ABDIRAHIM IDRIZI: RREZIKU NGA POLITIKANËT MAKIAVELISTË!

Prishtinë, 18. 03. 2015 – Makiavelizmi në përdorimin e përditshëm nënkupton dyfytyrësinë dhe dinakërinë në sjelljet e një njeriu që synon të manipulojë të tjerët për të arritur synimet e veta politike apo ekonomike. Në këtë sens, makiavelizmi përbën një sjellje të dënueshme, dhe makiavelistët konsiderohen persona të pabesë e hipokritë. Edhe pse shumica e njerëzve që e përdorin fjalën “makiavelizëm” mendojnë se Makiaveli ka qenë një njeri i lig, në botën e filozofisë e të politologjisë, shumë studiues mendojnë se ai ka qenë një mendimtar i vlefshëm e humanist, që ka rrëfyer pjesët më të këqija të despotizmit.
Në rastin tonë, kur një analist a një politolog u thotë shqiptarëve, na mori djalli (gjë që ndodh te ne çdo ditë, çdo muaj nga viti 1981), ky është një ligjërim i pasionuar që gradualisht e djeg pezmin dhe dashurinë, e zbeh shpresën se nesër do të bëhet më mirë. Publicistët, politologët, analistët, përpiqen të na bindin se vlerat nuk i përgjigjen të vërtetës, dhe se nuk mund të jemi të barabartë sepse ata (politikanët) janë të përzgjedhurit e popullit. Si të përzgjedhur të popullit, ata pretendojnë se janë duke u kujdesur për ne, se neve na trajtojnë si të barabartë… Por realiteti tregon diçka krejt tjetër.
Ne (populli) dikur i respektonim, i dëgjonim me ankth këta “udhëheqës”. Mirëpo, me veprimet e tyre, ata çdo ditë e më tepër po shkëputën nga populli duke e krijuar një hendek të pa kapërcyeshëm, hendek në të cilin rrezikojnë të bien vetë kur të vijë koha e zgjedhjeve e kur do të kenë nevojë për votën e popullit
Këta “udhëheqës” nuk e dinë, ose nuk duan të dinë thënien e filozofit gjerman Hegel se vetëdija fatkeqe ngatërrohet në kundërthëniet e veta.

Sa i përket pakënaqësisë të popullatës, sensi i vetëdijes do të ngrihet vetëm për t’i demaskuar gabimet dhe keqpërdorimet e tyre. Kur shumica e njerëzve pajtohen me gjendjen e krijuar, atëherë normalisht edhe dorëzohen. Biznesmenët falimentojnë, bujqit zvogëlojnë kapacitetet prodhuese në mungesë të subvencionimit adekuat, të varfrit shndërrohen në lypës dhe sahanlëpirës në mungesë të ushqimit, veshmbathjes që për pasojë kanë sëmundjen, frikën nga vdekja… Në të tilla situata i tërë sistemi shndërrohet në një kaos duke e zbritur në pikën minimale besimin në institucione.
Politikanët tanë makiavelistë duke shfrytëzuar mediumet të cilat në të shumtën e rasteve i kontrollojnë në mënyrë direkte apo indirekte, fajësojnë popullin për gjendjen e krijuar, duke kërkuar dhe urdhëruar që të zbatohet “ligji”, pavarësisht se shkelës më të mëdhenj të ligjit janë pikërisht ata vetë.
Ata përdorin maksimën: nëse ju jeni kundër nesh, jeni kundër vetvetes, gjithmonë duke pretenduar se përfaqësojnë interesat e popullit. Sipas tyre, patriotizmi dhe humanizmi, duhet t’i minimizojnë të gjitha pengesat e brendshme. Në emër të këtij patriotizmi ata kërkojnë nga populli që t’i mbështes në eliminimin e “radikalëve” të cilët i shohin si konkurrentë dhe nuk zgjidhin forma për t’i eliminuar.
Lufta kundër këtyre “radikalëve” oponentë, i ka bashkuar forcat kryesore politike në vend të cilët përpiqen që përpara popullit t’i demonizojnë subjektet opozitare duke i paraqitur ata si shkelës të ligjit e të rendit kushtetues.
Për shtetin e Kosovës është shumë i rrezikshëm monopoli politik por edhe ai ekonomik i krijuar nga subjektet më të mëdha politike që po sillen në një rreth vicioz. Ky monopol i ka sjellë dëm shtetit. Pothuajse gjithçka ka nisur keq duke e zbehur madje edhe euforinë e masave që e solli liria dhe pavarësia e vendit.
Tani jemi në një pozitë kur për shkak të sjelljeve të tilla të politikanëve tanë, Kosova po e humb respektin dhe simpatinë edhe të miqtë ndërkombëtarë. Makiavelizmi i politikanëve shqiptarë të Kosovës ka pak ndikim te ajo botë e vetëdijesuar e cila demaskon keqpërdorimet, gënjeshtrat… Evropa diskuton për fatin tonë, në të shumtën e rasteve pa ne. Pa ne sepse “udhëheqësit” tanë politikë nuk mund t’ia hedhin diplomacisë euro-perëndimore ashtu siç po ia hedhin popullit.
Indiferenca gjithnjë e më e theksuar e faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës duhet të përbëj shqetësim në radhë të parë për politikanët tanë makiavelistë në pushtet por edhe për politikanët opozitarë të cilët duhet të jenë shumë më aktiv në këto momente të vështira për të ardhmen e shtetit tonë. E për mendimin tim, as populli nuk duhet të qëndrojë indiferent në këtë situatë.

– Autori është publicist dhe Ambasador i Paqes Globale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura