Bukuresht, 21. 03. 2014 – Si çdo njëriu që arrin në moshën time, kur flitet për dashurinë më kujtohet rinia. Nuk mund të flas gjatë për atë periudhë, e cila sot për mua përfaqson vetëm disa çaste të vetmuara, të izoluara, kur jashtë kontekstit të kohës munda të konsumoj fluturimthi këtë ndjenjë të ndaluar dhe e cila aq shpejt u shua, sa sot nuk e kam të qartë nëse ishte e vërtet. Mundohem ta kujtoj dhe të gjykoj sot, i paisur me arsenalin e jetës, grumbulluar diku në subkoshtjentin tim, pa qënë i sigurt nëse e kam këtë të drejt. Eksperienca e vetndrydhjes së gjatë gjatë viteve të errëta, më bën të dyshoj në sinqeritetin e ndjenjave të mia të dikurshme, të cilat asnjëherë nuk dolën në sipërfaqe dhe nuk morën formën e tyre natyrale, qoftë edhe të një deklaratë të shprehur me zë të lartë. Më tepër ishte diçka e supozuar, e vetkuptuar, e shprehur me xheste apo një shikim të veçantë, apo e përshpëritur në vesh diku në ndonjë qoshe të errët, ose në orët e vona të darkës mbrapa ndonjë peme në parkun më të afërt.
***
Në adoleshencën time, dëgjoja të na thonin se dashuria mes të rinjve ishte një turp i madh, një shprehje rugaçërie, që njolloste nderin e familjes dhe të cilën shoqëria e ndalonte, pasi nuk përputhej me traditën dhe as me mësimet e partisë. Dashuria interpretohej, apo më mirë të them simulohej, në filma dhe në teatro, ashtu në nivel rudimentar, butaforik, siç mund ta shikoni tek filmi “Rrugë të bardha”, ku aktori Rikard Larja në rolin e Dedës, në maj të shtyllës telefonike më në fund ja shpreh dashurinë në telefon vashës që donte (çentralistes) disa momente para se të vdiste i ngrirë prej të ftohtit. Kur e pash këtë film më vonë në kinemat e Kinës të dubluar në gjuhën kineze dhe i rrethuar nga fshatarët kinez të mallëngjyer dhe të përlotur, nuk e mbajta dot gazin. Ai moment e mbushi kupën dhe unë tashmë i rritur dhe me një farë experience, nuk mund të duroja më këtë hipokrezi imorale të ngritur në nivel ideollogjik, që mbushte atë propagandë manipuluese anakronike.
Dashuria i bashkon njerëzit!
***
Në një kohë që të rinjve u mbushnin kokën me dogma dhe regulla mbi normat e moralit falls, imoraliteti, inçesti, masohizmi dhe hipokrizia shtrihej në të gjitha nivelet e asaj shoqërie të denatyruar. Mentaliteti i manipuluar i asaj kohe ishte një përzjerje e patriarkalizmit anakronik të trashëguar, me shabllonizmin bolshevik të importuar. Gjë që më kujton atë shakanë, që i bëjnë Kadri Roshit djemtë e mobilizuar ushtar në kamionin që shkonte për në Vlorë tek filmi “Ball për ball”, e pyesin se çfarë del nga kombinimi i gjarpërit me iriqin – përgjigjia ishte – tel me gjëmba. Humor i thekur i asaj kohe, që luante me simbole. Në atë kohë bëhej luftë e ftohtë me barcaleta që i kundërviheshin propagandës partiake. Njerëzit u mësuan të mendonin ndryshe dhe të flisnin ndryshe, pra të mos thonin asnjëherë atë që mendonin dhe këtë mundoheshin të na mësonin dhe neve të rinjve që sapo na kishin dalë dy fije mustaqe. Fatkeqsia ishte se këtë presion nuk e kishim vetëm në shkollë por dhe në shtëpi. Prindërit nga frika se mos e pësonim, na këshillonin, nga njëherë dhe na qortonin dhe na dënonin, për një fjalë të hedhur pa u menduar. Frika ishte familjare, pasi dora “e drejtësisë popullore” ishte e gjatë dhe mund të godiste familjen dhe fisin bashkë. Kështu dhe përgjegjsia ishte po ashtu e madhe. Këtu i kishte rrënjët e famshmja autoçensurë (vetndrydhja), që është akoma gjallë por në formë dhe sens tjetër. Hipokrizia vazhdon.
***
Dashuria ishte e pamoralshme dhe e ndaluar në atë kohë, kur nga ana tjetër për sy e faqe dënohej dhe tradita e martesave me shkes. Sa familje fatkeqe u krijuan atëhere… sa ndrydhje, sa vuajtje, sa maskarallëk dhe imoralitet fshihej mbas atij mentaliteti falls të propaganduar. Disa ndaheshin por shumica i nënshtrohej fatit dhe shtynin jetën ashtu me hipokrizi. Grindjet në familje ishin të zakonshme dhe askujt nuk i bënte përshtypje. Për tu justifikuar, disa përdornin shprehjen se dhe zorrët e barkut nganjëherë ngatërohen dhe jo njerëzit pastaj në familje. Në fimin “Zonja nga qyteti” aktorja e famshme Violeta Manushi u thotë vajzave: …dashuri, ohuu, kam bërë dashuri sa kam mundur, por mbas martesës ama. Spektatorët qeshnin, disa ndoshta as e kuptonin pse qeshnin, por u dukej shumë humoristike shprehja. Thelbi ishte se ai që kishte shkruajtur tekstin, kishte ngatëruar fjalën seks me dashurinë dhe ata që e kuptonin qeshnin se ishte e vetmja mënyrë ku flitej për seks publikisht pa u skuqur, bile duke qeshur dhe u duk si një gjë e re.
***
Të kthehemi tek dashuria. Prindërit asnjëherë nuk flisnin me fëmijët për këtë temë të ndakuar. Të rinjtë mësonin nga njëri tjetri, për edukim seksual as që bëhej fjalë fare. Kush kuptonte italisht dëgjonte diçka nga RAI. Disa gërmonin nëpër biblioteka për librat e ndaluara ku flitej për dashurinë apo për seksin. Shumica e djemve masturbonin për tu çliruar nga presioni i hormoneve, pasi testosteroni i tyre u dilte mbi flokë dhe partia se ndalonte dot. Në kushte të tilla devijimet seksuale, apo violenca seksuale dhe përdhunimi ishin fenomene të zakonshme dhe askush nuk fliste për këtë problem të madh shoqëror. Në shumicën e rasteve vajzat dhe femrat në përgjithësi vuanin dhe bëheshin objekt i agresionit mashkullor ngado që shkonin. Me tej, kur dilnin në marrdhënia pune i nënshtroheshin prepotencës së eprorve impotent të etur për seks-plus, pasi me gruan e tyre u mungonte orgazmi, edhe e kërkonin këtë diku tjetër. Meshkujt në rrethe të ngushta përflisnin femrat dhe subjekti i seksit u bë më i preferuar se ai i sportit. Uria seksuale ua mvishte sytë dhe u bllokonte mëndjen.
Në qendrat e mëdha puntorësh, ku kontakti i justifikuar midis djemve dhe vajzave ishte më i madh, normalisht që krijoheshin lidhje të fshehta, të cilat konsumoheshin vetëm gjatë orarit të punës. Sidomos gjatë turnit të tretë (të natës). Por ndodhnin dhe aksidente. Ndonjë vajzë mbetej shtatzënë, një çift tjetër zihej në flagrancë, dhe në shumë raste të tjera fakti i ndonjë lidhje dashurie, përhapej si thashetheme dhe besohej si i vërtet. Ligësia e njerëzve shpesh formohej dhe zhvillohej hapur në këtë fushë. Mjaft meshkuj të paaftë të komunikojnë me femrat, pasi pësonin dështime të njëpasnjëshme për të fituar zëmrën e asaj që simpatizonin, ndjenin xhelozi dhe cmirë, gjë që shprehej në formën më të ulët, kur e etiketonin si e përdalë vajzën simpatike, vetëm e vetëm sepse ajo guxonte të dilte apo të fliste me një djalë tjetër, të cilin këta e konsideronin konkurent. Pra femrat që nuk u përkisnin konsideroheshin imorale për ta. Bile dhe bukuria e tyre konsiderohej imorale. Si guxonin të ishin aq të bukura? Në mëndjen e tyre të pazhvilluar mjaftushëm kishte vetëm dy kategori femrash, të tyret dhe të përdalat. Vetëm femra që pranonte të bëhej e dashura apo gruaja e tyre ishte e ndershme, të tjerat jo. Kështu jetonim në atë shoqëri të sëmurë, ku tradita u përdhos dhe triumfoi egoizmi. Hakmarrja e egos prodhonte viktimat e saj, ndër të cilat shumica ishin femra. Morali i deformuar keq dhe i kombinuar me instrumentat ideollogjike, që ofronte struktura partiake e diktaturës, ishte tereni i ashpër dhe gati i pamundur për njerëzit normal dhe të ndjeshëm ndaj qënies njerzore. Në këtë aspekt liria e mendimit apo e opinionit përjashtohej plotësisht, pasi njerëzit konsideroheshin ushtarë të partis dhe nuk lejohej të kishin mendim ndryshe. Ata që i kundërviheshin në një fare mënyre këtij morali të imponuar, herët ose më vonë klasifikoheshin si armiq të popullit dhe për rrjedhojë bëheshin kontigjent për mbushjen e burgjeve, kampeve të punës së detyruar ose popullonin zonat e krijuara për internim. Në raste të veçanta kjo hakmarrje shkonte deri në dënimin e tyre me jetë burgu të gjatë ose me vdekje. Pra jo të gjithë të persekutuarit e asaj periudhe kishin patur aktivitete politike kundra regjimit, përkundrazi një pjesë e madhe prej tyre ishin njerzit e ndershëm, më të edukuar dhe më të ndjeshëm se shumica, të cilët u dalluan si oponent të atij imoraliteti shoqëror të panjohur më parë. Mjaft artistë, apo të talentuarit i asaj kohe u kthyen në desident, pasi ajo shoqëri ku injoranca lulzoi, nuk i kuptonte dhe nuk i pranonte. Në atë kohë njerzit e ndrydhur i shikoje përrreth të rradhiteshin si ullinj të shtrydhur në rradhët e gjata para dyqaneve, duke shtyrë kohën me thashetheme, dhe duke marrë nëpër gojë çdo kalimtar që rastësisht shfaqej pranë tyre. Ky ishte mjerimi i lokaliteteve të vogla që mbyste çdo ëndër rinore, duke u bllokuar rrugën e jetës dhe duke ua marrë hapsirën shpirtërore aq të nevojshme për zhvillim të brezave të rinj.
***
Frojdi, Jung, sikurse dhe Jon Smith etj., ishin të ndaluar qoftë edhe si emra, e jo më pastaj teoritë e tyre. Ne formuam një shoqëri të pa edukuar të kuptojmë ndjenjat dhe pa psihollogë që të na ndihmonin të kuptojmë veten tonë, pasi psikollogjia individuale dhe ajo kolektive ishte fusha e veprimit ideollogjik të partisë dhe ajo nuk mund të lejonte konkurent. Revolucioni seksual i rinisë franceze të viteve 60, apo lëvizja “Power-flower” në Amerikë e gjetkë, nuk patën asnjë efekt në Shqipërinë e izoluar dhe të bllokuar të asaj kohe. Vetëm në rrethe të ngushta të brezit tim, kryesisht në Tiranë, u shtuan desidentët e shpallur apo të fshehur. Kjo periudh e shkurtër u ndërpre nga Pleniumi i IV i KQ. Me këtë rast, Enveri lau hesapet me veteranin e fundit të grupit të Shkodrës – Fadil Paçrami, i cili guxoi të shkruante ndryshe dhe lejoi të shfaqej drama “Njollat e murme” shkruar nga Minush Jero, apo pak musik xhazi në Festivalin e 11 të RT.
***
Kjo ndrydhje e shpirtit të njeriut në shoqërinë tonë të moralit të ndjenjave të ndaluara vazhdoi gjatë, kështu revolta u rrit dhe u shtri gradualisht në tërë shtresat, për të kulmuar dhe shpërthyer në vitin 90. Nevoja për tu shprehur lirshëm rriti presionin e brëndshëm tek çdo njëri. Morali shabllon u thye brutalisht në vitet e anarkisë, duke u kthyer në të kundërtën e tij, në shthurrjen morale. Sa të papregatitur kemi qënë! Kultura zyrtare humbi subjektin e saj dhe hyri në një krizë të thellë, të pashmangshme për momentin e krijuar. Hapja u bë e menjëherëshme dhe njerzit u shokuan përball informacionit të kulturës perëndimore që filloi të depërtonte progresivisht. Në shumicën e rasteve, për arsye të mungesës së edukatës, u asimilua pjesa e jashtëme e saj, forma, ndërsa brendia nuk u kuptua plotësisht. Kjo u quajt periudhë tranzicioni, e cila restrukturoi shoqërinë shqiptare pa një plan dhe pa strategji të menduar më parë. Haosi dhe hutimi moral morri përmasa gati të rrezikëshme, sa kërcënoi dhe krijoi teren të përshtatshëm për asimilimin dhe humbjen e identitetit tonë kombëtar. Radiografinë e psikollogjisë kolektive na e bënin specialistët e huaj, pasi ne s’kishim të tillë. Këshillat e tyre me karakter orientues nuk përmbanin asgjë nga tradita jonë dhe nuk kishin të bënin fare me karakterin kombëtar të munguar tek ne për një kohë tepër të gjatë. Instiktivisht, si një reaksion mbrojtës dhe konservimi, filluan të shfaqen dhe të përhapen idetë kombëtare shqiptare, të cilat u orientuan kryesisht në drejtimin politik, duke spekulluar me aspiratën tonë të bashkimit kombëtar. Ky nacionalizëm la jashtë dhe nuk preku aspektin moral të shoqërisë, nuk ngriti problemin e rivendosjes së shtyllave morale të rënuara për konsolidimin e karakterit tonë specifik në kushtet e pluralizmit dhe të liris së garantuar. Nuk bllokoi luftën e klasave për të rikthyer harmonin shoqërore.
Raporti individ-shoqëri ndryshoi në mënyrë rrënjësore moralin tonë në sensin e kundërt të tij, ku liria individuale doli përmbi obligimet shoqërore për një jetë paqësore të ekuilibruar të përbashkët. Kjo gjë pushtoi tërë sferat e shoqërisë shqiptare të viteve 90, në ekonomi, politikë, kulturë etj. Fenomeni vazhdon akoma dhe sot duke ushqyer korupsionin dhe imoralitetin, duke e deformuar keq dhe duke prekur deri tek shtyllat e rezistencës së popullit tonë. Rritja e kriminalitetit nuk është e rastit, është vazhdim, një tejzgjatje e një fenomeni të lindur më parë, është pasojë e këtij procesi transformimi që po shpërfytyron popullin tonë. Një njëri i cili merr pa meritë nga buxheti i përbashkët miliona, ndërkohë që bashkë-atdhetarët e tij jetojnë në një varfëri të dhimbëshme nuk mund të jetë i moralshëm, qoftë dhe sikur kjo të jetë e ligjëruar nga shokët e tij të kastës. Po kështu lufta për pushtet me mjetet ilegale, siç ndodh gjatë zgjedhjeve, ku vidhet vullneti i popullit, është një imoralitet në shkallën më të lartë, pasi prostitucioni politik mbush rradhët e karikeve të kuvendit duke na dënuar përfundimisht të jetojmë nën zgjedhën e tyre ekonomike. Jashtqitja verbale sot zë vëndet në podiumin e foltores kombëtare, që të huajt e quajn parlament.
***
Flasim për ndjenja të ndaluara, ku unë do veçoja në krye të listës atë të dashurisë për atdheun dhe vëndin. Na trembin me epitetin nacionalist për të na e ndrydhur këtë ndjenjë sublime. Ata nuk i shqetson prostitucioni dhe as hipokrizia, por ata kanë frikë nga dashuria jonë, tmerohen vetëm nga emri i saj, prandaj mundohen ta quajnë ndryshe. Dashuria i bashkon njerëzit, i afron ata, por kjo bie ndesh me interesat pushtetare. Të duash një vajzë apo një djalë, të duash prindërit, vëllezërit dhe motrat, familjen, bashkombësin tënd, formon bashkësinë nga e cila ata trëmben. Prandaj propagandojnë individualizmin meskin. Ata duan të na integrojnë si individa dhe jo si komb, pasi si individa jemi të pafuqishëm ti bëjmë ballë asimilimit. Kështu e kanë kollaj për të na kthyer në krah pune të lirë dhe si konsumatorë, që shpenzojnë të ardhurat e tyre nga djersa, për të rritur fitimet e shushunjave globale. Në emër të integrimit abstrakt, kërkojnë të na koruptojnë shpirtin dhe zëmrën, të shterojnë burimin e ujit të pastër të jetës sonë që rrjedh nga malet. Mundohen të shuajnë respektin për ndjenjat e pastra njerzore, për ti zëvëvëndësuar pastaj me makutërinë, pangopsinë, xhelozinë, egoizmin dhe me çdo gjë tjetër që mund të prodhoj një shpirt i helmuar dhe i tharë.
Në hotelet dhe motelet tona sot jepen dhomat me qira orare, si biçikletat dikur. U ndodha ngusht kur vajta të zija një dhomë hoteli me gruan dhe hanxhiu më pyeti se për sa orë e doja. Nuk e di se ç’më mbajti mos e merrja me shpulla për këtë fyerje që më bëri mua dhe gruas time. Në këto dhoma sigurisht që nuk konsumohej ndjenja e dashurisë, e cila nuk ka nevoja të tilla. Aty konsumohet tradhëtia në formën e saj më banale. Transformimi i tyre në bordel ilegal është një biznes prosper që plotson nevojat e degjenerimit moral të pushtetarëve tanë. Aty shiten dhe blihen shpirtërat e vdekur, të cilat janë të paaftë të prodhojnë ndjenja njerzore. Bes-shkelja u bë zyrtare, pushtoi mendjet dhe ligjet, ushtron pushtetin e saj mbi popullin e varfër nërmjet logoresë politike, aq e popullarizuar nga media pa moral. Sa larg kemi shkuar! Nuk po njoh më vëndin tim.
……………………………………
Dashuria në filmat e produksionit shqiptar!