BEHXHET SH.SHALA: EULESH PO ULET (SITS) NË TOKË NGA MAJAT E GËNJESHTRAVE DHE MASHTRIMEVE !

Prishtinë, 11. 01. 2014 – Pendimi i vonuar i virgjëreshës së vetzhvirgjëruar – Pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare, disa miqve që i kam në AAK (edhe aty kam miq) u pata sugjeruar të bëjnë koalicion ma e partinë fituese të këtyre zgjedhjeve, PDK-në! Mendoja se ky koalicion do të ishte një infuzion që do ta shpëtonte këtë subjekt politik nga falimentimi në kohën kur lideri i saj, z. Haradinaj ishte në “pushim“ të detyrueshëm në Hagë! Të gjithë në AAK deklaronin se pa Ramushin nuk ka parti e lëre më ardhmëri! Me Ramushin në Hagë dhe pa qenë pjesë e pushtetit, grazhdi i AAK-së ishte zbrazur aq shumë sa që edhe për minjt e Etiopisë do të ishte i urryer e lëre më për ujqit e partisë që ishin shëndoshur tej mase dhe të cilët kishin filluar të humbin peshë! Politike dhe trupore! Apo, për disa llaskucër që i vardiseshin AAK-së e që interesi i vetëm i tyre ishte mbushja e xhirollogarisë në bankat e vendit dhe ato të huaja apo mbushja e cullës në Tiffany, duke mos futur duart në xhepa fare! Këto argumente i kisha parasysh kur bisedoja me këta të AAK-së! Pastaj, të provohej edhe me një koalicion të paprovuar! Të koalicionit të luftës! Gjithashtu, po të hynin atëherë në koalicion do të forcoheshin materialisht dhe gjeografia e rezultateve zgjedhore pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013 do të dukej ndryshe! Edhe për AAK-në, edhe për PDK-në!

Dy maskarejtë e Kosovës, të cilët duke pranuar marrëveshjen e 19 prillit 2013, kanë rikthyer Serbinë në Kosovë, dhe kështu kanë dëmtuar të ardhmen këtij vendi! (sh.b)

Për mua ishte pa kuptim refuzimi i Ramushit që të bëhej ky koalicion apo kushtëzimi i tij (nëse i besohet ish mbretit të Kosovës, z. Kristofer Dell) me lirimin e tij nga Haga si kusht për koalicion! Sepse, nëse ky pohim i mbretit Dell del i vërtetë ( nuk kam arsye të dyshoj duke njohur ish mbretin e Kosovës si shumë të sinqertë, me karakter dhe vlera të larta morale) atëherë humbën edhe Ramushi, dhe AAK-ë! Ramushi mbeti në Hagë ndërsa grazhdi i AAK-së u bë si kutia e kartonit e këtij djaloshit me tarabuk në sheshin Nëna Tereze! “Skifterët“ e AAK-së, refuzimin e koalicionit me PDK-në e arsyetonin me faktin se PDK ishte parti e korrupsionit dhe krimit të organizuar! Merreni me mend! Ky ishte arsyetimi ! Kisha qenë tepër i fortë kur të gjitha këto i përballova. Në ndërkohë AAK nuk bënte asgjë për forcimin e partisë me përjashtim të organizimit të koncerteve dhe mitingjeve për lirimin e Ramushit! Tërë koha u iku duke “vajtuar“ Ramushin në Hagë dhe kur u lirua ai, duke festuar lirimin e tij! Si dervishët kishin rënë në delirij duke e promovuar liderin e tyre, si kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Jo që vdisnin nga dëshira për Ramushin – kryeministër por se kishin ndarë postet ministrore dhe të tjera për veten e tyre! Topet e Ramushit u duheshin si trampolinë për karrierë! Bacën Adem e patën shpallur “ndër lule“ sepse pati propozuar që Ramushi të jetë zëvendës i Hashimit! Mua nuk më patën folur një kohë pasi pata propozuar që Ramushi të rri anash (me familje dhe si vëzhgues i proceseve së paku gjashtë muaj ) dhe vetëm pastaj të angazhohet në politikë! Propozimi im ishte shumë dashamirës! Por jo edhe për talibanët e AAK-së! Të gjithë u bëmë dëshmitarë si u zhvilluan gjërat pastaj. Ramushi nuk u bë kryeministër! Talibanët e AAK-së mbetën pa pushtet. Unë dhe Baca patëm të drejtë ndërsa grazhdi i AAK-së vazhdoj të shterrej si Liqeni i Badofcit! Ndërkaq, AAK u bë më pozitë se vet pozita duke votuar kalimin e të gjitha ligjeve, një pjesë e të cilëve e dëmtonin Kosovën pariparueshëm! “Përfaqësuesi“ i AAK-së, me një çantë karakteristike filloi të “flirtonte“ me Baroneshën, si hije e kryeministrit tonë të lavdishëm. I pagojë, i pa zë por me çantën plotë lekë, dinarë dhe aso të Brukselit i shkonte Hashimit pas! AAK-ë krenohej për kontributin e saj në procesin e normalizimit të marëdhënieve me Serbinë! Pak para përfundimit të vitit 2013 u kujtuan se procesi i bisedimeve paska degraduar dhe se me te po abuzohet prandaj u ”kërcënuan” se më nuk do të jenë pjesë e bisedimeve. Nga më i madhi e që është vet Ramushi e deri te më i vogli e që është Ahmet Isufi! Kështu deklaroi edhe bartësi i çantës së madhe duke harruar se viti fiskal zgjatë deri në muajin mars të vitit 2014 e jo deri në dhejtor të vitit 2013! Lexues të nderuar, këto janë vetëm deklarata për opinion sepse koalicioni i ardhshëm lehtësisht mund të jetë PDK-AAK-pakicat etnike dhe shumica politike (serbët e Daçiqit dhe ish serbët e Thaçit)! Teoria e Bacës Adem thotë se ai që ngulet në kunj vështirë të dal nga ai! PDK dhe AAK realisht janë ngulur thellë! Çdo përpjekje të dalin nga ai (kunji) vetëm sa e rritë thellësinë e nguljes. Mbase, edhe dhimbjen! Pastaj, për zbatimin e amanetit të Daçiqit (sepse ai po fshihet nga skena politike) dhe të Baroneshës (edhe ajo po fshihet nga skena politike) duhen muskuj të fortë politikë të cilët nuk i ka as një subjekt politik në Kosovë. Madje, as Partia e Fortë! Këta muskuj i kanë Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj! Për momentin! Mbajeni mend. Vetëm për momentin!
“Feja” e Dom Lushit dhe marifeti i Don Naim Prushit
Dua të sqaroj se titujt Dom dhe Don prejardhjen e kanë nga Italia. I pari është titull fetar ndërsa i dyti është titull se jeni i nderuar dhe respektuar nga një shtresë e shoqërisë. Asaj mafioze. Të parin e ndanë Vatikani ndërsa të dytin Sicilia. Sa për informatë. Kur Him Gova hodhi dy lopata me betone në themelet e katedrales duke rrënuar më parë një shkollë shumë prestigjioze, këtë veprim e pata quajtur sikur dikush të ndërtojë shtëpi mbi varre! Katedralen e pata cilësuar si politike dhe pastaj m’u turrën nga Vatikani dhe Kosovastani shpërdoruesit e fesë e që nuk besonin në Zot ndërsa fenë e kishin bërë biznes! Më quajtën muxhahedin i cili shkrimin kundër katedrales e bëri: ”pasi e fali gjumanë në Xhaminë e Madhe, së bashku me SH.K.” Pastaj, kur nuk u pëlqente qëndrimi im as muxhave , ata më quajtën këlysh të Vatikanit. Po edhe këta ishin mashtrues dhe stërshitës të një besimi të kontrabanduar nga Kandahari. As këta nuk besojnë në Zot! Keni parë se disa grupacione “fetare“ të udhëhequr nga domët dhe donët, në raste të caktuara, për t’u pëlqyer ndërkombëtarëve dhe surrogatëve vendorë, bëjnë sfilata para medieve elektronike (sepse duken në ekrane), në emër të tolerancës fetare. Zakonisht janë bashkë Dom Lushi dhe Don Naim Prushi me Otac Savën (nëse u vjen ky). Falcitet i përkryer! Sikur partnerët e koalicionit politik pas zgjedhjeve! Dom Lushi doli me lajmin se :” shumë shqiptarë po i kthehen besimit të vjetër. Atij të krishterë prandaj po hapim kisha të reja për të lehtësuar këtë rikthim në besimin e vjetër.” Për këtë arsye u ndërtua edhe katedralja mbi themelet e një gjimnazi që nxirrte kuadro të reja intelektuale dhe kombëtare! Katedrale politike! Ftesa për rikthim në besim të vjetër që e bënë aq haptas Dom Lushi e që nuk po kundërshtohet, për shkaqe ekskluzivisht karrieriste nga Don Naim Prushi, është xhihad i llojit të vet! Nuk ka të bëjë asgjë me fenë dhe besimin i cili është dhe duhet të jetë përcaktim personal. Jo tundim dhe mashtrim kolektiv! Kështu nuk patën vepruar Sami Frashëri, Konstadin Kristoforidhi, Papa Kristo Negovani, Mulla Idriz Gjilani, Gjergj Fishta e as Ndre Mjeda! Zoti na ka krijuar si njerëz e që janë rrënjët, si shqiptarë që është trungu dhe si të besimit të krishter, ortodoks apo islam e që janë gjethet apo frytet! Këtë duhet ta kenë parasysh Dom Lushi dhe Don Naim Prushi. Mos të përçajnë në baza fetare por le të merren me bizneset e tyre. I pari le t’i ujisë bredhat e mbjellur në tokën e uzurpuar nga komuna ndërsa i dyti le ta çojë deri në fund spastrimin e të pabindurve (çufarëve) brenda BIK-ut dhe bizneset tjera. Pastaj, mund të mendojnë për pastrimin e shpirtrave të tyre! Nëse nuk është bërë tepër vonë!
Çetnikët e Serbisë dhe Mic Sokoli i Hajvalisë
Në numrin festiv të Kohës Ditore ishte një shkrim i jashtëzakonshëm . Jo ai i Halil Matoshit (Lil Toshit nga admirimi i tepërt që e kam për te ) por i Ismet Hajdarit! Lil Toshi shkruajti diçka të zakonshme për te. Për glorifikimin e Him Govës dhe për pushkatim të Adem Demaçit. Trim është Lili! Kam një simpati të përjetshme për atë! Jo për shkak të fizikusit por për shkak të sinqeritetit, qëndrimit, guximit, mendjes, kokëfortësisë deri në arrogancë e në veçanti për shkak të topeve. Me trup jo fort i madh por topet i ka si gjyle topi! Nga këtu burojnë guximi dhe gatishmëria e tij për sakrificë sublime. Madje edhe trurin e ka diku aty afër! Po, nga ky admirim aq i madh imi për Lil Toshin? Në aspektin psikologjik shpjegohet leht me kompleksin e inferioritetit. Të gjitha këto që e stolisin Lil Toshin, më mungojnë mua! Pastaj, kur isha i izoluar në Burgun e Gospiqit pata lexuar shumë për shpresat e politikës kosovare siç ishin Lil Toshi, Blerim Rokeri, Veton Ragbisti dhe Ylber Trubullaku. Baba e kishin simbolin e patriotizmës shqiptare, Shkelzen Maliqin i cili ishte në gjendje me rob e me ship me u bë shkrumb e hi për lirinë e shqiptarëve! Këto ishin shpresat ndërkaq neve të burgosurve shpresa na mbante në jetë. Unë nuk pata bërë gjë prej gjëje por më dënuan 15 vjet burg të rëndë, për një fjalë goje! Ndërsa shpresat tona në Kosovë flisnin dhe shkruan pa pasur frikë. Duket se gjuha jonë dallonte prandaj edhe ishim në birucë! Kur dola nga burgu, e shtriva qafën dhe nuk bëja përsëri asgjë. Nëna, ndjesë i pastë shpirti i saj më dërgoi në treg të blejë speca dhe patate. Hyra në treg ku buçiste zëri për Lilin, Hyskën, Tonin, Lerimin dhe Xenin që kishin shkuar në Vashington nga manjetofonët Grundig, me përforcues të zërit. Bleva shiritin me këto këngë për kreshnikët modern të politikës kosovare dhe u ktheva në shtëpi. E futa shiritin në manjetofon Sanyo duke lëshuar zërin në maksimumin e fuqisë. Edhe qyqarëve u lejohet që në çaste të caktuara (virtuale) të bëhen trima! Nëna ime, ndjestë shpirti i pastë se ka qenë shumë e mirë as që i përmendi specat dhe patetet. Ka menduar se kam harruar t’i blejë, si pasojë e burgut të gjatë! Pas një javë na hyri policia në shtëpi! Lil Toshi ka qenë i burgosur politik. Sikur që edhe unë kam qenë! Unë nuk kam qenë as hija e Lil Toshit gjatë vujtjes së burgut. Thonë se Lili ka qenë zemërluan. Unë kam pasur zemër të lepurit! Mbahet mend, mos të them se ka hyrë në antologjinë e qëndresës burrëria e tij gjatë vuajtjes së dënimit të tij të parë. Kanë qenë ca ditë ama ditë të mbrojtjes së dinjitetit dhe krenarisë kombëtare. Që mbahen mend edhe sot! Pastaj, greva e famshme e urisë në gazetën Zëri ku pashmangshëm ishte edhe Lil Toshi. Pasi e rrasja cullën mirë e mirë në shtëpi, shkoja e i vizitoja grevistët. Së pari e vizitoja Bacën Adem duke menduar se ishte kryesori. I thashë:” Baca Adem, ndërperejeni grevën se doni me shkuar posht dhe besa edhe neve po na nxirrni punë se po duhet me ardhë e me ju vizituar “. Jo , Bacës u përgjigj ai, edhe nëse të gjithë e ndërprejmë grevën, Halili i gjallë nuk del nga greva! U largova nga Baca drejt dhomës ku ishte Lil Toshi. Më kujtohet se para derës së zyrës ku ishte mëshelur në “kullë të barotit“ Lil Toshi, e hëngra një bakllava që për kah shija mbetet e papërsëritshme! Lil Toshi ishte shtrirë në një fotele, me këmbët mbi tavolinë. Sikur Stiven Shuku më vonë. Me një mjekërr si Ernest Heminguej, sy depërtues dhe faqekuq dukej i vendosur ta vazhdonte grevën! Kur i pashë shëndetin dhe vendosmërinë as që bëra përpjekje ta bind të ndrërejë grevën! Gjatë luftës ne ikëm , ku kryet aty edhe prapanica. Në Kosovë mbetën Adem Demaçi, UÇK dhe Lil Toshi! Thonë se kur e kanë arrestuar dhe zënë rob lufte Lilin, ai ka vendosur gjoksin para tytave të forcave çetnike serbe dhe u është drejtuar me fjalët: “pucajte çetnici iz Srbije, ja sam Halil Matoshi – Mic Sokoli iz Ajvalie “! (shtini me armë o ju çetnikë të Serbisë se unë jam Halil Matoshi – Mic Sokoli i Hajvalisë“! Çka të shkruaj më tepër ! Pastaj, gjatë vuajtjes së burgut në llogoret e Serbisë thonë se Lil Toshi ka qenë vet zemra e qëndresës. Tërë kohën ka kënduar këngë për Mic Sokolin (sozi e së cilit edhe ka qenë), Azem Bejtën , Idriz Seferin, Shaban Polluzhën, Hasan Prishtinën dhe trima të tjerë. Kur edhe kishte raste që disa të burgosur e blinin lirinë me para ( marka gjermane ) Lil Toshi as që e diskutonte këtë punë…Kjo është vetëm pjesa e parë e rrëfimit për këtë trim, të cilin nuk e bënë më nëna Jugosllavi! Prandaj edhe ka shkruar siç ka shkruar për Bacën Adem. Ndryshe nuk do të kishte kuptim!
Diçka për titullin
Po flitet se EULESH i ka ditët e numëruara në Kosovë. Me këtë emër. Ishte dikur UNMIK që polli një fëmijë të pavaktë të quajtur EULESH dhe i cili duket se po shkon në inkubator! Nga i cili do të del krijesa e mbetur e quajtur SITS ( që ulet në prapanicë ). Të parët ishin në qiell. Në shtatë palë qiej. Jo nga vuajtjet por nga jeta e ëmbël që bënin në Kosovë! Po bëhen debate nëse pjella e re – SITS do të ketë fuqi ekzekutive. Qeveritarët tanë po thonë jo. Opozita dhe shoqëria civile po thonë po. Qeveritarët gjithmonë kanë të drejtë! Sidomos, në luftë kundër krimit të organizuar , korrupsionit dhe krimeve të luftës. EULESH në këto fusha e pati bërë fet! Nga një mision për sundim të ligjit u shndërrua në një mision për zbatimin e projekteve të caktuara politike. I tillë do të mbetet edhe pas riformatizimit. Që është kryer në Bruksel. Ata do të bëhen krah politik i Bashkësisë së Komunave Serbe. Kësaj OJQ-je me kompetenca shtetformuese! Me qëndrim neutral ndaj statusit politik të Kosovës, si mbrojtës i të korruptuarve , në një shtrat me krimin e organizuar ekonomik dhe politik dhe 99 % i njëanshëm në luftimin e krimeve të luftës, EULESH vërtet është kompromituar dhe opinioni është ndjerë i mashtruar për shkak të mospërmbushjeve të premtimeve të mëdha që i dhanë kur vetëm i patën trashëguar brekët e palara të UNMIK-ut. EULESH ka flirtuar me politikanët e vendit duke u shndërruar në një oportunist të pashembullt. Rasti i fundit ishte ai me lejimin e dhënies së betimit të kryetarit të burgosur të Skënderajt, z. Sami Lushtaku. Kjo ishte dyfytyrësi morale, politike dhe ligjore. Zbatim i standardit të dyfishtë! Sepse, nëse i është lejuar z. Lushtaku të jep betimin për kryetar në kohën kur dyshohet për krime serioze atëherë pse të kthehet përsëri në burg! Është dashur të lirohet në mënyrë që të vazhdojë punën si kryetar, pasi ka dhënë betimin! Ose, nuk është dashur të lejohet fare ta jep betimin. Ky është EULESH me dy fytyra dhe me dy standarde! Që në një mjedis demokratik ku ligji është bazë e demokracisë, as që do të mund të imagjinohej. Le të vazhdojë edhe më tutje zoti Borshard, shef i EULESH-it të shkruaj përralla për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe krimeve të luftës! Kosova është vend eksperimental ku çdo gjë lejohet. E pse jo edhe kjo që bëri EULESH? Edhe asaj që do të quhet SITS!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura