PROF.DR.EQREM ZENELAJ: DIPLOMACIA E ISMAIL KEMAL BEJ VLORËS, RIVALITETET E BRENDSHME NË SHQIPËRI DHE RRUGA E PAVARËSISË 1912 – 1913

Pashtriku.org, 09. 12. 2013 – Më 27 nëntor 2013, në ambientet e Hotelit “Grand” në Prishtinë, u promovua libri i Prof. Dr. Iur. Eqrem Zenelajt: “Diplomacia e Ismail Kemal bej Vlorës, rivalitetet e brendshme në Shqipëri dhe rruga e pavarësisë 1912-1913”. Ky libër ka 700 faqe dhe përmban mbi 200 dokumente të panjohura deri më sot si: Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë në Durrës, tabela gjenealogjike e Vlorajeve, gjenealogjinë e Toptanëve, faksimile dhe memorandume të Ismail Kemal Vlorës dhe familjarëve të tij, fotografi të shumta 100 vjeçare të parisë shqiptare të katër vilajeteve (të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe të Janinës), statistika të hollësishme mbi strukturën nacionale dhe fetare të katër vilajeteve shqiptare, telegrame të krerëve shqiptarë dërguar fuqive të mëdha, telegrame të konsujve, raporte të ndryshme, apele të krerëve shqiptarë, burime konfidenciale të panjohura deri më tani si dhe shumë materiale të tjera, të cilat publikohen për herë të parë pas 100 vjetëve nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë.

– Autori i librit: Prof. Dr. Iur. Eqrem Zenelaj – 

Me këtë rast për librin kanë folur: historiania jonë e shquar, Elena Kocaqi-Levanti dhe profesori i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, prof. dr. Veton Latifi. Në vijm për lexuesit e portalit pashtriku.org, i botojmë këto dy kumtesa shkencore. (sh.b)


Elena Kocaqi – Levanti
KËTË STUDIM DUHET TA LEXOJË ҪDO POLITIKAN

(Recension për librin “Diplomacia e Ismail Kemal bej Vlorës, rivalitetet e brendshme në Shqipëri dhe rruga e pavarësisë 1912-1913” të Prof. Dr. Eqrem Zenelajt.) – Libri i Prof. Dr. Eqrem Zenelajt, “Diplomacia e Ismail Kemal bej Vlorës, rivalitetet e brendshme në Shqipëri dhe rruga e pavarësisë 1912-1913”, është një kontribut serioz dhe interesant jo vetëm për figurën e Ismail Qemalit, por edhe për historinë e Shqipërisë. Autori është bazuar në arkivat e Austro-Hungarisë dhe në ato osmane, të cilat për kohën kur flasim janë çelësi i zbulimit të vërtetave në lidhje me historinë e shqiptarëve, pasi Perandoria Osmane përfshinte brenda saj në atë kohe edhe territoret shqiptare, ndërsa Austria ishte shteti më i interesuar për krijimin e një shteti shqiptar. Arkivat e këtyre dy vendeve hedhin dritë mbi shumë të panjohura të cilat qëllimisht janë mbajtur të fshehura nga historiografia e shkuar me qëllim që t’i shërbenin kauzave të atij sistemi.
Stili i të shkruarit është i qartë dhe i kuptueshëm si nga historianët profesionistë, por edhe për publikun e gjerë, duke e bërë studimin të pranueshëm nga të gjithë. Autori është i ftohtë dhe objektiv dhe ka shmangur subjektivizmin në parashtrimin dhe analizimin e ngjarjeve dhe figurave historike duke mos marrë pjesë emocionalisht në to, e kjo e bën studimin të një cilësie të lartë për nga ana shkencore.
Autori e paraqet materialin të pacensuruar dhe pa ndërhyrje dhe perifrazime që mund ta devijonin kuptimin origjinal të tij siç shpesh jemi mësuar të lexojmë. Këto lloj ndërhyrjesh në material sjellin edhe devijime nga e vërteta historike. Për të qenë sa më objektiv dhe i pakontestuar, autori ka paraqitur edhe dokumentin origjinal, më pas përkthimin e tij për ta shuar çdo lloj dyshimi që mund të ekzistojë në lidhje me faktin. Ai ka sjell në këtë formë mbi 200 dokumente të reja që janë të panjohura për publikun e gjerë, por edhe për studiuesit e historisë së asaj periudhe.
Analiza historike e materialit është e një niveli të lartë, ku autori nëpërmjet fakteve dhe argumenteve përpiqet t’u japë përgjigje pyetjeve më të rëndësishme të historiografisë së kohës. E vërteta e krijimit të shtetit shqiptar ka qenë manipuluar nga historiografia komuniste shqiptare dhe si e tillë ka ardhur koha që ajo të zbulohet. Ky manipulim është bërë me qëllim që të dilte në dritë faktori i brendshëm. Historiografia komuniste ngriti disa figura dhe uli disa të tjera dhe eklipsoi rolin e faktorit ndërkombëtar, i cili u konsiderua vetëm negativ dhe pengues, por e vërteta nuk është kështu.
Çështjet e krijimit të shteteve dhe vendosjes së kufijve nuk ishin çështje që përcaktoheshin me vetëvendosje, pasi ky koncept nuk ka qenë i njohur për kohën, por ishin çështje ekskluzive të vullnetit të Fuqive të Mëdha, të cilat krijonin edhe të drejtën ndërkombëtare publike me normat dhe zakonin që krijonin. Ato nuk merrnin në konsideratë asnjë lloj faktori shqiptar, kështu që çështja shqiptare ishte më tepër në dorën e Fuqive të Mëdha sesa të vet shqiptarëve, të cilët mund ta ndihmonin atë duke u bërë faktor konstruktiv, duke formular pretendimet e tyre dhe duke u afruar me fuqinë që mund t’i plotësonte interesat tyre.
Kështu, nga gjashtë Fuqitë e Mëdha, e vetmja që kishte interesa për ekzistencën e shqiptarëve në Ballkan ishte Austro-Hungaria, e cila ndërmori të gjitha iniciativat si para dhe pas 1912-s, për të krijuar kushte dhe terrenin e përshtatshëm për pranimin e një shteti shqiptar nga Fuqitë e tjera të Mëdha.
Autori paraqet pikërisht marrëdhënien e Monarkisë së Danubit me Ismail Qemalin dhe faktin se kërkesa për pavarësi doli kur ai ishte në Vjenë. Paraqet me fakte udhëtimin e tij nga Vjena për në Durrës, ku rruga Trieste – Durrës u bë me një anije që iu dha atij nga konti Bertold, ministri i Jashtëm i Austrisë, me qëllim që të vinte në Shqipëri para trupave serbe.
Autori ka përshkruar me fakte të gjitha takimet e Ismail Qemalit në Vjenë, ardhjen e tij në Durrës dhe aktivitetin tij në Shqipëri. Është pikërisht ky moment kaq i rëndësishme që nxjerr në pah faktorin Austri dhe kontributin e saj në shpalljen e pavarësisë, kontribut që ajo e vazhdoi në Konferencën e Londrës dhe më pas me ultimatumet që i dërgoi Malit të Zi për Shkodrën dhe Serbisë për tërheqjen nga Shqipëria në tetor 1913, ultimatum që mund ta kishte çuar botën në luftë botërore. Ngjarje e fakte këto që nuk njihen aq mirë në botën shqiptare, pasi ato janë anashkaluar për ta nxjerrë në pah faktorin vendës, duke e manipuluar në mënyrë flagrante historinë dhe duke i bërë historianët shqiptarë të pabesueshëm dhe joseriozë para historiografisë shkencore të Perëndimit.
Autori ka sjellë dokumente të hollësishme në lidhje me Deklaratën e Pavarësisë në Durrës, e cila është injoruar dhe anashkaluar nga historiografia komuniste shqiptare. Deklarata e Pavarësisë e Durrësit për herë të parë është zbuluar në arkivat e Austro-Hungarisë nga profesor Zenelaj dhe është një gur i çmuar për historinë shqiptare, e cila sot nuk posedon fizikisht dokumentin e Vlorës. Ka pasur zëra se deklarata është në osmanishte dhe nuk mund të jetë pavarësia shqiptare e shpallur në këtë gjuhë, por harrohet një fakt që edhe Qeveria e Vlorës dhe ajo e Vidit dokumentet zyrtare i shkruante pikërisht në osmanishte.
Deklarata e Durrësit, e cila është firmosur edhe nga Ismail Qemali, tregon se aty është shpallur pavarësia, por qe me mbërritjen e ushtrisë serbe në Durrës më 29 nëntor, ngritja e një qeverie provizore atje ishte e pamundur ndaj edhe Ismail Qemali u largua për në Vlorë, e cila mbeti e papushtuar ngaqë Italia dhe Austria kërcënuan Greqinë me luftë.
Studimet historike janë studime shumë të vështira për t’u realizuar si nga pikëpamja financiare nga ajo e kohës, pasi ato duan shumë kohë në dispozicion që të realizohen si dhe shpenzime të mëdha. Autori meriton një vlerësim maksimal për kohën që ai u ka kushtuar studimeve, të cilën e ka hequr nga koha që mund t’u kushtonte njerëzve tij të dashur dhe vetes. Pra, një sakrificë e madhe dhe një investim që nuk është personal, por kombëtar, pasi frytet e këtij investimi i takojnë më tepër historisë shqiptare sesa autorit.
Në ditët e sotme botime të tilla janë të rralla pasi vepra të tilla janë shumë të kushtueshme, madje në disa vend për një punim të tillë duhet të punojë i gjithë institucioni shkencor për një kohë të konsiderueshme.
Ky studim do të shërbejë si bazë për formulimin e politikave të jashtme të botës shqiptare në të ardhmen. Është një studim i vlefshëm që duhet ta lexojë çdo politikan dhe çdo përfaqësues punonjës i diplomacisë, i cili para se të fillojë një mision diplomatik, njërin nga librat më të rëndësishëm që i duhet është pikërisht ky. Falënderoj profesor Zenelajn për punën e palodhur në shërbim të shkencës dhe të historiografisë shqiptare dhe është një nder dhe privilegj që kemi studiues të kalibrit të tillë.

*   *   *


Prof. Dr. Veton Latifi
NJË LIBËR DESTINUAR POLITIKËS DHE DIPLOMACISË SHQIPTARE

Është hera e dytë brenda më pak se dy vjetëve që po paraqes reflektimet e mia lidhur me një botim më të ri të Eqrem Zenelajt. Pra, autori po vazhdon me një ritëm inkurajues të produktivitetit, kurse nga ana tjetër ai edhe këtë herë po insiston me një konceptim të përmbajtjes së kombinuar historiko-diplomatike në librin e tij të radhës. Natyrisht se kompetentes trajtuese të diplomacisë ai këtë herë sikurse edhe në librin paraprak i atribuon një segment të ri jo sa duhet të hulumtuar deri më tani nëpër arkivat europiane: fenomenin e rivaliteteve politike të shqiptarëve përgjatë rrugës së pavarësisë. Librin më të ri të Eqrem Zenelajt, “Diplomacia e Ismail Kemal bej Vlorës, rivalitetet e brendshme në Shqipëri dhe rruga e pavarësisë 1912-1913”, para së gjithash e shoh nga dy këndvështrime: nga aspekti i relevancës studimore dhe shkencore të librit; si dhe në aspekt të relevancës politike dhe intelektuale që ka ky libër në kohën kur paraqitet para publikut, pra pikërisht në vigjilje të njëqind e njëvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.Para së gjithash edhe ky libër i profesor Zenelajt sjell fakte të reja dhe të dokumentuara.
Shkenca sociale shqiptare, por edhe zhvillimi i përgjithshëm i kombit tonë në këtë fazë ka nevojë më shumë se kurdoherë për fakte të dokumentuara e assesi për thashetheme, gojëdhëna e përsiatje. Shumë të dhëna në këtë libër janë të një rëndësie të posaçme në këtë drejtim. Ne kemi nevojë në këtë fazë për referenca relevante si këto që ndriçon profesor Zenelaj, që pastaj studiues të tjerë të mund të zhvillojnë studime të mëtejshme shkencore edhe më të thelluara. Këto fakte origjinale dhe politikisht të painstrumentalizuara që i sjell libri lirisht janë pikënisje potenciale e debateve të ardhshme shkencore lidhur me diplomacinë shqiptare të pavarësisë.
Ne në vazhdimësi na duhen fakte shtesë lidhur civilizimin tonë dhe traditën tonë për përvojat e lidershipit dhe diplomacisë sonë që të mund ta modernizojmë kombin dhe shtetet e shqiptarëve në vazhdimësi e assesi t’i lejojmë vetes të veprojmë disa popuj të tjerë të Ballkanit duke devijuar kohë pas kohe në mënyrë joracionale me kthim mbrapa për ta rishkruar historinë e tyre dhe të tjerëve dhe duke u marrë vazhdimisht me të kaluarën pa shikuar fare nga e ardhmja.
Brenda një shekulli shqiptarët u ballafaquan me dy procese paralele në hapësira të ndryshme dhe kohë të ndryshme: procesin e shtetformimit të dy shteteve (Shqipëri dhe Kosovë) me distancë të madhe kohore; si dhe procesin e shtetndërtimit sërish të Shqipërisë dhe Kosovës, po në hapësira të ndryshme. Ky proces i fundit po rrjedh njëkohësisht për të dy shtetet, por me një imazh të fragmenteve të mëdha si dhe jo plotësisht me bindjen se po merren parasysh përvojat diplomatike dhe urtësisë së lidershipit shqiptar gjatë shtetformimit dhe disi duke mos marrë gjithnjë parasysh vlerat dhe diskursin e politikës shqiptare përgjatë shekullit. Prandaj, në periudhën kur ne si komb duhet të ndërtojmë kapacitete sa më efikase e moderne diplomatike dhe t’i institucionalizojmë sa më tepër politikat tona universale, botimet dhe ndriçimet faktike sikur ky hulumtim i Dr. Eqrem Zeneljat japin një kontribut të veçantë në këtë drejtim. Sepse vetëm kështu ne do të hapim horizonte të reja burimesh për studiuesit shqiptarë dhe komunitetin diplomatik gjithëshqiptar.
Nga ana tjetër, ky libër nuk është një hulumtim linear i thjeshtë i çfarëdo qoftë fakteve historike, por i fakteve për shtetformimin e një Shqipërie strategjike në rajon. Edhe më tutje, ky nuk është libër linear vetëm për diplomaci, por për një diplomaci unike, për diplomacinë e themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit, shikuar njëkohësisht edhe nga këndvështrimi se sa rivalitetet mes politikanëve të kohës e kanë pas bllokuar, por edhe nga ana tjetër në disa raste e kanë përshpejtuar aktin e pavarësisë. Dhe duke lexuar segmentet e librit lidhur me rivalitetet politike nuk mund të mos të ndalesh kohë pas kohe e që të mos befasohesh me ngjashmëritë e së sotshmes në skenën politike shqiptare. Dhe pyesim veten, këto rivalitete të thella politike shqiptare (shpeshherë rivalitete joproduktive gjatë rrugëtimit të pavarësisë), a nuk janë edhe në kohët e sotshme të pranishme me të njëjtin vokacion; a nuk po na përsëriten edhe sot sikurse që nga fillimi dikur një shekull më parë me efekte dekurajuese përgjatë procesit të shtetformimit si dhe përgjatë procesit të shtetndërtimit të Kosovës dhe integrimeve të Shqipërisë. Diplomacia nuk është vetëm veprimtari e një individi, por edhe një rrjetëzim i tërë i strukturave e funksioneve të ndryshme gjatë ndërveprimeve mes kombeve dhe performuese e bashkëpunimit me partnerët, por edhe rivalët të momente të caktuara. Madje as filozofia e diplomacisë së Ismail Qemalit, që në atë kohë nuk e kishte injoruar këtë fakt. Aq më pak atëherë kanë arsye dhe hapësirë që elita aktuale politike shqiptare gjithandej t’i lejojë vetes ta harrojë këtë praktikë sot.
Përpos aspektit përmbajtjesor dhe fakteve të ndriçuara, kësaj radhe profesor Zenelaj me këtë libër sjell diçka të re në aspekt të qasjes së tij të shkruarit: ai duket të jetë më provokues sesa herëve të tjera, duke nxjerr disa teza të reja lidhur me ngjarjet rreth pavarësisë që i nxjerr si fakte e dokumente nga raftet e arkivave të Vjenës e metropoleve të tjera evropiane të mbuluara me pluhur plot një shekull. Ai jorastësisht i prezanton disa fotografi, të dhëna numerike, data e pohime në këtë libër sepse kam bindjen se ai synon të zgjojë debat. Ne si shqiptarë jemi në fazë të një zhvillimi të debatit publicistik, por kemi nevojë ta zhvillojmë debatin intelektual, duhet ta zgjojmë debatin shkencor para së gjithash. Me librin e tij të fundit Eqrem Zenelaj synon të nxisë debat.
Po paramendoj nga faktet dhe dokumentet e reja që prezantohen në këtë libër se sa autori i këtij libri i ka munduar ata punonjës të arkivave të ndryshme evropiane duke insistuar të nxjerrin diçka konkrete e faktike pas një shekulli. E sa më shumë ai t’ua ketë ç’ekuilibruar komoditetin arkivistëve për të sjellë dokumente që ndriçojnë traditën dhe diplomacinë tonë, ne si komb jemi edhe më fisnik. Uroj që Eqrem Zenelaj për çdo vit t’i shterë sa më tepër arkivat perëndimore e t’i lodhë sa më shumë punonjësit e arkivave! Fundja, le të jetë edhe personi që do ta kenë me shumë zili punonjësit e atyre arkivave evropiane, por nga ana tjetër ne si komb do të përfitojmë vepra që ekspozojnë fisnikërinë tonë dhe do të jemi më të pasur me fakte të reja që flasin për vlerat tona evropiane që nga e kaluara e deri më sot.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura