AVDYL GËRVALLA: ASKUSH S’KA QENË MË I INTERESUAR PËR NJË KOSOVË TË SHTYPUR, SE SA BASHKËPUNËTORËT E SHOKUT MEHMET LOCI

Gjenevë, 01. 02. 2014 – Askush në këtë botë nuk ka qenë më i interesuar për një Kosovë të shtypur, për një zgjatje në infinit të robërisë së saj dhe për ta mbajtur nën thundrën e shkaut se sa bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci, këta zotëra të vegjël. Bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci, janë të zotë, e ndërtojnë jetën edhe në rrasë të gurit… Ka ndër këta bashkëpunëtorë të shokut mehmet loci të tillë që janë ngritur në pozita të këshilltarëve të partive politike… dhe këta ua mësojnë ligjshkelësve rrugët e mbajtjes së pushtetit me dhunë… rrugët e krimit të organizuar… rrugët e haraçit… të hajnisë… rrugët e tradhtisë… Ish UDB-ashët janë shndërruar në nyje, në peng të lirisë së Kosovës dhe janë të përkëdhelurit e qeverisë, të parlamentit, të administratës, ngase UDB-ashët ua mbajnë dosjet e hapura dhe i kërcënojnë natën, në terr.

NATA E NATËS

Më 29 Janar 2014, në emisionin “Rubikon” u paraqitën tre bashkëpunëtorë të Drejtorisë së Shërbimit të Shtetit, shoku mehmet loci, me dy kolegë. Ç’është e vërteta, unë personalisht nuk e kam takuar asnjëherë shokun Loci, të cilin në memorien time e kam të regjistruar siç duket ‘gabimisht’ me naçallnik të UDB-së, por as Fadil Kajtazin, kurse F. Qollakaj sikur ta kem parë diku, por nuk më kujtohet saktësisht se ku.

Gjatë paraqitjes së vet, shoku Loci, zuri të fliste mbi historinë dhe rëndësinë e shërbimeve sekrete, kurse mua, pa dashur, më defiluan para syve përqeshjet, përbuzjet e etiketimet, evidentimet e përgjimet, ndjekjet e burgosjet, sharjet me nënë e babë, torturat çnjerëzore, vrasjet e rinisë shqiptare burgjeve dhe vrasja e vëllezërve në Gjermani (Jusuf e Bardhosh Gërvalla – sh.b). Intervistën e udhëhoqi Adriatik Kelmendi, i biri i prokurorit të ngarkuar me lëndën time, Flamur Kelmendi, i cili gjatë fjalës së tij kërkoi nga gjyqi ‘drejtësi’ në emër të popullit, ngase, me veprimet e mia e paskam rrezikuar shtetin, rsfj-në, rendin kushtetues, frytet e revolucionit dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkim – vëllazërimit.
Pra isha armik i popullit dhe u dënova me 7 muaj burg, dënim që u ngrit, më vonë pas ankesës së prokurorit, në kohëzgjatje prej vetëm një viti.
Pa dashur m’u kujtuan shkallët e katit të tretë, që shpinin në dhomat famë-këqia të marrjes në pyetje, të të rinjve të frikësuar deri në palcë,
– të rrahur e të alivanosur,
– të përgjakur,
– me gjymtyrë të thyera që tërhiqeshin zvarrë nga gardianët e burgut, si kafshët në kasaphane,
– marrja në pyetje intensive nga punëtorët e kryemjeshtrit udbash mehmet locit…
– telefonatat e punëtorit operativ me të dashurat e veta, me joshje e ngacmime seksuale…
– nga dhoma tjetër dëgjohej gazi i pashfrenuar i ndonjë prostitute, rënkimet e tyre gjatë kohë…

pastaj qetësi, ndërrimi i skenave…
– sharjet, nga më të ndryshmet dhe më të ulëtat,
– rrahjet,
– dënesjet e burrave,
– vaji i tyre,
– lutjet,
– premtimet se do t’ua hanë mutin,
– se do të bëhen bashkëpunëtorë,
– nënshkrimet e proces-verbaleve…
– rrahjet me shkopinj gome…
– kërcënimet shtazarake dhe idioteske të punëtorëve operativë, të stafit të shokut mehmet loci…
– zëri i zyrtarëve i çartur jehonte korridoreve…
– përplasnin dyer…
– pastaj interpretonin ndonjë kënge shkinisht…
– për të dëshmuar se janë në vinë e bashkim-vëllazërimit…
– kolli i fëmijëve…
– vaji i tyre…
– zëri i shterur i ndonjë gruaje që s’kishte pranuar të bëhej e tyre…
– maskat që zgjatnin fytyrën dhe zvogëlonin këmbët, maskat që zgjeronin fytyrat që mëzi i zinte dera…
– shkopinj…
– grushta…
– karrige…
– qyka revolesh…
– hunj base-balli…
– britma…
– thirrje pastruesve për të pastruar liqenjtë e gjakut…
– thirrje mjekësh…

këto dhe shumë të tjera bëheshin nga stafi udëbesk i mehmet locit…
kurse dita ishte pak më e qetë…
– këtu-aty dëgjohej ndonjë shuplakë…
– kërcënim dhe sharje…
– sharje, shumë sharje…
– të gjithat të trashëguara nga shkijet…
– se shqiptari nuk shan…
– sharja është si paradhoma, është hapi i fundit para nxjerrjes së armës për të qëlluar kundërshtarin…
– bashkëpunëtorët e mehmet locit këtë ofendim, këtë ndalesë ndër më të shenjtën e shqiptarit, për ç’arsye janë bërë shumë vrasje në të kaluarën, pra e ç’shenjtëruan, e zhveshën, e zbriten dhe e thjeshtësuan, duke e vënë në përdorim të çdoditshëm…
– madje edhe përshëndetshin dhe fjalitë e tyre i ilustronin me sharje…
– jo për ndonjë arsye tjetër, përveç se për t’iu përngjarë kolonizuesve shkije.

* * *
Bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci e kanë trashëguar zanatin e vet nga paraardhësit e tyre profesional, të cilët e patën detyrë të humbin gjuhën shqipe. Ata janë marrë edhe me këto anomali duke përcjellë dhe evidentuar shqiptarë që laheshin, që bënin banjo, pastaj i denonconin si armiq, ngase larja konsiderohej përkatësi kombëtare.
Bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci, ashtu si paraardhësit e tyre kanë ngarë për të shqyer e djegur fotografi e librat shqip, duke na përbuzur Skënderbeun, duke na ndjekur, burgosur, dënuar e vrarë.
Paraardhësit e mehmet locit kanë armatosur shqiptarë me të vetmin qëllim për të vrarë shqiptarë dhe ndodhte që një armë të shitet me dhjetëra herë… të njëjtën veprimtari e kanë përdorur bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci, duke u pasuruar… pas viteve të 80’ta u doli edhe një biznes tjetër… ua ndalnin pashaportat shqiptarëve që punonin në shtetet e jashtme dhe inkasonin shuma astronomike, shpesh herë edhe duke i ndarë me shkije.
Bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci, kanë gëzuar, së bashku me të, të gjitha privilegjet. Të gjithë pa përjashtim e kanë siguruar çështjen e banimit – falas, ngase punonin në DB (drzhavna bezbednost = sigurimi i shtetit), ata s’paguanin rrymë, as ujë, as kontribute të çfarëdo natyre. Nuk ka pasur birë nëne që ka guxuar t’ua çonte faturat e ahengjeve, ngrënieve dhe pijeve të konsumuara.
– Ata s’paguanin as orët, as netët e kaluara nëpër hotele, me vajza të reja.
– Ata s’i paguanin as bukën, as vezët, as djathin, as mazën, as specat, nëpër tregjet e Kosovës.
– Ata s’paguanin as kredi, as veturat, as shtëpitë, as tokat… pra ishin thjeshtë zotër të vegjël, që kthjellnin dhe vranin nëpër Kosovë, madje edhe jashtë saj, nëpër tërë jugosllavinë, pa paguar as buleta treni, as buletë aeroplani, mjaftonte libreza e DB-së për të udhëtuar nëpër botë, ‘zyrtarisht’ për të ruajtur shëndetin e shtetit që i kishte ngritë në pozitat e zotërve.
Nuk ka pasur vajzë të bukur që s’iu kanë vënë pas, bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci, ose e kanë gjunjëzuar ose e kanë çmendur, madje edhe i kanë likuiduar. Nusja e bukur, të cilës ia kishte falë Zoti bukurinë ishte më shumë barrë se fat, ngase burri i saj përndiqej, burgosej por edhe vritej; nga epshet shtazarake të disa bashkëpunëtorëve të shokut mehmet loci… këta pervers dhe maniak seksual u sillnin madje edhe shkijeve mish mëshqerrash të trembura. Megjithatë ka pasur raste të rralla kur vajza u kishte rezistuar me sukses joshjeve të tyre, vetëm ato e njohin atë mund… Dhe kjo bandë maniakësh seksual krijonin edhe familje, shtoheshin… fara e tyre trashëgoi gati të njëjtat privilegje… vijuan shkollimin… me banesa të mira, me bollëk buke… me anë të një telefonate siguronin notat në shkolla fillore, në shkolla të mesme dhe në Universitetin e Kosovës… me një telefonatë të punëtorëve operativë siguroheshin madje edhe magjistraturat dhe doktoranturat, po si sot… këta dinin të ndikonin edhe në keqësimin e notave dhe humbje të viteve atyre që nuk iu nënshtronin.
Askush në këtë botë nuk ka qenë më i interesuar për një Kosovë të shtypur, për një zgjatje në infinit të robërisë së saj dhe për ta mbajtur nën thundrën e shkaut se sa bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci, këta zotra të vegjël.
Bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci, janë të zotë, e ndërtojnë jetën edhe në rrasë të gurit. Largimi i serbisë ua ka përgjysmuar përfitimet, por ata ditën dhe patën sukses të ndërrojnë lëkuren e vet – pak para orës 12, duke e braktisur me masë DB-në, duke formuar sigurimin e ri të Kosovës.
Kuptohet se tash pas lufte, sërish janë njerëz më profesional, gëzojnë përgatitje të shkollave të djallit dhe dinë t’i qojnë njerëzit për të pirë ujë… dhe ujin s’ua japin. Këta e njohin atë anën më të errët dhe më misterioze të njeriut, i njohin bashkëpunëtorët, i njohin ata që sot e asaj dite marrin honorare e paga nga beligradi… dhe i mbajnë nënë kërcënimin se do t’iu dalin me fakte… këta i njohin të gjithë vrasësit, të cilët i ruajnë me kujdes, ngase kështu mendojnë se e ruajnë jetën e tyre… Prandaj luajnë, si macja me miun.
Ka ndër këta bashkëpunëtorë të shokut mehmet loci të tillë që janë ngritur në pozita të këshilltarëve të partive politike… dhe këta ua mësojnë ligjshkelësve rrugët e mbajtjes së pushtetit me dhunë…
– rrugët e krimit të organizuar…
– rrugët e haraçit…
– të hajnisë…
– rrugët e tradhtisë…

ngase i mbajnë të mbyllura dosjet, për të cilat betohen se i kanë marrë shkijet në beligrad, gjë që s’është e vërtetë… dhe bëhen sikur s’e dinë se çdonjëri nga ta është nga një dosje e gjallë dhe me vdekjen e tyre vetëm sa kanë mundësi t’i komplikojnë dhe t’i shtyejnë sqarimet aq me vlerë për lirinë e Kosovës… këtë do ta bëjnë vetëm edhe për një kohë… se dosjet do të dalin, patjetër një ditë.
Këta janë infuzioni i vetëm që i mbanë në këmbë strukturat qeveritare të cilat me veprim armiqësor sillen ndaj shqiptarëve duke ushqyer varfëri, skamje, vjedhje, burgosje e vrasje. Qeveria e Kosovës e ka dëshmuar aftësinë e dhunës ndaj shqiptarëve aq sa ka dëshmuar inferioritetin e vet ndaj shkijeve.
* * *
Ish UDB-ashët janë shndërruar në nyje, në peng të lirisë së Kosovës dhe janë të përkëdhelurit e qeverisë, të parlamentit, të administratës, ngase UDB-ashët ua mbajnë dosjet e hapura dhe i kërcënojnë natën, në terr.
Por a ka pasur të mirë ndër bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci?
– Po…
– ka pasur…
– ka pasur të tillë që mbi ligjin politik – kolonizues e kanë përdorur edukatën dhe traditën e mbarë që binte ndesh me interesat e shkaut, por ata shpejtë i largonin…
– ka pasur rrallë, shumë rrallë… dhe ata, në momente vetëdijeje, s’janë përzier në mëkatet e përmendura më sipër…
– Po, po, ka pasur të tillë që nuk janë pajtuar me masa të dhunës, por puna e tyre nuk ka zgjatur shumë…
– ka pasur edhe gardianë që, në heshtje dhe me veprime, kanë qëndruar në anën e të rebeluarve, të atyre që kërkonin liri, por shumë pak, fare pak punëtorë operativë dhe gjykatës.

Dhe unë jam i bindur, se dikush nga ata do të dalë, do t’i ndihmojë kësaj përthurjeje shekspiriane. Do të dal dikush dhe do të dëshmojë se është bir i tokës shqiptare… për të na sqaruar se kush ha ende me dy lugë.

Gjenevë, më 1 shkurt 2014

– Autori është vëllau i vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, të cilët bashkë me Kadri Zekën u vranë më 17 janar 1982, nga dora gjakatare e sojit të mehmet locit.

………………………………..

HALIT KRASNIQI: MEHMET LOCI KA QENË MË BARBARI!

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura