Toronto (Kanada), 03. 03. 2014 – Jemi komb i ndarë në 6 shtete. Për këtë fajin na e kanë të huajtë, por kemi edhe ne pjesën tonë të fajit. Kemi dy shtete shqiptare, por qeveritë e tyre nuk kanë zell të bashkohen këto shtete, të bashkohet kombi… Shqiptarët në Greqi, Maqedoni, Serbi dhe në Mal të Zi janë krejt pa përkrahjen e dy shteteve shqiptare, sidomos të shtetit amë, Shqipërisë. Shqiptarët, kudo që ndodhen, janë të varfër dhe tepër të varfër. Trojet shqiptare sot prodhojnë pothuajse vetëm papunësi, varfëri, emigrantë, drogë, prostituta. Në botë kemi humbur shumë nga krenaria e dikurshme kombëtare.
– Pse ndodh kjo?
– Kemi troje të varfëra?
– Kemi klimë të keqe?
Jo, kemi troje shumë të pasura me burime natyrore. Kemi fusha dhe kodra për prodhime bujqësore dhe blegtorale, male, përrenj, lumenj, liqene, dete. Kemi klimë të ngrohtë, shumë të favorshme për të jetuar të lumtur. Kemi kushte gjeografike shumë të përshtatëshme dhe dielli ngroh pothuajse gjithë vitin.
Tek ne perimet bëhen në arë deri në nëndor, pa sera, pa shpenzime. Shqipëria është shumë e pasur me:
– naftë,
– gaz,
– krom,
– nikel-kobalt,
– bakër,
– flori (ar),
– argjënd (sermë),
– ujra të bollëshme për konsum dhe për prodhim energjie elektrike…
Ne duhet të jetonim në luks dhe jo në varfëri.
* * *
Kosova është shumë e pasur me fusha për prodhime bujqësore dhe blegtorale. Ajo është një nga 5 vendet më të pasura në botë me qymyre linjit.
Ajo është shumë e pasur me:
– zink,
– plumb,
– ar,
– argjend,
– nikel-kobalt etj.,
dhe ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz.
– Pse jemi kaq të varfër?
– Pse mbetëm historikisht me dorën të shtrirë për ndihmë nga bota?
– Çfarë na mungojnë?
Na mungojnë kryesoret:
– ndjenja shtetformuese,
– ndjenja e krenarisë dhe e unitetit kombëtar,
– ndjenja patriotike.
* * *
Më kujtohet një ndodhi para 60 vjetësh: Shoku im student çek, i të njëjtës moshë me mua, më ftoi për një punë të vogël “aksion” me pagesë (ishte e dielë). Në një barakë aty afër kishte pak briketa qymyri. Ato duheshin futur në thes dhe t’i kalonim në dhomën tjetër (15 minuta punë). Pazari u bë me magazinjerin, secili nga 12 korona (baraz me dy ditë ushqim në mensë secili, ose një kravatë shumë e mirë për secilin). Mua, gjatë mbushjes së thesit, më ranë në dysheme disa briketa, dhe unë po i fusja me lopatë në boshllëqet e drrasave të dyshemesë. Shoku im më tha:
– Çfarë bëni?
– Pse i fusni poshtë dyshemesë?
Ato janë të Republikës dhe ne duhet t’i çojmë në vend. Magazinjeri, me të cilin ram dakord për pazarin, përfaqëson Republikën…M’u skuqën veshët nga turpi.
Kur mbaruam punë, pyesja veten:
– Pse ndodhi kjo?
Kjo ndodhi, sepse mua, bir i një fshatari myzeqar, më mungonte ndjenja e shtetit, të cilën studenti çek e kishte të zhvilluar. Ai ishte bir i një populli të kulturuar, në qendër të Europës. Prandaj Çekia është atje ku është… Deri sa të vdes nuk më harrohet kjo skenë.
E solla këtë shembull për të ilustruar, sado pak, mungesën tek ne të ndjenjës për shtetin, ose ndjenjën e dobët për shtetin.
– Sa të tillë, si unë dikur, kemi sot si komb?
Besoj se kemi shumë. Këtë e tregojnë sjelljet tona. Shkatërro dhe grabit shtetin pa mëshirë… Kjo është bërë, në rradhë të parë nga pushtetarët, dhe pastaj është pasuar nga populli.
* * *
– Ku është industria jonë e dikurshme?
– Ku janë uzinat, fabrikat, kombinatet, fushat e naftës dhe baza e fuqishme mekanike e saj, minierat, hidroçentralet, fermat, mekanika bujqësore, armatimet, institutet e shumta shkencore etj…?
– Kush përgjigjet për këto vlera të humbura në shumë miliarda dollarë?
Askush nuk vihet para përgjegjësisë. Përkundrazi, pasuria kombëtare që ka mbetur, do të shitet, dhe pjesa tjetër do u jepet të huajve me konçensione. Do të shiten 100% fushat e naftës të Albpetrolit, që janë pasuri shtetërore e shqiptarëve. Nuk arriti t’i shiste (grabiste) Berisha, dhe ne tham se shpëtuan, por erdhi qeveria tjetër jo më pak tahmaqare, që do i shesë…
E gjithë Shqipëria do u jepet kompanive të huaja me konçensione për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës dhe të gazit. Shqipëria do të mbledhë vetëm taksat dhe rentat minerare (thërrimet që do të na hedhin të huajtë!), pa prodhime. Po ndodhi kjo, mos e dhëntë zoti!, atëhere vërtet Shqipëria nuk do të bëhet më, sikurse flitet shpesh në popull. Shqipëria do të prodhojë vetëm papunësi, varfëri, emigrantë, drogë, prostituta, krime…Ne do të jemi shteti i vetëm i çudirave në botë, që do të mbahet vetëm me taksa, renta, tatime…, pa prodhime.
* * *
Përkundrazi, Greqia fqinje ka përgatitur një strategji të re energjitike. Ajo pret të zbulojë në detin jon dhe në rrethinat e Janinës (në Epir) naftë dhe gaz me vlerë 150 miljardë dollarë.!! (përveç rezervave shumë të mëdha që ka në jug të Kretës). Greqia po merr shembull nga Norvegjia, që ka arritur nivelet më të larta të mirëqënies së popullit në botë. Ajo po i kushton shumë rëndësi naftës dhe gazit, dhe kështu shpreson të dalë edhe nga kriza e e thellë e borxheve, kurse tek ne po ndodh krejt e kundërta. Kjo ndodh jo pse qeveritarët tanë nuk e din modelin e Norvegjisë, por atyre nuk u intereson fare mirëqënia e popullit. Ata shikojnë vetëm interesat e tyre familjare (u mungon krenaria kombëtare!). Qeveritarët tanë llogarisin si prodhime shqiptare, për qëllime propagandistike, prodhimet e kompanive të huaja, që grabisin naftën, kromin, bakër-arin, nikelin, asfaltin… Në fakt, ato nuk janë prodhimet tona. Ato janë prodhime të kompanive të huaja grabitqare. Ministri Gjiknuri thotë se ”është rritur prodhimi i naftës nga kompania Bankers, dhe kjo duhet përshëndetur”. Zotni ministër, sa më shumë naftë prodhon Bankers nga Patos-Marinza, aq më shumë grabitet Shqipëria, dhe kjo nuk ka pse të përshëndetet, por të ulërihet! Kështu edhe me prodhimin e kromit, baker-ARIT, për të cilin nuk dim fare çfarë bëhet qysh më 1992!!! etj. etj. Qeveria ka vendosur të jap me konçensione për kërkime dhe shfrytëzim naftë dhe gazi të gjithë Shqipërinë, pa bërë më parë transparencën e plotë të marrveshjeve konçensionare ekzistuese (p. sh., nga Bankers sa fitojmë, sa humbasim, sa fitojnë të huajtë…). Po kështu të bëhet edhe për marrveshjet e tjera konçensionare.
Marrëveshjet janë bërë qëllimisht me taksa, renta (qira) mbi fitimin…, që të maskohet grabitja (kush nga populli i hynë llogarisë së taksave dhe rentave? Askush). Kompanitë grabisin naftën gjatë shumë viteve pa paguar rentën, dhe deklarojnë se nuk kanë fitim, sepse gjoja “kanë investuar shumë”. Pse nuk janë bërë marrveshjet me ndarje prodhimi? (kaq % të prodhimit e merr shteti dhe kaq % e merr kompania e huaj).
Kjo nuk është bërë, me qëllim që të grabitet pasuria e popullit. Po kështu të bëhet analizë e hollësishme edhe për pronat e tjera të shitura (p.sh. hidroçentralet), dalim me fitim apo me humbje. Populli kërkon transparencë të plotë, kurse qeveria Rama nuk e bënë, por ka një gjysëm viti që dridhet dhe përdridhet. Pse nuk e bënë? Sepse ajo ka vendosur të vazhdojë rrugën antishqiptare të Berishës, atë të shitjes dhe të grabitjes së pasurisë kombëtare. Përgjegjësinë për të gjitha këto nuk e kanë vetëm qeveritarët, por edhe deputetët e kuvendit. Ata votojnë symbyllur. Populli duhet t’i kapë prej gryke këta deputetë kukulla. Popull, hapi sytë! Nesër do të jetë vonë.
– Autori është gjeolog i shquar…
* * *
PROF.AS.DR.VANGJEL KICI: SIKUR TË ISHA KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=1873