GJEKË GJONAJ: KOLË GOJCAJ SHQIPTARI I NDALUAR DHE VETERANI I UÇK-së

Ulqin, 9 dhjetor 2019: Njëri ndër veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Malësia është edhe Kolë Gojçaj, (82 vjeç) i lindur në Traboin të Hotit. Për kontributin e tij të pamohueshëm Komisioni qeveritar për njohjen dhe veprimtarinë e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së i ka ndarë mirënjohje, që e ka nënshkruar (firmosur) gjenerali Agim Çeku. Këtë epitet të lartë të ndershmërisë e lavdisë së luftës së Kosovës e gëzon tash tri vite.
Ideali i Kolës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës fillon me vetëdijesimin dhe vetë ndërgjegjësimin se për heqjen e prangave të robërisë të popullit shqiptar të Kosovës nga pushtuesi sllav nevojiten sakrifica të mëdha deri në vetëmohim. Ky atdhetar në mërgim në Detroit (Michigan) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë aktive që nga viti 1981 mori pjesë në organizimin e tubimeve, mitingjeve, protestave, grevave të urisë e demonstratave për të sensibilizuar kauzën e popullit shqiptar për çështjen e Kosovës. Dekadë pas dekade këtë mision ky aktivist i çështjes kombëtare bashkë me mijëra shqiptarë vullnetarë e atdhetarë në mërgim e përmbushi duke informuar popullin amerikanë e të tjerët nëpër botë për gjendjen aparteid në Kosovë.
Ishte ky një misioni përplot rreziqe sakrifica të panumërta e të pamatshme për të gjithë shqiptarët e organizuar në këtë përpjekje për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në periudhën e regjimit komunist në ish-Jugosllavi dhe më pas të okupimit klasik serb të Slobodan Millosheviqit, i cili me ofensivën e shpejtë e të egër të forcave ushtarake policore në vitin 1998 arriti të bëjë spastrimin etnik të shqiptarëve nga të gjitha ato rajone që u përfshinë nga zjarri i luftës, duke nxjerrë qindra mija njerëz nga male dhe duke vrarë e masakruar mijëra civilë, në meyin e të cilëve qindra gra, fëmijë e pleq.

Kolë Gojçaj siç thotë vetë me thjeshtësi, e zgjodhi këtë rrugë me dashurinë e madhe që kishte për Kosovën. Vullnetarisht, sipas mundësive që kishte, ka dhënë ndihmën e tij për zgjidhjen, më në fund, të asaj që për të gjithë ne njihej si “ Çështja e Kosovës”. Ishte aktivist dhe kontribuues i palodhur në kuadër të Fondit “Vendlindja Thërret dhe në formimin e formacionit ushtarak që u pagëzua me emrin “Batalioni Atlantiku” në Detroit i përbërë nga vullnetarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare me banim në Amerikë. Ai me shumë mërgimtarë të tjerë shqiptarë ndau e grumbulloi mjete madje edhe i dërgoi ato (para) në Tiranë në kohën kur Kosova digjej flakë, kur Kosovës i kërcënohej gjenocidi dhe e vetmja shpresë që kjo të mos ndodhte, ishin ushtarët trima të UÇK-së, të cilët kishin nevojë që motrat dhe vëllezërit e tyre në mërgim, t’ju ndihmonin që misionin e çlirimit të vendit ta çojnë deri në fund.
Veç kësaj ky atdhetar shqiptaro-amerikan nga Detroiti furnizonte UÇK-në edhe me armë gjatë kohës kur konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve sapo kishte filluar të merrte trajtat e një lufte të vërtetë, në kohën e qeverisë së Bukoshit. Këtë njeri i cili po bënte gjithçka që mundej për Kosovën, së fundi Gjykata e Rrethit Tiranë, më 14 tetor 1999, e dënon me vendim nr. 609 në formë të prerë me 7 vjet burgim në mungesë, për, siç shkruan në vendimin e Gjykatës, “për veprën penale të kontrabandës me mallra të ndaluara në bashkëpunim (armë zjarri e fishekë)”, edhe pse këto veprime të Fondit “Vendlindja Thërret” bëheshin, siç pohon Kola, me dijeninë e organeve kompetente amerikane e ndërkombëtare. Në të vërtetë Kolë Gojçaj, asokohe shqiptari i ndaluar, i cili konsiderohej person non grata si një trafikant ordiner, respektivisht si një i kërkuar që ka kryer një krim (që në fakt nuk e kishte bërë), nuk bëri asnjë ditë burgim në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me vendim nr.200.dt.07.04.2003 urdhëroi lirmin e tij.
Këto dhe shumë ndihmesa të tjera në shërbim të Kosovës dhe popullit shqiptar Kola nuk i bëri që dikur të kërkonte mirënjohje as shpërblime, por i bëri sepse Vendlindja thërriste dhe ai nuk mund të qëndronte indiferent. “Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Sa herë që kam mundur të bëj atë pak që kam pasur mundësi, atë që duhet ta bëjë çdo shqiptar, unë e kam bërë. Nuk kam kursyer asgjë për të bërë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës,” shpjegon ai në shtëpinë e tij në vendlindje, ku është kthyer në pleqëri të thellë për të përmbushur premtimin e dhënë prindërve të tij kur u largua nga vendlindja dhe u shpërngul në Amerikë se për të gjallë nuk do tëlejojë të mbyllet dyert e familjes së tij të ndershme, bujare e atdhetare. Kola nga ana tjetër ndjehet krenar, kryelartë, i kënaqur dhe falënderues që Qeveria e Kosovës ia vlerësoi punën e tij sado të vogël që ka dhënë për UÇK-në dhe Kosovën.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

Demokracia negative!

Demokracia negative! Kur politika, paraja,padrejtësia, vjedhja, korrupsioni, droga e krimi bëhen bashkë Nga Skënder Sadri Kapiti, 9 Korrik…