ABDIRAHIM IDRIZI: ‘LIRIA E ZBEHUR’ – RRËSHQITJA JONË NË RRETHIN VICIOZ

Prishtinë, 08. 04. 2105 – (“Liria është e vetmja gjë që nuk mund ta keni, nëse nuk jeni të gatshëm ta ndani me të tjerët” – Ralph Epperson) – Si çdo individ, edhe familja, organizata por edhe pushteti kanë një formulë. Ajo është e padukshme por ekziston dhe pjesë e saj jemi ne njerëzit. Ajo formulë lejon shoqërinë të përqafoj të ardhmen, duke krijuar njëkohësisht harmoni mes anëtarëve të saj. Nëse formula e një shoqërie është e shëndetshme, pjesëtari i asaj shoqërie nuk trembet nga dyshimet dhe keqpërdorimet. Ai e mirëpret çdo risi edhe mund të përballet me çfarëdo sfide. Një shoqëri e tillë ecë me idetë reale drejt aspiratave të saj dhe ka besim tek e ardhmja. Ky trup i fortë e i drejtë, bën që çdokush të ndihet pjesë e një organizmi shoqëror, të ndihet përgjegjës për të mirën kolektive dhe të sakrifikojë edhe interesin personal për të.
Për fat të keq, ne e kemi humbur besimin për të ardhmen. Njerëzit janë shndërruar në mosbesues, mospranues ndaj ideve të reja. Ata nuk marrin përsipër rreziqet. Ne kemi humbur besimin edhe te komuniteti, në të njëjtën kohë edhe ndjesinë se jemi të gjithë të lidhur me njëri-tjetrin. Çdo njeri mendon për vete. Ata që janë përgjegjës nuk mbajnë përgjegjësi për shoqërinë. “Kujdestarët” tanë nuk kanë arritur të veprojnë në interes të shoqërisë. Ata nuk janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi për segmente kyçe të shoqërisë si: shërbimet bankare, shërbimet mjekësore, “shërbimet” politike, akademike, tregtare… Ne po shohim çdo ditë individë që po dështojnë njëri pas tjetrit në mbrojtjen e shoqërisë.

Në shoqërinë tonë, pothuajse asnjë nuk është i kënaqur me atë që ka. Të gjithë mendojnë se nuk kanë sa duhet. Kjo dukuri na detyron të merremi vetëm me vetveten, duke e braktisur kështu rolin e arsyes të shoqërisë. Ne si shoqëri jemi ende në pritje të një personi apo të një dukurie magjike që do të sjell ndryshimin. Në këtë kohë nuk është individi ai që po vuan, por po vuan tërë shoqëria. Të gjithë synojmë siguri, asnjë nuk pranon përgjegjësi. Kryefjala e ditës është varfëria dhe siguria.
Thirrja e brendshme është fuqia lëvizëse që i jep jetë një shoqërie dhe që e lejon atë të lëviz me kurajë drejtë së ardhmes. Dikur ideja e jonë për liri ishte aq e fortë, ndërsa tash pas pesëmbëdhjetë vitesh lirie të hidhur, ajo është zbehur si pasojë e ngecjes ekonomike e cila ka prodhuar varfëri gati në kufij ekstrem. Nevoja (evolucioni) kërkon që të japim më të mirën nga vetvetja, jo, sepse ndonjë ngjarje e jashtme na detyron të bëjmë këtë, por sepse ne zgjedhim vullnetarë që të veprojnë kështu. Vullneti i lirë duhet të burojë fillimisht nga individi.
Fuqia madhore ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë pjesë thelbësore e shoqërive të suksesshme. Liria tani kërkon që kjo fuqi të shfaqet brenda sistemit, por nëpërmjet individit. Organizimi tradicional po e humb ndikimin për shkak të korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive tjera negative që janë bërë simbiozë me çdo segment të qeverisjes. Ne do të vazhdojmë të jemi një shoqëri ku mungon besimi dhe qëllimi, për sa kohë që nuk fuqizohen ekipe të “shëndetshme” të cilat do t’i zëvendësonin individët/liderët.
Para lufte nevojitej revolucion për të arritur lirinë dhe pavarësinë. Tash lufta është zhvendosur në një rrafsh tjetër. Kjo luftë ndodhet brenda nesh, duke vendosur sistemin e besimit kundër njëri-tjetrit. Ne nuk duhet ta luftojmë këtë “armik të brendshëm”, por me punën tonë, duhet ta bëjmë aleat, pa qenë e nevojshme të sakrifikojmë lirinë tonë.
Nëse shikojmë me vëmendje debatet, diskutimet publike në shoqërinë tonë, do të kuptojmë se idetë e reja nuk merren aspak në konsideratë. Gjithçka po sillet në një rreth vicioz, duke i mbyllur kështu dyert e ndryshimeve të domosdoshme, ndryshime këto që do ta shpëtonin shoqërinë tonë nga përplasja në humnerë. Për fat të keq ky rreth vicioz po rrezikon t’i përpijë edhe ato përpjekje të vogla për ndryshim. E në pritje të ndryshimeve pozitive vuajtjet po shtohen, kriza po thellohet, shpresat po veniten bashkë me atë dritën simbolike në fund të tunelit. Definitivisht, është koha e fundit që të bëhen ndryshime për së mbari, përndryshe do të përfundojmë në greminë si shoqëri, duke e humbur kështu shansin historik të konsolidimit si shtet me plotëkuptim të fjalës.

– Autori është publicist dhe Ambasador i Paqes Globale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura