DR.MOIKOM ZEQO: STUDIMI VENEDIKAS PARA 4 SHEKUJSH PËR KANUNIN E SHQIPTARËVE

Tiranë, 01. 04. 2014 – Kanuni i shqiptarëve është një kryemonument juridik zakonor i kombit tonë në Mesjetë. Ky korpus rregullash dhe ligjesh të plotfuqishme janë një botë e gjallë dhe njëkohësisht e fosilizuare mendësisë popullore, e mënçurisë së zgjidhjes së problemeve të mprehta dhe e një vetëadministrimi të problemeve shoqërore. Kanuni i shqiptarëve i njohur në Veri edhe me emrin konvencional si Kanuni i Lekë Dukagjinit, është mbledhur nga At Shtjefën Gjeçovi dhe është botuar jo vetëm në shqip por në disa gjuhë kryesore të botës. Studjuesit e së drejtës kanë bërë shumë analiza për tekstin fragmentar dhe jo të plotë të kanunit.
I mbledhur vonë dhe i kompozuar në mënyrë subjektive sipas mbledhësve kanuni nuk na paraqitet plotësisht dhe në mënyrë të pacënuar siç ka qenë para shumë shekujve. Ky kanun është një nga kryeveprat mendore të kombit shqiptar në të gjitha kohërat.
Me të drejtë kanuni i Lekë Dukagjinit është një monument i traditës, i ndërlidhur ngushtë me Eposin e Kreshnikëve të Veriut si dhe konstelacionin e mrkeullueshëm dhe të pashembullt të proverbave shqiptare. Gjithashtu ky kanun nuk mund të kuptohet pa gjenezën e kodeve juridike të perandorit ilir të Bizantit, Justinianit të Madh. Pra, nisma e Kanunit është fundi i Antikitetit të Vonë dhe plotfuqishmëria e Kanunit është periudha e Mesjetës së hershme etj.etj.
Kanuni i Lekë Dukagjinit është kodi konceptual vetëqeverisës i shqiptarëve në atë që quhet epoka parashtetërore. Vetvetiu struktura e një shteti është diçka krejt tjetër dhe do të krijojë kështu një paradoks dhe kundërvënie e juridicitetit parashtetëror me juridicitetin shtetëror. Kjo formulë e thënë nga studjuesit nuk është e saktë në mënyrë absolute. Shumë elementë përbërës të kodit juridik parashtetëror të shqiptarëve reflektojnë qenësinë e një autonomie shtetërore ndoshta fjala vjen e Shtetit të Parë të Arbërit ose dhe e principatave shqiptare të Veriut.

 Duke respektuar deri në fund Gjeçovin e madh ne duhet t’i shtrijmë hulumtimet tona në shekujt e mëparshëm. Ka qenë një befasi e madhe kur duke shfletuar disa libra botuar nga Instituti i Studimeve Shqiptare, me titull : “Studime dhe tekste”, botuar më 1944 unë gjeta një studim relativisht të gjatë, botuar në italishten venedikase. Ky studim nuk ka emrat e autorëve. I takon si kohë shekullit të XVII.
Për herë të parë është transkiptuar në gjuhën shqipe nga miku im, mesjetarologu i shquar, i ndjeri Injac Zamputi.Pikërisht ky studim hap një faqe të re krejtësisht origjinale për studimet mbi Kanunin. Duke lexuar këtë studim habitesh jo vetëm me arsyetimin e lartë juridik të përpiluesve me sa duket venedikas, ka mundësi edhe shqiptarë që shërbenin në Venedik, mbi Kanunin Shqiptar.
Studimi i drejtohet Republikës së Venedikut dhe quhet “Informacion mbi origjinën dhe metodën e arbitrazhit në çështjet e marrjes së gjakut në Shqipëri”. Arsyeja bazë e studimit është që të bëhet harmonizimi midis ligjeve të Kanunit Shqiptar dhe ligjeve shtetërore të Venedikut. Pikërisht në tokat shqiptare nga Kotorri e deri në Shkodër që ishin në zotërim të Venedikut
Ky material analizues e i pashembullt i para 4 shekujve na lejon të kuptojmë forcën por dhe dobësinë e Kanunit Shqiptar edhe në ditët e sotme. Si arsyetohet dhe si bëhet argumentimi i këtij studimi?
Që në fillim theksohet se grindjet ndërmjet privatëve gjykohën në dy mënyra, ose duke ju drejtuar autoritetit të ligjshëm të popullsisë, ose duke ja lënë në dorë drejtësisë së të Urtëve, që vullnetarisht dhe me marrëveshje zgjidhen nga të dyja palët. Kjo bëhet sepse e kërkon Kanuni kur ka grindje : jo e imja, jo e jotja – ndërmjet personave të fisit. Kur larja e fajeve i lihet në dorë për zbatim gjykimit privat, ahere del në pah prishja e popullsisë dhe dobësia e qeverisë.
Kushdo e sheh qartë se krimi dëmton po aq personin privat sa edhe e shrregullon shoqërinë sepse ja dhunon ligjet, kështu që nëqoftëse shteti për interesin e veçantë të të cilit është fjala nuk ndërhyn në gjykim, arbitrari është i pavlefshëm. Kështu përpiluesit e studimit duan të paraqesin origjinën e këtij abuzimi në Shqipëri me qëllim që të shmangin pasionin dhe interesat njerëzore me të cilët ngjyroset dhe shtrembërohet e vërteta.
Shqipëria Venedike (trojet etnike shqiptare të administruara nga Venediku) është një vend në kufirin bregdetar me Sulltanin. Në të dy këto hapësira popujt, nuk kanë një gjykatës të përbashkët,
prandaj për arsye të qetësisë është i nevojshëm arbitrazhi, seps emungon autoriteti për një ligjshmëri të pakundërshtueshme. Kjo gjë në të vërtetë nuk është aspak kundër arsyes, por nga ana tjetër, fakti që krimet e shtetasve të mos i nënshtrohen gjykimit të gjykatës është drejtëpërdrejtë në kundërshtim me arsyen e shtetit dhe me natyrën e nënshtetësisë.
Kështu përpiluesit e studimit justifikojnë ekzistencën e një grupi të veçantë për të kryer gjykime në formën e institucionit të arbitrazhit. Në bashkësinë e komuniteteve njerëzorë padyshim që janë institucion zyrtare venedikase por siç ka ndodhur në Rizon të Kotorrit, që u pajis me titullin e bashkësisë me Kapedan dhe Zëvendës dhe Gjykatës, për shkak të traditës vendase doli se banorët e Rizonit në rrugë të veçantë dhe unike ja dolën të merrnin në dorë jo vetëm gjykatën civile por edhe atë penale. Kështu intitucionet juridike venedikase u formalizuan. Autoriteti gjyqësor enedikas nuk funksionon. Çfarë duhej bërë?
U vendos një kompromis, të krijohej një institucion hibrid, ai i arbitrazhit, por me lejen e zyrtareve shtetërore venedikas. Shqiptarët e kuptuan fuqinë e këtij parimi të ndërmjetëm. Kështu u krijua një realitet i ri gjyqësor që nga forma ishte venedikase por nga përmbajtja ishte tipik kanunor dhe shqiptar. Ahere u përcaktuan dhe rregullat përkatëse të funksionimit të arbitrazhit.
Kështu në bashkësinë e vendeve që nuk kanë pjesë në grindje zgjidhen 12 veta prej fajtorit (që ka bërë fajin ose krimin) dhe ata dërgohen te shtëpia e atyre që kanë pësuar fyerje, për të krkuar prej tyre pezullimin e inateve, pezullim që quhet premtim apo besë. Këta 12 të dërguar paraqesin disa dhurata të vogla si fjongo, gjilpëra, shami, për të treguar dëshirën që ka fajtori për një pajtim të sinqertë dhe të qëndrueshëm. Dy herë ata kthehen mbrapsh pa e marrë fjalën e besës, hera e tretë është vendimtare. Nëse pranohen herën e tretë ndërmjetësit është simboli që të fyerit janë gati për kompromis.
Ata kthehen te shtëpia e fajtorit, i cilipër të bërë provën e fundit të seriozitetit merr 12 djepe dhe ja dërgon të fyerit së bashku me ndërmjetësit, të 12 djepet janë të mbuluara me mahrama, mbulesa më qëndisje të dendur që përdoren nga shqiptarët, dhe në sejcilin djep është vendosur një monedhë e quajtur real prej floriri. Kur hiqen mahramat nga djepet shihen edhe monedhat.
Kur ndërmjetësit arrijnë te porta e të fyerit u bëhet pyetja se cilët janë. Ata duke ju shmangur përgjijges që do të mnd të ringjallte kujtimin e fyerjes i përgjigjen : “Hape derën kumbarë që të pranosh Zotin dhe Shën Gjonin.” Kështu pasi porta nuk hapet as të parën dhe as të dytën herë ja nisin per herë të tretë : “Hape derën kumbarë, që të pranosh Zotin dhe Shën Gjonin, mos na kthe mprapa, për fatin tënd, për fëmijët e tu, për mbarësinë e punëve të tua, për rritjen e konakut tënd”.
Si hapet porta e shtëpisë dhe pronohen dhuratat nis e shtrohet biseda për caktimin e besës dhe caktohet afati brenda të cilit, sa të rregulloren punët e nevojshme për gjykimin duhet të mos pësojnë dëm njerëzit e njerës palë dhe tjetrës dhe numërohet si turpi më i madh sikur besa të thuhej dhe të zezohej me mashtrim.
Numri i gjykatësve rregullohet sipas rëndësisë së krimit : nëse është fjala për vdekje duhet të ketë 24 vetë, për plagosje 12 vetë. Për vjedhjet, grabitjet dhe mashtrimet 6 ose 4 vetë. Për shpifjet veprohet me kumbari dhe vëllamëri.
Kështu dëmshpërblimi jepet me coha në ngjyrë të kuqe ose me mbulesa të qëndisura mahrame ose paguhej me realë. Shpifja dëmshpërblehet në këtë mënyrë vetëm kur nuk ka cënuar nderin dhe jetën, sepse fyrjet e tjera zënkat e përditëshme nuk merren fare parasysh. Për plagosje dëmshpërblimi ka vlerë 10 realë ose 10 zenikë. Kësaj i shtohet dhe shuma që ka shpenzuar i plagosuri për kirurgjinë. Jeta e një burri vlerësohet e barabartë me 12 gjaqe ose me 12 zekinë të plotë. Gruaja e vrarë çmohet vetëm me gjysmën e kësaj shume. Nëse vrasja ka ndodhur gjatë kohës së besës ahere vrasësi gjykohet pavarësisht nga e drejta e tij e mëparëshme.
Zyrtarë venedikas mbas dhënies së dënimit nga arbitrazhi i shkruajnë vendimet gjyqësore. Meqenëse shqiptarët nuk kanë vulë për ta bërë autenike dhe të vlefshëm dokumentin bëjnë dy kopje në të cilat ngjisin një grosh raguzian dhe e ndajnë në mes. Ata e çmojnë kaq shumë të nevojshëm këtë ngjitje, saqë e quajnë të pavlefshëm vendimin gjyqësor nëse ky do të ishte pa këtë kërkesë.
Si të lexohet vendimi gjykatësit ngirhen në këmbë dhe qëndrojnë ndërmjet dy palëve të cilët cihen rrjesht dhe ahere paraqitet vrasësi duke mbajtur të varur në qafë armën me të cilët ka vrarë, dhe duke ecur në gjunjë zvarritet tek përfaqësuesi i familjes së të vrarit per t’i kërkuar falje. I dëmtuari ja heq armën që ka vrasësi dhe e përqafon atë pasi e ka lënë t’i lutet tre herë.
Po kështu veprojnë të dy palë pastaj përqafohen dhe kuptohet se vendimi është pranuar. Përpiluesit anonimë të studimit për Kanunin shprehin habi se si vallë një popull i varfër si shqiptarët mundet të verpojnë me një urtësi të tillë.
Por në fund të studimit ata nuk ngurrojnë të shtojnë se ky arbitrazh është i papranueshëm për normat juridike zyrtare venedikase dhe është “një abuzim i së drejtës sovrane në ushtrimin gjyqësor’.
Pra ligjet zyrtare të Venedikut janë ato që bëjnë një kompromis me ligjet shqiptare të kanunit. E gjithë kjo histori marramendëse është e para katër shekujve.
Si vallë para katër shekujve shteti i Venedikut nuk qëndron indiferent për shtetasit shqiptarë? Shqipëria sot ka një kod juridik tepër të përparuar dhe bashkëkohor, të standarteve ndërkombëtare.
Kanuni i Veriut është në një aktivitet ende. Normat parashtetërore nuk i përfillin ligjet shtetërore. Venedikasit shpikën institucionin e arbitrazhit, të organizuar nga shqiptarët por me lejën e tyre. Kjo tregonte interes dhe vemendje të venedikasve. Natyrisht që sot është marrëzi të operosh me kompromise të normave parashtetërore dhe ligjeve shtetërorë. Unë jam për plotfuqishmërinë juridike të shtetit dhe jo të Kanunit. Por nuk mund të kuptoj dot indiferencën e shtetit shqiptar. Shëmbulli i shtetit venedikas më ve në mendime. Venedikasit përpiluan dhe një studim të posaçëm për Kanunin Shqiptar. Po shtetarët shqiptarë çfarë bëjnë, heshtin, futin kokën në dhe si strucët.

*****************************************

Kanuni i Lekë Dukagjinit, vepër e Shtjefën Gjeçovit

ribotohet sipas botimit të vitit 1933 shtypur në Shkodër.

HAPE: http://www.home.no/dukagjin/kanuni/Kanuni.html

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura