Prishtinë, 20. 01. 2014 – Zgjedhjet lokale të fundit, në përgjithësi, i karakterizon një rregullsi më ndryshe dhe më e mirë se ndonjëherë tjetër. Këto, në krahasim me zgjedhjet e mbajtura në mandatin e kaluar, dallojnë dukshëm në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe jo vetëm për shkak të rregullsisë, por edhe për çështje të tjera… Në përgjithësi ky dallim vërehet në tri çështje: e para, fitorja e disa partive dhe këshilltarëve të tyre në komuna të veçanta, e dyta, zgjedhjet në të njëjtën ditë edhe në komunat në veri të vendit, dhe e treta, përballja me gjendjen e rëndë dhe të ndërlikuar në të gjitha komunat e shtetit të Kosovës. Po i përmend me qëllim këto dallime, secila më e veçantë se tjetra, mu për shkak të detyrimeve dhe përgjegjësisë së këshilltarëve karshi elektoratit të tyre i cili i ka zgjedhur. Pra, këtë përgjegjësi duhet ta ndiejnë jo vetëm organet ekzekutive, por në këtë rast edhe më shumë këshilltarët e zgjedhur, në mënyrë që secili në komunën e vet t’i përmbushin premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore, për të sjellë ndryshime të reja që dallojnë prej qeverisjes së mëparshme. Kurse këto ndryshime mund të arrihen jo me llafe të kota, por me angazhim, bashkëpunim, profesionalizëm, transparencë, vendosmëri dhe me guxim.
Këshilltarët e asambleve komunale në Kosovë! (sh.b)
Dallimi i parë
Fitorja e këshilltarëve, gjegjësisht e partive të tyre politike në komuna të veçanta, veçmas e atyre që për herë të parë u është dhënë mundësia për të qeverisur, mbajnë përgjegjësi të lartë për të arritur maksimumin e mundshëm dhe në asnjë mënyrë që të lejojnë dështimin. Kuptohet, për aq sa lejon buxheti i paraparë dhe kur kjo varet prej tij. Kusht i parë që del për t’u arritur çfarëdo rezultati, është funksionimi i mirë i qeverive lokale ashtu siç duhet, duke planifikuar dhe realizuar të gjithë projektet e nevojshëm, duke mos lejuar shtyrjen e afatit dhe zvarritjen e tyre në kohë të pacaktuar, por duke kërkuar llogari dhe përgjegjësi për të gjithë ata që i neglizhojnë dhe që nuk janë në nivelin e detyrës. Në këtë rast unë e shoh rolin e pamohueshëm të këshilltarit komunal, i cili për asnjë moment nuk duhet të heshtë dhe as të ndikohet prej kujtdo qoftë, por të ngritë fuqishëm zërin e tij, me të vetmin qëllim, të mbarëvajtjes së punëve, duke mos harruar asnjëherë që kjo bëhet për interesin e qytetarëve e jo për interesin e një grupi të ngushtë, të caktuar.
Siç është e ditur, asnjë kuvend komunal nuk do t’i ketë të gjithë këshilltarët vetëm të një partie, por diku më shumë e diku më pak, pra me pjesëmarrje edhe të disa partive të tjera. Partia që ka numrin më të madh të këshilltarëve në kuvend, pavarësisht nëse e ka fituar të drejtën për të qeverisur si e vetme ose në koalicion me ndonjë parti tjetër, ose që fare nuk merr pjesë në qeverisje, pra në koalicion me subjektin fitues, duhet që këshilltarët e saj të jenë konstruktivë dhe bashkëpunues me këshilltarët e subjektëve të tjerë, por jo pengues, tendenciozë dhe bllokues të punës së kuvendit të tyre. Për t’i ikur me sukses kësaj të keqeje, kurdoherë, do të ndihmojë thirrja në zërin e arsyes dhe logjikën e shëndoshë: në emër të zhvillimit dhe të përparimit sa më të shpejtë të komunës së tyre, qoftë kur bëhet fjalë për zhvillimin në qytet, qoftë për fshatrat e saj. Na ka rënë shpesh të dëgjojmë prej qytetarëve se populli ynë është lodhur nga mosfunksionimi i mirë i qeverive të deritashme; nga keqpërdorimet e shumta me paranë e djersës së popullit tonë; nga mosdhënia përgjegjësi dhe llogari para askujt të pushtetarëve pa moral. Prandaj kësaj radhe ai i ka varë shpresat te qeveritë e tanishme se do të bëjnë ndryshime pozitive që do t’i pëlqejnë atij më shumë se deri me tash. Prandaj dështimet për mospërmbushjen e premtimeve të dhëna më parë para qytetarëve, aq sa janë përgjegjësi e qeverive të sapo formuara, aq më shumë do të jenë përgjegjësi e vetë këshilltarëve të secilës komunë veç e veç! Ata s’duhet ta lejojnë një gjë të tillë! Ata përbëjnë organin më të lartë dhe vendimmarrës-kuvendin komunal. Ata janë të zgjedhurit e popullit.
Dallimi i dytë
Për dallimin e dytë, zgjedhjet në veri të vendit, nuk ka çfarë të thuhet shumë, ose ka aq shumë për të thënë, sa nuk lejon gjatësia e këtij shkrimi për gazetë. Ato i karakterizon e veçanta tjetër, nga se kjo pjesë e territorit të shtetit të Kosovës të çon mallin e një ishulli të veçuar, të ndarë, banorët e të cilin pak ose fare e përjetojnë dhe e shohin si një tërësi të këtij shteti, e më së paku ata që tashmë përbëjnë shumicën e kësaj pjese, të cilët dëshirojnë të shikojnë nga Beogradi, e jo nga Prishtina!… Megjithatë mirë që u mbajtën këto zgjedhje, ndonëse me plot fjalë, e besa jo as pa eksese, e në ndonjë komunë, si për shembull në Mitrovicën e veriut u desh të përsëriten për të dytën herë dhe do të përsëriten edhe një herë për shkak të shkeljeve ligjore. Herën e dytë për shkak të një eksesi, kurse herën e tretë, edhe pak ditë, për shkak të mospranimit që betimi i këshilltarëve dhe i kryetarit të bëhet sipas tekstit të njësuar si në të gjitha komunat e tjera. Këshilltarët shqiptarë (aty ku ka dhe aq sa janë) do të jenë të papërfillshëm, prandaj as që do të pyeten për asgjë. Kurse ata të komunitetit serb që janë shumicë (jo të gjithë, por disa prej tyre), për mendimin tim, jo që s’e kanë vendin aty dhe që s’e kanë merituar, por e kanë vendin në burg!…
Dallimi i tretë
Konsideroj që dallimi i tretë, siç e kam nënvizuar unë – përballja me gjendjen aktuale në shumë drejtime në të gjitha komunat e shtetit të Kosovës, duhet të jetë një nga shqetësimet më kryesore për këshilltarët e sapozgjedhur. Ka aq shumë probleme, prandaj dhe aq shumë punë për t’u kryer. Pa ndonjë keqkuptim, por për të gjithë ata që janë të ndërgjegjshëm, nuk ka gjumë të rehatshëm. Mund të them lirisht që ky brez i këshilltarëve të kuvendeve komunale, në përgjithësi, është gjetur në kohën më të keqe dhe më të papërshtatshme për të dhënë nga vetja atë që kërkohet prej tyre. Jo se nuk është punuar asgjë, por ajo ç’është punuar në përgjithësi deri në këtë kohë, është punuar më shumë keq dhe mbrapsht, se mirë dhe mbarë. Merreni dhe shikoni kah të doni: në arsim, në shëndetësi, në ndërtim, në zhvillim…e ku jo tjetër, punët janë llugë! Na kanë shpallur një prej shteteve më të varfra në botë, por që s’na mungojnë milionerët jo të paktë; na kanë shpallur një prej shteteve më të korruptuar në botë, por që ata më kryesorët nuk i merr kush në përgjegjësi; na kanë shpallur një prej shteteve ku drejtësia, pra gjyqësia është më e kalbura në rajon për shkak të ndërhyrjes së politikës, kurse ligjet nuk janë aq të këqija sikur të respektoheshin drejt dhe siç duhet. Është e qartë që ky brez i këshilltarëve komunalë nuk do ta ketë aspak lehtë, prandaj prej tij kërkohet që të jetë vetëmohues dhe bashkëpunues, transformues dhe krijues, këmbëngulës dhe i ditur, vullnetmirë dhe i përgatitur… Këtë e presin qytetarët prej tyre dhe ata janë të obliguar që ta mbajnë fjalën dhe t’ua kthejnë borxhin, duke menduar mirë dhe duke punuar drejt! Ashtu qoftë!