DARDAN BELA: SHQIPTARËT DHE EKONOMIA

Tiranë, 17. 02. 2014 – Po e nis këtë shkrim nisur nga një analizë dhe kënvështrim koherent që studiuesi i ekonomisë, Epidamn Zeqo shkruan në lidhje me tematikat dhe aktualitetin ekonomik të vendit, botuar disa ditë më parë në mediat shqiptare: “Abenomics’ në Shqipëri për të rikthyer rritjen 6% “Sërish fokusi mbështetet të këto tre elementë”. (Lexoni: EPIDAMN ZEQO*: ‘ABENOMICS’ NË SHQIPËRI – PËR TË RIKTHYER RRITJEN NË 6 %: 

https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=2295)
A. Roli i BSH i përket politikës monetare
Për t’i dhënë fund deflacionit është një çështje që jo shumë varet në mënyrë direkte nga qeveria dhe më tepër është një politikë e “mbarsur” në vite; një politikë monetare fillimisht e domosdoshme (kujtoj vitet post ’97) ku kishte një rritje të skajshme të çmimeve në mungesë të mallrave.
Megjithatë, ka thuajse mëse 6-7 vite që kjo politikë monetare mund dhe duhet të luante një rol shumë herë më vital për t’iu përgjigjur nevojave reale dhe jo vetëm statistikave (shpesh herë të deformuara). Aktualisht BSH ka provuar se është me të vërtetë në gjendje të mbajë një nivel çmimesh realtivisht të qetë, ndoshta, e megjithatë shpesh herë vihen re “kolpo” dhe luhatje çmimesh që të bëjnë të mendosh mirë se sa efektive apo jo paska qenë kjo politikë monetare. Kujtoj një pjesë të shkrimit që kam bërë për konkluzionet e arritura gjatë praktikës pranë BKT, në 2009. Sigurisht që një rol determinant luan edhe Shteti. Vetë Qeveria për të mbuluar shpenzimet e veta ka nevojë që në disa raste të marra hua, dhe për Shqipërinë sot kjo mund të relizohet me anë të Huave Tregtare të cilat sigurisht kanë një kosto më të lartë se Huatë me Kushte Lehtësuese që Partnerët i jepnin Vendit tonë, në të kaluarën.

Patjetër që nuk është aspak e këndshme të shikosh që: në një kohë kur shumë prej ekonomive të botës dhe të rajonit janë të përfshirë nga kriza, ne të kemi luksin, në një farë mënyre të importojmë një pjesë të kësaj krize nga ato vende, pikërisht duke marre kredi me norma të larta interisi prej ketyre te fundit. (i referohemi huave pë rrugën Durrës-Kukës). Kësaj i thonë të përshtatemi me shprehjen popullore “A i mban mend ato vite ku s’kishim bukë e hanim pite”?! Sot, bankat në Shqipëri zotërojnë miliarda $ asete. Ato kanë frenuar kredinë pikërisht për t’iu ruajtur një situate të padëshirueshme, të moskthimit të kredive të dhëna; kjo nëse edhe efektet e krizës jashtë vendit do të shtriheshin me fuqi të plote brenda vendit. Si i bëhet? Roli i shtetit mund të ishte më aktiv me qarkullimin e kapitalit vendas. Nuk është e nevojshme të marrësh kredi për të financuar ndërtimin e rrugëve me norma të larta interesi jashtë, kur fare mirë mundesh që paratë t’i qarkullosh brenda vendit. Vetem BKT-ja gjatë viti 2008 numëronte 385.773.512 $ kredi dhe paradhënie (faqe zyrtare internet). Shteti me anë të Bankës Qendrore, mundet fare mirë të emetojë letra me vlerë, bono thesari të cilat ofrojnë një mundësi investimi për vetë bankat me interes të pëlqyeshëm dhe paratë e tyre nuk e humbin sigurinë; në këtë mënyrë ndikon në zbutjen e ngërçit të kredidhënies. Ndoshta një bankë e vetme e ka jo të lehtë të investojë një shumë të madhe në një vend të vetëm, por një grup bankash, fare mirë mund ta bëjnë këtë gjë duke e divesifikuar portofolin ndërmjet tyre, si dhe të ndajnë fitimet.
Nga ana tjetër, bizneset dhe qytetarët duhet të përfshihen në këtë proçes sepse kanë mundësi që kursimet e tyre t’i investojnë në mënyrë të sigurt dhe me kthim më të lartë se ato të depozitave që ofrojnë bankat. Shteti ka mundësinë reale të marrë paratë që i nevojiten për shpenzime të mëdha publike me një kosto më të vogël se sa ajo e tregut të jashtëm. Në këtë mënyrë ndikon pozitivisht edhe në ruajtjen e shëndetit financiar shqiptar.” Ajo që kam shkruar atëherë besoj që mund të vlejë edhe për sot.
Mendoj se Shteti Shqiptar ka të nevojshme të ndërhyjë me themel në Bankën Qëndrore, ashtu si po vepron në disa sektorë kyç për zhvillimin e ekonomisë. Ndryshimet nuk mund të mjaftohen me emra sa i përket rangut drejtues (ndoshta në këtë rast mund të jetë e nevojshme edhe reformimi i një legjislacioni koherent), por ato kërkojnë një pjekuri të shoqëruar me vizion praktik dhe jo thjesht guvernatorë që vishen e hekurosen si për në “ballo”; tjetër “valle” luan sot Shqipëria dhe aty duhet të hyjë kush di të kërcejë apo ka guximin edhe ta udhëheqë atë, pa patur frikë se do i merren këmbët. (Ashtu si thotë edhe A. Einstein – “Nuk jam gjeni por shumë kurioz nga natyra).
B. Politikat fiskale
Në lidhje me stimulin fiskal, besoj që tatimi progresiv është në të mirë të zhvillimit të ekonomisë familjare, si dhe do stimulojë së tepërmi bizneset e vogla; ndërkohë bizneset e mëdha thjesht do japin sërish më pak se sa shërbimet reale që përfitojnë (dhe shpesh herë zhvatin) nga ekonomia dhe infrastruktura kombëtare. Këtë të fundit e them me bindje, duke marrë në konsideratë eksperiencat shqiptare që për atë që ka vullnet dhe jo drojë, të “kalitin” sa i përket aspektit të moralit dhe etikës profesionale. Disa reforma kanë filluar të japin efektet e tyre si në tatime, deri diku edhe në dogana, megjithatë viti që ka filluar do të provojë më së miri vullnetin për të bërë mirë. Gjithashtu taitmi më pak i atyre që marrin paga të vogla dhe realtivisht të mesme do stimulojë konsumin. Në temën që kam trajtuar “Jepini Çezarit ç’është e Çezarit”, në 2013, pas studimeve të disa bizneseve, në Tiranë dhe në Durrës, si dhe pas ndërtimit të formulave dhe aplikacioneve të tyre, rezulton se sot nevoja reale e një familje me katër anëtarë, vetëm për ushqim dhe pije arrin në masën 40.000 lek të reja në muaj. Në Deklaratën e Pavarësisë (Kujtoj. B. Franklin) të USA theksohet e drejta për të jetuar, të qenë të lirë dhe për të kërkuar (arritur) lumturinë. Por sigurisht që lumturia “kalon edhe nga stomaku”, dhe prandaj tatimi 0% deri në 30.000 lek mendoj se i afrohet por nuk i përgjigjet akoma mbulimit dhe mostatimit të minimumit të nevojshëm për t’u ushqyer. Kujtoj sërish një citim nga nga Montesquieu: “…Taksa ishte e drejtë, ndonëse nuk ishte aspak përpjestimore; ndonëse nuk ndiqte fare përpjestimin e mallit, ajo ndiqte përpjestimin e nevojave. Gjykohej se gjithkush kishte një domosdoshmëri fizike të barabartë; se kjo domosdoshmëri nuk duhej t’i nënshtrohej taksave; se gjëja e dobishme niste pas kësaj dhe se kjo ishte në funksion të pagimit të taksave …” (kjo në lidhje me të tatuarit në Athinën e periudhës post-helenistike, “Mbi frymën e Ligjeve”). Dhe me të drejtë Epidamni përdor analogjinë dhe na afron me pikëpamje kurajoze dhe për më tepër koherente, si ato të Kr. Japonez të cilat quan në rritje të konsumit kombëtar, pikërisht prej rritjes së pagave të punëtorëve dhe punonjësve. Ndoshta kjo qon edhe në zgjidhjen e disa problemeve të evidentuara edhe në shkim, si:
1) krediti shumë i shtrenjtë dhe rritja e borxhit të keq;
2) rënia e kërkesës së konsumit,
3) rritja e papërfillshme e PBB-së,
4) rritja e papunësisë.
Për më tepër, Shqipëria s
ot mbetet vendi me PBB më të ulët për frymë në Europë, në vetëm 33 % të mesatares së EU27. A nuk është kjo një krizë në vetvete? Po risjell në kujtesë një pjesë të kësaj çështje që kam trajtuar në temë: “Duke qenë se këto para, më së shumti depozitohen në banka, ato ndikojnë në rritjen e normave kombëtare të depozitimit dhe kursimit. Ato startojnë një efekt zinxhir që buron nga rritja e deopozitave, si bazë e domosdoshme për të ofurar kreditë.
Këto kredi kërkohen nga biznesi dhe shteti me qëllim realizimin e investimeve private dhe publike. Në kushte e një oferte më të lartë të depozitave në rritje prej kursimeve familjare, do të bjerë në mënyrë indirekte çmimi me të cilin këto depozita angazhohen në funksion të ofrimit të kredive; që varet nga kërkesa e subjekteve që dëshirojnë të investojnë. Pra, kemi rënie të normës së interesit me anë të së cilës bankat ua ofrojnë kreditë bzineseve dhe qeverisë. Pra shikohet se ky model i propozuar, në mënyrë direkte krijon shanse reale për të nxitur kursimet në nivel kombëtar dhe stimuluar investimet nga sektori privat dhe ai publik.”
C. Reformat strukturore për të inkurajuar investimet private në vend
Sa i përket kësaj reforme, në thelb kjo përbën edhe Sfinksin për t’u zgjdhur, nga kjo reformë do shikohet edhe ardhmëria, të paktën në një periudhe afatmesme e shtetit. Këtu merr rëndësi ajo që ne quajmë rritje ekonomike. Ndoshta 3 % reale do ishte një objektiv i arritshëm në dy -tre vite, për 6% real do duhet pak më shumë kohë. Në një këndvështrim tjetër, pikërisht në vija të përgjithshme mund të “përkthehet” edhe në nivelin e mirëqënies apo të të ardhurave për frymë. Me një formulë të thjeshtë kjo varet nga raporti GDP/nr.popullatës. Pikërisht i referohem kësaj formule për të dalë në një tjetër dimension, atë për të cilin, shume stuiues e kane ngritur me të drejtë: ekonomia e shërmbimeve (për mendimin tim shpesh herë të frustruara) duke lënë në harresë ekonominë prodhuese, ajo që me të vërtetë gjeneron më shumë vende pune në periudhë afatgjatë. Epidamni shkruan për tërheqjen e investimeve të huaja dhe kjo mund të relizohet jo vetëm më nëpërmjet lobingjeve (edhe pse ato janë të rëndësishme) por më së tepërmi duke i garantuar për investimet e tyre (duke qenë se kosto e punës është thuajse e papërfillshme për kompanitë perëndimore).
Dhe garancia e rritjes buron nga:
1. Siguria;
refroma me të drejtë në polici dhe efeket që kanë filluar të ndihen (që te respektimi i semaforit) mund të jenë një shtysë dhe imazh pozitiv.
2. Reforma e domosdoshme në drejtësi;
kjo do vije vetëm kur të ndërrohet Presidenti; Këshilli aktual i Drejtësisë nuk ka të bëjë në këndvështrimin tim me reforma esenciale dhe aq me tepër të luftojë korrupsionin.
3. E drejta e pronës, e tokës, sipërmarrjes, legalizimet;
ndoshta me përfundimin e legalizimeve mundet që edhe investitorët e huaj të jenë të sigurtë për fabrikat dhe impantet që do instalojnë në vendin tonë.
4. Stimulimi i bujqësisë dhe agropërpunimit;
kjo do vijë paralelisht me quarjen e “kapilarëve” (rrugëve) deri në zonat edhe të thella fshatare, aty ku ka shumë për të mbjelllë e për të korrur, madje edhe bimë mjekësorë që furnizojnë sot fabrikat e përpunimit në Evropë dhe USA.
5. Dhënia “frymë” e bregdetit;
kjo mbetet për t’u parë, nëse realizohet pa “njëri i nënës e tjetri i njerkës” do të jetë një perlë që do e gëzojmë por edhe do t’ua trashëgojmë brezave.
6. Bashkëpunimi me Kosovën;
kjo do rrisë shumë rolin e një tregu prej më shumë se 6 mln dhe do ndikojë në khimin e prestigjit të popullit shqiptar. Politika zhviluese ekonomike, fiskale dhe arsimore janë një bazë e mirë për të qenë objektivë në realizimin e bashkëpunimit. Në fakt do jetë jetë një rrugë edhe e mundimshme, por e bukur; do të ngjajë në finalen që vijon porsi muzika e “Radetzky March” – Johann Strauss Sr. Kjo është finalje që do vijë:
7. Në periudhë afatgjatë (por jo pas 100 vjetësh);

e kam fjalën në një kohë prej 20 deri në 30 vite, pikërisht unifikimi i Shtetit të Ri Shqiptar (Shqipërisë dhe Kosovë bashkë, që për botën do të njihet si New Albania) do jetë një garanci për stabilitet, në një ekonomi me larshmëri burimesh për t’u përdorur (kujtoj industritë minerare, energjitike nga ato të qymyrit dhe ato hidrike, si dhe të erës dhe diellit në bregdet dhe qafat e maleve, atë turstike në mal dhe në bregdet). Oh sa lumturi do të jetë!!!
Ashtu si thotë edhe Epidamni – “ne shqiptarët jemi popull dinamik…”, dhe me të drejtë mendoj dhe besoj se edhe pse kemi sakrifikuar jo pak, kemi mundësi t’i arrijmë objektivat.
– Autori është Ekonomist.

………………………………………….

(Ilustrimin është i pashtriku.irg, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura