ADEM GAVAZAJ: KONTEKSTET SOCIO-KULTURORE DHE SJELLJET E NXËNËSVE

Prizren, 01. 04. 2014 – Kosova e pas luftës ndryshoi në të gjitha lëmit e jetës. Ndryshuan në aspektin socio kulturor të gjitha institucionet duke filluar nga familja deri te shteti. Ndryshuan raportet socio-kulturore në shkollë. Sjelljet, veprimet dhe marrëdhëniet tani janë ndryshe. Nxënësit shumë shpejt i morën sjelljet, veprimet dhe marrëdhëniet që janë dhe që po kultivohen në Europën Perëndimore, por jo vetëm. Këto vlera perëndimore, nxënësit me çdo mjet, dëshirojnë t’i kenë pronë të tyre.
Shumë shpejt nxënësit, fëmijët kuptuan të drejtat dhe detyrat e tyre. Shumë shpejt përvetësuan, teknologjinë informative, të cilat si kontekste, ndikuan në veprimet sjelljet dhe marrëdhëniet, ndërmjet nxënësve – mësimdhënësve prindërve – fëmijëve e tjera. Këto kontekste, si shumë të shpejta u përfshinë natyrshëm në arsim dhe “çrregulluan” marrëdhëniet sjelljet dhe veprimet e vjetruara ndërmjet mësimdhënësve dhe nxënësve, prindërve dhe fëmijëve, sot ruhet e vjetra me dhunë.
Nxënësit, fëmijët po kërkojnë atë që ju duhet, të jenë të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre europian dhe të ndihen krenar. Mësimdhënësit dhe prindërit po pajtohen me shumë vështirësi, një pjesë edhe nuk po pajtohet, me arsyetimin se po i mbrojnë vlerat.
Reformat e ndërmarra nuk kanë kënaqur askënd, ishin të vonuara në krahasim me kontekstet socio-kulturore, të cilat po shtynë lëvizjen me hapa shumë të shpejtë.

 Shkencëtari dhe filozofi Alfred Tofler do na thoshte, jeni shumë të ngadalshëm në reforma. Koha që po jetoni është kohë e ndryshimeve shumë të shpejta “duhet mësuar, ç’mësuar dhe mësuar përsëri”, si prindër dhe mësimdhënës keni ngecur, do e përfundonte qortimin Alfred Tofler.
Nëse bëjmë krahasimin e veprimeve, sjelljeve dhe marrëdhënieve të nxënësve, fëmijëve tanë do të shohim se ato ngjasojnë me nxënësit dhe studentët europian, të periudhës së trazirave (demonstratave të vitit 1968).
Prindërit dhe mësimdhënësit europian të asaj periudhe mendonin se fëmijët, nxënësit e tyre janë të llastuar, janë injorant (nuk respektojnë), e urrejnë të vjetrën “konservativen” e tjera. Edhe në realitetin tonë dëgjohen sintagmat e tilla ose e kemi humbur autoritetin tek nxënësit, nuk kemi autoritetin tek fëmijët e plot ankime të tjera të këtij lloji, të dëgjuara si tek mësimdhënësit ashtu edhe nga prindërit…
Pas trazirave (demonstratave) të vitit 1968 u zhveshën profesorët e gjithëfuqishëm nga statusi i tyre, ajo gjithëfuqishmëri u zëvendësua me bashkëpunimin mes të barabartëve. Kjo u arrit edhe në familjet perëndimore, ku prindërit dhe fëmijët filluan të diskutonin si të barabartë për tema të ndryshme.
Trazirat (demonstratat) detyruan ideologët, politikanët, profesorët dhe prindërit që të reflektojnë me qëllimin që të kërkojnë kuptimin e vërtetë të ngjarjeve të vitit 1968. Sipas mendimtarëve të asaj kohe duheshin që të merreshin përgjigje në këto pyetje.
1) Mos është kjo revoltë e bijve të llastuar të një klase të begatë, e cila kishte dalë në dritë si rezultat i mrekullisë ekonomike?
2) Mos ishte një kundërshtim i qytetarit ndaj qeverive që nuk kishin kuptuar se koha e nënshtetasve kishte përfunduar?
3) Mos ishte thjeshtë një stad në reformimin e shoqërisë moderne me institucione të vonuara për ndryshime themelore e tjera.
Duke parë sjelljet shoqërore dhe kulturore të prindërve, mësimdhënësve, nxënësve, muzika që dëgjohet, librat që “nuk” po i lexojnë, komunikimin që po bëjnë dhe kontrastet e shumta të shoqërisë tonë, të cilat ndikojnë në arsimin tonë, na detyrojnë edhe neve si prindër, Intelektual, politikan, biznesmen e tjera, pyetjeve të parashtruara nga mendimtarët europian, për problematikën e nxënësve dhe studentëve të tyre të asaj periudhe t’i përgjigjemi edhe ne sot.
Me problematikën e konteksteve social kulturore, nuk janë marrë studiuesit. Studimet e kësaj problematike do të ishin shumë të nevojshme për menaxherët e shkollave, mësimdhënësit dhe të tjerët, me qëllim që të identifikohen kontekstet ose rrethanat të cilat zhvillohen dhe përfshihen në përmirësimin ose dobësimin e një dukurie.

– Autori është profesor i filozofisë në Gjimnazin-2 “Remzi Ademaj”, në Prizren.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura