(Prizren, 17. 05. 2012) – Edhe pse e dua popullin tim ashtu si është dhe gjithsesi krenohem që jam pjesë gjenetike e tij, përveç virtyteve tona të mira që neve na bëjnë krenarë, shpesh në përsiatjet e mija intelektuale kam medituar edhe për anën tjetër paradoksale (kundërthënëse) të fatit tonë historik (negativ) përplot fatkeqësi, lufta të përgjakshme, eksode, katrahura të shumta, vuajtje, persekutime, prapambeturi materiale, injorancë intelektuale… Që nga nisma e arsimimit të parë të organizuar në gjuhën shqipe, në publicistikë dhe gati në të gjitha studime të shkencave shoqërore-politike, opinionit dhe brezave tanë të rinj, reshtur dhe në mënyrë automatike, vazhdimisht ju kemi imponuar bindjen e gabuar se ne jemi: popull i vogël që kemi qëndruar gjithmonë përballë pushtuesve të fuqishëm, pa pasur asnjëherë aleatë ndonjë Fuqi të Madhe; kemi qenë të detyruar që përballë sfidave të shumta të asimilimit të egër, gjithnjë ta ruajmë ekzistencën, gjuhën dhe kulturën tonë; kurrë nuk kemi bërë luftëra pushtuese, përkundrazi gjithnjë ishim të pushtuar nga ndonjë pushtues… etj.
Të ushtruar pa vetëdije me këtë formë kolektive psikologjike – mbrojtëse si mekanizëm, kurrë nuk kemi tentuar që këto realitete t’i analizojmë edhe nga këndvështrimi i logjikës së tyre të të kundërtave. Jo vetëm në forma konstatuese por edhe pyetëse “PSE”. PSE kemi mbetur si populli më i vogël? PSE kurrë nuk kemi bërë luftëra pushtuese? PSE si populli më i lashtë dhe autokton i këtij kontinenti, tek në fillim të shekullit njëzet e krijuam alfabetin tonë? PSE gjithnjë krenohemi me figura historike të cilët vetëm për nga gjaku dhe gjeneza kanë qenë shqiptar, e realisht, ata me besnikëri i kanë shërbyer regjimeve të instaluar nga pushtuesit tanë shekullor (romak, serb, turq…)?…pse, pse…shumë pse.
______________________
….E PAFILOZOFUARA – SHIKONI VIDEON…
_______________________________________
Në kontest tematik, do t’ia lejoj vetes që nga vepra tejet e çmuar e natyrës filozofike- analitike, të profesorit tonë të nderuar, Hysamedin Feraj, me titull: “E pafillozofuara”, në vazhdim, ta citoj edhe këtë pasus shumë interesant si konstatim: “Asnjë shqiptar nuk mund të krenohet se “gjenerali shqiptar X, ka humbur betejën Y”. Sepse që nga krijimi e deri më sot, shteti shqiptar, si shtet, në kontestin e të cilit ka kuptim grada “gjeneral”, nuk ka zhvilluar asnjë luftë kundër një shteti tjetër. As kur e kanë sulmuar e pushtuar, as kur ushtria e shteteve tjera kanë hyrë dhunshëm brenda territorit pa i shpallur luftë, as kur i kanë shpallur luftë ose janë ligjisisht në luftë kundër tij. (Këtu bënë përjashtim reagimi i ushtrisë shqiptare nga koha e Enver Hoxhës, në gusht të vitit 1949, kundër ushtrisë greke që depërtoi dhunshëm brenda kufijve shqiptar në ndjekje te komunistëve grek).
Shqiptarët kanë bërë atë që nuk i ka shkuar ndërmend as “liberalit më të çartur” “- vazhdon më tej profesori – “e kanë privatizuar mbrojtjen e atdheut! Për mbrojtjen e atdheut, gjithnjë kanë luftuar persona privat, nga shoqëria civile, si Hasan Prishtina ose Bajram Curri, Çerçiz Topulli apo Ahmet Zogu, Enver Hoxha e Hashim Thaçi… Por as këta nuk kanë zhvilluar asnjë luftë nga pozitat e shtetarit: as Bajram Curri si ministër i luftës, as Zogu si kryeministër, si president, a si mbret, as Enver Hoxha dhe as Hashim Thaçi, si ministër dhe kryeministra”.
Shqiptarët nuk e duan filozofinë?!
Në po këtë vepër të profesor Ferajt është interesant edhe një konstatim parimor si realitet historik i mentalitetit tonë karakteristik. Së paku jo aq i shprehur: shqiptarët si popull gjenetikisht e urrejnë filozofinë, andaj, jo edhe rastësisht, asnjëherë gjatë etapave të ndryshme historike (që nga ilirët e gjer më sot), kurrë nuk kanë pasur një filozof eminent me nam, apo një shkollë të caktuar autoktone doktrinare filozofike.
“Edhe sot “- thotë profesor Feraj – “sapo dikush fillon pak sa ta thelloj argumentin e vet teorikisht, bashkëbiseduesi ka shumë të ngjarë ta ndërpresë: “ou, ç’më çan kokën me filozofi!” Ose të shprehet përçmueshëm për dikë: “filozofon shumë”, “të mërzit me filozofi” , “e mban veten për filozof të madh”, etj. Vështirë të gjendet një popull me shumë shprehje përçmuese për filozofinë” – me të drejtë pyetet profesor Fraj.
Natyrisht, për të pasur një përgjigje më racionale dhe më empirike për këto dhe shumë hamendësime tjera të kësaj natyre, nuk do të na mjaftonte vetëm një qasje entuziaste publicistike e këtij lloji, por na ish dashur një trajtim më gjithëpërfshirës profesional multi-disiplinar në këtë drejtim. Natyrisht se këtë punë duhet ta bëjnë realistët nga këto fusha, e jo individë mediokër të helmuar nga ideologjitë e klaneve të ndryshme politike.
Jashtë disa vlerësimeve që sot e kësaj dite janë të imponuara si argumente, sikur, ta zëmë, se të gjitha proceset dhe fatet tona të ndodhura nëpër histori (të mira dhe të këqija) duhet të ishin ashtu si ishin: të pashmangshme dhe të natyrshme si procese shoqërore-historike, mendoj se është ky është një vlerësim shumë i gabuar që pa dashje po ia imponojmë vetvetes dhe brezave tanë të ardhshme si mendësi.
Shteti dhe metafora e Kështjellës së Shkodrës
Ndoshta, qëllimisht si përfundim, për t’ia dhënë një përgjigje metaforike gjithë kësaj materie të shkurtë tematike, sërish në vazhdim, do ta huazoj një pasus krahasues si shembull nga vepra e atdhetarit dhe veprimtarit tonë të hershëm të çështjes kombëtare, Gjokë Dabaj, i cili, aktualisht jeton dhe punon në Durrës, titulluar: “Strategjia shqiptare”.
Sigurisht se të gjithë e dimë përmbajtjen e asaj balade të famshme mitike mbi 3 vëllezërit që ndërtonin “Kështjellën e Shkodrës”. Kështjella këtu si metaforë, simbolikisht e nënkupton shtetin dhe sakrificën e madh që duhet të bëjmë për të. Ata ndërtonin ditën, ndërsa ajo shembej natën. Kështu vendosën ta pyesin një njeri të shenjtë dhe ai ua tregoi mënyrën se si mund të ndërtohet kështjella dhe se si mund të qëndronte në këmbë ajo kështjellë. Ata duhej, në radhë të parë të lidhin besën për të qenë të sinqertë ndaj njëri-tjetrit, pastaj sakrificën ta bëj ai, të cilit do t’ia sillte fati. Njeriu i shenjtë u tha që njërit prej tyre, qysh të nesërmen duhet t’i sakrifikohej gruaja e vet, nëna e fëmijës së vetë. Pra, atë grua të vëllezërve e cila, e para në punishte do ju sjell bukën atyre.
Vëllezërit ia dhanë fjalën njëri-tjetrit se do të ishin të sinqertë, por dy prej tyre nuk e mbajtën fjalën. Ata u treguan grave të veta, gratë gjithashtu u treguan të pasinqerta me kunatën dhe, në fund, sakrifica nuk u be me urdhër të “fatit” , por me HILE. U murros nusja e vllahut më të vogël. Ajo la fëmijën e vetë jetim. Vërtet kështjella u ndërtua, por e gëzuan të pasinqertit. Ata që nuk e meritonin. E gëzuan HILEQARËT.
Nëse 3 vëllezër numerikisht i shprehim si100%, atëherë në përpjesëtim, dy hileqar që nuk e mbajtën fjalën krijojnë 66, 9%, ndërsa një si i sinqertë, mbetet vetëm 33, 3 %. A thua vallë, gjatë gjithë historisë tonë dhe ndërtimit të shtetit shqiptarë, konformë asaj simbolike të metaforës së mësipërme, ne si popull gjithnjë kemi pasur 66,9 % hileqar, dhe 33, 3%, besnik, të ndërgjegjshëm dhe sakrifikues…