ABAS FEJZUALLAHI: VEPRIMTARIA E PROFESOR ANTON ÇETTËS PËR PAJTIM E BASHKIM KOMBËTAR

Brern, 27. 10. 29014 – ( „…Baca Anton ishte dukshëm i lodhur, por dhe i disponuar. Më tha kështu: „Don Lush, prekma pak shpinën. A kam ende shpinë?“ Unë iu përgjigja: „ Si jo, në shpinën tënde është mbarë Kosova, edhe më tepër, populli shqiptar!“ Ai si në hoka më tha:“ Nuk e di a kam më shpinë, aq jam këputur … A ka ndonjë vend ku mund të mbështetemi pak para se të dalim para popullit në kremtimin e pajtimeve të gjaqeve?“. Porosia e tij nga takimi im i fundit me të para se të kalonte në amshim ishte kjo : «Nëse vdes pa e parë dhe përjetuar lirinë dhe pavarësinë, së paku një gisht i imi do të jetë jashtë vorrit, mbi të. Atë ditë që do të agojë liria, eja, e shtjere edhe gishtin tim në varr, që të pushoj në qetësi në tokën time të shtrenjtë, të shenjtë dhe të lirë“. Pjesë e shkëputur nga kujtimet e Dr.Don Lush Gjergji)
Në periudha të ndryshme historike, populli shqiptar është ballafaquar me pushtues të ndryshëm, qëllimi i të cilëve ka qenë jo vetëm nënshtrimi, por edhe shkatërrimi i qënies biologjike dhe kombëtare.
Shqiptarëtë e rrezikuar nga pushtuesit e ndryshëm, janë bashkuar në forma dhe mënyra të ndryshme për t`i shpëtuar dhunës dhe rreziqeve, kanë gjetur forma dhe mënyra të ndryshme që të bashkohen, duke lënë anash, shumë ngatërresa, plagë dhe gjaqe që për fatin e keq të shqiptarëve kanë qenë të pranishme vazhdimisht dhe vazhdojnë të jenë të pranishme edhe tani, por kohëve të fundit kanë marrë përmasa të mdha dhe shumë shqetësuese në Kosovë, Shqipëri dhe në të gjitha trojet shqiptare, edhe në kurbet kudo që gjinden shqiptarët, tue shkaktue pasoja të rënda për familjarët dhe kombin në përgjithësi.
Institucionet shtetërore përgjegjëse për parandalimin dhe marrjen e masave të duhura me kohë, për t`i zgjedhur problemet e qytetarëve përmes Ligjit dhe Drejtësisë, deri me tani, s`kanë treguar rezultate të nevojshme as për së afërmi…
Shqiptarët në Kosovë dhe në të gjitha trojet kudo që gjinden dhe jetojnë, kanë aq shumë nevojë, për ringjalljen e Profesor Anton Çettës, për fjalën e tij të urtë, të artë por edhe të fuqishme në ndikimin për të mirë, që, mbetet i përjetshëm në kujtesën historike, për frytet e jashtëzakonshme nga punët e mëdhaja të bëra në vitet 1990-ta, përmes Lëvizjesë Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, kur së bashku me rininë studentore, si nismëtar jetësuan në praktikë idenë për pajtimin e gjaqeve. Zanafilla e këtij aksioni ishte në thellësinë e nëntokës, në Zgafellat e Trepçës, gjatë kundërshtimeve ndaj rregjimit serb, kur kërkesës së popullit shqiptar të Kosovës për liri iu bënë krah përmes grevës së urisë që organizuan xehtarët në Stan Tërg prej 20-28-shkurt 1989.

Anton Çetta (1920 – 1995)

Këtu u theksua kër- kesa e xehetarit Halit Istrefi për Pajtimin e Gjaqeve ndërsa Sefedin Istrefi ua përcolli mjeteve të informimit dhe kërkesa e xehtarëve nga thellësitë e nëntokës hasi në mirëkuptim dhe përkrahje gjithëpopullore, si kërkesë shumë e qëlluar, të cilën shumë shpejt të rinjët në fshatin Lumbardh të rrethit të Deçanit në Dukagjin, Grupi nismëtar me 5 nistor (janar) 1990 me në krye Vesel Lekaj, Ali Ukaj, Ajete Lekaj, Murteza Lekaj, Besnik Kadrijaj, Abedin Lekaj dhe Hysen Pergjegjaj, ndërsa nga të vjetrit që i përkrahën e kurrë s`ju ndan të rinjëve ishin Magjun Lekaj, Ram Lekaj e Hasan Ukaj, dhe studntët tjerë si Nurije Zeka, Hava Shala, Myrvete Dreshaj, Brahim Dreshaj, Lulzim Etemaj, Binak Dinaj, Musë Berisha etj, iu rrekën që ta jetësonin. Këtij manifesti iu bashkua dhe i priu kryeplaku i Kosovës, i dashur dhe i nderuari Profesori Anton Çetta, i cili pas grevës së minatorëve pat thënë: “Historia nuk do ta harrojë atë shkëndijë që u ndez në horizontin e tetë të minierës së „Trepçës“ në Stari-Tërg për pajtimin e gjaqeve e të ngatërresave ndër shqiptarët!“ (*Epopeja e Minatorëve“ fq.42.Aziz Abrashi & Burhan Kavaja)

Dokumentar – Pajtimi i Gjaqeve.

Kësaj nisme shumë të rëndësishme ju bashkangjitën dhe e ndihmuan shumë veprimtarë dhe vullnetarë nga të gjitha shtresat: intelektualë, profesorë e akademikë nga Instituti Albanologjik dhe Akademia e Shkencës dhe Arteve të Kosovës, si: Zekeria Cana, Zymer Neziri, Mark Krasniqi, Agim çavdarbasha, Latif Berisha, si dhe përfaqësues të nderuar të Bashkësive fetare si: Don Lush Gjergji, Mulla Xhevat Kryeziu, Mulla Idriz Kakruki-Kosova etj, të cilët në ballë me Profesorin Anton Çetta, me aksionin e Pajtimit të Gjaqeve bënë bash- kimin e popullit si kurrë më parë kundër pushtuesit serbosllavë.
Rezultatet e veprimtarisë për Pajtimin e Gjaqeve
Veprimtarët atdhetarë dhe intelektualët më të shquar shqiptarë, së bashku me rininë studentore, familjarë e veprimtarë nga të gjitha mjediset e Kosovës, bashkarisht pajtuan mbi 1000 familje të hasmuara, duke arritur faljen e gjaqeve në emër të Kosovës, Flamurit dhe Kombit, në emër të krijimit të frontit të bashkuar, për ta hapur udhën e çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe.
Pra, në vitet 1990-ta u falën 1000 gjaqe, u pajtuan mbi 1000 familje, u shpëtuan me mija vrasje, u shtuan me mija ushtarë të lirisë, kur ishim në rrezik nga pushtuesi serb, ku nevoja për afrim e bashkim dhe qëndresë kolektive paqësore dhe forma tjera, ishte e nevojshme dhe e domosdoshme si ajri për frymëmarrje.
Themelet e këtij bashkimi ia vunë veprimtarët e Lëvizjes Gjithëpopullore të Pajtimit të Gjaqeve dhe Aksionit Gjithëpopullor “Familja ndihmon familjen“ përmes së cilës u ndihmuan në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe afatgjate, mbi 8000 familje skamnore, të cilave ua zgjatën dorën e ndih- mës 8000 familje me gjendje më të mirë ekonomike nga të gjitha trojet shqiptare.

Lëvizja Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, duke pasur në krye Profesorin e madh Anton Çetta, depërtoi fuqishëm dhe përvetësoi dashurinë dhe nderimin e të gjitha moshave dhe të gjinive, kështu që, zemrat e vrara nga gjakmarrja dhe pengu i hakmarrjes u zbutën më lehtë në të gjitha familjet ku hynë „krushqit e pajtimit“!
Kudo që Profesori shkonte në gëzime e pikëllime, u prit dhe u përcjell me nderime të larta e të sinqerta, sepse autoriteti i tij famëmadh, shumë i afërt me secilin, intelektual e dijetar i rrallë, pedagog e gojëtar i mrekullueshëm, punëtor e studjues shkencor, veprimtar i përkushtuar tërë jetën e tij, për çështjen e afrimit, pajtimit dhe bashkimit kombëtar, gjithnjë afrues dhe bashkëpunues me të tjerët, arriti që në takimet e organizuara për Pajtimin e Gjaqeve të tubonte masën prej gjysmë milioni pjesëmarrësish. I madh e i vogël ishin pjesëmarrës të tubimit madhështor te Verrat e Llukës, më 1 lulëzor (maj) 1990, ku morën pjesë 500 000 shqiptarë edhe pse të rrethuar e kërcënuar nga policia e okupatorit serb, e armatosur me autoblinda e tankse dhe mjete tjera ushtarake, ku sipër në hapësiren ajrore qarkullonin helikopterët luftarak, me qëllim frikësimi, tubimi u mbajt me sukses dhe realizoi qëllimin e tij përcaktues të planifikuar, përkundër ndërhyrjes së policisë në keqtrajtimin e qytetarëve pas përfundimit të takimit dhe marrjen e kryeveprimtarëve në biseda të ashtuquajtura informative aso kohe…

Pjesëmarrësit, bashkëveprimtarët po edhe familjarët kanë kujtime të shumta e të llojllojshme dhe mbresëlënëse nga takimet dhe bashkëpunimi me Profesorin e nderuar Anton Çetta, që disa prej tyre si dëshmi do t`i paraqesim në vijim, për të dëshmuar rëndësinë e madhe të veprimtarisë dhe nderimin e dashurinë ndaj tij, dhe mbresëlënjet në kujtesën e tyre:
– Kujtime të shkëputura nga veprimtarja Shukrie A. Rexhaj:
„…prof. Antoni iu përgjegj: Të gjitha rastet janë të rënda, por ne do t`i lehtësojmë. Në këtë moment do të dëgjojmë rininë dhe veten tonë, duke falur gjakun e më të dashurëve. Burrëria mund vetdijen, andej mbahuni burra dhe tregoni burrëri- vazhdoi profesori deri sa vihej rendi në odë, Prof. Mark Krasniqi mori leje për të vazhduar diskutimin… Falja e gjakut nuk është punë e lehtë, por sot është më së lehti. Dhe deri sa mjeku shëron plagët e trupit, ne i kemi hyrë një pune që të shërojmë plagët e shpirtit, tha prof. Marku“…xha Beqirit (babait të Besimit të ndjerë) disi i shëndritën sytë. U ngrit vendosmërisht në këmbë dhe tha: Në emër të të gjithëve, po e shtrij dorën e pajtimit! –Qofsh faqebardhë, se i nderuari nderon, ia priti prof Antoni dhe pastaj vazhdoi: Bëhuni burra dhe ruajeni këtë pajtim gjaku, se më vështirë është të ruhet se të bëhet.“ *Pajtimi i Gjaqeve 1990-1991 fq.237
– PROFESOR ANTONI ISHTE NJË BURRË TRIM – më 21 mars 1990 në orën 23 derisa karavani i krushqëve të pajtimit në krye me profesor Antonin po kthehej nga fshati Rufc i Ri, ku ia kishte kumtuar lajmin Gani Troshupës për faljen e gjakut të vëllait- Qamilit nga Qamil Kajtazi i Tërnit, në krye të fshatit, afër një helikopteri të prishur, kishte zënë pusi policia serbe. Ajo na ndali dhe filloi të na legjitimonte që të gjithëve. Derisa policia kontrollonte letërnjoftimet tona, unë, për të thyer atë heshtje të zymtë, i drejtohem profesor Antonit me këto fjalë:“
– „A po frikësoheni, zotëri profesor“ ?
-„ Përse të friksohem? Ne s`kemi bërë kurrfarë krimi! Kemi pajtuar gjaqe. Këta mund të na rrahin e të na burgosin, e qebesa, edhe të na vrasin, por Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve do të vazhdojë deri në faljen e gjakut të fundit“. I thot këto fjalë profesor Antoni pa i bërë syri vërr se atë natë mund të na ndodhte ndonjë e keqe….“*Pajtimi i Gjaqeve 1990-1991 fq.257-25
– Disa kujtime nga Dr. Don Lush Gjergji:
„…Baca Anton ishte dukshëm i lodhur, por dhe i disponuar. Më tha kështu: „Don Lush, prekma pak shpinën. A kam ende shpinë?“ Unë iu përgjigja: „ Si jo, në shpinën tënde është mbarë Kosova, edhe më tepër, populli shqiptar!“ Ai si në hoka më tha:“ Nuk e di a kam më shpinë, aq jam këputur … A ka ndonjë vend ku mund të mbështetemi pak para se të dalim para popullit në kremtimin e pajtimeve të gjaqeve?“.
Porosia e tij nga takimi im i fundit para se të kalonte në amshim ishte kjo : «Nëse vdes pa e parë dhe përjetuar lirinë dhe pavarësinë, së paku një gisht i imi do të jetë jashtë vorrit, mbi të. Atë ditë që do të agojë liria, eja, e shtjere edhe gishtin tim në varr, që të pushoj në qetësi në tokën time të shtrenjtë, të shenjtë dhe të lirë“.
– Xhemajl Sahiti kujtime:
„…Kujtoj rastin në Kuvendin madhështor te Verrat e Llukës, ku këndshëm jehoi zëri i prijësit të pajtimeve të gjaqeve Anton çetta, i cili duke komunikuar lajmin, tha: Deri me tash u falen 600 gjaqe. Në emër të rinisë e të popullit shqiptar e të Anton Çettës për këtë madhështi, më lejo të të puth njëherë, tha një fëmijë njomak, që sapo kishte shkelur në obligimet e jetës. Në Smolicë të Gjakovës, në emër të rinisë së Kosovës dhe popullit shqiptar dhe të Anton Çettës, e fali gjakun e babait një vajzë njomake, që sapo kishte filluar ta kuptojë barrën e jetës. Në mesin e dhjetëra falësve, ku secili ishte më i prekshëm dhe më i emocionuar se tjetri, afrohet një vajzë dhe masës së tubuar gati milionshe, i shqipton fjalët: „… në emër të Ibrahim Rugovës fali gjakun e të vetmit vëlla…“ *Pajtimi i Gjaqeve 1990-1991 fq.283
– Dr. Mehmet Rukiqi, ditën e kalimit të profesor Aton Çettës në amshim e përkshkruan mes tjerash: sikur „u rrëzua një lisë i madh“, nën hijen e të cilit, në këto vite të përgjakshme, janë flladitut shumë zemra. Janë mbajtur shumë kuvende, për pajtimin, bashkimin dhe lirinë kombëtare, për ta bërë Shqipërinë ashtu siç ëndrronin të gjithë ata burra trima e të rrallë, që jetuan, punuan dhe ranë në altarin e lirisë…“
– Dr. Myrvete Dreshaj në punimin e saj: GOJTARIA E ANTON ÇETTËS, shkruan:
„E kush dinte më mirë se Profesor Anton Çetta që faljen e gjakut ta kërkonte në emër të dëshmorëve, të gjakut të tyre, në emër të popullit, të flamurit, të rinisë, në emër të unitetit kombëtar. E kush tjetër dinte më mirë se Profesor Anton Çetta që të gjykonte dhe të prekte në shpirtin e falësve me moto që e krijuam ato ditë të fillimit të Aksionit të Pajtimit se: Kur na vrasin të tjerët, ne të mos i hapim varre vetvetes, që 32 të vrarët nga terrori shtetëror serb t`i ringjallim duke i falur 32 gjaqe, duke i lënë të pahapura varre të reja dhe se Plagët që na i shkaktojnë të tjerët të mos na duken më të lehta se plagët që i shkaktojmë vetvetes …“
– Nga kujtimet e veprimtarit Avdi Kelmendi:
Fjalën e merr Profesor Antoni: „ Burra, ju nxënës dhe studentë, tash kur po vinim këtu, jo larg gjeta një laps kimik. Të kisha kaluar para 30 a 20 vjetësh do të gjeja gëzhoja fishekësh, por ja që sot e gjeta këtë laps kimik. Pra, burra, sot ky laps vret, e jo plumbi. Propozoj që ky laps të vëhet në muzeun e shkollës suaj e të ruhet për kujtim, se u gjet në fushën e pajtimit » Sot ai laps kimik ruhet në muzeun e shkollës në Godanc.
Ndërsa për Mulla Idriz Kakruki-Kosova ka këto kujtime :
Mulla Idrizi : « Njëherë zoti foli arabisht e dy mijë vjet foli shqip. Jemi në tokën tonë. Luftojmë për atdheun tonë të lirë edhe zoti është i yni, me popullin dhe me gjithë rininë. Përpara do të marrshojmë drejtë lirisë dhe pavarësisë kombëtare » ! *Pajtimi i Gjaqeve 1990-1991 fq.296.

PAJTIMET E GJAQEVE ANTON çETTA 1990

Sipas të gjitha rrethanave dhe kushteve ekzistuese, kur lindi ideja për Pajtimin e Gjaqeve, nisma, zhvillimi dhe rrjedha e ngjarjeve, nëse analizohet në mënyrë të gjithanëshme dhe realisht, del se kanë qenë rrethana dhe kushte të jashtëzakonshme, kur është paraqitur rreziku për dëmtimin apo edhe zhdukjen kolektive nga pushtuesi, kështu që afrimi dhe pajtimi në këto rrethana ekzi- stuese në kohë dhe hapësirë, ka qenë më i shpejtë dhe me rrethana lehtësues për pajtimtarët, për Pajtimin e Gjaqeve në terren, familjet dhe familjarët në hasmëri, përkundër shumë vështërsive tjera të shumta të shkaktuara nga pushtuesi serb.
TË DHËNA DOKUMENTARE NGA LËVIZJA GJITHËPOPULLORE E PAJTIMIT TË GJAQEVE 1990-1991
Lënda dokumentare e pajtimit të gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave

*Burimi i të dhënave: 1 Pajtimi i Gjaqeve 1990-1991 Prof.Anton çetta – Dr. Zymer Neziri Fq. 11- 226
Siç po shihet në kushte dhe rrethana ekstremisht të këqija, janë shënuar
rezultate jashtëzakonisht të mëdha, njerëzit janë bashkuar dhe kanë krijuar forcën dhe qëndresën kundër armikut, jo vetëm në pajtimin e gjaqeve por në të gjitha drejtimet jetësore. Për fatin tonë të keq, tash kur Kosova është e lirë dhe e pavarur, mungon ky mirëkuptim bashkues dhe po lindin zënka e ngatërresa, plagosje e vrasje të rënda e me pasoja të rënda. Kjo gjendje është mallëkuese dhe ndodhë për shkak të mungesës së veprimit institucional të Ligjit dhe Drejtësisë, në kohën, vendin dhe momentin e duhur.
Po çfarë po ndodhë tani në Kosovë?
Në Kosovë pas përfundimit të Pajtimit të Gjaqeve gjatë viteve 1990-1991, Këshillat e Pajtimit pothuajse janë shuar, edhe pse aty këtu, kanë vazhduar të ndërhyjnë në raste të ndryshme dhe aty këtu edhe tani në mënyrë vullnetare veprimtarë nga e kaluara bëjnë përpjekje por me shumë vështërsi për shumë shkaqe dhe arsye të ndryshme.
Gjendja e rëndë tragjike dhe trishtuese në Kosovë e më gjërë, filloi të merr përmasa shqetësuese pas qershorit të vitit 1999.
Kjo gjendje vazhdon edhe deri në ditët e sotme të vitit 2014, kur më 9 veror (gusht) 2014, kur paraqitet ky punim në Sesionin e XII Shkencor të së Djathtës Shqiptare në Mbrojtjen e Shqipërisë Etnike, organizuar në Hotelin EUROPA në Gjakovë, nga Shoqata e Intelektualëve Mbarëkombëtarë“ Trojet e Arbërit“, kjo gjendje vazhdon ende për fatin e keq të kombit, pa prekur ndër- gjegjen e Institucioneve Qeveritare dhe atyre të Drejtësisë të Kosovës, të cilat jo vetëm që s`kanë marrë masa të duhura e të nevojshme, për pengimin dhe para- ndalimin e kësaj lëngjyre të stërkequr, që ka marrë përmasa pothuajse epide- mike në tërë Kosovën dhe jashtë saj edhe në kurbet. Flitet dhe shkruhet në mjetet e informimit dhe konstatohet edhe nga institucionet e Kosovës, për vite me rradhë për keqpërdorime, vjedhje, plaçkitje, për lulëzimin e krimit të orga- nizuar ekonomik dhe politik, theksohen me emra e mbiemra njerëzit e push- tetit, por askush prej tyre deri më tani jo vetem që s`është hetuar, por as për- gjegjur para organeve të drejtësisë. Sidomos janë trishtuese vrasjet politike të pas luftës, për të cilat shkruhet e flitet haptas, deri edhe në Parlamentin e Kosovës, por drejtësia heshtë..!
Sa për dëshmi në vijim disa të dhëna:
Kronika të zeza, me lajme në faqet e shtypit të përditshëm si dhe faqet pamore elektronike dhe RTV, me përmbajtjen sqaruese lidhur me ngjarjet e ndodhura në terren anë e këndë vendit, ngatërresa të ndryshme në mes njerëzve-familjeve, për shkaqe dhe motive nga më të ndryshmet si dhe pasojat e ndryshme nga:
– Zënka e ngatërresa nga më të ndryshme mes njerëzve.
– Pasojat: lëndime, plagë e varrë të shkaktuara nga mjetet e ndryshme të forta, armë të ftohta dhe armë zjarri etj, të përdorura gjatë ngjarjeve apo përleshjeve.
– Vrasje të ndryshme për motive të ndryshme, gjatë përpjekjeve për t`i zgjedhur mosmarrëveshjet e ndryshme, përmes forcës.
– Vrasje me maska e pa maska, në pritë ditën e natën, për motive, vjedhje, grabitje apo plaçkitje me dhunë…
– Vrasje politike.
– Vrasje për gjakmarrje etj., që kalon numrin e vrasjeve mbi 1700.

Pushtshtetarët e Kosovës-qeveritarët, në veçanti kryeministri jep premtime pa masë, se punojnë e veprojnë si qeveri, për mirëqënien e popullit dhe në veçanti vazhdimisht me mburrje përsërit se Kosova është Shtet i Pavarur dhe Demokratik, që është në shpërputhje me realitetin dhe gjithë rrjedhat e deritanishme ekonomike, politike e shoqërore, bazuar në shumë dëshmi dhe në ato që kemi cekur sipër në këtë punim.
Në vijim disa dëshmi:
Nëse Kosova qenka Shtet i lirë dhe i pavarur…?!
– Ku janë institucionet përgjegjëse qeveritare për garantimin e sigurisë së lirisë për jetë, punë, shëndetësi e mirëqënie të qytetarëve?!
– Vetëm në Kosovë janë mbi 1700 vrasje, shumë plagë e ngatërresa!
– Vetëm kryeqyteti Prishtina ka mbi 400 vrasje, Peja mbi 300 dhe të tjerat anë e këndë Kosovës e më gjërë po edhe në kurbet!
– Papunësia zyrtarisht është mbi 45%, e në realitet kalon 60%.
– Mbi 30% e qytetarëve jetojnë në varfëri të skajshme me kushte të rënda banimi e jetese.
– Probleme të pa zgjedhura nga organet e drejtësisë për prona si dhe keqpërdorimi i pronës shoqërore nga vetë punonjësit në institucionet qeveritare përkatëse në pozitë etij.
– Mos hulumtimi i pasurisë së paligjshme nga institucionet përgjegjese !
– Skamja dhe varfëria e qytetarëve ka marrë përmasa shqetësuese, ndërsa pasurimi marramendës i zyrtarëve dhe qeveritarëve në anën tjetër vazhdimisht është në rritje!

Andaj vetvetiu lindin edhe pyetjet në vijim:
– Ku mbeten premtimet e qeveritarëve per mirëqenien dhe sigurin e qytetarëve?
– Ku mbeti besa e dhënë në Kuvendin e Arbrit të Lezhës dhe në Kuvende tjera dhe atë te Verrat e Llukës?
– A mos po i plotësojmë dëshirën armiqëve serbosllavë e grek, të cilët ende mbajnë nën pushtime popullsinë shqiptare dhe trojet e tyre, me veprimet e deritashme!?

Sa për dëshmi plotësues në vijim shkurtimisht po e paraqesim një të dhënë me rëndësi nga Dr. Don Lush Gjergji, e cila arsyeton pyetjen e tretë sipër:
„Ishte 9 maj1990, festa e „Shën Kollit“ në Sellagrazhdë të Velezhës, komuna e Prizrenit.
Kishim vendosur që për këtë festë të kremtonim edhe pajtimin e gjaqeve në ato hapësira, së bashku shqiptarët katolikë dhe myslimanë. Kjo e kishte „tërbuar“ Serbinë, sidomos pas ngjarjes historike të Verrat e Llukës/ 1 maj 1990/, ku NDODHI POPULLI.
Më 3 maj 1990 Ministria e punëve të brendshme e Serbisë me dekret e kishte ndaluar pajtimin e gjaqeve në Kosovë dhe më gjerë me këto arsye:
-Se populli shqiptar nuk ka traditën e faljes së gjaqeve,(gjë kjo që nënkupton dëshirën e tyre: le ta vazhdojnë traditen e vrasjeve!/vr.ime/.
-Këtë lëvizje e udhëheq Anton Çetta, me „njëfarë“ prifti katolik shqiptar, Don Lush Gjergji, edhe pse shumica e shqiptarëve janë myslimanë;
– E tërë kjo lëvizje është kryekëput kundër popullit serb në Kosovë dhe kundër Serbisë.

Prof. Anton Çettën e kishin ndalur dhe burgosur, mua më kishin kërcënuar deri me vdekje dhe me pushkatim, popullin e kishin keqtrajtuar në format më të vrazhda, por kot, sepse tashmë Shqiptarët e shijonin pajtimin, vëllazërinë gjithshqiptare, bashkimin.“ (Anton Çetta figurë poliedrike e kulturës shqiptare Dr. Don Lush Gjergji fq.233-234. )
Kosova hallemadhe, ka aqë shumë nevojë, për njerëz dhe veprimtarë të ndershëm, për shumë çështje e në veçanti edhe për Pajtimin e sërishëm të Gjaqeve dhe parandalimin e kësaj murtaje që ka marrë hov dhe po zhvillohet pa kurrfarë pengese as nga ana e përfaqësuesëve institucional përgjegjës për këtë çështje!
Kosova sot po thërret me të madhe : Ooo Zot, ringjalle edhe një herë të nderuarin, gojëtarin e mrekullueshëm e mendjendriturin Profesor ANTONIN, të ju prij sërish krushqëve për Pajtimin e Gjaqeve si në vitet 1990-ta, bashkë me rininë studentore dhe bashkëveprimtarët e tij, për të parandaluar këtë sëmurje të rëndë e shkatërruese që ka marrë përmasa shqetësuese dhe trishtuese…!

Më, 7 qershor 2014 në Soloturn të Zvicrës, me rastin e nderimit të 136 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shoqata BISHZ (Bashkimi i Inte- lektualëve Shqiptarë në Zvicër) në bashkëpunim me Shoqaten “Trojet e Arbrit“ bëri organizimin e Akademisë Shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Profe- sorit ANTON ÇETTA, u lexuan katër kumtesa dhe u zhvillua një bashkëbisedim i gjithanshëm, lidhur me figurën markante jetën dhe veprimtarinë e profesorit në shumë drejtime, ku pati edhe kujtime, rrëfime dhe përjetime të pjesëmarrësve, që kanë pasur takime me profesor Antonin. Poashtu kishte edhe pjesë- marrës që thanë se Kosovës po i mungon shumë Prosesor Antoni, dhe veprim- taria e tij, sidomos në Pajtimin e Gjaqeve.
Më 9 veror(gusht) në Hotelin Europa në Gjakovë u organizua Sesioni i XII- të Shkencor i të Djathtës Shqiptare në Mbrojtjen e Shqipërisë Etnike, ku u paraqit ky punim kushtuar Profesor ANTONIT, si vazhdimsi e kërkesave dhe bashkëbisedimeve nga Akademia Shkencore e 7qershorit 2014 në Soloturn të Zvicrës.
Ku, në bazë të një analize të gjithanëshme nga të gjitha këto eprimtari dhe organizime kutshuar jetës dhe veprës së Profesor Antonit, jemi të mendimit se është e arsyeshme dhe shumë e nevojshme që:
– Instituti Albanologjik në bashkëpunim me Akademinë e Arteve dhe Shkencave, të rithemelojë Këshillin Qëndror për Pajtimin e Gjaqeve, të emërtuar me emrin e Anton çettës.
– Që Këshilli Qëndror të themelojë dhe bashkërendojë punët me Këshillat e bashkive dhe rretheve.
– Për zhvillimin e kësaj veprimtarie tani në rrethana tjera nga e kaluara, por shumë më e rëndë dhe e vështirë për shumë shkaqe dhe arsye, nevojitet përkrahja materiale nga instiucioni më i lartë i Kosovë- KUVENDI I KOSOVËS.
– Që Kuvendi i Kosovës të bie vendim dhe ndajë mjete materiale prej 8-10 milionë Euro, në llogarinë rrjedhëse të Këshillit Qëndror për Pajtimin e Gjaqeve.
– Që Kuvendi i Kosovës të themelojë një komision mbikqyrës të pavarur dhe me përgjegjësi, për kontrollimin e mjeteve të përdorura nga Këshilli. (A.F 2014-08-09 GJAKOVË)

_______________________

Literatura:
1. Instituti Albanologjik- Dega e Folklorit: Anton çetta Figurë poliedrike e kulturës Shqiptare. Prishtinë 2011.
2. ANTON ÇETTA DHE VEPRA E TIJ- Kuvendi Françeskan- Gjakovë.
3. Pajtimi i Gjaqeve 1990-1991 ………………………………………………………….. Prishtinë 2001.
4. EPOPEJA E MINATORËVE…………………………………………………………….. Prishtinë 1996.
5. ANTON ÇETTA ….PROZË POPULLORE NGA DRENICA Nr. 1 & 2 … Prishtinë 1990.

Gjendja e mjerueshme e lapidarit të të pavdekshmit Anton Ҫetaa!!!

……………………………………………………………………….

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura