KOMITETI REVOLUCIONAR I KOSOVËS DHE ZEQIR HAJRIZI

(Pashtriku.org, 11. 09. 2012) – Jugosllavia e AVNOJ-it, duke shkelur të drejtën universale të vetëvendosjes së popujve, Kartën e Atlantikut dhe premtimet e vetë Partisë së saj Komuniste, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore mohoi vullnetin e popullit të Kosovës, të shprehur në Rezolutën e Bujanit dhe e shtypi në gjak kryengritjen e armatosur të shqiptarëve, për t’i aneksuar sërish dhunshëm Kosovën dhe territore tjera shqiptare. Kosova e kundërshtoi me forcë tradhtinë që e futi në robëri të re, por me gjithë sakrificat sublime, padrejtësisht mbeti pjesë e Serbisë dhe Jugosllavisë.
Për ta shuar aspiratën e lirisë dhe çdo formë të rezistencës së shqiptarëve kundër pushtuesit, regjimi gjakatar i Tito-Rankoviqit, nën masat e një administrimi ushtarak në Kosovë, intensifikoi dhunën dhe terrorin mbi një popull të tërë.
Në veprën e autorit bullgar, Stefan Karastojanov, “Kosova”, thuhet: “Që nga momenti i dëbimit të forcave gjermane nga Kosova, filloi një terror i vërtetë mbi popullsinë shqiptare… pushtimi i rajonit nga partizanët jugosllavë u pasua nga masakrimet e egra të shqiptarëve nga ana e serbëve”. Ndërkaq, Vichers (1998) shkruan se “vetëm brenda gjashtë muajve u vranë 48 mijë shqiptarë”.
Edhe gjatë viteve vijuese, shqiptarëve jo vetëm u mohoheshin të drejtat civile dhe njerëzore, politike dhe kombëtare, por regjimi pushtues ua rrëmbente edhe pasurinë dhe i përndiqte e dëbonte në Turqi, në Shqipëri, në republikat tjera të Jugosllavisë e gjetkë.
Pas shuarjes në gjak të kryengritjes së vitit 1945, rezistenca kundër ripushtimit të Kosovës vazhdoi me organizimin ilegal, i cili gjatë viteve 1945-1953 identifikohet me Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare. Kjo organizatë politike-ushtarake i kishte vënë vetes qëllim çlirimin e tokave të aneksuara shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë. Figura të shquara kombëtare të kësaj Lëvizjeje, si Halim Spahia, Ajet Gërguri, Selman Riza, Imer Berisha, Marije Shllaku, Gjon Serreqi e dhjetëra të tjerë u ndoqën, u persekutuan, u dënuan ose u pushkatuan nga regjimi pushtues.

Veprimtari Zeqir Hajrizi

…………………………………………….

Ndonëse vazhdonte ndjekja dhe dënimi i veprimtarëve të çështjes së Kosovës, lëvizja e rezistencës, si feniksi, po ripërtërihej nga hiri i vet. Do përmendur Grupin ilegal të kryesuar nga Njazi Maloku (1950), Grupin e Aziz Spahisë (1954), Grupin e Gjakovës, të kryesuar nga Muhamed Brovina (1957), Partinë Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë, të Metush Krasniqit (1958), veprimtarinë patriotike të Kadri Halimit, Ali Aliut e Ramadan Hoxhës (1952-54), të Adem Demaçit (1958) etj.
Shqipëria e pas Luftës së Dytë Botërore, kur Jalta e kishte vendosur në sferën e bllokut socialist, e varfër skajshmërisht, e izoluar dhe e përballur me problemet e njohura të brendshme e të jashtme, shikuar realisht nuk mund të bënte shumë për Kosovën. Megjithatë në Tiranë që herët vepronte “Komiteti i çlirimit të Kosovës”, kurse pas prishjes së marrëdhënieve shqiptare-jugosllave më 1948, Shqipëria intensifikoi dukshëm denoncimin e Jugosllavisë për shkeljen e të drejtave elementare dhe terrorin që ushtronte mbi popullin shqiptar nën robërinë e saj.
Jugosllavia titiste, Kosovës mezi i kishte dhënë një status regjioni (“Oblast”), në kuadër të Serbisë, që nuk e barazonte madje as me Vojvodinën. Nga fundi i viteve 50 të shekullit të kaluar, xhelati Rankoviq, nëpërmjet të mekanizmave shtetërorë të UDB-së famëkeqe dhe me politikën e shfrytëzimit ekonomik të Kosovës e të shtypjes kombëtare të shqiptarëve, ishte në kulmin e veprimit shovinist. Lufta e ftohtë në plan ndërkombëtar, izolimi i Kosovës nga bota demokratike dhe vendosja e perdes së hekurt me Shqipërinë, i jepnin mundësi zbatimit të plotë të elaborateve të vjetra e të reja antishqiptare të qarqeve më shoviniste serbe.
Aleksandër Rankoviq, politikën antishqiptare e zbatonte pothuajse papengueshëm nga federata, pasi republikat tjera kishin hallin e vet për shpëtim nga unitarizmi, etatizmi dhe hegjemonizmi serb, që po i kërcënonte seriozisht. Ato e lanë Kosovën në mëshirën e shovinizmit serb, si një çështje e brendshme e Republikës së Serbisë.
Pushtuesit serbë e jugosllavë ndërmorën aksione të njëpasnjëshme kundër shqiptarëve, si përtëritja e marrëveshjes së quajtur “Xhentëlmene” me Turqinë, dëbimi me dhunë për në Turqi të qindra mijë shqiptarëve, aksioni i mbledhjes së armëve, me ç’rast u torturuan mbi 30.000 dhe vdiqën rreth 1000 shqiptarë, kurse me mijëra të tjerë mbetën invalidë.
Më 1960, nën kushtet e shtypjes së egër kombëtare e të protestës së heshtur dhe të dilemës hamletiane “të jesh a të mos jesh”, veprimtarët e çështjes kombëtare, Kadri Halimi, Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha, të cilët më herët kishin mbajtur burg në Goli Otok e Mitrovicë të Sremit, formuan organizatën ilegale “Komiteti Revolucionar Antirevizionist i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë”. Që në orët e para, Zeqir Hajrizi ishte organizuar në radhët e këtij Komiteti. Ai zgjeroi organizatën, sidomos në rrethin e Vushtrrisë, prej nga e kishte origjinën, nëpërmjet të veprimtarëve të shquar Zenel Hajrizi, Selman Hasani etj., por edhe në rrafshin e Kosovës, nëpërnjet të Banush Ademit etj.

Drejtuesit e “Komitetit Revolucionar…” Kadri Halimi dhe Ali Aliu.

…………………………………………………………….

Qëllimet programatike të organizatës ishin objektivat historike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirim dhe bashkim të territoreve dhe popullit të ndarë shqiptar në një shtet të vetëm.
Siç ka shkruar Kadri Halimi, kjo organizatë, busull kishte Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si dhe vendimet e Bujanit për vetëvendosje e bashkim me Shqipërinë.
Në kuadër të programit strategjik, organizata kishte definuar edhe disa kërkesa imediate politike, sociale, ekonomike dhe arsimore, si ndërprerja e represionit dhe diskriminimit, lejimi i përdorimit të simboleve dhe gjuhës kombëtare shqiptare, punësimi i qytetarëve shqiptarë, ndarja e banesave shoqërore edhe për shqiptarët, të cilët kishin përfituar vetëm 3% të fondit banesor, mundësimi i ndjekjes së studimeve në Universitetin Shtetëror të Tiranës, hapja e fakulteteve dhe e universitetit në Kosovë, rihapja e Institutit Albanologjik etj.
Pas terrorit sistematik mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, kjo organizatë merrte rolin e ringjalljes dhe ripërtëritjes së rezistencës, së cilës po i binte intensiteti.
Mbi bazën e programit të saj politik e kombëtar, organizata brenda një kohe shumë të shkurtër ngriti një strukturë të tërë organizative, me anëtarësi prej qindra vetash dhe me një bazë mjaft të gjerë shoqërore. Si e tillë organizata kishte shumë karakteristika të një lëvizjeje çlirimtare. Ajo e shtriu organizimin pothuajse në të gjitha trojet e pushtuara shqiptare.
Organi më i lartë i organizatës ishte Konferenca e Përgjithshme. Në plan organizativ radhët e saj ishin planifikuar të strukturoheshin në këshilla të rretheve, duke caktuar edhe përgjegjësit për themelimin e tyre: Për rrethin e Prishtinës, Hasan Dumani, të Vushtrrisë, Zenel Hajrizi, të Ferizajt, Beqë Heta, të Mitrovicës, Ramadan Rexha, të Gjilanit, Enver Tali, të Preshevës, Mulla Nuredin Xhemaili (Hoxhë Maxhera), të Gjakovës, Jusuf Zherka, të Suharekës, Muhamet Veseli-Reçani, të Shkupit, Amir Gashi, të Kumanovës, Naip Orizarja etj. Organizata arriti të themelonte komitetet e rretheve në Vushtrri, në Gjilan dhe në Preshevë.
Veprimtaria e organizatës mbështetej në teknika të konspiracionit të thellë, sepse kështu impononin kushtet nën një regjim represiv pushtues. Organizata aplikonte forma të veprimit paqësor, por përgatitej edhe për formën më të lartë të rezistencës, atë të kryengritjes së armatosur. Për këtë qëllim, krahas propagandimit të ideve të lirisë dhe organizimit, duke zgjeruar radhët, organizata rekrutonte luftëtarë të armatosur dhe furnizohej me armë, si në Artakoll të Vushtrrisë, ku dy aradhe të armatosura ishin gati për veprime luftarake, nën komandën e tribunit popullor, Zenel Hajrizi. Grupe të armatosura ishin organizuar edhe në Preshevë e Bujanoc.
Ndonëse në fillim të viteve 60 të shekullit të kaluar, femra shqiptare ishte në një gjendje të rëndë pabarazie dhe injorance, me shkallë tepër të ulët arsimimi e emancipimi shoqëror e politik, brenda radhëve të organizatës kishte edhe gra patriote, të cilave u printe denjësisht intelektualja dhe veprimtarja e shquar, motra e Xheladin Hanës dhe e shoqja e Ali Boletinit, Hyrije Hana.
Në radhët e organizatës pranoheshin sipas kritereve të rrepta seleksionuese veprimtarë të dëshmuar për virtyte të larta patriotike e morale dhe me biografi të pastër familjare.
Organizata kishte vendosur lidhje zyrtare me Tiranën, nëpërmjet të përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë, por në Shqipëri u dërguan për këtë qëllim edhe veprimtarët Zeqir Hajrizi e Banush Ademi.
Në janar të vitit 1961 UDB kishte filluar arrestimin e veprimtarëve të Komitetit Revolucionar. Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha kalojnë në ilegalitet të thellë më 25 janar 1961. Ata gjatë kësaj periudhe qëndruan në Lipjan, në Shtime, në Suharekë, në Karadak dhe në Maxherë të Preshevës, ku u kapën nga policia e Rankoviqit, më 2 prill 1961. Ndërkohë u arrestuan edhe shumë veprimtarë të tjerë.
Ndonëse kjo organizatë kishte rreth 200 anëtarë, pas zbulimit të saj nga policia sekrete serbe dhe me gjithë torturat çnjerëzore në hetuesi, para gjyqit regjimi arriti të nxirrte 40 veta, të cilët u dënuan në grupe të ndara në gjykatat në Prishtinë, në Gjilan, në Vrajë e në Kumanovë. Ata i degdisën nëpër kazamatet jugosllave për të vuajtur dënimet me burgim të gjatë dhe të rëndë, si në Nish, në Mitrovicë të Sremit etj. Zeqir Hajrizi dhe Banush Ademi u dërguan në Burgun e Goli Otokut famëkeq. Pas lirimit nga burgu, vazhduan përndjekjet, arrestimet dhe keqtrajtimet e veprimtarëve, shumë nga të cilët vdiqën para kohe, kurse të tjerë kanë mbetur gjithë jetën invalidë. Zeqir Hajrizi mori tuberkuloz në burg, i cili për shkak të mostrajtimit, kaloi edhe në veshkë, të cilat më vonë u bllokuan fare, prandaj ai jetoi me dializë në 14 vitet e fundit të jetës.
Kjo organizatë ende nuk është trajtuar e studiuar në nivelin meritor nga historiografia jonë, por pa dyshim ajo zë një vend nderi në fondin e vlerave të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës.
Komiteti Revolucionar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ka rëndësi historike për programin e tij kombëtar e demokratik, për kohën veçanërisht të rëndë kur u organizua, për shtrirjen në tokat e pushtuara shqiptare, për përgatitjen e formave supreme të çlirimit me mjete të luftës së armatosur, për rolin ripërtëritës të Lëvizjes sonë Kombëtare të dërmuar nga goditjet e njëpasnjëshme që i kishte bërë regjimi pushtues, për vlerat e reja që i solli Lëvizjes Kombëtare, për përvojën e pasur dhe cilësore organizative që i la brezave të ardhshëm të Lëvizjes dhe për virtytet që mishëronin anëtarët e saj vetëmohues.
Komiteti mori nga pararendësit e tij idenë dhe flakën e luftës kundër pushtuesit dhe ua dorëzoi brezave të tjerë, për ta përcjellë drejt materializimit të saj final nga Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës.
Komiteti Revolucionar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë u shua më 1961, por jo Lëvizja Kombëtare e Kosovës, e cila u rrit me organizatën “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (1964), me Demonstratat e vitit 1968, me Grupin Revolucionar të Kosovës (1973) etj., që çuan në Pranverën e Madhe të Demonstratave të vitit 1981 dhe në Frontin e Republikës së Kosovës. Zeqir Hajrizi ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat e vitit 1981.
Kadri Halimi, udhëheqës i Komitetit Revolucionar, në veprën e tij ”Shkëndijë e Lirisë”(Prishtinë 1995, f. 47) ka shkruar: “Zeqir Hajrizi nga Prishtina dhe Banush Ademi nga Henci, poashtu kishin grupet e tyre në fshatrat Strofc e Siboc të Vushtrrisë. Njëri sish ishte pagëzuar me emrin “Rifat Berisha”. Këta dy, në atë kohë të rinj, aktivitetin e vet nuk e ndërprenë deri në burgosje. Vepronin me vetëdije të lartë patriotike dhe ishin të gatshëm të flijojnë edhe jetën e vet në altarin e atdheut.”
(Nga M.Hajrizi)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura