Pashtriku.org, 02. 02. 2014 – Në vitin 2007, studiuesi (Mësues i Popullit) Gani Demir Ratkoceri nxori në dritë librin monografik “Prof.Ahmet Gashi, rilindësi i fundit”, të botuar nga “Albano Esperanto Instituto”. Ky libër voluminoz i kushtohet jetës dhe veprës së Prof.Ahmet Gashit, i cili pasi mbaroi Normalen e Shkupit dhe kishte diplomuar në Fakultetin e Lartë Pedagogjik të Stambollit dhe në degën Histoti – Gjeografi të atij universiteti, punon për 54 vjet rresht si përhapës i diturisë (mësimdhënës) në trojet shqiptare. Autori Ratkoceri, profesor Ahmet Gashin, këtë “rilindës të fundit”, e vlerëson si një sintezë të gjallë të patriotizmit, e përkushtimit pa rezerva e me gjithë shpirt ndaj nxënësve dhe kombit të tij, i cili ka hyrë në radhën e burrave të shquar të atdheut të tij, duke frymëzuar edhe në të ardhme brezat që do vijnë, për më tepër si profesor erudit, i cili zhvillonte me një pasion të paparë lëndët e gjeografisë, historisë dhe muzikës si metodist i përsosur, si njeri me zemër të madhe, mëshirim i virtytet më të larta njerëzore…. Prof. Ahmet Gashi është autor i shumë teksteve mësimore të gjeografisë e të historisë së parë të Shqipërisë, i hartës së Shqipërisë Etnike e i shumë hartave të tjera tematiko-historike për lëvizjet shqiptare kombëtare. Me këtë rast botojmë disa fragmente të këtij libri:
Prof.Ahmet Gashi (1888 – 1977)
( * * * )
GANI RATKOCERI: SI E NJOHA PROFESOR AHMET GASHIN?
Prof. Ahmet Gashin e kam takuar për herë të parë në vitet 1941-1943, kur ai erdhi në fshatin tim, Llugaxhi, të Komunës së Lipjanit në Kosovë. Por në atë kohë nuk e kuptoja plotësisht tërë personalitetin e gjithanshëm dhe madhështor të këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Këtë e arrita vetëm në vitin 1956. Që atëherë jam ndjerë tepër borxhli ndaj këtij vigani e vullkani për çështjen kombëtare, prandaj kam menduar dhe ëndërruar që ta ndriçojë jetën e tij qoftë edhe me një monografi modeste si kjo që po ja paraqes lexuesit të nderuar. Mbaj mënd se si profesori i shquar shpërthente plot entuziazëm sa herë fjala vinte për trojet e robëruara shqiptare, Kosovën dhe Çamërinë, për të cila bëri çmos që ta sensibilizonte opinionin shqiptar me gojë, me shkrim, me tekste shkollore e harta gjeografike, dhe këto të fundit i pat vazhduar deri në moshën 80-87 vjeçare. Një rast i rrallë në arsimin tonë: 54 vjet me ditar në dorë, me hartat e gjeografisë, historisë dhe etnografisë, me libra dhe revista të kohës deri sa ndërroi jetë, më një shtator 1977. Ky libër do të nderonte çdo bibliotekë shqiptare brenda dhe jashtë atdheut mëmë, pra edhe në Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës, e Mal të Zi, sepse jep një shembull të madh për një njeri fisnik dhe atdhetar. Luftëtar i guximshëm dhe i paepur për çështjen kombëtare. Ja shkurtimisht dhe çastet kulmore të jetës së tij. 1. Në kryengritjen e përgjithshme shqiptare të 1912-ës, kur në Kosovë perandoria otomane kishte dislokuar 70000 ushtarë nën komandën e Fadil Pashës, Ahmeti i ri u rreshtua përkrah 60000 luftëtarëve shqiptarë me në krye Hasan Prishtinën. Si profesor i gjimnazit dhe sekretar i klubit atdhetar atje, Ahmeti bëri çmos që Prishtina të çlirohej duke derdhur sa më pak gjak. Ishte meritë edhe e tij që ushtria turke nuk doli dot nga kazermat, dhe luftëtarët shqiptarë hynë në qytet fitimtarë, të brohoritur nga populli i Prishtinës. Kjo ngjarje bëri bujë në atë kohë në Evropë. 2. Nga vitet 1913-1933 prof. Ahmet Gashi dha mësim dhe drejtoi Normalen e Elbasanit, ku populli ishte edhe i përçarë në mes partisë së “beut” (Shefqet Vërlacit) dhe partisë së “pashës” (Aqif Pashës), dhe ende fanatizma kishte rrënjë të forta në mendësi dhe kulturë. Në këto kushte, prof. Gashi ngriti shoqërinë kulturore “Afërdita” (viti 1918), orkestrën e harqeve me violinë, duke sfiduar opinionin e kohës që i identifikonte violinistët me “ahengxhinjtë jevgj”, ngriti klubin e intelektualëve dhe grupin teatral, si dhe zhvilloi organizatën sportive futbollistike. Gjithçka në funksion të çështjes kombëtare dhe edukimit kulturor. 3. Nga viti 1933 filloi të jepte mësim në Institutin femëror “Nana Mbretëreshë” në Tiranë, ku ndihmoi mjaft në hartimin dhe botimin e teksteve dhe dispensave shkollore, aq të domosdoshme për rritjen e rendimentit dhe cilësisë së orës së mësimit. Gjithnjë punoi për drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e gjuhës shqipe jo vetëm në orën e mësimit që drejtonte ai vetë, por edhe për kolegët dhe tekstet mësimore të tyre. Në këtë drejtim ai ndiqte porosinë e “Homerit Shqiptar”, patër Gjergj Fishtës, që shkruante: “Kjoft mallkue kush flet në gjuh të huej kur s‘asht nevoja”. Po ashtu të Naimit të madh që shkruante: “Gjuha shqipe, sa e bukur, sa e mirë, sa e ëmbël, sa e dlirë”. Ndërsa poeti i mirënjohur Dom Ndre Mjeda pat thënë: “Nji kto gjuhë që jam tuj ndie janë të bukura me themel, por prap kjo si diell pa hije për mue të t‘anëve ua del”. Këtë ndihmesë të profesor Gashit e kanë vënë shumë mirë në dukje edhe profesorët e nderuar Xhuvani dhe Çabej. 4. Kur ishte drejtor në gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës në pranverë 1944, prof. Gashi arriti që të shpëtonte nga kthetrat e Gestapos gjermane atje 87 të rinj nxënës të shkollës, pjesëmarrës në rrjetin e grupeve dhe veprimtarive komuniste dhe të zbuluar nga agjentët e SIM-it italian. Në këtë studim kemi përfshirë dhe artikujt e rëndësishëm të shkruar nga ose për profesorin, si dhe shumë kujtime të vjela nga ish-nxënës dhe kolegë të tij anekënd atdheut tonë, ndonëse mund të ketë aty-këtu ndonjë përsëritje, për të cilën kërkojmë ndjesë.
Profesor Ahmet Gashi, në shkollën e vajzave në Tiranë – në vitin 1935
SHPËRNGULJA E FAMILJES GASHI NGA KOSOVA NË ELBASAN
Është vërtet një kënaqësi e madhe të shkruash për profesor Ahmet Gashin, por njëkohësisht edhe punë e vështirë. Kjo sepse, nga njëra anë Ahmet Gashi është mbase rilindësi i fundit i Shqipërisë dhe një njeri që e kam njohur personalisht, nga ana tjetër ai ka një jetë dhe një veprimtari kaq të pasur, të gjerë dhe të shumanshme. Prof. Ahmet Gashi u lind më 1 shtator 1888 në Prishtinë (Kosovë). Ai rrjedh nga një familje e varfër nga ato mijëra syresh të shpërngulura me dhunë nga trojet etnike në ish-Sanxhakun e Nishit, fill pas traktatit poshtërues të Shën Stefanit, traktat ky për shqiptarët tragjikë që pasoi lufta ruso-turke 1877-1878. Atëkohë, rreth 300 mijë shqiptarë të atyre rretheve lanë tokat dhe pasurinë e tyre dhe u drejtuan për në Kosovë dhe Turqi. Ata që u vendosën në vise të ndryshme të Kosovës vuajtën po ashtu sikurse edhe bashkëkombësit e tyre të fatit në Turqi, për shkak të mosinteresimit dhe përbuzjes nga ana e shtetit të atëhershëm osman. Vetë profesor Gashi e përshkruan kështu gjendjen e familjes së tij: “Babai im quhej Ibrahim Latif Gashi nga katundi Pllavcë afër Leskovcës, nëna ime quhej Metije Ismail Thaçi, nga katundi Zhinipotok, po afër Leskovcës. Më 1878, të detyruar nga barbarizmat e serbëve, që dogjën dhe shkretuan ato krahina, u shpërngulën si muhaxhirë në rrethet e Prishtinës. Këtu u linda unë, më 1 shtator 1888, më 6 mars 1914 ata mundën të vijnë në Elbasan. Në këtë qytet baba më vdiq në vitin 1915, kurse nëna më 1930. Babai ka qenë punëtor-lëkurëpunues te një tregtar prishtinas. Nëna ishte amvisë, por punonte në shtëpi edhe me vegje pëlhure për veshje, kundrejt një pagese të vogël të pronarëve të manifakturave. Ende i kam në veshët e mi rënkimet e të dyve, për shkak të punës së rëndë që bënin dhe mjerimit të familjes sonë”. Ahmeti u rrit në këto kushte, por u edukua me dashurinë për kombin dhe atdheun e vet të pushtuar nga osmanlinjtë dhe të coptuar nga fqinjët barbarë. Prindërit kishin një dëshirë të madhe që ai të merrte një arsim të mirë, veçanërisht e ëma, e cila bëri shumë që ai të shkollohej. Në kujtimet e veta, lidhur me këtë aspekt, profesori shkruan: “Më tepër se babën, e kisha nanën një edukatore të mirë. Me këshillat e ëmbla ajo më ngjalli dashurinë për dijen dhe më nxiti vullnetin për ta vijuar shkollën e për të studiuar aty me zell. Duke sakrifikuar nga ekonomia familjare, ajo më siguronte veshjet dhe librat e shkollës dhe gjithçka që më duhej si nxënës”.
Prof.AhmetGashi me familjen, Elbasan 1925.
AHMET GASHI, NXËNËS NË SHKOLLËN FILLORE DHE GJIMNAZIN E PRISHTINËS
Kaq i madh ishte gëzimi që ndjeu Ahmeti i vogël kur e ëma ia bleu librat e shkollës, sa atë natë ai fjeti me to nën jastëk, duke parë ëndrra të bukura për klasën, bankën ku do të ulej me dy-tri veta të tjerë, madje në radhën e parë që ta shihte më mirë mësuesin dhe të dëgjonte çdo fjalë që thoshte ai. Atë mëngjes që do të shkonte në shkollë, Ahmeti u ngrit herët, ndërkohë e ëma i kish përgatitur gjithçka që duhej, madje ajo e shoqëroi edhe vetë deri në shkollë. Dashuria për nënën, për shkollën dhe prirjet natyrore, e bënë Ahmetin e ri të suksesshëm në mësime në të dyja shkallën e para të shkollës në Prishtinë. Kjo e ndihmoi të kalonte edhe konkursin që kërkohej për të vijuar shkallën e lartë të shkollës së mesme. Vetë Ahmeti tregon për këtë: “Si mbarova shkollën fillore dhe gjimnazin e ulët pesëvjeçar në Prishtinë, u provova me konkurs dhe fitova bursën e klubit shqiptar “Rinia e Atdheut”, për të vazhduar klasat e larta të gjimnazit në Shkup, atë kohë kryeqendra e Vilajetit të Kosovës”.
MËSIMI DHE VEPRIMTARIA ATDHETARE NË SHKUP
Kalimi nga gjiri i ngrohtë i familjes në konviktin e përzier me nxënës krejt të panjohur u kapërcye shumë shpejt e lehtë nga Ahmeti djaloshar. Nisur nga vullneti i tij i paepur për t‘u bërë i denjë për veten, familjen dhe atdheun, Shkupi i dukej më shumë i ndryshëm se sa i ngjashëm me qytetin e lindjes, Prishtinën. Ishte i ngjashëm për nga xhamitë e shumta, por i dallueshëm për lumin e bukur të Vardarit që e përshkonte atë mes për mes, për kalanë hijerëndë dardane, ku ishin vendosur ushtarët turq, për lagjet me shtëpi të grumbulluara dhe jo me mëhallë të veçantë si në Prishtinë, me shtëpi të mbuluara me kashtë dhe pa dritare, me ca copa xhami të ngjitura me baltë, ku jetonin të gjithë të shpërngulurit nga viset e okupuara nga Serbia dhe që shfrytëzoheshin nga pasanikët e Prishtinës. Padyshim dallimi më i rëndësishëm ishte se në Shkup shumica e popullsisë fliste shqip, në qytet e në rreth, ndërsa në Prishtinë shqipja flitej vetëm në lagjen me kësolla, “lagjen e muhaxhirëve”, si quhet ende sot. Në konvikt jetonin nxënës nga Rumelia: maqedonas, grekë, bullgarë, vlleh, nga pakica kombëtare, bashkëkohësit e të cilëve kishin tanimë shtete të pavarura nga Turqia. Shqiptarët, që përbënin 4/5 e Rumelisë, ndërkohë ende ishin nën zgjedhën osmane. Joshqiptarët kishin mundësi të lexonin lirisht në gjuhën amtare, gazeta, revista, libra, që ua sillte qeveria përkatëse kombëtare, apo që shtypeshin pa pengesë edhe në vetë Rumelinë, ndërsa nxënësit shqiptarë ende s‘e kishin këtë privilegj. Ja se çfarë shkruan profesori për këtë: “Në gjimnazin e Shkupit kisha shokë me kombësi serbe, bullgare, greke etj. Ata më treguan se u vinin gazeta, revista, libra në gjuhën e tyre amtare. Duke i lexuar këto materiale mësova se çfarë shkruhej për shqiptarët, që paraqiteshin si turq dhe se gjoja ne shqiptarët ishim pushtuesit e tyre. Kjo na nevrikoste dhe habiteshim pse ky diskriminim ndaj ne shqiptarëve, pse ata kanë të drejta kombëtare dhe ne jo? Kështu mendova të krijonim një klub edhe ne shqiptarët. E bisedova me shokë dhe vendosëm të ngremë klubin tonë. Në fakt ndjenja kombëtare ishte zgjuar dhe u zhvillua tek unë që fëmijë, sepse ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit jo vetëm që s‘ishin shuar, por përforcoheshin nëpër odat e burrave dhe unë i dëgjoja tregimet për to me shumë ëndje nga vetë goja e ish-pjesëmarrësve aktivë. Dëgjoja për vëllezërit Frashëri, Komitetin e Stambollit, Vaso Pashën, Hoxhë Tahsinin, Zija Prishtinën etj. Klubi që ngritëm nisi të përhapë edhe ai shtypin ilegal shqiptar, jo vetëm në Shkup, por edhe në qytete të tjera. Ishin libra, gazeta e revista që botoheshin asokohe në Rumani, Bullgari, Amerikë e gjetkë. E gjithë kjo ma përforcoi dashurinë për një Shqipëri të lirë…” Lidhur me mësimet, Ahmeti shkruan: “Kam dalë gjithmonë i pari në çdo klasë të gjimnazit, i ndihmoja shokët, sepse edhe nga natyra ime isha i prirur që t‘i mësoja të tjerët me durim. Por kështu përforcoja edhe dituritë e mia”.
AHMET GASHI – STUDENT NË STAMBOLL
Ahmeti i ri me mbarimin e mësimeve në gjimnazin e Shkupit fitoi të drejtën e shkollës së lartë në Stamboll, përsëri me konkurs, duke siguruar njëkohësisht edhe bursën, gjë që ishte e domosdoshme, veçanërisht për të, që vinte nga një familje e varfër. Nisi jetën e studentit në Institutin e Lartë Pedagogjik katërvjeçar. Sa ishte në gjimnaz ai pat lexuar edhe letërsi jashtëshkollore, pat përvetësuar gjuhë të huaja, përveç turqishtes dhe gjuhëve orientale, edhe frëngjishten. Në këtë të fundit pat lexuar për historinë klasike greko-romake, letërsinë dhe historinë e mesjetës, si dhe të rilindjes. Kështu ai shkoi në Stamboll me një formim kulturor të kënaqshëm. Dhe nuk e pati të vështirë t‘u përshtatej kushteve të reja aty. Natyrisht jeta në metropolin perandorak osman ishte dukshëm më e zhurmshme dhe më e gjallë se në kryeqendrën provinciale, në Shkup. Ahmeti ishte i vetëdijshëm se, sidoqoftë ky metropol, tani përfaqësonte një perandori në rënie, të sëmurë rëndë dhe që s‘bënte asnjë përpjekje serioze për t‘u shëruar e reformuar. Çdo ditë që kalonte ajo humbte nga një copë nga trupi i saj i madh. Brenda kësaj godine që po shembej ishte dhe Shqipëria me katër vilajetet e saj, Kosovën, Manastirin, Janinën dhe Shkodrën, me një sipërfaqe rreth 92000 km katrorë. Shqiptarët duhet të luftonin që të dilnin sa më shpejt nga kjo ngrehinë para se ajo t‘i zinte brenda saj, duke u shndërruar në gërmadhë. Këtë mësim profesori i ardhshëm e gjeti tek atdhetarët e atyshëm, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga etj. Në kujtimet e veta ai shkruan: “Në Stamboll takohesha me shumë patriotë shqiptarë, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga etj., të cilët më këshillonin dhe më udhëzonin se si të punoja për çështjen tonë të përbashkët kombëtare bashkë me shokët e mi. Takohesha edhe me shokët studentë shqiptarë të fakulteteve të ndryshme, si me Ali Mihalin, Zejnelabedin Vocin, të Fakultetit të Mjekësisë, e Ragip Lekën, Teki Delvinën nga Fakulteti i Drejtësisë e shumë të tjerë. Veçanërisht shumë studentë shqiptarë vinin nga vilajeti i Janinës. Shpërndanin letërsi kombëtare për studentët e ardhur rishtazi në Stamboll, duke ndihmuar kështu në zgjimin dhe forcimin e ndjenjës kombëtare te ta. Këtë punë e vijova edhe pasi u emërova mësues në gjimnazin e Prishtinës, me nxënësit e qytetit dhe të fshatit. Këtë radhë materialet propagandistike mi sillnin studentët tanë që ktheheshin për pushime nga Stambolli”.
VEPRIMTARIA PËR ALFABETIN SHQIP
Duke parë që shqiptarët hapën shkolla shqipe në katër vilajetet e tyre me alfabetin latin, xhonturqit nisën propagandën edhe me anë të shërbëtorëve të tyre shqiptarë kundër këtij alfabeti kaur dhe propozonin alfabetin “më të lehtë” arab. Dy deputetët shqiptarë shqipfolës, Fuat Pasha nga Prishtina dhe Seit Hoxha nga Shkupi, hartuan një abetare në gjuhën shqipe me shkronja arabe dhe nisën eksperimentimin e saj nëpër shkolla. Kjo i revoltoi pa masë shqiptarët, sidomos në Kosovë dhe në Klubin e Prishtinës, që ishte shndërruar në qendër kryesore propagandistike për çështjen kombëtare, arsimin shqip etj. Drejtuesit e klubit, Nazmi Gafurri dhe Ahmet Gashi, menjëherë bënë një mbledhje të klubit me simpatizantët dhe ndanë detyrat për demaskimin e këtij projekti antikombëtar. Në atë kohë fanatizmi dhe injorance të madhe, ishte vërtet e vështirë dhe e guximshme të dilje kundër alfabetit arab. Deri atëherë popullit të thjeshtë hoxhallarët i thoshin: “Nuk nxen dielli pa Sulltanin që është kalif (i pari i fesë). Në atë kohë në Prishtinë, si qytet kishte me shumë ushtarë se banorë, ajo kishte 20 xhami. Kështu, dy deputetët në fjalë e kishin të lehtë punën e tyre me abetaren me shkronja arabe, sepse gëzonin edhe përkrahjen e qeverisë së hoxhallarëve. Natyrisht puna kryesore i binte prof. Ahmet Gashit, pasi ai ishte dhe më i përgatituri dhe më komunikuesi me njerëzit e thjeshtë, ashtu dhe me ata të shtresës së lartë dhe ulematë (hoxhallarët). Profesor Gashit iu desh të bënte një punë të jashtëzakonshme, ditën, natën, për të hedhur poshtë abetaren me shkronja arabe. Së pari ai bisedoi me parinë e qytetit një për një, duke u përpjekur ta bindë atë se si gjuha shqipe nuk mund të shkruhej dot me shkronja arabe, por veç me shkronjat e alfabetit të Stambollit, të hartuar qysh në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, me të cilën janë shkruar e botuar shumë libra deri atëherë. Madje ai u tregonte këto libra dhe u recitonte fragmente nga poemat e Vaso Pashës, sepse si pashë besohej më shumë nga ta. Për më tepër Vaso Pasha ishte katolik, që ishte bërë pashë dhe kish shkruar aq bukur në shqip me shkronjat e alfabetit të Stambollit, që më vonë u përmirësua nga Alfabeti i Manastirit më 1908. Pasi paria u bind dhe dha fjalën se do ta shkruajë promemorien (memorandumin) se nuk pranonin abetare shqipe me shkronja arabe, por vetëm me ato shkronja të alfabetit të Stambollit, profesori bisedoi me hoxhallarët kryesorë, që edhe ata ia dhanë fjalën, sikurse paria e qytetit. Pastaj u zhvillua një mbledhje në sallën e klubit, ku pas diskutimesh të gjata u vendos që t‘i dërgohej një memorandum qeverisë xhonturke, Sulltanit, deputetëve Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali, me anët të së cilit kundërshtohej katërcipërisht abetarja me alfabetin arab dhe pranohej vetëm ajo me alfabetin e Stambollit. Kështu edhe u bë.
Prof. Ahmet Gashi (në rreth) në Kongresin e Arsimtarëve, Tiranë 1944
SHUMICA E TYRE PËRFUNDUAR BURGJEVE DHE INTERNIMEVE TË REGJIMIT KOMUNIST
Me dhjetëra arsimtarë kosovarë shërbyen në Shqipëri
Profesori i nderuar Ahmet Gashi, me origjinë nga Kosova, i cili gjithë jetën e tij ia dedikoi përhapjes së arsimit shqip në të gjitha trevat shqiptare, është vetëm një prej atyre qindra e qindra arsimtarëve kosovarë, që për dekada me radhë kanë shërbyer në shtetin amë, duke dhënë kontributin e tyre të vyer jo vetëm në lëmin e pedagogjisë, por edhe të çështjes kombëtare. Që nga vitet e para të shekullit të kaluar, kur dhe u hodhën bazat e para të shtetit të pavarur shqiptar, një numër i madh arsimtarësh nga Kosova, që ishin shkolluar kryesisht në viset e Perandorisë Otomane, shfaqën dëshirën dhe erdhën në “Shqipërinë e vjetër” për të dhënë kontributin e tyre në përhapjen e gjuhës shqipe. Po kështu, pas çeljes së shkollës “Normale” të Elbasanit, që ishte dhe fidanishtja e parë e përgatitjes së pedagogëve të ardhshëm shqiptarë, me ndërhyrjen e Hasan Prishtinës erdhën dhe u ulën në bankat e saj një numër i madh nxënësish nga Kosova dhe Mali i Zi, të cilët më pas u shpërndanë në të gjitha trevat shqipfolëse për të dhënë kontributin e tyre në lëmin e arsimit. Si për të “larë një borxh” të vjetër, në vitet 1939-1944, kur Kosova dhe Mali i Zi ishin pjesë organike e shtetit shqiptar, me dhjetëra arsimtarë dhe pedagogë nga Shqipëria shkuan në Kosovë dhe Malin e Zi, duke dhënë kontributin e tyre në përhapjen e arsimit shqip. Po kështu, tashmë është i njohur fakti i ardhjes në Shqipëri të dhjetëra e dhjetëra djelmoshave shqiptarë nga Kosova dhe Mali i Zi, të cilët duke mos e duruar dot terrorin, shtypjen dhe diskriminimin e regjimit titist të Beogradit, u arratisën dhe erdhën në shtetin amë. Shumica e tyre u dërguan në shkollat pedagogjike dhe më pas për vite me radhë shërbyen si arsimtarë e pedagogë në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ndër ta vlen të përmenden: Gani Demir Ratkoceri, Agim Gjakova, Esat Muftari, Estref Kelmendi, Shefqet Kelmendi, Hil Kamani, Selim Kelmendi, Isa Ulaj, Qazim Radoniqi, Preloc Margilaj, Pashko Cama, Dedë Berisha, Namik Luca, Mustafa Ahmeti etj., pjesa më e madhe e të cilëve më pas përfunduan burgjeve dhe internimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, me akuza nga më absurdet.
( … )