Pashtriku.org, 31. 03. 2014 – (Për harrestarët e historisë!) – Një kronikë e ngjarjeve dramatike – Libri i Besim R Cengut, Përmasat e mbijetesës, na përkujton edhe një herë tërë atë që ndodhi në Kosovë dhe rreth saj para katër vjetësh. Ky libër është një kronikë e ngjarjeve dramatike të pranverës së vitit 1999. I ndodhur në një nga pikat më pikante të kësaj drame, në Kukës dhe në detyrën e njeriut që është në vlugun e ngjarjeve, të gazetërit të Radio Kukësit, autori i këtij libri, Besim R Cengu, ka mundur të shohë, të dëgjojë dhe të përjetojë atë që s’kanë mundur të shohin, të dëgjojnë e të përjetojnë njerëzit e tjerë dhe të lërë dëshmi të shkruara, për ngjarje, njerëz dhe fate njerëzish nga më të ndryshmet. Libri sjell shumë të dhëna e fakte me vlerë për eksodin biblik të kosovarëve të dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre, për krimet monstruoze të forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe, për rezistencën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për rrjedhat dhe proceset politike, kombëtare e ndërkombëtare, që i shoqërojnë të tëra këto. I shkruar qartë e rrjedhshëm, pa teprime e sforcime, por edhe pa lënë mangut atë që duhet, ky libër do të zgjojë interesimin e lexuesve dhe do të lexohet jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen.
Dr. Agim Vinca – Prishtinë, qershor 2003
* * *
Tragjedia shqiptare, e fokusuar në fisin e lashtë dardan, zbatim i një skenari sllavomadh për zhdukje dhe shuarje të shqiptarëve dhe më pas sllavizim trojesh dhe hapësirash, arriti kulmin në fillimvitin e fundit të mijëvjeçarit të dytë pas lindjes së Krishtit. Vrasje masive, pa dallim moshe e seksi, dëbime nga trojet e veta e djegje banesash, duke i shtyrë e ngushtuar drejt detit Adriatik të shqiptarëve, ishte me të vërtetë një prej tragjedive më të mëdha që ka përjetuar njerëzimi në këtë planet gjatë ekzistencës së tij që, ndoshta, ua kalon edhe atyre të njohura tashmë biblike. Këtë fat përjetoi shqiptari i Kosovës, emërtimin e vonë të së cilës nuk do ta pranoja, por thjesht e qartë me emrin e lashtë DARDANI: Natyrisht, publicisti Besim R Cengu, me librin e tij, Përmasat e mbijetesës, nuk ka marrë përsipër të japë krejt këtë tragjedi (e cila do të ishte e pamundur), por ai ka arritur të paraqesë qëndresën e vëllait për vëllanë, e gjakut për gjakun e vet, kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë luftë, thelbin njerëzor të NATO-s e të SHBA-së, kohën kur dallohen qartë tashmë miqtë dhe armiqtë e shqiptarëve në këtë luftë. Ngjarjet dhe faktet, ku jepen të dhëna të sakta dhe të plota në përballimin e barrës së rëndë për të zhvendosurit nga trojet e veta nga kuksianët e qytetit dhe të rrethinës, të pushtetit vendor dhe qytetarit të thjeshtë, spikasin cilësitë e larta të shpirtit shqiptar, sa paqësor e liridashës, aq njerëzor e i sakrificës. Autori, me stilin e një publicisti dhe një analisti të sprovuar, na e ka dhënë lëndën në libër me një gjuhë të lexueshme për të gjitha kategoritë e lexuesit, me një rrjedhshmëri fraze e përshkrimi. Faktet, dokumentet konkrete, gjithnjë do të jenë bazë për referim nga studiues të ndryshëm në fushën e histiografisë dhe sociologjisë. Pa e zgjatur më tej, libri i Besim R Cengut, Përmasat e mbijetesës, që po të isha unë, do ti shtoja titullit të librit në fillim parafjalën “në” ose “nëpër”, do të zejë një vend të veçantë në dhjetra e dhjetra libra që janë shkruar e do të shkruhen për këtë tragjedi shqiptare të vitit 1999.
Bajazit Cahani – Kukës, korrik 2003
***************
Librin “Përmasa e mbijetesës” mund ta lexoni këtu:
HAPE: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/besim-cengu-permasa-e-mbijeteses.pdf