SHERADIN BERISHA: PARIA E PRIZRENIT PARADITE NË GJYKATË E PASDITE NË FUSHATË!(II)

 Pashtriku.org, 20. 10. 2013 – Gjatë procesit hetimor, EULEX’i ka vërtetur të gjitha provat e mbledhura, dhe më 27 shkurt 2013, në një komunikatë të lëshuar nga zyra e EULEX’it, bëhet e ditur se, prokuroria ka ngritur aktakuzë prej 21 faqesh, në Gjykatën Themelore të Prizrenit kundër Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve tjerë të kësaj komune, Minir Krasniqit, Sadik Paçarizit, Avni Ademajt, Kadri Ukimerit dhe Abdullah Tejecit. Kryetari Ramadan Muja, Drejtori i Administrës Minir Krasniqi dhe të tjerët akuzohen për shfrytëzimin dhe përfitimin e kundërligjshëm nga toka që i takon Komunës së Prizrenit dhe për vepra të tjera që kanë rezultuar me shkelje të rënda të të drejtave të një numri të paditësve në konteste civile. Në komunikatën e EULEX-it thuhet se Ramadan Muja akuzohet në katër pika të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Minir Krasniqi, akuzohet në dy pika, kurse Sadik Paçarizi, Kadri Ukimeri, dhe Avni Ademaj, akuzohen në një pikë të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit.

Ramadan Muja dhe Minir Krasniqi në Gjykatën Themelore në Prizren!

PIKA E PARË E AKTAKUZËS
Në pikën e parë të aktakuzës thuhet se me aktgjykimin e datës 26 maj 2006, Gjykata Supreme e Kosovës (në rastin 209/200), kishte vendosur Komunën e Prizrenit si pronare legjitime të parcelave të tokës me numër 8617 (me sipërfaqe 0.20.65 ha) dhe 8619 (me sipërfaqe 0.06.22 ha), në vendin e quajtur “BUZAGILLËK” (fletë poseduese nr.8414 ZK Prizren) dhe të dyja këto parcela kapin vlerën rreth 50 mijë euro.
Nga 1 korriku 2008 deri më 29 nëntor 2011, Ramadan Muja së bashku me Kadri Ukimerin, në cilësinë e Drejtorit të Gjeodezisë, nuk kanë ekzekutuar këtë aktgjykim, që këto dy parcela të kalojnë në pronësi të komunës. Edhe pse avokati publik i Komunës së Prizrenit (Eqrem Muçaj) përmes një memorandumi, e ka njoftuar Kryetarin e Komunës – Ramadan Muja, që vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës duhej të ekzekutohet, ai kishte urdhëruar Kadri Ukimerin të bënte të kundërtën.
Sipas aktakuzës, Ramadan Muja “ka urdhëruar Ukimerin që të mos bënte ndryshimet e duhura në shënimet kadastrale që do ta bënin Komunën e Prizrenit pronare të ligjshme të parcelave tokësore”.
Ndonëse Kadri Ukimeri ishte përgjegjës për zbatimin e këtij vendimi ai qëllimisht ka dështuar që të ndërmerrte veprime me të cilat komuna do të bëhej pronare e parcelave në fjalë, – thuhet në aktakuzë.
Meqenëse këto parcela nuk u kthyen në pronësi të komunës, nga veprimet e paligjshme të Ramadan Mujës dhe Kadri Ukimerit kanë përfituar Minir Krasniqi, Shefi i Adminstratës Komunale dhe Kryetar i Degës së PDK-së në Prizren, M.Q dhe J.A.

Dy parcelat numër 8617 (me sipërfaqe 0.20.65 ha) dhe 8619 (me sipërfaqe 0.06.22 ha), në vendin e quajtur “BUZAGILLËK” (fletë poseduese nr.8414 ZK Prizren). Më 26 maj 2006, Gjykata Supreme e Kosovës, kishte vendosur Komunën e Prizrenit si pronare legjitime të parcelave, por këto i shfrytëzon Minir Krasniqi, Drejtori i Administratës dhe Kryetar i Degës së PDK-së në Prizren, J.A dhe H.Q. Këto objdekte me rastin e zgjerimit të rrugës kryesore janë prishur dhe janë ndërtuar sërish! Objekti i parë nga VIVA është e J.A, objekti i dytë përballë shtyllës elektrike (me 3 lokale afariste) janë të Minir Krasniqit, ndërsa objekti i tretë (me qebaptoren dhe sigurimin SIGAL) janë të H.Q.

*  *  *

PIKA E DYTË E AKTAKUZËS
Pika e dytë e aktakuzës përfshin periudhën nga 24 nëntor 2010 – 11 shkurt 2011. Gjatë kësaj kohe kryetari i Komunës Ramadan Muja së bashku më Minir Krasniqin, Drejtor i Administratës dhe Avni Ademaj U.D i drejtorit për gjeodezi, kanë vepruar në bashkëkryerje që t’i sjellin dobi pasurore – Qendrës Edukative Arsimore “GULISTAN”.
Kjo treshe, në mënyrë të paligjshme kanë marrë në posedim parcelën e tokës me numër 800/2 me sipërfaqe prej rreth 50 mijë metra katrorë në vendin e quajtur “BOKA BOKA” me vlerë prej 100 mijë e 600 euro.
Toka ishte e regjistruar në emër të Organizatës Punuese të Pylltarisë “SHARRI” dhe administrohej nga AKP-ja, dhe si të tillë komuna nuk mund ta shfrytëzonte.
Për të administruar me këtë pronë, nën organizimin e Mujës, Krasniqit dhe Ademajt, toka kishte kaluar nga AKP-ja në pronësinë e komunës së Prizrenit brenda një dite.
Tokën e AKP-së Ramadan Muja e mori në posedim më 24 nëntor 2010 kur kishte lëshuar vendimin 01/730. Të njëjtën ditë, Minir Krasniqi kishte kërkuar nga Avni Ademaj që të bënte ndryshimet e nevojshme në kadastër të cilat ishin bërë nga Ademaj po atë ditë.
Kështu, tre muaj pasi kishte marrë paligjshëm tokën e AKP-së, më 11 shkurt 2011 Komuna ka nënshkruar kontratë me Qendrën Edukative Arsimore “GULISTAN” me të cilën në mënyrë të paligjshme i jepet kësaj të fundit toka e AKP-së në shfrytëzim për 40 vjet pa kompensim.
Kur bëhet fjalë për shfrytëzim pronash publike – Kryetari Ramadan Muja, pa u ndalur ka vazhduar të merrte vendime të paligjshme!
Nga 15 dhjetori 2010 deri më 14 prill 2011, Ramadan Muja dhe Sadik Paçarizi, drejtor i drejtorisë për urbanizëm, kanë tejkaluar kufijtë e autorizimive të tyre kur i dhanë tokën publike fabrikës së çokollatës “KAMILA”.
Me vendim të kryetarit Ramadan Muja (pa i ndjekur procedurat përkatëse ligjore) fabrikës i është ndarë toka prej 20 mijë metra katrorë në vlerë prej 40 mijë euro, duke e shfrytëzuar pa pagesë.
VAZHDON PROCESI GJYQËSOR KUNDËR RAMADAN MUJËS, MINIR KRASNIQIT DHE TË TJERËVE 
PARIA E PRIZRENIT PARADITE NË GJYKATË E PASDITE NË FUSHATË!
Në Gjykatën Themelore të Prizrenit nga 13 gushti 2013 ka fillur Procesi maratonik gjyqësor kundër Kryetarit Ramadan Muja, Drejtorit të Administratës Komunale Minir Krasniqi dhe të tjerëve.
Më 19 Shtator 2013 ishte paracaktuar seanca e radhës gjyqësore, mirëpo ajo nuk u mbajt për shkak se, i akuzuari kryesor Ramadan Muja ishte me GRIP! Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, atë ditë ka deklaruar se kryetari Ramadan Muja është i ftohur dhe se me rekomandimin e mjekëve nuk ka marrë pjesë në gjykim.

 Mungesa e tij bëri që gjyqtari i EULEX-it Vladimir Nikula, të shtyjë seancën për datën 10 tetor.
Në seancën e 10 tetorit 2013, Ramadan Muja, ka kërkuar nga trupi gjykues që gjykimi i tij të shtyhet deri pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. “I nderuari gjyqtar! Po ju njoftoj se unë jam kandidat për kryetar të Prizrenit. Gjykimi që po mbahet ma pamundëson të jem i barabartë me kundërkandidatët e tjerë, prandaj kërkoj që të shtyhet deri pas 3 nëntorit”, – ka thënë Ramadan Muja.
Ndërkaq Gjyqtari Vladimir Mikula, nuk e ka aprovuar kërkesën e Mujës dhe ka shpreh interesimin që seancat gjyqësore të vazhdojnë sipas parashikimeve dhe mundësisë së gjykatës. “Të kuptoj në aspektin njerëzor, por ne do t’ju trajtojmë si çdo person tjetër” – i ka thënë Mikula, kandidatit të PDK-së për Kryetar të Komunës, z.Ramadan Muja.
Meqë këto ditë po zhvillohet fushata elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit, duket që Paria e Prizrenit paraditet do t’i kalojnë në gjykatë, e pasditet në fushatë!
KUR SHEFI I PARTISË HASHIM THAҪI VETË’VENDOS E VETË’VULOS?!
Partia Demokratike e Kosovës, në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2012 ka mbajtur kuvendet zgjedhore nëpër degët e partisë, dhe në këto zhvillime më 23 dhjetor, Dega e PDK-së në Prizren ka mbajtur Kuvendin e saj Zgjedhor. Në këtë kuvend ka marrë pjesë edhe Shefi i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili gjatë procesit zgjedhor, ka mbajtur nën kontroll tensionet e ngritura ndërmjet delegatëve, të cilët kanë shprehur hapur pakënaqësitë e tyre lidhur me mënyrën e propozimit të kandidatëve për Këshillin drejtues të Degës dhe delegatët për Kuvendin Zgjedhor që në fund u emërtua si Konventë e VI’të e PDK-së). Shefi, ashtu sikurse në të gjitha degët e partisë (që ka vendos e vulos pa pyetur askënd), edhe në degën e Prizrenit ka bërë përzgjedhjen e personave servilë, që do të jenë në shërbim të tij dhe të klanit që drejton në kompanin fitimprurëse të quajtur PDK!

Shefi i PDK-së Hashim Thaci në mesin e servilëve të tij

Ramadan Muja dhe Minir Krasniqi!

Pas një debati të ashpër midis delegatëve, 192 anëtarë kanë kandiduar për 71 vende në Këshillin e Degës, ndërkohë që janë “zgjedhur” 30 delegatë për Kuvendin (konventën) e PDK-së. Në zgjedhjen e Këshillit Drejtues të Degës së PDK-së në Prizren, Nait Hasani ka marrë 257 vota, Ramadan Muja 223 vota, Minir Krasniqi 205 vota, ndërsa Nijazi Kryeziu, ka marrë vetëm 153 vota.
Me këtë rezultat Nait Hasani do të duhej të shpallej Kryetar i degës së PDK-së në Prizren, mirëpo Shefi i PDK-së Hashim Thaçi, heshturazi ka kundërshtuar që ai të jetë kryetar i degës!
Më 27 janar 2013 u mbajt Konventa e VI’të e PDK-së në Prishtinë, pa u ditur se kush është Kryetar i Degës së PDK-së në Prizren. Kjo paqartësi ka vazhduar për disa muaj rresht. Në javën e parë të majit 2013 është mbajtur mbledhja e Këshillit Drejtues të PDK-së, dhe Shefi Hashim Thaçi, i ka nxjerrur nga xhepi emrat e anëtarëve të Kryesisë së PDK-së në Prizren. Burimet e “PrizrenPress-it” brenda Këshillit Drejtues të PDK-së, kanë bërë të ditur se Thaçi në mbledhje ka kërkuar vetëm aprovimin emrave të përzgjedhur nga ai. “Shefi ka ardhur me emra të përzgjedhur.Vetëm gjashtë anëtarë janë propozuar për të plotësuar listën e përzgjedhur të Thaçit” – ka thënë burimi.
Më këtë rast, Këshilli Drejtues i PDK-së në Prizren, ka “zgjedhur” Kryesinë e re, prej 37 anëtarëve, por jo edhe kryetarin e Degës së Partisë. Shefi ka vendos që zgjedhja e tij të bëhet më vonë.
Kryesinë e Degës së PDK-së në Prizren e përbëjnë: 1. Ramadan Muja, 2. Nijazi Kryeziu, 3. Nait Hasani, 4. Minir Krasaniqi, 5. Hasan Hasani, 6. Afrim Avdaj, 7. Zarije Jusufi, 8. Shukri Quni, 9. Qel Lamaj, 10. Sherif Krasniqi, 11. Laura Guguli, 12. Hysni Hoxha, 13. Rexhe Ukaj, 14. Samir Hoxha, 15. Kujtim Gashi, 16. Skender Sallauka, 17. Alush Shala, 18. Ruzhdi Rexha, 19. Besnik Krasniqi, 20. Naser Berisha, 21. Masar Shala, 22. Hajrim Qengaj, 23. Artan Gashi, 24. Ndue Qollaku, 25. Agim Zogaj, 26. Nexhip Berisha, 27. Etem Rugova, 28. Afrim Arzuallxhiu, 29. Veton Firzi, 30. Myzhdat Gjini, 31. Sinan Alia, 32. Skender Berisha, 33. Esat Krasniqi, 34. Shaip Buduri, 35. Hysamedin Beshi, 36. Lumnije Rakaj, 37. Durak Thaqi.

Të zgjedhurit e PDK-së në Prizren, nga Zarfi i Shefit Hashim Thaçi!

SHEFI I PARTISË HASHIM THAҪI, E DJEG NAIT HASANIN! RAMADAN MUJËN E CAKTON KANDIDAT TË PDK-së PËR KRYETAR TË KOMUNES SË PRIZRENIT, MINIR KRASNIQIN KRYETAR TË DEGËS SË PDK-së, NDËRSA NIJAZI KRYEZIUN SEKRETAR TË DEGËS!
Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Nait Hasani meqë kishte marrë numrin më të madh të votave (257 vota) në Kuvendin Zgjedhor të Degës së PDK-së, gjatë verës ka promovuar veten si Kryetar të Degës së PDK-së për Prizren dhe rrjedhimisht edhe si Kanditat i kësaj Dege për Kryetar të Komunës së Prizrenit, për zgjedhjet e 3 nëntorit, dhe në çdo kohë ka pritur zyrtarizimin e tij në këto dy poste, nga Shefi Hashim Thaçi. Në javën e fundit të gushtit është bërë një përpjekje për zgjedhjen e Kryetarit të Degës së PDK-së dhe të kandidatit për Kryetar të Komunës nga kjo parti, mirëpo shefi Hashim Thaçi ka hezituar ta bëjë publike emrin e kandidatit për kryetar të degës dhe të komunës për zgjedhjet e 3 nëntorit, sepse kjo parti në Prizren kishte kohë që përballej me fërkime të brendshme për këto poste, të cilat i synonin disa anëtarë të saj. Pas shumë shtyerjesh, më 4 shtator 2013, në mbledhjen e Kryesisë së Degës së PDK-së në Prizren, me vendim të Shefit të PDK-së z.Hashim Thaçi, Ramadan Muja “zgjidhet” për herë të tretë kandidat i PDK-së për Kryetar të Komunës së Prizrenit, Minir Krasniqi, “zgjidhet” Kryetar i Degës së PDK-së në Prizren, ndërsa Nijazi Kryeziu “zgjidhet” Sekretar i Degës, edhe pse ndaj tyre tashmë kishte nisur një proces gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prizren, për abuzim dhe keqpërdorim të pozitave zyrtare, për përfitime personale, duke tjetërsuar në mënyrë të paligjshme pronën publike, etj.

– Minir Krasniqi –

CV-ja E KRYETARIT TË DEGËS SË PDK’së NË PRIZREN!
Se kush është Ramadan Muja tashmë opinioni i gjerë e dinë, por shumë pak dihet kush është Minir Krasniqi, drejtor i Administratës Komunale në Prizren dhe Kryetar i Degës së PDK-së në Prizren. Në CV-në zyrtare të Drejtorit të Administratës, Minir Krasniqit (të botuar në faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit), shkruan se ai në vitet: 2000 – 2008 ka qenë anëtar i kryesisë së PDK-së në Prizren, nga vitet 2002 – 2006 Kryetar i degës së PDK-së në Prizren, ndërsa në vitet: 2002 – 2004 ka qenë Këshilltar në Asamblenë Komunale në Prizren. Në vitet 2005-2007 ka punuar si Menagjer i Ndërmarrjës Private “EDORRITA COMERC”, në Malishevë… Gjithashtu në CV-në e tij zyrtare thuhet se, nga viti 1989-2000 ka punuar si Drejtor i Ndërmarrjës Private “BRIK COMERC”, në Prizren, por aty mungojnë të dhënat se: Minir Krasniqi deri në vitin 1983 ka dhënë mësim në Shkollën e Mesme Teknike “Gani Qavdërbasha” në Prizren dhe për shkaqe amorale (për shkak të keqpërdorimit të një nxënseje) përjashtohet nga procesi mësimor! Pastaj, mungon fakti tjetër, se Minir Krasniqi ka punuar si Inspektor i Tregut në Komunën e Prizrenit, bashkë me antishqiptarin famëkeq i quajtur MOMI, me të cilin ka bërë kërdi tek tregtarët shqiptarë, dhe se në fund përjashtohet dhe paraburgoset, por sërish përmes ryshfetit që i jep Shefit të tij – Mesut Sylbije, kërkon vazhdimin e kontratës së punës! Në CV-në zyrtare thuhet gjithashtu se Minir Krasniqi nga viti 2000-2002 ka qenë Drejtor në Korporatën Energjetike në Prizren, por nuk thuhet asnjë fjalë pse u largua nga ky post! Kur dihet mirëfilli, se gjatë kohës sa ishte Drejtor, është vjedhur Arka e KEK-ut me mbi 100 mijë DEM., dhe ai është larguar nga kjo pozitë pa dhënë llogari se ku kanë përfunduar ato para!!!

( FUND )

– PJESA E PARË –
PARIA E PRIZRENIT PARADITE NË GJYKATË E PASDITE NË FUSHATË!(I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2021

=========================

SHTËPITË MILIONËSHE TË KRYETARIT TË PDK-së

MINIR KRASNIQIT DHE SEKRETARIT TË TIJ NIJAZI KRYEZIUT!


Shtëpitë milionëshe të Kryetarit të Degës së PDK’ë – Minir Krasniqit dhe Sekretarit të Degës së PDK’ë – Njazi Kryeziut, në rrugën e “FARMAKOSIT”, e cila lidhet me rrugën kyesore të “TERZIMAHALLES”

Shtëpia milionshe e Minir Krasnqit afër ish’Shtypshkronjës në Prizren!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura