FAHRI DAHRI: EDES-i BASHKËPUNONTE ME OKUPATORIN KUNDRA ELLAS-it, POR SHTETI GREK AKUZON ÇAMËT (3)

Itali, 14 prill 2019: Shtjellojmë disa qëndrime të banorëve të Çamërisë dhe sjelljet e shtetit Grek ndaj tyre: Është shteti Grek që mbahet tek akuza qorre: “Na ishte dikur…..”.
A ka të vërteta në akuzën greke të bashkëpunimit të çamëve me gjermanët?.

Shumica e popullsisë shqiptare në Çamëri përkrahu forcat e majta të rreshtuara në ushtrinë partizane EAM-ELAS. Kjo qasje ishte e justifikuar për arësye se:
– Shqiptarët autoktonë në Çamëri i urrenin forcat politike të djathta, mbasi ato forca ndër vite e ushqenin popullin me nacionalizëm ekstrem grek, kundër minoriteteve. Shteti Grek, ndaj banorëve shqiptarë të besimit mysliman të rajonit të Çamërisë, që nga viti 1913 përdorte persekutimet, shpronësimet, shpërnguljet, i quante të padëshiruar, i trajtonte tradhëtarë të kombit grek për shkak të konvertimit në besimin islam, etj.
Le të përmendim një nga ligjet e nxjerra nga shteti Grek, ku duket qartë diskreditimi dhe çpronësimi i banorëve myslimanë të Çamërisë. Në dhjetor të vitit 1917, qeveria greke nxori ligjin me numër 924, datë 14-XI-1917, me të cilin porositeshin të gjithë banorët myslimanë të Çamërisë se ata nuk kishin të drejtë të shisnin, të blinin apo të kalonin pasurinë e tyre tek njëri-tjetri. Me këtë ligj shteti grek përfundimisht bëhej pronar në pronat dhe pasuritë e shqiptarëve të Çamërisë.

– Arësye tjetër lidhej me faktin se edhe në Shqipëri luftohej kundra pushtuesve gjermanë, dhe partizanët ishin inkuadruar në ushtrinë Nacional Çlirimtare e cila udhëhiqej nga e majta e Shqipërisë.
– Nuk kanë munguar përpjekjet e Napoleon Zervës, prijësi i EDES-it, i të djathtës greke, për të bindur disa krerë nga banorët e Çamërisë për tu bashkuar me ushtrinë zerviste.
● Në një nga këto takime, që u zhvillua në fund të muajit maj 1943, pala e EDES-it u përfaqësua nga koloneli anglez Myers, kapiteni Zhupa dhe 2-3 oficerë të tjerë; ndërsa përfaqësues nga çamët ishin Mazar Dino, myftiu i Paramithisë, Ferhat Kaso e Sali Meto. Në atë takim pala e EDES-it i kërkoi Mazar Dinos që të bashkoheshin me Napoleon Zervën kundër EAM-it dhe ELAS-it, pra kundra partizanëve grekë ku ishin inkuadruar edhe mbi 700 djem e vajza çamë që luftonin për çlirimin e Greqisë nga okupatori. Ky takim, për nga vetë qëllimin e tij, është një fakt historik që dëshmon se EDES-i ishte pro okupatorit dhe kundra partizanëve, çlirimtarëve të Greqisë.
Duhet vënë në dukje se vërtet anglo-amerikanët ishin në koalicion ushtarak me Bashkimin Sovjetik (Rusinë), për të luftuar “Boshtin” nazifashist, por në terren dhe konkretisht në Greqi, donin të fitonte e djathta greke, prandaj ndihmuan në të gjitha drejtimet për ta mundur të majtën greke.
Kjo situatë politike duhej të ishte kuptuar nga elementët çamë të të dy grupimeve si më sipër dhe që u shfaqën vetëm gjatë L2B, në ndërtimin e rrugës që duhej ndjekur, pavarësisht nga shtrirja e vogël e aktivitetit të tyre. Qoftë grupimi i vogël me të djathtën dhe grupi tjetër me të majtën greke, jo vetëm që nuk ndihmuan, por dhuruan alibi, për tu bazuar në përligjjen e strategjisë së shtetit ortodoks grek në kryerjen e masakrave dhe dëbimit të dhunshëm të asaj popullsie.
● Një tjetër takim është zhvilluar më 10 gusht 1943, në qytetin e Pargës, ku u takuan përfaqësues të EDES-it me Mazar Dinon dhe disa bashkëpunëtorë të tij. Edhe në këtë takim pala e Napoleon Zervës u kërkoi:
– Të bëhej çarmatimi i menjëhershëm i çamëve dhe gjithë forcat çame të armatosura si dhe ata të aftë për luftë, të kalonin nën komandën e EDES-it.
– Në Çamëri të organizohej një administratë në formë këshilli, me emrin EA (Ethiniki Agona).
– Ndihmat që do të mblidheshin nga popullsia të shkonin për EDES-in.
– Në krahinat që ishin nën juridiksionin e EDES-it, të mos shkelte asnjë çam i armatosur.
Qëllimi i EDES-it,në ato takime, ishte të shtonte forcat për të goditur EAM-in kundërshtar, duke përdorur banorët shqiptarë të Çamërisë “mish për top”. Edhe në bisedimet e zhvilluara nga data 3 deri në datën 6 korrik të vitit 1944, në fshatin Mininë, përfaqësuesit e Zervës, i parashtruan palës së vllezërve Dino, siç u tha, çarmatimin e plotë dhe mobilizimin e përgjithshëm të djemve dhe burrave çame për tu inkuadruar në radhët e EDES-it, dhe të pranonin pa kushte pushtetin e EDES-it në Çamëri. Shumica e cilësuar e popullsisë çame nuk pranoi të futet në luftën midis forcave rivale në Greqi dhe si ndëshkim Zerva filloi sulmin e përgjithshëm me date 8 korrik të vitit 1944, mbasi kishte masakruar gjatë 26,27,28 qershorit banorët mbarë të qytetit të Paramëthisë dhe rrethinat e tij. Pasoja e dëmtimet që u kryen, dihen tashmë; përmbushën kriteret e gjenocidit të tmerrshëm. Del qartë se EDES-i nuk i masakroi çamët se ishin bashkëpunëtorë me okupatorin, ajo u përdor si alibi, por për faktin që ata nuk pranuan të inkuadroheshin me EDES-in kundër partizanëve grekë.!
Nga këto dy takime të zhvilluara mes forcës politike të djathtë greke dhe disa individëve çamë, që nuk kishin të drejtë përfaqësimi të banorëve të Çamërisë, del qartë taktika e Zervës për të çarmatosur banorët autoktonë shqiptarë të Çamërisë, grabitjen e pasurive dhe izolimin e banorëve për të lehtësuar në realizimin e strategjisë së Greqisë për vrasjen dhe shpërnguljen e gjithë popullsisë nga trojet e tyre.
Dhe koha vërtetoi se EDES i realizoi qëllimet e saj. Me urdhër direkt të Hitlerit u grumbulluan armët e banorëve të rajonit nga forcat gjermane dhe u shpërndanë forcave të Napoleon Zervës. Po ashtu gjatë muajit Qershor 1944 e deri në mars 1945, forcat e Zervës dhe ushtria Greke i masakroi, i shpronësoi dhe i dëboi dhunshëm të gjithë banorët e besimit mysliman të rajonit të Çamërisë.
Historia e shkruan të djeshmen, ndërsa e sotmja përpiqet që nëpërmjet fakteve dhe burimeve të ndryshme të bëjë analizat dhe të konkludojë në vërtetësinë ose jo të ngjarjeve të periudha të caktuara.
Që prej 75 vitesh flitet nga ata që kryen viktima, se banorët e rajonit të Çamërisë u bashkuan me gjermanët dhe luftuan kundër shtetit Grek, bile paskan vrarë dhe djegur fshatra të tëra greke. Realiteti ishte ndryshe dhe fare i qartë. Banorët e Çamërisë asnjëherë nuk kishin ushtri, asnjëherë nuk kanë administruar rajonin e tyre (gjithëmonë flitet për kohën që rajoni kaloi brenda kufirit të shtetit Grek), asnjëherë nuk kanë shkuar të organizuar për të vrarë dhe djegur fshatra greke, sepse okupatori si ai italian dhe gjerman ishin ulur “këmbëkryq” në territorin e tyre dhe shteti Grek jo që nuk u erdhi asnjëherë në ndihmë, por ndërseu EDES-in me Zervën në krye dhe u bëri gjëmën.
A kanë marrë pjesë çamët me gjermanët në kuftë kundër shtetit Grek?. Një akuzë paradoksale, por që u pëlqen ta përdorin me zell grekët po se po, por dhe disa shtete apo drejtues europianë, pa lënë mënjanë edhe “bijë” të shitur dhe të blerë brenda qënies etnike.
Është shfaqur shpesh në faqet e internetit dhe në shtypin e shkruar, si këndej kufirit dhe andej një fotografi, në të cilën ka dalë Nuri Dino me një feste (qeleshe) tradicionale çame dhe me një xhaketë italiane me gradën kolonel. Nuk është mohur se vllezërit Dinej dhe disa dhjetra çamë, mbështetës të tyre, kanë qenë inkuadruar me forcat pushtuese italo-gjermane; sikundër edhe të së vërtetës që ky grupim nuk pati asnjë mbështetje nga shumica e cilësuar e banorëve të rajonit të Çamërisë.
Fotografia, siç është e vetmja e zbuluar, ashtu është edhe e vërteta që është fotografuar brenda territorit të shtetit Shqiptar dhe jo në Greqi (as në rajonin e Çamërisë). Gjithashtu dihet se në luftë gjithëmonë ka mbështetës dhe kundra, e rëndësishme është numuri i pjesmarrësve në “pro” dhe “kundër”; në raportet e tyre si dhe në krahasim me masën e gjërë të banorëve të një fshati, qyteti, rajoni, shteti etj. Pavarësisht nga pjesëmarrja në pro dhe kundër, me mbarimin e luftës, deri në vitin 1944-45, nuk ka ndodhur që të vritet e gjithë popullsia e një rajoni apo shteti. Kjo çmenduri u vërtetua në karakterin antinjerëzor te shtetit ortodoks Grek.
Sipas disa të dhënave statistikore rezulton se nga rreth 28 mijë banorë myslimanë që kishte rajoni i Çamërisë para L2B, përqindja e atyre që u inkuadruan me italo-gjermanët dhe EDES-in, nuk i kalonte 0,3 përqind dhe përqindja e atyre që u inkuadruan me forcën e majtë greke (partizanët) ishe 3,9 përqind. Të dy grupimet e vogla që u përfshinë në “pro” dhe “kundër” okupatorit në përqindje ishin 4,2% e gjithë popullsisë. Ndërsa pjesa tjetër, shumica dërrmuese e banorëve çamë ose 95% e tyre, nuk u angazhua në asnjë formacion luftarak kundër shtetit Grek dhe në asnjë forcë politike greke.
Megjithatë strategjia e “Megalloidesë” i ndëshkoi ata duke vrarë, masakruar, humbur dhe vdekur nga uria dhe marazi mbi 8 mijë njerëz të të gjitha moshave dhe mbi 18 mijë njerëz që shpëtuan, u shpërngulën dhunshëm nga vendi i tyre i lashtë. Edhe sot, duke filluar nga disa presidentë, kryeministra, kryetarë partishë, lobistë të shumtë dhe predikues të lartë klerikë grekë, vazhdojnë përbaltjen, si të viktimave që krijuan prindërit apo gjyshërit e tyre dhe të gjallëve me sloganin e turpshëm papagallian: “Nuk ka problem çam”.
Theksohet ky fakt, jo për gjë tjetër, por për të vërtetuar dhe saktësuar se nuk ka patur në asnjë rast formacione të rregullta ushtarake të shqiptarëve çamë në Çamëri që të ishin të organizuar, me përjashtim të disa përpjekje të vllezërve Dino dhe mbështetësve të tyre që u bashkuan me administratën italiane e gjermane, por, siç dihet nuk u kryen luftime.
● Le të njihemi me një tjetër fakt historik, krahas formacioneve të parregullta të vëllezërve Dino, të cilët ishin në anën e pushtuesve; u themelua në Çamëri, Këshilli Nacionalçlirimtar i kryesuar nga Musa Demi, i cili u ngrit për të marrë pjesë në luftë kundër pushtuesve duke u inkuadruar me forcat partizane të EAM-ELLAS-it.
Më sipër parashtruam se mbi 700 djemë e vajza nga rajoni i Çamërisë u inkuadruan në forcat luftuese partizane greke që udhëhiqeshin nga forca e majtë greke EAM-ELAS. Ishin ata djem dhe vajzat çame të cilët u inkuadruan që në fillimet e para në batalionet partizane mikse dhe luftuan për krah vllezërve partizanë grekë për çlirimin e Greqisë nga okupatori.
Historia e rrugëtimit 75 vjeçar e banorëve myslimanë të Çamërisë, tregon vuajtje dhe vështërësi të vazhdueshme dhe të llojeve të ndryshme, sikundër u vërtetua edhe dështimi i të dy grupimeve të vogla të asaj kohe në përpjekje për t’ju ardhur në ndihmë banorëve nga peshat e rëndesave antinjerëzore, antidemokratike dhe aspak humane të shtetit ortodoks Grek.
● Është e shkruar në histori se më 2 shkurt të vitit 1943, në kuadrin e FNÇL u formua në Konispol (theksojmë, jashtë kufirit Grek) fshat në territorin e shtetit Shqiptar, nga një grup i vogël i rezistencës, çeta partizane me emrin “Çamëria”. Misioni mbrojtës luftarak i kësaj çete do zhvillohej kryesisht në zonat e jugut të Shqipërisë dhe gjatë vijës kufitare. Njëkohësisht çeta mbante kontakte dhe bashkëpunonte edhe me forcat e ELLAS-it. Nuk vonoi shumë dhe në muajin mars po të vitit 1943, çeta “Çamëria” ra dakort për të bashkëpunuar në fushën ushtarake edhe me një prej grupeve të rezistencës së ELAS-it. Disa anëtarë të këtyre dy grupimeve shkonin nëpër fshatrat e Shqipërisë së jugut, kryesisht në fshatrat e zonës së Theollogos, organizonin takime me përfaqësues të fshatrave për të bashkërenduar luftën kundër pushtuesit gjerman.
● Një grup partizanësh të ELAS-it, në mars të vitit 1943, të përbërë nga çamë dhe grekë si Petrit Demi, Taqis Theologjis, Panajotis Micis, Kostas Sternaras të ELLAS, u takuan në fshatrat e jugut të Shqipërisë me partizanët e shtetit Shqiptar si Janis Kondis, Vangjel Pulis dhe dy të tjerë. Më pas, Çeta “Çamëria” u zgjerua në batalion dhe në nëntor të vitit 1943, mori emrin “Thoma Lulo”, për nder të luftëtarit grek nga Gjirokastra që ishte vrarë gjatë asaj periudhe.
● Vetë rrjedhshmëria e ngjarjeve vërteton se grekët dhe shqiptarët luftonin bashkë kundër pushtuesit gjerman. Vetëm në radhët e ELAS-it dhanë jetën 68 partizanë shqiptarë të rajonit të Çamërisë.
Historia na njeh edhe me një përpjekje të autoriteteve gjermane, ku rezulton se në fillim të vitit 1944 pushtuesit gjermanë krijuan strukturën e një batalioni çam me gjysmë efektivi prej 300 vetësh. Një e vërtetë tjetër kjo, sepse dhe krijimi i kësaj strukture, nuk u ngrit në territorin e rajonit të Çamërisë, dmth as brenda kufirit shtetëror Grek, por u dislokua në Konispol, brenda territorit të shtetit shqiptar. Shumë qartë flet dhe argumenti i përdorur për ngritjen e strukturës jashtë territorit grek. Argumenti që u përdor ishte mbasi gjermanët nuk donin të krijonin ndërlikime politike me qeverinë mike greke të J. Rrallis. Është fare qartë dhe tepër e saktë se pushtuesi gjerman ishtë mik me qevrerinë greke dhe se nuk luftonte në rajonin e Çamërisë, por jashtë kufirit të shtetit Grek!
Me njohjet e mësipërme, përfundimisht, mbështetur në disa burime, rezulton se shumica e djemve dhe burrave çamë (siç u trajtua më sipër) ishte rreshtuar përkrah forcave të majta të rezistencës ELLAS dhe EAM, duke përkrahur luftën për çlirim nga pushtuesit italianë dhe gjermanë. Ndërsa shteti Grek, i udhëhequr nga qeveritë kuislinge Çolakoglu, Logothetopulos dhe J. Rrallis, kishte krijuar çoroditje tek popullsia e saj. Në ato vite Greqia ishte “rrumpallë dhe e hallakatur”, ekzistonin disa qeveri që përfaqësonin forca të ndryshme të rezistencës. Ajo situatë krijoi përplasje reciproke mes tyre, veprime të cilat tërhiqnin vëmëndjen kryesore nga lufta e përbashkët për çlirimin kombëtar të Greqisë nga pushtuesi.
Gjithkush le të përpiqet, me llogjikë të ftohtë dhe të pavarur, të zbulojë të fshehtat apo enigmat që po trazojnë qiellin e atyre banorëve, duke lexuar dhe “përtypur” mirë edhe këto disa nga ngjarjet që tronditën shpirtërat dhe zemrat e prindërve dhe gjyshërve tanë!
Gjithësisë (universit) i takon krijimi i gjithshkaje; ndërsa vazhdimësia e gjithëgjallesave është individuale dhe jashtë mbikqyrjes universale.
Itali, më 14/prill/ 2019.
Fahri Dahri
Shënim (®):( Dëshmitar i rrugëtimit 75 vjeçar i emigrantëve çamë dhe i nënshtetasve shqiptarë të pas vitit 1953).
Shënim (*): Në shtjellimin e këtij shkrimi u jemi referuar, krahas shumë hulumtimeve edhe historianëve: Kristo Frashëritt, Kastriot Dervishit, Arben Llallës, etj. të cilët me këtë rast i falënderojmë për hapësirat e krijuara në nxjerrjen e të vërtetave historike të një ngjarjeje makabër, e cila vazhdon të rëndojë thellë në ndërgjegjen dhe gjithë qënien njerëzore.
Shënim (*): Lidhur me titullin sqarojmë se nuk bëhet fjalë për shtetin Shqiptar në tërësi, por për qeveritë shqiptare duke filluar nga viti 1947 e deri në vitin 2013. Ky veçim qartësohet edhe gjatë trajtimit në tekst.
Shënim(¹):Emigrantët çamë e kishin humbur besimin edhe ndaj forcave të majta greke, të cilët, siç është theksuar, deri para dëbimit të dhunshëm, ishin në përkrahje aktive të forcës luftarake të EAM-ELLAS-it (partizanëve grekë). Ndryshimi i qendrimit të çamëve edhe ndaj forcave të majta greke, ishte i drejtë sepse mbas operacioneve të dhjetorit 1944, me çlirimin e Çamërisë nga pushtuesi zervist dhe territori i saj ishte nën kontrollin e luftëtarëve të forcave të majta, të ELLAS-it, një pjesë e popullatës çame, që ishin larguar matanë kufirit shtetëror, u rikthyen, mbasi besuan në marëveshjen e Varkizës, duke u vendosur në qytetin e Filatit dhe në fshatrat për rreth.
Pikërisht në atë situatë, kur forcat e ELLAS-it u tërhoqën nga kontrolli i territotit të Thesproti/Çamërisë, më 12 Mars 19445 forcat qeveritare të garnizonit të Korfuzit duke e shkelur marrëveshjen e Varkizës të Shkurtit 1945, organizuan dhe kryen pabesisht masakrat e shëmtuara të Vanrës, një vend në afërsi të qytetit të Filatit.
Këto veprimet të kryera mes forcave të djathta dhe të majta greke, në dëm të popullsisë çame, treguan qëndrimet armiqësore politike të autoriteteve dhe të qeverisë greke lidhur me banorët myslimanë të rajonit autokton shqiptar të Çamërisë, politika që finalizuan çfarosjen e popullatës Shqiptare të Çamërisë.
Shënim:(²). Marko Vafiadhis, ishte një politikan me emër i cili pasi jetoj rreth 23 vite në Bashkimin Sovjetik, u kthye në Greqi në vitin 1983. Më 1989-1990 ishte deputet i partisë PASOK-ut në Kuvendin e Greqisë.
Itali, më 14/prill/ 2019, Fahri Dahri

________________
FAHRI DAHRI: VEPRIME BRUTALE DHE PËRJASHTUESE GREKO-SHQIPTARE (*) NDAJ SHQIPTARËVE TË ÇAMËRISË (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=8666

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura