Shpjeguar në çfarëdo varianti çoftë me shprehjen ‘ikje’ çdo here nënkuptojmë diçka negative. Por, kur është fjala për ‘ikjen’ e qëllimshme nga realitetet, siç mund të jetë ‘ikja’ nga përgjegjësitë familjare, shoqërore apo shtetërore e kombëtare; atëherë kësaj mund t’i themi dezertim apo edhe tradhti. Thuhet se tradhtia është zhvilluar krahas shoqërisë njerëzore, përderisa nga pasojat e tradhtisë janë lëkundur edhe themelet e perandorive më të lashta. E kur flasim për tradhtinë në historinë shqiptare, kjo na kujton ndarjen dhe copëtimin tragjik të kombit në pesë shtetet fqinje. Na kujton kombin e gjenociduar e masakruar deri në tentim shfarosjeje, siç ishin edhe përpjekjet e fundit të Serbisë kundër popullit shqiptar në Kosovë. Arma më e fortë e gjakësorëve serb ishin tradhtarët dhe ‘ndërsyemja’ e tyre kundër kombit, që jo pak përdore i shkoi Serbisë. Sidoçoftë tradhtia asnjëherë nuk ka mbetur e pa ndëshkuar.
Thuhet se mbretëresha Teutë ishte tradhtuar nga Dardanët. Përderisa Moisiu dhe Hamzai e tradhtuan Skënderbenë. Dhe jo se atyre u kishin munguar postet apo privilegjet, por sepse s’mund bëheshin Skënderbe! Edhe Ahmet Zogu pasi e largoi Fan Nolin nga Shqipëria me ndihmën e jugosllavëve, iku nga Shqipëria. Tradhtoi pavarësinë dhe Shqipërinë, e la në duart fashiste. Por, Shqipëria dhe shqiptarët me vuajtje sizifi e gjakime të dhimbshme, i mbijetuan shpatat e demonëve, e planet shfarosëse të dizajnuara kryesisht nëpër qarqet pansllave kundër kombit tonë. I mbijetuan sepse populli ynë lindi edhe bijë që me sakrificën dhe gjakun e tyre e ujitën tokën e lulëkuqeve, lulëkuqeve të Kosovës, shndërruara në sfondin e sakrificës dhe dhimbjes shqiptare, njashtu sikurse edhe në kurorën e krenarisë kombëtare.
Kosova u tradhtua rëndë më 1912 kur u nda dhunshëm nga trungu mëmë. U tradhtua edhe më 1945 kur ju mohua bashkimi me Shqipërinë. Por, u tradhtua edhe më 1968 e 1981, kur tipat e sojit si i ndjeri Fadil Hoxha betohej se ‘do t’i fuste në vrimat e minjve’ intelektualët dhe rininë e përgjakur kosovare. Po thuaj se në të njëjtën mënyrë më 1998 u deklarua edhe i ndjeri Ibrahim Rugova (lider i LDK’së në atë kohë) për çlirimtarët e Kosovës, duke i quajtur ‘grup njerëzish të frustruar’ apo ‘krijesa të shërbimit sekret serb’, edhe pse pjesë e botës demokratike bashkë me SHBA’të, e njohën UÇK’në si ‘bashkim luftëtarësh të lirisë’. (Lexoni: Cilat ishin akuzat e Ibrahim Rugovës në adresë të UÇK’së?! dhe Elita intelektuale“ titiste në shërbim të UDB’së! – Shën.Sh.B)
Vallë a nuk ishte ky një tentim ikjeje nga përgjegjësia kombëtare dhe njerëzore për ta çliruar Kosovën me luftë, të vetmen gjuhë që e njohu Serbia, luftë që s’mund iu shmangën as ish republikat jugosllave? Gjithsesi, përfundimi i ngjarjeve e ka dhënë përgjigjen e duhur. Siç e ka dhënë përgjigjen edhe për të gjithë ata që iknin nga fronti i luftës, për t’u bashkuar refugjatëve në Bllacën tragjike. Por, ishin dalëzotësit e Kosovës, siç do të shprehej Qosja ynë i madh, që qëndruan të palëkundur, duke e mbrojtur nderin dhe tokën e Kosovës deri në çlirimin e plotë nga Serbia.
Ishin dalzotësit e saj që e mbrojtën Kosovën jo vetëm në frontin e luftës, por edhe nëpër zyrat e diplomacisë botërore. Ishte pikërisht qëndrimi diplomatik i Hashim Thaçit vendimtar për arritjen e Marrëveshjes në Rambuje, nga e cila do të pasojë edhe bombardimi i Serbisë nga aleanca e NATO’s. Në Konferencën e Rambujesë delegacioni i Kosovës ishte favorizuar edhe me një marrëveshje të përbashkët për Qeverinë e Unitetit, marrëveshje që nuk u respektua kurrë nga pjesëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ata nuk pranuan të jenë nën një ‘ombrellë’ qeverisjeje me çlirimtarët e Kosovës, duke u bërë pengesë kryesore e ndërtimit të institucioneve të lira dhe demokratike në Kosovën e pasluftës. Sidoçoftë, Qeveria e Unitetit i priu Kosovës edhe pa LDK’në, nëpër situata të rënda që po kalonte Kosova.
Nuk ka dyshim se ndërtimi i demokracisë në shtetet e sapo dala nga lufta dhe pushtimi shumëvjeçar siç është Kosova, nuk është i lehtë. Përderisa ngritjet e rëniet e partive politike në garat elektorale për pushtet janë normale në demokraci. Por, siç thotë Platoni: ‘ky rregullim shpeshherë bëhet i keq, sepse populli nuk është mjaft i arsimuar për t’i zgjedhur ata që me urtësi do ta udhëhiqnin shtetin’. Kështu, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) më 2007 i fitoi zgjedhjet elektorale me të drejtën e përzgjedhjes së koalicionit për bashkëqeverisje.
PDK’ja, prirë nga filozofi e sakrificës dhe bashkëpunimit, e ngritjes dhe ndërtimit të shtetit dhe institucioneve të tija me çdo kusht, përsëri i zgjati dorën e bashkëpunimit subjektit politik LDK’së. E siç duket pas llogarive të bëra mirë, LDK’ja ndryshe nga refuzimi për pjesëmarrje në Qeverinë e Unitetit, kësaj radhe e pranoi ofertën e PDK’së. Ajo pranoi për t’u bërë pjesë e Qeverisë, për t’u tërhequr përsëri në kohën më të favorshme për të, por më kritike për Kosovën. Në kohën kur bashkimi dhe uniteti i institucioneve të shtetit janë jetike për rrugëtimin e tij.
Prishja e koalicionit dhe ikja e LDK’së nga Qeveria, aq shumë ma kujton tradhtinë e Hamzait e Moisiut, poshtërimin e pavarësisë së Shqipërisë nga Ahmet Zogu dhe ikjen e Ibrahim Rugovës në Itali. Mënyra dhe koha e ikjes së LDK’së nga koalicioni bashkë qeverisës kur zgjedhjet e parakohshme vetëm se ishin përcaktuar, pastaj kur edhe pas 70 njohjeve ndërkombëtare dhe opinionit të GJND’së, shteti i Kosovës seriozisht është i kërcënuar nga Serbia, në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se ishte vetëm një kapriço apo papërgjegjësi politike ndaj institucioneve dhe shtetit. Por më shumë se kaq. Kësaj thjesht i thuhet tradhti.
Populli i shumëvuajtur i Kosovës nuk e ka merituar një nënçmim të tillë nga përfaqësuesit e vet politik. Qytetarët të shokuar përcollën ikjet e përfaqësuesve politikë nga institucionet e shtetit me sjellje dinake e dezertore në një anë, por edhe arrogante e sulltaneske në anën tjetër. Populli i Kosovës i dergjur njëqind vjet nën robëri, i burgosur, vrarë, masakruar e përdhunuar nga pushtuesi serb, sot i pa punë, pa kujdesin social e shëndetësor, shpesh here pa energji elektrike e pa ujë të pishëm dhe së fundi edhe pa institucionet e shtetit, ndihet refugjat në shtetin tij. Në anën tjetër, me nihilizëm e servilitet të paturpshëm, të vetëquajturit përfaqësues të populli, të relaksuar e plot gaz, kënaqen para ekraneve televizive me lloj – lloj pozash e propozimesh, me retorikën plot dashuri për shtetin, përderisa ata janë vet varrmihësit e tij.
Kurse Serbia i mpreh shpatat e kriminelëve dhe provokon kriza të reja në rajon.U dërgon mesazhe sinjifikative e injoruese shqiptarëve dhe botës, se është e gatshme për bisedimet me Kosovën, por se nuk ka me kënd të bisedoj. Kosova nuk ka institucione! Nuk ka gjë më të turpshme se kjo që sot po i ndodh Kosovës. Nuk ka gjë më të turpshme se kur bota e tërë demokratike në krye me SHBA’të e përkrahin dhe e ndihmojnë shtetin e Kosovës, por atë nuk e përkrahin dhe ndihmojnë krerët e tij. Nuk ka dyshim se Kosova do ta kaloj edhe këtë sfidë, sepse dalëzotësit e saj ende janë gjallë. Por duhet ta kenë të qartë të gjithë ata që janë bërë varrmihësit e përparimit të kombit, se një ditë do të ndëshkohen!
Prishtinë, 23. 10. 2010
– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY, Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.
Postime të Lidhura
DR.(Kandidat) FATON MEHMETAJ: LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT, KU JEMI SOT PAS 135 VJETËSH RRUGËTIM?!
Prishtinë, 10. 06. 2013 – Më 10 qershor 1878, në Medresenë e Prizrenit, u hap kuvendi që u…
BEN BLUSHI: ҪA KE ALBIN?
Tiranë, 28. 01. 2015 – E kam takuar vetëm një herë Albin Kurtin për të kuptuar se ashtu…
KIMETE BERISHA: NEVE QË JEMI KUNDËR LIGJIT PËR AMNISTI, KRYEMINISTRI NA THA SE JEMI ZËRA TË ‘FRUSTRUAR’. MIRË E KA KRYEMINSTRI! JEMI, PO QYSH S’JEMI TË FRUSTRUAR!
Prishtinë, 15. 07. 2013 – Viktima ka faj. Kryeministri i Kosovës shumë mirë e di. E ka ditur,…
DIALOGU NDËRMJET KOSOVËS DHE SERBISË …
Nga Xhelal Zejneli, Shkup gusht – shtator 2022 DIALOGU NDËRMJET KOSOVËS DHE SERBISË … Më 8 mars 2011…