Tiranë, 13. 01. 2014 – («Zakoni i të mbajturit me fanatizëm i shenjave të veta dalluese ka një kuptim të përcaktuar qartë… dëshira e tij (e shqipetareve) për t’u identifikuar është më e madhe se frika nga vdekja.» Rose Lane «Majat e Shales») – Ka vite, që gjithmonë e më shumë 25 dhjetori, dita e Krishtlindjeve, po bëhet e pranishme në shoqërinë shqipëtare. Si një popull tolerant, ay historikisht i ka festuar ditët e shënuara të të gjitha besimeve, pavarsisht nëse i njihte apo jo domethënien fetare apo mitike të këtyre datave dhe riteve.
Me qenëse çdo dukuri ka një zanafillë, na lind pyetja se: “Nga e ka origjinën emërtimi i Jezusit, KRISHT dhe në gjuhën dhe besimin e kujt populli, ay arrin të motivojë simbolin kryesor të fesë kristiane, KRYQIN ?”
Sipas Ungjillit të Mateut, tregohet se Maria, nëna e tij që i ishte premtuar Jozefit, mbeti shtat-zanë me Frymën e Shenjtë. Jozefit, që mendonte ta linte Marinë, iu çfaq në ëndër një ëngjëll i Zotit dhe i tha: «Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë me vete si gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. Dhe ajo do të lind një djalë dhe ti do t’i vesh emrin Jezus, sepse ai do te shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre. (1)
– STUDIUESJA FATBARDHA DEMI –
Në Bibël nuk përmendet se kush ja vuri emrin «Krisht» (Christ) Jezusit të Nazaretit. Ka studiues dhe besimtarë, që e shpjegojnë emrin «Krisht», si pasojë e dënimit të Jezusit me një vdekje plot vuajtje trupore mbi një kryq. Kryqi, sipas besimit kristian, shpreh kryqëzimin, Krishtin, Fjalën dhe Figurën e dytë të Trinitas. Të gjithë besimtarët dhe studiuesit e historisë, bashkohen në mendimin se “kryqi” sot, përfaqson simbolin e besimit kristian.
Por, siç dëshmon studiuesi Joel B. Green (“The Cambridge Companion to Jesus”) “Dëshmia e mënyrës së vdekjes të Jezusit është shumë më e errët, se sa është paraqitur. Në literaturën e antikitetit Roman, nuk jepen përshkrime të aktit të kryqëzimit“ (2) Edhe teologu anglez E. W. Bullinger, në librin “The Companion Bible” (botuar më 1922) pohon se në katakombet e Romës, Krishti nuk është pasqyruar asnjëherë i dënuar mbi një kryq. (3)
(a) një grafikë që sjell formën e përhapur të dënimit (Justus Lipsius, 1595) (b) Dënimi i legjionarit romak Acacio, (viti 303) për shkak të përqafimit të besimit të ri kristian. Në plan të parë është Jezusi. (4)
Siç dihet, për krijimin e miteve të reja, duhet të kalojë një periudhë disa shekullore nga ngjarjet historike. Gjatë kësaj kohe, miti pasurohet me material tregimtar, pasqyrim viziv nëpërmjet artit të gdhëndjes dhe pikturës, me rite e ditë të shënuara.
J. Hall në “Dictionary of Subjects & Symbols in Art” ka pohuar se: “duke filluar nga shk. V, kryqi filloi të gdhëndet në sarkofaget dhe objektet e tjera. Wallis Budge (në librin “Amulets and Talismans”) shton: «Para shk. 4, Kryqi nuk ishte emblemë kryesore dhe simbol i të krishterëve”. (5)
Si përfundim del se, simboli i kryqit kristian është futur në periudhat e mëvonshme, nga koha historike e vdekjes së Jezusit. Format e ndryshme të kryqit që gjënden sot në Europë, na bëjnë të mendojmë, se këto figura grafike, duhet të kenë lidhje me simbole të miteve të tjera (që nuk lidhen me kryqëzimin) të një besimi shumë më të hershëm, të pa trajtuar deri më sot. Në Enciklopedinë e literaturës Biblike (Cyclopædia of Biblical, Theological, and Ecclesiastical Literature) dëshmohet se shenja e kryqit mbahej si simbol i shenjtë tek shumë popuj të Antikitetit.(6) Sipas studiuesve, ndërmjet figurave gjeometrike, kryqi është simboli i tretë kryesor i ardhur nga periudha me e herëshme e lashtësisë dhe ka lidhje me qëndrën, rrethin, katrorin dhe trekëndëshin.
Kryqi (1) latin, (2) françeskan, (3) grek, (4) ortodoks, (5)kryqi i Shen Andreas, le premier apôtre appelé par Jésus dans l’Évangile (Matth. 10,2) i shek X, (6) kryqi bizantin, (7) bask dhe (8) keltik.
Gjatë historisë njerëzore është vërejtur se çdo mit i ri, për të ndikuar mbi popullsinë, mbart në gjirin e tij simbole të miteve dhe besimeve të kaluara. Ky fakt gjen shpjegim në shkencën e psikologjisë. Si shëmbull mjafton të vërejmë flamurin e BE-së. Yjet pes-cepësh na sjellin ndërmend yllin e Davidit dhe numri 12, numrin e Perëndive mbi Olimp. Në simbolet e shumë flamujve apo heraldikave të shteteve, gjënden yje pes-cepesh, vetëm apo të shoqëruar me hënën, shqiponjën, numrin e shënjt «tre» të ngjyrave, vijat paralele, katrorin, rrethin, trekëndëshin, pemën e jetës etj., që i gjejmë në besimin hënor dhe mitet pellazge. Në këtë pamje, nuk mungon edhe kryqi i paraqitur në forma të ndryshme. Petro Zhei shprehet se «Simbolet kapërcejnë vëndet dhe kohërat, situatat individuale dhe rrethanat e rastësishme…»(7) Këtë e dëshmon edhe studiuesi Joseph L. Henderson «Miti antichi e uomo moderno», i cili pohon se ka simbole që nuk e kanë humbur rëndësinë e tyre për racën njerëzore. (8)
Përderisa besimi kristian e vuri kryqin në qëndër të mitit të tij, jam e bindur se ky simbol, mbart në vetvete një kuptim shumë të rëndësishëm, ndoshta më të rëndësishmin ndër simbolet e tjera të besimit zanafillor të shoqërisë njerëzore. Gjithashtu mendoj se, kjo peshë simbolike e kryqit në lashtësinë e herëshme, ka lidhje edhe me emërtimin «Krisht», me të cilin shqiptohet sot figura qëndrore e kristianizmit – Jezusi i Nazaretit.
KRYQI, NDËR SHENJAT MË TË LASHTA
Më poshtë kemi të paraqitur (a) shkrimin më të lashtë europian dhe (b-c) kryqe tek simbolet ilire dhe një tatuazh me kryqe i dorës tek shqipetarët e Maqedonisë, dërguar nga studiuesja Edibe Selimi Osmani (dt 2.07.2013). (9)
Në studimet e sotme, kryqi (dy-tre rrezesh) është përcaktuar si gërma të alfabeteve të lashtësisë. Në fig poshtë (a) kryqi tre-rrezesh, i përket alfabetit të mijevjeçarit të tretë pk. dhe (b) dy kryqe dy-rrezesh shprehin emërtimin fonetik “tau” në shkrimin kuneiform të Mesopotamisë. (10)
I këtij mendimi është edhe Niko Stillo i cili pohon se “Simboli i kryqit të thyer është simbol apo shkronjë e shkrimit apo e shkrimeve lineare tepër të lashta në Europe”. (11)
Meqenëse kryqin e hasim që në “artin” e njeriut të neolitikut, kur nuk ishte krijuar akoma shkrimi, arrijme në përfundimin se në periudhën e parë këto shenja nuk ishin shkronja, por lidheshin me besimin zanafillor. Studiuesi At Justin Rrota, në veprën e tij “Për historinë e alfabetit shqyp” (1936), na tregon një shembull të tillë: “Në botimin e Buzukut, gjejmë fijen qi na zgjidh nejet (hijen-shën im) e dyshimit mbi shenjet e posaçme të shkrimit të shqypes (….) Për të shprehë tingullin e «y»-s sonë, qi ky shkrimtar e përdori edhè për zânoren «u», ai vojti e muer shêjin e zodiakut (brirët e demit) qi âsht në përdorim në degë t’astronomis për ftyrën e Taroçit (Taurus).” (12)
Ne sot nuk arijmë dot, të themi me saktësi se çfarë ka dashur të shprehë njeriu primitiv me shenjën e kryqit, që vizatoi në shpella apo kur e gdhendi në kockë, gurrë apo baltën e pjekur. Por mund të pohojmë, se në atë periudhë të herëshme, besohej në forcat e mbinatyrshme, të paaritshme prej tij dhe në rradhë të parë, ato që ndodheshin në qiell, si hëna, dielli, yjet, uji (shiu) dhe ajri, etj. Besimi dhe mitet më të herëshme, ju përkasin “banorëve” të kupës qiellore, dhe sot e kësaj dite aty ndodhet edhe banesa e Zotit. Mircea Eliade pohon se “Lartësia është diçka e paaritshme për njeriun dhe si e tillë, i përket forcave dhe ekzistencës mbinjerëzore… Qielli ‘simbolizon’ përsosmërinë, shenjtërinë, forcën, pandryshueshmërinë … Thjesht nga të qenurit ‘i lartë’, që ndodhet ‘lartë’ e barazvlerëson me të qenurit i pushtetshëm” (13)
Njeriu i paleolitit ishte në «kërkim të Zotit», të ndjerë prej tij si një FORCË e pa-formë. Ay e shikonte atë tek shumë dukuri të natyrës qiellore dhe tokësore, nga të cilat varej jeta e tij dhe e fisit. Frika më e madhe për të qe zhdukja e dritës, kur terri i një nate pa hënë apo në thellësinë e shpellave, përpinte çdo gjë përreth tij. Në terr, nuk ekzistonte asgjë. Lufta kundër «territ» për të shpëtuar DRITËN (hënore dhe diellore), gjëndet në themel të miteve të para të njeriut.
Kryqi, përmban në vetvete elementin shprehës të zbritjes në tokë të DRITËS – rrezen (vijën e drejtë). Fjala e gjuhës shqipe “rreze”, vëren studiuesja Nermin Vlora “Është një fjalë që e hasim edhe sot në të gjitha gjuhët indo-europiane, (por) nuk haset as në greqisht, turqisht, arabisht dhe as në gjuhen kineze…” (14) Siç e vërteton Petro Zhei nëpërmjet fizikës moderne, gjuhës dhe miteve «Gjuha referon gjithnjë tek Qendra (Zoti)» (15)
Rrënja e emrit “rreze” gjëndet në emrin e Zotit tek egjiptianët e lashtë (Perëndia Rê/Ra – ajo që bije në tokë sipas Xh.Katapanos) dhe është e shprehur në muret e Piramidave në formën e vijave të drejta që përfundojnë me një dorë (dora e Zotit), por edhe në pikturat mesjetare të kristianizmit. Asnjë objekt tokësor, nuk kishte atë pamje të përsosur të vijës së drejtë si rrezja, e cila lidhte Dritën qiellore (Zotin) me Tokën. Ashtu sikurse në lashtësi edhe në besimet e sotme, çdo element i shënjtërisë, shprehet si një burim ndriçimi apo rrezatimi.
(a)Monedhë me kokën e Seleukidit, mbretit të Sirisë antike (b) Perëndia Mitra (c) Mozaik i Krishtit me rreze përreth kokës i shk. 3 në bazilikën e Shen Pjetrit, Vatikan (16)
Dy rreze të kryqëzuara (kryqi) ishin një nga simbolet më të herëshme për Zotin, së bashku me figurën e hënës, si shpreje e natyrës së tij KRIJUESE dhe Shqiponjës, të vetmes qënje të gjallë që i afrohej më afër tij.
Në veprën “Thoti fliste shqip” studiuesi arbëresh Xhuzepe Katapano pohon se “Shqiponja dhe Ylli simbolizojnë që në kohët më të lashta, dritën, shpirtin pra vetë zanafillën e jetës dhe të çdo krijimi, që janë thelbësisht të rendit mendor …(dhe) sipas Moisiut, shqiponja dhe ylli, janë sinonime (17) Në fotot poshtë, kemi një monedhë romake e vitit 217-215 pk, me shqiponjën që mban një kryq në formë ylli dhe një pjesë e relievit kushtuar perëndisë së Mithrës në Muzeun e Vatikanit e shk. 3, ku paraqitet hëna me dy kryqe-yje.(18)
Të tre këto figura (hëna, kryqi-yll dhe shqiponja) përfaqësonin të Plotfuqishmin dhe janë pasqyruar së bashku apo të veçuara, gjatë të gjithë periudhës së lashtësisë, mesjetës, por edhe në kohët moderne, kur bëhej fjalë për fuqinë hyjnore.
a)Monedhë romake e vitit 189-180 pk. (Hëna lart dhe kryqi në formën e rrotës) (b) shqiponja në qendër të kryqt përfaqëson Zotin (c) pjesë e heraldikës gjermane e shk.19 ku duket një kryq (X) i formuar nga speranca dhe shpata, një kryq i drejtë i dorezës së shpatës dhe hëna. Këtu përfshihen edhe simbole të tjera. (19)
Trastë e gruas së Sopotit, Librazhd, fillimi i shk.20 «Veshje popullore» Vell 2.
Në qëndër të kryqit qëndron shqiponja, që së bashku me dy hënat dhe yjet sipër, përfaqësojnë Krijuesin. Katër rrathët, me qëndrën e spikatur në formë ruaze, janë shprehje e botës hyjnore me Zotin në qëndër. “Raporti midis Zotit dhe Krijimit – shprehet Antonietta Zanatta – është i njejtë me atë të rrethit dhe qëndres”. (20)
Që të treja format e kryqit që njihen edhe sot (X,+, T ), kanë patur për lashtësinë vlerë të njejtë mitike, gjë që dëshmohet edhe në alfabetet e para. (vini re gërmën-kryq fenikase, atë arkaike greke, formën “T” greke klasike, etruske dhe latine, me të njejtën vlerë fonetike (21)
Kjo vihet re edhe në monedhat romake ku kryqi, ylli dhe germa “T” janë simbole të Zotit.
(a-b) Binjakët Dioskure me kryqin brenda rrethit dhe dy yjet mbi kokë, në monedhat romake të viteve 211-208 pk . Germa “T” mbas kokës së binjakeve dhe dy yje mbi kokat e kuajve si shprehje të Krijuesit. Le_monete_di_Luceria_Classe_IV_-_8. (22)
KRYQI – YLL DHE BINJAKET E ZEUSIT
Që simboli i kryqit-yll ka qënë, dy / tre rreze që ndërpriten me njera-tjetrën, me idenë e pranisë së Zotit, kemi dëshmi të shumta në materialet arkeologjike. Në shumë monedha të periudhës romake, mbi kokën e binjakëve: Kastorit dhe Polideukut, të njohur me emerin-Dioskurë, ndodhen dy kryqe-yje (fotot lart). Dioskuret, sipas mitit pellazg, ishin fëmijët e Ledës, (grua e Tindrit, mbretit të Spartës) e të Zeusit, që e mashtroi duke u paraqitur si mjelmë. Dy binjakët, kanë mbi kokë pikërisht dy gjysmat e vezës nga kanë lindur (qeleshet) që është pjesë e veshjes vetem e traditës shqipetare. Ky është edhe një fakt tjetër, që dëshmon se mitet “greke” kanë për autorë, paraardhesit e shqiptareve-Pellazgët hyjnorë.
Në fotot poshtë:
(majtas) skicë e mitit, punuar nga Leonardo da Vinçit (1692) Musée Boijmans Van Beuningen de Rotterdam (qendër) binjakët Dioskure mbi kokën e të cilëve qëndron hëna dhe dy yje, shk. 2 pk (djathtas) statujë e Dioskurëve, si simbol hyjnor i forcës ushtarake të Perandorisë Romake. (23)
Më hollësisht për Dioskurët dhe babanë e tyre, Zeusin pellazg apo Oine, Lamahun, Minosin, Nino, Sheshoosi tek egjiptianët, Dionis nga grekët dhe Noe, në Dhjatën e Vjetër është shtjelluar në veprën madhore të Niko Stillos “Etruskishte-Toskërishte”, që vijon të mos përfillet nga Albanologjia e politizuar zyrtare.
Në shumë objekte arkeologjike apo grafika edhe të kohëve të reja, kryqi-yll me hënën, paraqiten të bashk-shoqëruara si shprehës të njeri-tjetrit, siç e gjejmë në simbolin e besimit islam, të huazuar nga besimi pellazg. Ylli sipër hënës ishte simboli i Perëndeshës Afërditë dhe i shtetit të Epirit. Ky simbol është pasqyruar edhe mbi qeleshen e Aleksandrit të Madh. Në monedhën romake (në foton poshtë) të vitit 112 pk, hëna dhe ylli shprehin idenë “Zoti është me ju!” dmth ushtari romak ka mbrojtjen hyjnore. Po kështu, në heraldikën e gazetës së arbëreshëve, hëna/kryqi-yll në qendër të shqiponjës dy krenore, shprehin tre simbole të Zotit dhe dëshmojnë lidhjen e tij me Kombin arbër.
(a) monedhe romake e vitit 113-112 pk (b-c) ne mes të shqiponjës dy krenore, ndodhen dy figurat sinonime: hëna dhe ylli.(24)
Në librin kushtuar figurës së shquar arbërore Gjergj Xhemisto Pletones (shk15), Moreno Neri sjell një dëshmi të çmuar për temën tonë. Në një letër dërguar fëmijëve, me rastin e vdekjes së babait të tyre shkruhet: “(Ai) i kaloi njerëz të shumtë të hyjnizuar që ka lindur Hellada, ashtu sikurse Faeton (Zeusi) ishte më i miri ndër yjet e tjerë” (25) Të mos harrojmë, se Ptolemeu e quan Epirin “Hellas prehistorik”, ndërsa Polibi e quan popullsinë e Epirit dhe Maqedonisë, si hellenë në të gjitha kuptimet (26) dhe “(s)hellenizmi” ka qene deri në shk.19, besimi i popullit arbër. Emërimin “yll” nuk e gjejmë vetëm për Zeusin, por edhe tek fiset pellazge. Studiuesi Trevor Bryce në librin e tij “The Kingdom of the Hittitës”,(Oxford 1998) duke ju referuar emrave të mbretërve hititë vëren “se ata kanë prapashtesë -ili, mënyrë e cila i identifikonte ata me yllin… Përveç ilirëve dhe hititëve, nuk ka asnjë popull tjetër në Azi apo Evropë, që të përdorë prapashtesën -ili pas emrit të një mbreti. Mes gjuhëve semitike, prapashtesa -ili, tregon thjesht Zotin.” Hititët dhe ilirët kishin të njëjtën kulturë e qytetërim dhe të njëjtën gjuhë. (27) Simboli i yllit qëndron edhe tek emërtimi “Ilirë”, që gabimisht kuptohet si “i lirë”. Në dialektin çam emri “ylli” shqiptohet “illi” dhe emërtimi historik i popullit tonë është “yllorë” dhe i vendit Ylliria. Këtë e mbështet mitollogjia pellazge dhe emri i më vonshëm “Illyria”, ku ka ndodhur ndrimi i zanores “y” me “i” tek bashtingëllorja e parë. „Yj“ (yj-yjnor-yjneron)-dëshmon Nermin Vlora – këtë fjalë nuk e kam gjetur në asnjë gjuhë tjetër me përjashtim të shqipes(…)megjithëse ishte e përhapur në të gjitha mbishkrimet e lashtësisë, nga Egjeu deri në Atllantik (28)
Për sa u shtjellua më sipër mbi simbolin e kryqit në objektet arkeologjike, të traditës, studimet gjuhësore dhe historike, dëshmohet se: KRYQI në besimin dhe mitollogjinë pellazge, ka simbolizuar YLLIN dhe ka përfaqësuar Krijuesin-Zotin.
( VIJON… )
===============================
PJESA E DYTË:
FATBARDHA DEMI: EMRI ‘JEZUS’, ‘KRISHT’ DHE ‘KRYQ’ SHPJEGOHEN VETËM ME GJUHËN DHE BESIMIN E PELLAZGO-SHQIPETARËVE (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=2262