ARIF EJUPI: FUTBOLLISTI DRILON PAҪARIZI REFUZON KLUBE TË MËDHA PËR TË MBETUR NË LUGANO

Gjenevë, 11. 06. 2015 – Drilon Paçarizi ka vendosur që t’i ngelet besnik FC. Lugano me të cilën plotësoi ëndrrën e tij të kahershme për pjesëmarrje në garat e superligës së Zvicrës. Adhuruesit e futbollit në Zvicër patjetër e njohin lojën e bukur të golashënuesit të spikatur Drilon Paçarizi me prejardhje nga Dragobili i Malishevës së Kosovës.
Driloni sikur shumë bashkëkombës të tij prej vitesh po shndrit në fushat e futbollit zviceran . Debutimin në lojën më të popullarizuar në atë të futbollit ai e fillon në ekipin e pionierëve dhe të juniorëve të FC MEYRIN të Gjenevës. Edhe pse ende i mitur posedon forcë të mjaftueshme fizike. Veç kësaj shquhet me shpejtësinë e paparë dhe shmangien me mjaft lehtësi të mbrojtësve kundërshtarë. Mbi të gjitha gjuajtjet e tij të forta dhe precize me kokë bëjnë që ai të shkaktojë frikë tek çdo portier. Këto elemente e bëjnë Paçarizin lojtar të formuar dhe të domosdoshëm për aktivizim në ekipin e parë të FC Meyrin. Falë këtyre veçorive më 2007 Paçarizi bëhet figurë kryesore e kësaj skuadre atëbotë anëtar i të ashtuquajturës Ligë e Parë Klasike e Zvicrës.
Gjatë qëndrimit në këtë skuadër Paçarizi shënon nëntë gola të vlerësuar nga tifozët e këtij klubi si gola të shpresës për ditë më të mira. Në saje të lojës së perfeksionuar të Paçarizit, FC Meyrin krijon stabilitet në këtë Ligë e cila nga njohësit e futbollit konsiderohet si Ligë e rekrutimit të talenteve të rinj të futbollit. Tanimë e gjithë Gjeneva e njeh Drilon Paçarizin si shpresë të ardhshme të Zvicrës.
42 gola për Etoile Carouge
FC Etoile Carouge, po ashtu skuadër e kantonit të Gjenevës, në rang të njëjtë garash me FC Meyrin por me ambicie dhe gjasa reale për kalim në Challenge League të Zvicrës, bën çmos që në radhët e saj ta angazhojë Drilon Paçarizin. Bisedimet ndërmjet dy klubeve rezultojnë me sukses dhe në verën e vitit 2009 Paçarizi kalon në FC ETOILE CAROUGE të Gjenevës. Në “Stade de la Fontenette” buzë lumit Arv, Drilon Paçarizi gati në çdo ndeshje shënon gola çfarë rrallëherë shihen në terrenet sportive.

Me të quajturat goditje vole dhe ato me kokë shënon hiq më pak se 36 gola me çka i mundëson këtij ekipi kalimin në Divizionin e Dytë të futbollit zviceran apo ndryshe në të ashtuquajturën Challenge League. Me fanellën bardhë e kaltër të FC ETOILE CAROUGE Paçarizi shënon gjithsej dyzet e dy gola. randaj të gjithë simpatizuesit e këtij klubi me të drejtë Paçarizin e krahasonin me ish- reprezentuesin e famshëm francez Zinédine Zidane.
Paçarizi drejt skuadrave tiçineze
Zvicra në fund të viteve të nëntëdhjeta bëhet parasë e futbollit. Ajo në çdo qendër urbane dhe periferike ndërton fusha moderne të futbollit të shoqëruara me objekte ndihmëse për të mbështetur aktivitetet sportive. Kantoni më jugor i Zvicrës, ai i Tiçinos, i ka kushtuar rëndësi të madhe zhvillimit të futbollit duke krijuar shkolla e klube të reja dhe duke ripërtërirë ato ekzistueset. Kjo dhe ishte një nga arsyet që më 2011 Paçarizi të kalojë tek skuadra e Locarnos. Ky ekip, anëtar i Challenge League e mirëpriti aktivizimin e Paçarizit në njëmbëdhjetëshin e parë të saj. Mirëpo edhe Paçarizi u tregua tejet i frytshëm. Në skuadrën e re ai shënoi golat e shpëtimit. Kështu përfundimisht adhurueseve të Locarnos ua largoi ankthin e rënies nga Liga. Në kartotekën e FC Locarno, do të mbeten të evidentuara përgjithmonë edhe tetëmbëdhjetë golat e shënuar të Drilon Paçarizit, si një nga sulmuesit më të njohur të këtij klubi me histori të gjatë dhe të bujshme.
Nga Locarno te Lugano
Gjatë qëndrimit në kantonin e Tiçinos, Paçarizi u bie në sy me tiparet e tij prej realizatori dhe lojtari të kompletuar udhëheqësve të FC Lugano. Sulmuesi i derivonshëm i FC Locarno Drilon Paçarizi, kalimin tek rivali regjional FC Lugano, ia qet vetes si kusht për rikthim në elitën e futbollit zviceran.
Ai në këtë klub kalon më 20 qershor 2014 duke nënshkruar kontratë dyvjeçare. I vetëdijshëm që rezultatet arrihen vetëm me punë e stërvitje sistematike pjesën më të madhe të kohës e kalon në stadiumin Cornaredo të qytetit Lugano. I liruar nga veset e këqija dhe nga urrejtja e panevojshme ai bashkëpunon me të gjithë. Mirëpo pozita e tij prej sulmuesi të majtë e lidhë me tepër me mesfushorin kroat Marko Bashiq, me të cilin shpeshherë gjendet në shoqëri edhe jashtë fushës së lojës.
Edicioni i sivjetmë i të ashtuquajturës Challenge League në Zvicër ka pasur skuadra të forta dhe me traditë. Vlen të përmenden disa nga skuadrat pretendente për vendin e parë si: FC Wohlen, FC Winterthur, FC. Schaffhausen dhe FC Lausanne-Sport. Të gjitha ekipet e përmendura gjunjëzohen në Lugano e besa edhe në terrenet e tyre. Njëri prej të merituarve për rikthimin e FC Lugano pas trembëdhjetë vjetësh në shoqërinë e vjetër është edhe Drilon Paçarizi, i cili vetëm gjatë sezonit vjeshtor ka shënuar pesë gola për ekipin e FC Lugano.
Ushtron në Kosovë, e bën hetrik në Lugano
Driloni, si vëlla i vetëm i katër motrave, gjithsesi duhej të ishte më 10 gusht të vitit që shkoi në Kosovë, në dasmën e motrës së dytë, Ardianës. Në anën tjetër vetëm katër ditë më vonë e priste takimi derbi i kësaj Lige ndërmjet FC. Lugano dhe FC. Schaffhausen. Ai, i vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje edhe në Kosovë çdo mbrëmje ushtronte me intensitet të shtuar duke mos dashur t`i zhgënjejë tifozët e klubit të tij. Djersa e derdhur në Kosovë i shpaguhet në Lugano, ai në këtë ndeshje shkëlqen duke shënuar tre gola. Skuadra e FC. Schaffhausen pëson debakël të thellë duke humbur nga FC Lugano me 5:1. Ky takim sqaron gjithçka dhe ngjall tek të gjithë shpresat që FC. Lugano ka potencial të duhur për të qenë përkrah ekipeve elitare të Zvicrës. Në ndeshjet e radhës frymohet më lirshëm dhe kurrfarë rëndësie nuk paraqet më fakti se FC Lugano do të luajë si vendëse apo si mysafire. Forma e kënaqshme e lojtarëve dhe harmonia në ekip nuk njeh terren e as skuadër favorite.
FC. Lugano të shumtën e kohës kryeson tabelën kurse më 30 maj 2015 zyrtarizon titullin si kampione e Challenge Ligue të Zvicrës. Ajo, duke grumbulluar 72 pikë dhe duke krijuar një diferencë prej dhjetë pikësh nga skuadra përcjellëse FC. Wohlen, dëshmon se është ekip mjaft solid. Drilon Paçarizi, duke dashur që ta plotësojë mendimin e disave për futbollin në mes tjerash thotë: “Ata që mendojnë se futbolli shërben vetëm si diçka për t’u argëtuar, gabojnë rëndë. Unë futbollin e konsideroj art në vete sepse përveç prirjeve ai kërkon punë edhe angazhim maksimal. Të tubosh në tribunat e stadiumit mijëra njerëz dhe të mos prezantosh para tyre asnjë vlerë do të thotë maltretim i vetvetes dhe i masës”.
I pyetur rreth planeve të tij, pa dashur që t’i bëjë vetes publicitet tregon se dy-tri skuadra me emër në elitën e futbollit zviceran kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar me të. Por, për momentin ai ka vendosur që t’i ngelet besnik FC. Lugano me të cilën plotësoi ëndrrën e tij të kahershme për pjesëmarrje në garat e superligës së Zvicrës. Parësore për Paçarizin është që ekipi i tij do të zhvillojë gara në ligën më të fortë të Zvicrës. Në rast se i vije ndonjë ofertë nga klubet gjermane apo angleze atë ai do ta bëjë publike menjëherë.
Formën jashtëzakonisht të mirë të Paçarizit dhe përvojën e tij të gjatë në fushën e futbollit është mirë që ta shfrytëzojnë përzgjedhësit e kombëtares së Shqipërisë apo Kosovës, pse jo edhe ata të Zvicrës. Një talent si Paçarizi s’ lind edhe aq shpesh. (albinfo.ch)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura