërdrejt nga konsulli austriak i Shkodrës. Po në vitin 1877 hapet Seminari Françeskan i cili u bë vatër e patriotizmit shqiptar. Hapja e shkollave vazhdoi në Vilajetin e Shkodrës si në: Shirokë (1873v), Toshan (1882v), Banjzë të Kastratit(1891v), Blinisht dhe Selcë të Kelmendit (1893v) në Traboinë të Hotit dhe Pdhanë(1898v).
Franc Xaver Ritter Miklosich, në veprën “Albanische Forschungen” (Kërkime shqiptare), botuar në Vjenë, viti 1870.
Në konkurrencë për ndikim në popullatën vendore me italianët të cilët hapnin shkolla laike, Austria e intensifikoi hapjen e shkollave. Sipas evidencës nga diplomatët austriak në Shqipërinë e pavarur numërojnë 26 shkolla të kategorive të ndryshme. Qeveria e Austro-Hungarisë politikën arsimore ndaj Shqipërisë e zbatoj edhe në dhënien e bursave për studime të rinjve në qendrat e ndryshme të perandorisë duke përfshirë këtu Vjenën, Gracin e qendra tjera. Student që u dërguan për studime në Austri mes viteve 1880- 1890 dhe vitet 1900-1905 ne drejtimet teologji dhe shkollat publike do shënojmë: Pjetër Gjura, Lazer Mjeda, Vinçenc Prenushi, Anton Harapi, Mathe Prenushi, Luigj Bumçi, mësuesit që shkëlqyem, Hilë Mosi, Kol Kodheli, Ndue Paluca, Kolë Margjini e disa të tjerë.
Shtrirja e perandorisë Austro-Hungareze në territoret shqiptare e filluar me 23 janar 1916, paraqet një fat të ri historik për çështjen e përgjithshme shqiptare. Barbaria e pushtuesve turq, serb e bullgar u zëvendësua me një pushtet civilizues dhe çlirimtar për popullin shqiptar, në veçanti për shqiptarët e Kosovës. Në Vjenë do të qëndrojnë herë pas herë, disa personalitete me pikëpamje demokratike, në mesin e të cilëve edhe Bajram Curri. Kjo kishte për qëllim themelimin e administratës dhe shkollave shqipe. Gradualisht gjuha shqipe u bë gjuha e vendit, u krijuan rrethanat e ruajtjes së traditave e zakoneve shqiptare. Në nëntorin e vitit 1916, Hasan Prishtina kërkoi bashkimin e të gjitha viseve shqiptare në një njësi shtetërore administrative nën administrimin e Vjenës. Në trevat shqiptare u lejua administrata në gjuhën shqipe, shkolla, flamuri, himni kombëtar. Vet Perandori austriak, Hasan Prishtinës i kishte garantuar se nëse fiton blloku i tij “Shqipëria do mbetej e bashkuar në kufijtë etnik”.
Për herë të parë zanafilla e shkencave shqiptare kishte për autor studiuesit gjerman të cilët botuan vepra studimore lidhur me shqiptarët. U botuan artikuj, monografi e studime nga shkencëtarët e hapësirave të ndryshme gjermano-folëse. Shumë nga këto studime janë aktuale dhe të pacenueshme edhe në kohën tonë. Duhet veçuar këtu studimet e shkencëtarëve të kohës mbi historinë e shqiptarëve, arkeologjinë shqiptare, etnografinë shqiptare, folklorit, të gjuhësisë, duke vënë kësisoj themelet e para të studimeve albanologjike me një vërtetësi të pakontestueshme. Shkencëtaret austriak vunë themelet e studimeve në shkencat natyrore si në botanikë, zoologji, arkeologji, gjeografi, në shkencat medicine etj. Pra veprimtaria studiuese e shkencëtarëve gjermanofolës është me rëndësi të gjithanshme dhe të një rëndësi historike për kombin shqiptar i cili vuante nën robërinë aziatike për pesë shekuj.
“Djaleria” e parë, vitit 1920 organi i shoqërisë studentore “Albania”.
Veprimtaria kulturore, letrare e botuese në Austri
Duke qenë Austria boshti i lëvizjeve në rajon e njohur si perandoria Austro-Hungareze, shumë popuj gjetën ambientin e volitshëm për shkollim e krijimtari letrare. Aty pa dyshim do vjen veprimtaria me rëndësi kombëtare e shumë figurave nga radhët e shqiptarëve. Shumë nga studentet, intelektualët shqiptar erdhën në Austri, ku krijuan shoqëri të fuqishme gjurmët e veprimtarisë së të cilave mbetën të ndritura në historinë e formësimit kombëtar. Qe në vitet e para të fillim shekullit të njëzet do lindin shoqatat: ,,Liria” e cila më vonë u quajt ,,Dija”, ,,Djalëria Shqiptar e cila më vonë u quajt ,,Albania”.
Nga këto shoqata u botuan krijime letrare, revista, gazeta, tekste shkollore etj. Ndër më të njohurat revista ,,Djalëria” dhe gazetat ,,Ora e Shqipnisë”, “Vëllaznia”, “Minerva” ,Albanische Corespondenze”, “Bashkimi Kombëtar”, “La Fedration Balcanique”. Në to botuan shkrimet e tyre studentët shqiptarë që studionin në Universitetet e Austrisë të cilët tani njihen si figura me peshë në historinë tonë kombëtare si: Hil Mosi, Dervish Hima, Dr. Gjergj Pekmezi, Kolë Rrota, Jani Basho, Xhevat Korça, Fuad Asllani, Vasil Laboviti, Lasgush Poradeci, Sokrat Dodbiba, Irakli Buda, Nush Bushati, Gjevalin Gjadri, Kolë Mirdita (Helenau), Rrok Gera, Rrok Maloki, Rrok Kolaj, Filip Papajani, Dr.Omer Hamiti, Sokol Sopoti, Rrok Stani, Terik Bekteshi, Hasan Ceka, K. Hobdari, Gjon Temali, Krist Maliki, Kristo A. Dako, Ndoc Naraçi, Kolë Kodheli, Krist Maliki (Lepetini), Ndue Paluca, Gasper Mikeli, Kolë Margjini, Gasper Baltoja, Lec Çurçia, Ndoc Krajni. Shkrime në këto revista e gazeta botuan edhe shumë studiues nga kombe tjera, veçan nga radhët e gjermano-folësve. Nën kujdesin e shoqërisë “Dija” do të botohen në Austri disa tekste shkollore të përpiluara nga vet ajo dhe tekste të shoqërive nga Shkodra ,,Bashkimi” dhe ,,Agimi” siç janë: “Abetare” nga N. Paluces, “Këndime për shkollë të para të Shqypnisë”, kalendarin ,,Shqyptari”.
Në veçanti ishte e dalluar shoqëria ,,Dija” e cila në programin e saj kishte ndihmën e popullit shqiptar, veçanërisht të rinisë shqiptare. Si detyrë tjetër parësore kishte të ndihmonte krijimin e alfabetit shqip unik kombëtar, të ndihmonte talentet e reja, kulturën dhe krijimtarinë letrare e botuese. Për të arritur këto detyra ,,Dija” kishte përkrahjen e organeve austriake që ishin në pozita shoqërore, kishin përkrahjen e intelektualëve nga radhët e kombit shqiptar si Faik Konica, Aleks Drnova, Petro Nini Luarasi, Nikolle Ivanaj, Visar Dodani etj. dhe kolonive tjera shqiptare në qendrat botërore.