ABDULLA MEHMETI: P L A T F O R M Ë – PËR MBROJTJEN E AMBIENTIT JETËSOR DHE ZGJIDHJEN E PROBLEMIT TË NDOTJES ME MATERIE HELMUESE NË RAJONIN E POLLOGUT

Tetovë, 16. 12. 2015: /Orientimet themelore/ Duke marrë parasysh faktin se, qyteti i Tetovës, Gostivari dhe rajoni më i gjerë i Pollogut, me mbi gjysmë milioni banorë, ose ¼ e popullsisë së përgjithshme të Republikës së Maqedonisë, një kohë të gjatë i janë nënshtruar ndotjes së pakontrolluar të mjedisit jetësor, mes tjerash edhe me grimca kancerogjene PM10 dhe PM2.5, me gazra helmues, pluhur industrial dhe rrezatim radioaktiv, të cilat i tejkalojnë vlerat e lejuara sipas standardeve vendore dhe ato të BE-së, të cilat emitohen kryesisht nga kombinati Jugohrom, i cili gjendet në pjesën më jugore të fushëgropës së Pollogut, në kuadër të komunës rurale të Jegunovcës;
Duke pasur parasysh faktin se, kjo popullatë edhe përkundër ankesave, reagimeve dhe protestave publike, nuk ka arritur të sigurojë mbrojtje adekuate nga organet e pushtetit, edhe pse kjo e drejtë i garantohet me ligj, me kushtetutën e këtij vendi dhe konventat ndërkombëtare;
Të shqetësuar se, nga pasojat e këtij helmimi, sidomos për fëmijët, shtatzënat dhe personat me sëmundje kronike, si dhe duke i marrë parasysh pasojat e paparashikueshme për gjeneratat e ardhshme;
Duke marrë në konsideratës se, e drejta për jetë të lirë e të dinjitetshme dhe sigurimi i ambient të pastër jetësor është e drejtë themelore e çdo qytetari;
Duke konsideruar se, mbrojtja dhe sigurimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është obligim qytetar i secilit, sidomos e drejta për mbrojtjen e ambientit të pastër jetësor, si parakusht për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare;
Duke qenë të bindur se, ndotja permanente dhe e pakontrolluar e një rajoni të caktuar konsiderohet si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, cenim i jetës së qytetarëve dhe sigurisë së tyre;
Të bindur se, organet e pushtetit aktual, si deri më sot edhe në të ardhmen, nuk do të angazhohen për përmirësimin e kësaj gjendje dhe zgjidhjen e këtij problemi, i cili gjatë dy viteve të fundit ka marrë përmasa tepër shqetësuese për jetën dhe të ardhmen e banorëve të këtij rajoni;
Duke konstatuar se, alternativë e vetme për zgjidhjen e këtij problemi, banorëve të këtij rajoni u ka ngelur organizimi i protestave, me qëllim të sensibilizimit të opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, përmes të cilave do të kërkohej zgjidhje e përhershme, e shpejtë dhe e plotë e këtij problemi;
Duke konsideruar se, organizimi i protestave është e drejtë themelore e çdo qytetari, kur atyre u shkelen të drejtat edhe liritë themelore dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë u rrezikohet jeta, konstatojmë se:
Revolta e popullatës së Pollogut kundër ndotjes së pakontrolluar dhe helmimit masiv nga kombinati Jugohrom e ka arritur nivelin e patolerueshëm, prandaj kërkon me këmbëngulje zgjidhjen e këtij problemi.
Ekzistojnë shumë arsye pse banorët e Tetovës, Gostivarit dhe vendbanimeve të tjera në rajonin e Pollogut nuk kanë arritur me kohë ta zgjidhin këtë problem, përmes reagimeve, apeleve, protestave dhe formave të tjera të shprehjes së pakënaqësisë dhe revoltës së tyre.
Organet e pushtetit jo vetëm që kanë heshtur gjatë gjithë kohës në lidhje me këtë problem dhe nuk kanë ndërmarrë masa adekuate për zgjidhjen e tij, por këtë gjendje e kanë toleruar dhe heshtur, duke e fshehur atë para opinionit vendës dhe atij ndërkombëtar.

Lëvizja Eco Guerilla, Lëvizja Nëna dhe Fëmija, disa shoqata për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe asociacione të tjera për përkujdesjen e shëndetit të qytetarëve, një kohë të gjatë e kanë ngritur zërin dhe kanë organizuar protesta, por organet e pushtetit kanë heshtur vazhdimisht dhe nuk kanë shprehur as interesimin më të vogël për zgjidhjen e këtij problemi.
PJESA E PARË
Analiza e problemit

1. Nga ekspertët e fushave përkatëse është paralajmëruar se ndotja e ambientit jetësor nga gazrat helmues që emiton kombinati Jugohrom, i ka tejkaluar të gjitha parametrat e lejuar, duke e shndërruar qytetin e Tetovës dhe rajonin e Pollogut të ngjitet në vendin parë të qyteteve më të ndotura të botës. Kjo situatë bëhet më shqetësuese kur merret parasysh se numri i banorëve të këtij rajoni është pakrahasueshëm më i vogël se i qyteteve shumë milionëshe të botës, të cilët kanë edhe industri të zhvilluar, ndërsa qyteti i Tetovës, Gostivari dhe rajoni i Pollogut nuk kanë industri të zhvilluar, por megjithatë radhiten në vendin e parë për nivelin e ndotjes.
2. Ekspertët bëjnë të ditur se, kombinatet e llojit si Jugohromi, prodhues të ferrosiliciumit, në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në disa vende të tjera të botës janë mbyllur përfundimisht, për shkak të problemit me ndotjen në ato vende.
3. Përveç kësaj, Kombinati Jugohrom, një kohë të gjatë punon pa filtra edhe përkundër masave të caktuara si detyrim ndaj tij nga Inspektorati shtetëror përkatës.
4. Të dhënat për pasojat e këtij helmimi në shëndetin e banorëve të këtij rajoni janë tepër shqetësuese. Vetëm gjatë dy viteve të fundit numri i personave të prekur nga kanceri është rritur në shkallën e 100% në krahasim me dy vitet e kaluara, respektivisht, nga 1319 persona të evidentuar me kancer, në vitin 2010, ky numër gjatë vitit 2013 është rritur në 2375 persona. Kurse statistikat nga organet shëndetësore kompetente, për vitet kritike 2014 dhe 2015 nuk janë në dispozicion të qytetarëve dhe opinionit publik, për arsye të heshtjes dhe fshehjes së këtij problemi nga organet e pushtetit.
5. Rastet e evidentuara nga institucionet shëndetësore të vendit për problemet që shkakton ky helmim në shëndetin e shtatzënave dhe rritjen e nivelit të vdekshmërisë së foshnjave janë tepër alarmante.
6. Gjatë dy viteve të fundit, ekspertët e mjekësisë kanë konstatuar se mbi shtatë mijë çifte të reja, në nivel të komunës së Tetovës, vuajnë nga steriliteti, si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja enorme dhe helmimi që shkaktojnë grimcat kancerogjene PM10, PM2.5, gazrat helmues dhe materiet tjera të dëmshme për shëndetin e njeriut, të cilat i emiton kombinati Jugohrom.
7. Nga ekspertët dhe studiuesit e natyrës, po ashtu është konstatuar se me dhjetëra lloje të florës dhe faunës së këtij rajoni, në fushëgropën e Pollogut dhe masivin malor të Sharrit, tani më janë zhdukur, ose janë në zhdukje e sipër, me këtë dukshëm është prishur baraspesha ekologjike , edhe pse bëhet fjalë për një rajon me florë dhe faunë shumë të bujshme, ku janë evidentuar një numër i konsiderueshëm i specieve të rralla, të cilat nuk hasen në rajonet tjera të gadishullit Ilirik dhe në kontinentin e Evropës.
8. Pozita gjeografike e luginës së Pollogut, si fushëgropë e rrethuara nga të katër anët me male të larta, sidomos nga ana veriperëndimore, ku majat e Malit Sharr arrijnë lartësinë mbidetare deri në 2749 metra, nga të cilat rrymat e ajrit kryesisht ndikojnë që qarkullimi i këtyre gazrave të sillet rreth e përqark kësaj fushëgrope, në të cilën shtrihen vendbanime të shumta, ku dendësia e popullsisë është tepër e madhe, mbi 765 banorë/km², gati dhjetëfish më e lartë se mesatarja e dendësisë së popullsisë në nivel të shtetit, e cila është 82.2 banorë/km².
9. Një numër i studiuesve të kësaj problematike konsiderojnë se, prania e aerosolëve në këto hapësira ka sjellë ndryshime të madh edhe në klimën e këtij rajoni, duke sjellë të reshura të rrëmbyeshme, të cilat gjatë viteve të fundit kanë shkaktuar vërshime dhe katastrofa, me dëme të mëdha materiale edhe pasoja në njerëz. Ndër vërshimet më katasrofale që e goditën qytetin e Tetovës, kanë qenë ato të vitit 1979, si dhe vërshimet e fundit, më 3 gusht 2015, të cilat shkaktuan dëme të mëdha materiale dhe 6 viktima në njerëz, mes të cilave 4 fëmijë. Këto janë disa nga arsyet për vlerësimin e dëmeve që shkakton kombinati Jugohrom, duke e rritur rrezikut për reshje të rrëmbyeshme dhe shkaktimin e vërshimeve, për shkak të aerosolëve të shumtë që emitohen mbi hapësirën e rajonit të Pollogut. Nga të dhënat shkencore të shumë ekspertëve botërorë, efektet e tilla kanë shkaktuar reshje dhe vërshime të mëdha në disa qytete me nivel të lartë të ndotjes, si në jug të Azisë dhe në vende të tjera të botës.
10. Një shqetësim plotësues paraqet mungesa e plotë e kontrollit në punën e kombinatit Jugohrom, me dyshime të bazuara nga qytetarët se, në këtë kombinat digjen materiale të palejueshme dhe me përmbajtje radioaktive. Djegia e mbeturinave të ndryshme prej gome, plastike dhe mbeturina të tjera, të sjella nga vendet jashtë Maqedonisë, për asgjësimin e tyre në këtë kombinat, vetëm për përfitime financiare të menaxhmentit të këtij kombinati dhe interesa personale të ndonjë funksionari të korruptuar në qeverinë aktuale, me çka ngarkohet edhe më tepër situata e krijuar duke shtuar edhe më tepër shqetësimin e qytetarëve të këtij rajoni.
11. Situata paraqitet edhe më e rëndë, kur merret parasysh se, me mbledhjen e ujërave nga burimet e bjeshkëve të Sharrit, të cilat barten përmes një kanali deri në Mavrovë, me qëllim të sigurimit të sasisë së mjaftueshme të ujit për mbushjen e Liqenit artificial të Mavrovës, i cili shërben kryesisht për qëllime komerciale, përkatësisht për prodhimin e rrymës nga hidrocentralet në Mavrovë, si dhe sigurimin e ujit të mjaftueshëm për nevojat e kësaj pike turistike. Por, ky projekt i pastudiuar mirë ka sjellë dëme të konsiderueshme në rajonin e Pollogut, duke e prishur dukshëm baraspeshën ekologjike, duke i detyruar disa fshatra të malësive të Tetovës dhe Gostivarit të shpërngulen tërësisht, për mungesë të kushteve elementare për jetë dhe zhvillimin e veprimtarive bujqësore dhe blegtorale. Ajo që është më e keqja, me realizimin e këtij projekti, klima në luginën e Pollogut është ndryshuar dukshëm, me këtë edhe është pamundësuar kultivimi i shumë prodhimeve të njohura bujqësore, për kultivimin e të cilave ndikon negativisht lagështia e tepërt e ajrit, e cila vjen si pasojë e krijimit të liqenit artificial të Mavrovës. Rritja në mënyrë artificiale e lagështisë së ajrit në fushën e Pollogut ka sjellë në komplikime të reja edhe në ndryshimin e cilësisë së ajrit, duke marrë parasysh se gazrat që qarkullojnë në hapësirën e kësaj fushe, nën ndikimin lagështisë formojnë smog mbi qytetin e Tetovës, Gostivarit dhe vendbanimeve të tjera, i cili gjatë sezonit të dimrit e vështirëson jetën e këtyre banorëve, ndërsa me këtë krijohen efekte negative edhe në klimën e rajonit më të gjerë. Këtë situatë e rëndon edhe më tepër imitimi i gazrave helmues nga kombinati Jugohrom, të cilët nën ndikimin e ajrit të lagësht, sidomos gjatë dimrit, krijojnë mjegulla të dendura të përziera me gazra helmues, të cilët ndikojnë tepër negativisht në shëndetin e banorëve të këtij rajoni dhe shkaktojnë dëme të tjera për ambientin jetësor në rajonin e Pollogut dhe më gjerë.
Duke u mbështetur në këto fakte, konsiderojmë se është momenti i fundit që çdo qytetar i këtij rajoni ta jep kontributin e tij, përmes protestave dhe formave të tjera të organizimit, për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.
PJESA E DYTË
Aktivitetet e planifikuara

1. Këtyre protestave duhet t’u prijnë sektori civil, sidomos Lëvizja Eco Guerilla, Lëvizja Nëna dhe Fëmija, shoqatat tjera, intelektualë dhe qytetarë të ndërgjegjshëm, të cilët do të bashkohen rreth një qëllimi të vetëm: ndërprerjen e menjëhershme të ndotjes së pakontrolluar të ambientit jetësor, helmimin masiv të banorëve të këtij rajoni, parandalimin e dëmeve të mëtejshme dhe sanimin e pasojave që kanë shkaktuar këta faktorë për një kohë të gjatë.
2. Me qëllim të arritjes së këtyre objektivave, protestat duhet të organizohen dhe udhëhiqen nga një Këshill për organizimin e protestave, i cili do të ketë përbërje të gjerë nga të gjitha shtresat e qytetarëve.
3. Duhet t’u bëhet thirrje publike të gjithë qytetarëve të këtij rajoni, pa dallim të përkatësisë etnike dhe fetare, ose bindjeve partiake, si dhe udhëheqësve të subjekteve politike që do të solidarizohen me këto protesta, këshillave vendorë të fshatrave, vendbanimeve, lagjeve të qytetit të Tetovës, Gostivarit dhe të 7 komunave të tjera rurale të këtij rajoni, drejtorive të shkollave fillore dhe të mesme, studentëve të universiteteve, xhematëve të xhamive dhe subjekteve të tjera, që në mënyrë masovike të marrin pjesë në protestat për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe shpëtimin e jetës së rrezikuar të banorëve të këtij rajoni nga helmimi i pakontrolluar.
4. Këshilli i protestave, përkrah përgatitjeve të nevojshme, hartimit të strategjisë dhe planit operativ, duhet të përgatisë edhe ikonografinë e këtyre protestave, përmbajtjen e qartë të kërkesave dhe udhëzimet për mbarëvajtjen e tyre.
5. Të përgatiten materialet e nevojshme me karakter informativ, me të cilat do të njoftohet opinioni i brendshëm dhe i jashtëm, se cilat janë arsyet për organizimin e këtyre protestave dhe cili është qëllimi përfundimtar i tyre.
6. Qytetarët të njoftohen rregullisht përmes mjeteve të informimit, për orarin e mbajtjes së protestave, vendin e organizimit të tyre dhe çështje të tjera lidhur me protestat.
7. Të njoftohen të gjitha ambasadat e shteteve të Evropës Perëndimore dhe SHBA-së, të akredituara në vendin tonë, të cilat duhet të informohen hollësisht me qëllimin e organizimit të protestave dhe të kërkohet pjesëmarrja aktive e përfaqësuesve të këtyre ambasadave në protesta, për aq sa u lejojnë dispozitat ligjore dhe konventat ndërkombëtare në fushëveprimin e tyre.
8. Të njoftohen edhe organet më të larta të pushtetit, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, ministritë përkatëse, sidomos Ministria e Ambientit Jetësor, Planifikimit Hapësinor dhe Ekonomisë së Ujërave, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë, veprimtaria e të cilave lidhet drejtpërdrejtë me çështjen për të cilën do të organizohen protestat.
9. Të njoftohen me kohë të gjitha mediumet, për informimin sa më objektiv të opinionit të mendshëm dhe të jashtëm, në lidhje me organizimin dhe rrjedhën e protestave.
10. Nga këto protesta të kërkohet nga Qeveria dhe ministritë përkatëse që menjëherë dhe pa kusht të NDËRPRITET PUNA E KOMBINATIT JUGOHROM, ndërsa me fatin e mëtejmë të këtij kombinati, statusin e të punësuarve dhe çështje të tjera, të merren organet përkatëse të pushtetit, sidomos organet gjyqësore në vend dhe sipas nevojës edhe gjykatat ndërkombëtare.
11. Të mos u jepen leje ndërtimi dhe leje pune për fabrikat e reja, pa plotësimin e standardeve ekologjike, sipas ligjit dhe normave ndërkombëtare.
12. Këshilli i protestave të mos pranojë me asnjë kusht prolongimin e fatit për zgjidhjen e këtij problemi, as bisedime me palët e përfshira për shtyrjen e afatit me ndonjë arsye tjetër, siç është vendosja e filtrave në oxhaqet e këtij kombinati, duke marrë parasysh shkeljen e të gjitha normave dhe afateve ligjore deri më sot.
13. Me asnjë kusht të mos pranohet kompromis me organet e pushtetit dhe pronarët e këtij kombinati, për plotësimin e kushteve për vazhdimin e punës së tij, duke marrë parasysh dëmet që sjell ky kombinat, shkeljet e rënda të derisotme, mospërfilljen e kërkesave të qytetarëve dhe pasojat për shëndetin e qytetarëve, traumat e shkaktuara dhe dëmet tjera të shkaktuara në ambientin jetësor, me pasoja afatgjata.
14. Protestat të zhvillohen pa ndërprerë, me dinamikë dhe intensitet që i përgjigjet peshës së këtij problemi, i cili duhet të zgjidhet me çdo kusht në dobi të qytetarëve, shëndetit dhe mirëqenies së tyre, si dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
15. Ndër masat e nevojshme që do të ndërmerren nga organizatori i protestave duhet të përfshihet edhe ruajtja e rendit publik, siguria e plotë e protestuesve dhe të gjithë qytetarëve.
16. Vendet për organizimin dhe mbajtjen e protestave të jenë të përshtatshme, të mos shkaktojë probleme në komunikacion, të mos e pengojë punën e organeve të rendit publik, të ndihmës së shpejtë, shërbimit të zjarrfikësve, qarkullimin e lirë dhe të papenguar të përfaqësuesve të mediumeve, të agjencive të huaja informative dhe të korit diplomatik.
17. Me paralajmërim paraprak të organeve të pushtetit, varësisht nga dinamika e protestave dhe arritja e qëllimit të tyre, sipas nevojës të bllokohen disa akse rrugore lokale dhe rajonale dhe disa institucione të pushtetit lokal dhe qendror, duke pasur parasysh respektimin e plotë të përcaktimeve të lartpërmendura për organizimin e këtyre protestave.
Arritja e objektivave
Në rast të mos përmbushjes në tërësi të kërkesave të këtyre protestave, Këshilli i protestave të hartojë plan rezervë për veprime të mëtejshme, në të cilin duhet të përfshihen edhe masa përkatëse për radikalizmin e protestave dhe ngritjen e procedurës në gjykatat ndërkombëtare, me akuzë për shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut, ushtrim të gjenocidit mbi popullatën gjysmë milionëshe të rajonit të Pollogut dhe masa të tjera të nevojshme, duke përfshirë edhe kërkimin e kompensimit të dëmeve të shkaktuara materiale, për shëndetin dhe jetën e njerëzve, si dhe traumat e shkaktuara tek banorët e këtij rajoni, të cilat do t’i vlerësojë një komision hetimor ndërkombëtar.
Ndalimi i menjëhershëm i punës së kombinatit Jugohrom, pa të drejtë të rifillimit të punës së tij, të bëhet me vendim të Qeverisë, Ministrisë përkatëse, ose gjykatës kompetente, ose përmes një ligji të veçantë, i cili duhet të sillet me procedurë të përshpejtuar.
Në marrëveshjen që duhet të arrihet mes organeve të pushtetit dhe Këshillit të protestave, duhet të përfshihet edhe mos ngritja eventuale e çfarëdo procedure gjyqësore, kundërvajtjeje ose penale, ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve në këto protesta.
PJESA E TRETË
Masat afatgjata

1. Të rishqyrtohen planet globale urbanistike të qytetit të Tetovës, Gostivarit dhe vendbanimeve përreth.
2. Të ndërmerren masa përkatëse për rregullimin e komunikacionit urban në Tetovë dhe Gostivar, përfshirë edhe shqyrtimin e alternativave për shfrytëzimin e burimeve energjetike alternative në komunikacion, me qëllim të ruajtjes së mjedisit jetësor më të pastër.
3. Të sigurohet monitorim i vazhdueshëm për ndotjen nga burime të tjera, të shkaktuara nga mbeturinat dhe stoqet e bërllokut, shkaktimi i zjarreve, djegia e karburanteve me cilësi të dobët etj.
4. Në të gjitha vendbanimet e këtij rajoni të vendosen punkte për grumbullimin e hedhurinave prej metali, qelqi, plastike, najloni, gome dhe materiale të tjera, të cilat mund të shfrytëzohen për riciklim.
5. Në të gjitha vendbanimet urbane dhe rurale të vendosen kontejnerë të mjaftueshëm për mbledhjen e mbeturinave dhe të sigurohen vende të përshtatshme për grumbullimin e tyre në deponi me standarde bashkëkohore dhe me mundësi të riciklimit.
6. Të ndërmerren masa për rregullimin e shtretërve të lumit Vardar, lumit Shkumbin, lumenjve të tjerë malorë që zbresin në fushën e Pollogut, përrenjve dhe kanaleve për ujitje.
7. Të ndërmerren masa për parandalimin e krijimit të terreneve erozive, të ndërtohen penda rrjetore në rrjedhat e lumenjve malorë dhe të bëhet pyllëzimi i vendeve potencialisht të rrezikuara nga erozioni.
8. Të parandalohet krijimi i deponive të egra dhe stoqeve të bërllokut, nëpër vendbanime dhe në periferi të tyre, sidomos në rrjedhat e lumenjve dhe përrenjve.
9. Të ndërmerren masa urgjente për ndalimin e sjelljes së veturave dhe mjeteve të tjera të komunikacionit me standarde të ulëta dhe të kufizohet me masa ligjore qarkullimi dhe parkimi i pakontrolluar i tyre në rrugët kryesore të qyteteve, sheshet e qyteteve dhe bulevardet ku janë të vendosura institucionet kryesore, spitalet, shkollat fillore, çerdhet e fëmijëve dhe institucionet tjera me rëndësi vitale.
10. Të ndërmerren masa për rishqyrtimin efekteve negative të hidrosistemit të Mavrovës, kanaleve për akumulimin e ujërave nga bjeshkët e Sharrit dhe Korabit për nevojat e tij dhe ndikimin negativ të Liqenit artificial të Mavrovës në ndryshimin e klimës, dëmtimin e florës dhe faunës, zvogëlimin e prodhimtarisë bujqësore, prishjen e baraspeshës ekologjike dhe ndikimin negativ në shëndetin e banorëve të këtij rajoni. Për nevojat e këtij sistemi akumulohen afër 357 milionë metër kub ujë në Liqenin e Mavrovës, i cili përfshin një sipërfaqe prej afër 50 km², ndërsa kanalet për akumulimin e ujërave nga bjeshkët përreth, me një gjatësi prej afër 130 km, kanë sjellë në tharjen e shumë burimeve natyrore dhe prishjen e baraspeshës ekologjike në rajonin e Pollogut.
11. Të sigurohen hapësira të mjaftueshme për parqe të qyteteve, me qendra për zbavitje të fëmijëve, pushim të rehatshëm për të moshuarit, pensionistët dhe personat me nevoja të posaçme.
12. Të ndërmerren masa për rregullimin e sistemit të parkingjeve të qytetit, duke planifikuar ndërtimin e parkingjeve të reja, në përputhje me nevojat reale të qytetarëve dhe të institucioneve, po ashtu të planifikohet ndërtimi edhe i parkingjeve të mjaftueshme në të gjitha lagjet e qytetit, përfshirë edhe ato periferike, në mënyrë që të mos rëndohet komunikacioni në bulevardet kryesore dhe qendrat e qyteteve.
13. Të ndërmerren masa për hartimin e një programi afatgjatë për rishqyrtimin e mënyrës së shfrytëzimit të ujërave të burimeve dhe të ujërave të rrjedhshëm në tërë hapësirën e rajonit të Pollogut, të cilët përdoren si ujë për pije dhe nevoja të amvisërive, të mos lejohet keqpërdorimi i këtyre ujërave për qëllime personale dhe komerciale, duke siguruar mbrojtje ligjore për të gjithë ujërat, si begati e përgjithshme kombëtare.
14. Të përgatiten programe afatgjata dhe afatshkurta, në bashkëpunim me institucionet kompetente të vendit dhe ato ndërkombëtare, për mbrojtjen dhe përkujdesjen e përhershme ndaj disa llojeve të pemëve, të cilat gjatë viteve të fundit janë në zhdukje e sipër, kryesisht si rezultat i ndotjes enorme të ajrit dhe emetimit të gazrave helmues. Të përllogaritet vlera e interesit nga këto pemë dhe rëndësia e tyre për popullatën dhe ekonominë në përgjithësi, siç është rasti me pyjet e gështenjave, duke pasur parasysh se, me mos ndërmarrjen e masave urgjente për mbrojtjen e pyjeve të gështenjës, këto pemë frytdhënëse do të zhduket për një kohë të shkurtë, kurse pasojat nga zhdukja e tyre do të jenë të shumëfishta, si për ekonominë e vendit, shëndetin e banorëve dhe prishjen e baraspeshës ekologjike në këtë rajon.
15. Të përgatiten plane operative afatshkurta, prej 5-10 vjet, dhe plane afatgjata, prej 20-50 vjet, për pyllëzimin sistematik dhe adekuat në tërë hapësirën e rajonit të Pollogut, sidomos viset malore-kodrinore dhe ato me shkallë të lartë erozioni, me qëllim të sigurimit nga vërshimet dhe për sigurimin e hapësirave të mjaftueshme pyjore, të cilat ndikojnë dukshëm në pastrimin e ajrit dhe ambient më të këndshëm jetësor.
16. Të kërkohet përkrahje ndërkombëtare për ngritjen e institucioneve dhe infrastrukturës së nevojshme për studime në fushën e mjedisit jetësor dhe parandalimin e katastrofave natyrore.
17. Të sigurohet monitorim i vazhdueshëm i punës së fabrikave, punëtorive dhe si ndotësve potencial të ambientit jetësor në këtë rajon, të cilat nuk i plotësojnë kushtet dhe standardet ekologjike, sipas normave ndërkombëtare.
18. Në mënyrë të vazhdueshme të koordinohen aktivitetet mes pushtetit qendror dhe lokal me Drejtorinë e doganave, Inspektoratin për shëndet publik dhe inspektoratet tjera për veprimtari shëndetësore, sanitare dhe higjienike, për ndalimin e eksportit, qarkullimin, shpërndarjen dhe përdorimin e mallrave ushqimore me prejardhje të dyshimtë, cilësi të dobët dhe jo ekologjike.
PJESA E KATËRT
Përmbushja e obligimeve ndërkombëtare

Kjo Platformë ka për qëllim, që përveç masave që do të ndërmerren për zgjidhjen e problemit të ndotjes së ambientit jetësor në rajonin e Pollogut dhe eliminimin e faktorëve që ndikojnë në helmimin e ajrit, tokës dhe ujit, që me këtë e rrezikojnë edhe jetën e njerëzve, do të kontribuohet edhe në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, për parandalim e ndryshimeve klimatike, duke krijuar mundësi për pakësimin e çlirimit të gazeve me efekt serrë, të cilët ndikojnë në ngrohjen globale të planetit tonë, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm për jetën e njeriut.
Rekomandimet përfundimtare
1. Pas përfundimit të protestave dhe zgjidhjes së problemeve që trajtohen në këtë Platformë, Këshilli i protestave do të shndërrohet në Këshill për Mbrojtjen e Ambientit Jetësor në Rajonin e Pollogut, i cili në bashkëpunim me ekspertë të fushave përkatëse do ta përgatit një Libër të Bardhë për pasojat nga ndotja e ambientit jetësor dhe helmimi masiv në rajonin e Pollogut, me të gjitha analizat, dëshmitë, të dhënat relevante nga institucionet shëndetësore, të ekonomisë, drejtësisë, mjedisit jetësor, si dhe hulumtimet nga ekspertët e fushave përkatëse, i cili duhet të përgatitet dhe shtypet në gjuhën shqipe, maqedonase dhe disa gjuhë botërore, ndërsa i njëjti do t’u dërgohet: UNESCO-s, Këshillit të Evropës, Kombeve të Bashkuara dhe Gjykatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe gjykatave për krime kundër njerëzimit.
2. Kjo Platformë do të ndryshohet dhe plotësohet edhe më tej në të ardhmen, sipas mendimeve dhe sugjerimeve të ekspertëve të fushave përkatëse, si dhe rrethanave të reja që do të krijohen, e cila do t’u dërgohet organeve të pushtetit qendror dhe lokal, për shqyrtim, analizë dhe zbatim të pjesëve të saj në të ardhmen, të cilat kanë të bëjnë me masat për mbrojtjen e ambientit jetësor në rajonin e Pollogut, sidomos në komunën e Tetovës, Gostivarit dhe komunat tjera të këtij rajoni.
3. Platforma është përpiluar në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze, ndërsa kopje identike të saj, përveç organeve të pushtetit do t’u dërgohen edhe përfaqësive diplomatike të akredituar në Republikën e Maqedonisë dhe institucioneve relevante ndërkombëtare.

E përgatiti: Prof. Abdulla Mehmeti
Tetovë, nëntor-dhjetor 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura