PROF.DR.HYSAMEDIN FERAJ: ENVER HOXHA DHE AHMET ZOGU NUK ISHIN FARAON AS HITLER, POR AS WASHINGTON E ATATURK! RUGOVA ISHTE PERSONAZH ME KONTRIBUT TË VEҪANTË, NDËRSA HASHIM THAҪI TASHMË E KA DËMTUAR RËNDË NJË PREJ FIGURAVE TË HISTORISË SHQIPTARE

Tiranë, 23. 05. 2014: Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës, Hysamedin Feraj, gjatë bisedës, na thotë se është i pakënaqur me intelektualët shqiptarë. Pa u sforcuar, ai tregon se shteti shqiptar ka nevojë për konsolidim të institucioneve. Feraj analizon këndvështrimin që kanë dy kolosët e letrave shqipe për ‘identitetin’, Kadare dhe Qosja. Përmes një interviste për gazetën “Dita”, ai rrëfen se shqiptarët, Zogun, Enverin, Berishën… gjithmonë duhet t’i shohin dhe lexojnë në bazë të konteksteve, pasi, sipas tij, asnjëri prej tyre nuk është ‘Hitler’ dhe as ‘Ataturk’. Feraj tregon po ashtu se ku kanë shkëlqyer Thaçi dhe Rugova, por nga ana tjetër, shpjegon dhe momentet kur janë ‘djegur’.


Intervistën me Prof.Hysamedin Feraj’n e zhvilloi gazetari Isuf Kurtaj.

***
I.KURTAJ: Profesor Feraj, në Shqipëri edhe pas 24 vitesh tranzicion jemi të dyzuar për sa i përket historisë tonë, kush ishin Rilindasit, apo të themi më mirë ata që drejtuan politikisht vendin gjatë ditëve të vështira të viteve 1910 -1924 ?
H.FERAJ:
Dyzimi për historinë do ta shoqërojë përherë historinë. Përshkrimet, shpjegimet dhe vlerësimet i janë nënshtruar dhe do t’i nënshtrohen interpretimit, këto interpretime interpretimeve të tjera, e kështu me radhë. Njëlloj ka ndodhur me Rilindasit. Merita e tyre e madhe është vënia në zë e çka ishte heshtur, interpretimi origjinal në situatën siç perceptohej prej tyre dhe arritja e sukseseve të rëndësishme. Edhe këto na janë lënë trashëgimi për t’u zhvilluar, por që ne i kemi përdorur kryesisht si traditë, si mall për t’u konsumuar për llogaritë tona shpesh të vogla dhe private.
I.KURTAJ: Mbreti Zog sipas jush çfarë vendi duhet të zërë në historinë shqiptare, para dy vitesh Berisha i ngriti shtatore në Tiranë ?
H.FERAJ:
Mbreti Zog ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë shqiptare. Si i tillë nuk mund të fshihet prej saj, me ose pa shtatore. Derisa është kështu, shtatorja e tij është e legjitimuar, sepse është vetëm një prej formave, krahas atyre në tekstet e historisë, në të cilat na bëhet e pranishme për t’u gjykuar. Roli i tij në histori është kontradiktor dhe shtatorja e tij na rikujton çka do duhej e çka nuk do duhej bërë nga ne sot në rrethana të ngjashme. Madje secilit sipas leximit të tij, por gjithsesi, shtatorja është një objekt publik tjetër për t’u lexuar.
I.KURTAJ: Po figurën e Enver Hoxhës si duhet lexuar?
H.FERAJ:
Nëse historia e ardhme do të ketë ndonjë ngjashmëri me të shkuarën dhe të sotmen mund të parashikohet se Enver Hoxha po ashtu do të ketë një objekt publik në të cilin do të paraqitet për t’u lexuar. Me të njëjtat argumente: se ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë shqiptare, se roli i tij është kontradiktor, dhe se secilit mund t’i kujtojë, tek ecën rrugës, se çka do duhej e çka nuk do duhej bërë. Dallimi i distancës kohore do të pakësohet ndërsa ngjashmëria e gjykimit për ‘ta do të përafrohet. Gjithsesi dy analogji nuk mund t’i shkojnë asnjërit: analogjia me faraonë apo hitlerë, dhe as analogjia me uashingtonë, apo ataturkë, etj. Ndër shqiptarët të dy këto role janë të rezervuara për të tjerë edhe sikur të mos kenë kurrë shtatore dhe vlerësim të tillë.
I.KURTAJ: Zogu me shtatore në Tiranë ndërsa Enveri jo?
H.FERAJ:
Ndryshe nga personazhet konkretë të historisë shqiptare që nuk mund të shmangen nga gjykimi, përdorimi i simboleve të komunizmit sot nuk ka kuptim. Simbolet nuk janë kontradiktorë si personazhet, përndryshe nuk janë fare simbole. Simbolet tregojnë më qartë, ndonëse përmbledhtas, një përcaktim për llojin e shoqërisë së synuar, të dëshiruar dhe për të cilën shumica shqiptare sot bëjnë përpjekjet praktike. Simbolet komuniste nuk do të kishin më këtë funksion të paraqitjes së shkurtuar të synimit shoqëror përgjithësisht dhe si të tillë mbeten të pakuptimtë. Prandaj përdorimi i tyre mbetet më shumë një mënyrë e shprehjes së identitetit politik të bartësve të tyre sot, por nuk mund të thuhet se ka kuptim të simbolizojnë shoqërinë dhe të përdoren prej saj, domethënë në manifestimet përfaqësuese të saj.
I.KURTAJ: Mendoni se simbolet e komunizmit si duhet ti kujtojmë, ti vlerësojmë ti ndajmë, a mund të konsiderohen si trashëgimi apo duhen dënuar?
H.FERAJ:
Për historinë, Lufta e Dytë Botërore nuk është e largët, prandaj përvijimet politike gjatë saj do të vazhdojnë të jenë përvijime ndarëse edhe sot. Këto konflikte nuk lidhen aq me të kaluarën sa me të sotmen dhe përpjekjen për t’u lënë për të ardhmen. Debati për këto data është mënyra tjetër e komunikimit simbolik të prirjeve të sotme politike dhe prandaj debati është i ashpër. Megjithatë, mesazhet që duan t’i japin tjetrit nuk janë homogjene mes kampeve, dhe as marrësi nuk i ndruhet aq të sotmes sa mundësisë të ripërtërihen në një të nesërme të ngjashme me konstelacionin që u krijua gjatë Luftës së Dytë Botërore.
I.KURTAJ: A është koha qe tekstet shkollore të historisë të rishikohen, ka një debat të përhershëm për këtë temë por ende nuk ka asnjë vendim?
H.FERAJ:
Tekstet shkollore duhen rishikuar vazhdimisht, duhen saktësuar dhe duhen “objektivizuar”. E vë në thonjëza “objektivizim” sepse nuk duhet të përjashtojnë vlerësimet subjektive, por përkundrazi duhen paraqitur të gjitha, ato që janë realizuar por madje edhe teorikisht të mundshme. Megjithatë kësaj duhet t’i paraprijnë rregullime të tjera në programet mësimore të shkollave që janë më të rëndësishme, veçanërisht pasurimi me njohuri nga filozofia, etika dhe qytetaria. Këto të fundit janë më të rëndësishme se rishikimi i teksteve të historisë, sepse janë kushti i përvetësimit të një historiografie siç kërkohet. Siç konstatohet nga pyetjet e mëparshme ndarjet nuk kanë të bëjnë aq shumë me përshkrimin e ngjarjeve sa me vlerësimin e tyre. E vlerësimi nuk është specialiteti i historianëve por i filozofisë dhe fushave të saj si filozofi e moralit, e së drejtës, e njeriut, e shoqërisë etj.
I.KURTAJ: Keni nxjerrë disa libra, si lindi pasioni juaj për filozofinë dhe kur vendoset ta ndiqni intensivisht atë?
H.FERAJ:
Filozofia është arsimimi dhe profesioni im, por i gëzohem faktit se është edhe pasioni im, domethënë nuk ka tension ndërmjet profesionit e pasionit, dhe ky është një rast fatlum.
I.KURTAJ: 24 vite në krye të PD dhe rreth 15 vite në krye të shtetit, ku ka gabuar sipas jush Berisha?
H.FERAJ
: Çështje të tilla si PD, PS, Berisha, Rama, Basha, etj., dhe as kush drejton një parti a një tjetër si këto nuk janë objekt i vëmendjes time, janë krejt të shpërfillur, si pa rëndësi tjetër veç të qenët e tyre simptomë e gjendjes së një popullate.
I.KURTAJ: Ku përputheni dhe ku ndaheni me Rexhep Qosen rreth këndvështrimit për identitetin kombëtar ?
H.FERAJ:
Lidhur me identitetin kombëtar shqiptar Qosja dallohet nga Kadare sepse i pari merr një qasje më shkencore, më akademike, rrjedhimisht më objektive, ndërsa i dyti merr një qëndrim taktik-politik që e mendon të dobishëm për momentin, por që shfaq vetëm se një parim të përdorur shumë nga shqiptarët, parimin e dinakërisë, i cili nuk ka mashtruar askënd tjetër, aq më pak Europën, por na ka mashtruar ne. Përndryshe asnjëri nuk ka ndonjë kuptim të thellë për identitetin përgjithësisht, dhe as atë shqiptar më specifikisht.
I.KURTAJ: Rugova udhëhoqi Kosovën për gati 10 vjet në Lëvizjen paqësore, si e gjykoni ju qëndrimin e tij politik për të rezistuar ndaj regjimit të Millosheviçit pa luftë?
H.FERAJ:
Qëndrimin e Rugovës për rezistencën paqësore ndaj pushtueseve serbë, e jo thjesht regjimit të Millosheviçit, e shoh siç e kam parë gjithnjë: një politikë që ka kontribuar jashtëzakonisht shumë për fitoren e çështjes shqiptare. Është mangësi e tij që nuk kuptoj momentin e shndërrimit të kësaj rezistence paqësore në luftarake. Por nuk është një sjellje që e bën rëndësishëm kontradiktor për t’u vlerësuar. Qartas ai është një ndër personazhet me kontribut të veçantë pozitiv në historinë shqiptare.
I.KURTAJ: Lideri i UÇK Thaçi, pas luftës krijoi formacionin e tij PDK, gjatë mandatit të tij në qeverisje ai u përball me vendime të rëndësishme për Kosovën, shpallja e Pavarësisë… ç’përfaqëson për ju ai ?
H.FERAJ:
Rasti Thaçi është më kontradiktor. Është rast që ndodh shpesh në periudhën e paqes me fituesit e një lufte. Nuk ka dyshim se marrja përsipër e rolit të udhëheqësit të luftës çlirimtare të Kosovës kundër pushtuesve serbë i jep një meritë të veçantë dhe pozitive. Madje nuk është e rëndësishme sa ishte efektivisht i tillë, sa është e rëndësishme se i tha “po” asaj që në atë kohë. Edhe kaq mjafton që të ketë një vend të rëndësishëm në historinë shqiptare. Ndërsa për qeverisjen e tij mund të thuhet vetëm një gjë: mozomakeq (“mos o Zot ma keq”!). Prandaj është e trishtueshme që Thaçi tashmë e ka dëmtuar rëndë një prej figurave të historisë shqiptare: veten e vet.
I.KURTAJ: Sa jeni dakord me argumentin që ndeshim shpesh se në shtetin shqiptar mungon morali i mirëfilltë politik?
H.FERAJ:
Në të vërtetë politikës shqiptare, udhëheqësve dhe popullatës përgjithësisht, i mungon vetëm morali politik. Asgjë tjetër.

==============================

KUSH ËSHTË HYSAMEDIN FERAJ

Hysamedin Feraj Është i lindur në Goden-Gjakovë, në vitin 1962. Akualisht është përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës. Është pjesmarrës në lëvizjet e vitit 1981. Për këtë arsye është ndjekur nga shteti jugosllav dhe ka kaluar në Shqipëri. U diplomua në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike, dega e filozofisë, në Universitetin e Tiranës më 1986 dhe po atë vit u punësua si lektor i filozofisë në Universitetin e Tiranës. Gjatë vitit 1993-1994 është specializuar për shkenca politike dhe filozofi politike në Universitetin e Bernit dhe të Zyrihut. Në vitin 1997 ka doktoruar me temën “Mendimi politik shqiptar nga viti 1995-1990”. Është autorë i shumë artikujve publicistikë, kritikë dhe analitikë mbi politikën shqiptare në të kaluarën dhe të sotmen. Është autor i tekstit universitar “Hyrje në shkencat politike”, autor i monografisë “Skicë e mendimit politik shqiptar”, dhe i shumë eseve kritike si “Kriza e përkryer në Shqipëri”, “Pamundësia e kozmopolitizmit shqiptar” etj. Është pjesmarrës si lektor i ftuar në Universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë Universitetin e Prishtinës, Universitetin Ndërkomëbtar të Vlorës, në seminare, konferenca dhe këmbime përvojash në Universitete Europiane dhe të SHBA-ve. Në vitet 1991-1993 ka qenë nënkryetar i Shoqatës Atdhetare Patriotike “Kosova” në Tiranë, kryeredaktorë i gazetës “Kosova” dhe aktivist politik në proceset e shembjes së komunizmit në Shqipëri e të ndërtimit të shoqërisë demokratike. Përgjatë viteve 1990-2010 ka qenë i angazhuar intensivisht në mbështetje të procesit të pavarësimit të Kosovës dhe të bashkimit kombëtar shqiptar si finalizim i një projekti politik shekullor kombëtar. Në vitet 1996-2008 ka qenë në partinë Rimëkëmbja Kombëtare Shqiptare dhe nga viti 2008 mbështetës aktiv i Lëvizjes Vetvendosje.

—————————————–

(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, sh.b)

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura