KOSOVA NGA FOSHNJE, FËMIJË NË PARTNER TË SHBA-ve

Kosova nga foshnjë, fëmijë në partner të SHBA-ve

Nga Jashar Etemaj, Oslo 11. 11. 2022

Shpjegimet politike të modelit hobsian nuk kanë fort nevojë për shtjellime të plota. Parakushti bazë i sistemit ekonomik na tregon se njeriu në brendi është i keq dhe krijesë egoiste, i cili ende më tepër përfitimet i bazon nga cinizmi dhe egoizmi se altruizmi.

Pas lufte në Kosovë me krenari, anoja dhe votoja për ata që luftuan. Idealizmi im kryeneç më thoshte këta idealist që e kanë bërë luftën nuk ka gjë në këtë botë që i tundon! Po nuk më doli ashtu, ata idealist fakir pa e kaluar klasën e mesme u pasuruan brenda nate.

Kam pyetur shokë dhe miq për disa që nuk i njihja, se a e kanë dashur paranë njëjtë si para lufte!? Përgjigjja ishte e njëjtë. Jo nuk e kanë dashtë paranë, ishin idealist edhe në luftë… çuditem si u tunduan!!!

Sikur shteti të pasurohej sa tredhjet përqindëshi i tyre, Kosova kishte hyrë në historitë e librave botërorë si shembull i një shteti të zhvilluar model ekonomik i pasluftës.

Politikanët e pas lufte më shumë u morrën me ekonomi personale, korrupsion, se për mirëqenie të shtetit. Duke i punësuar familjarët, kushërinjtë, bashkëfshatarët e dashnoret. Këta politikanë, shtetin e kuptuan më shumë si familje-shtet, se sa shtet familje! Normal, që kur një person përparësi e ka pasurinë personale e familjare me anë të zhvatjes korrupsionit ai nuk ka kohë të merret me punë tjera, në këtë rast me punë shtetërore. Lakmia për të zhvatur këtë klasë politike më tepër (ende si disa tani) e detyroj të mbaj sundim se sa të krijoj shtet të vlerave.

Duke qenë të vetëdijshëm se shpata e Demokleut iu rrinte të qafa për dy arsye: 1) për (krime) të luftës dhe 2) për korrupsion këta “burrështetas” që shtetin e shihnin si biznes ishin të gatshëm të nënshkruanin çdo gjë, qoftë edhe në dëm të Kosovës!

Burrështetasit kosovar pa ide, impotent negociues, me duar bosh, më të preokupuar ishin cili po i afrohet me afër gjoksit dhe gojës se Federica Mogherinit, se sa ti ofronin Kosovës pavarësi të fortë.

Asociacioni u nënshkrua me 2013 me pretekst se Kosova nuk humb asgjë. Të njëjtën dikur e thoshin komunistët titist kur u suprimua autonomia e Kosovës më 1989! Se me suprimimin e autonomisë Kosova nuk humb asgjë.

Asociacioni u nënshkrua si me qenë në oda të burrave. Hajt, se po e nënshkruajmë por nuk e bëjmë!  Po kur e panë se nënshkrimet e drafteve për europianët janë akte të parevokueshme, të njëjtit me 2015 u shprehen se ne nuk e nënshkruam asociacionin. Po, i njëjti në tetor të 2020 tha: Asociacionin kush e nënshkruan është tradhtar.

Kjo ironi, po doni quajeni idioti, më përkujton titullin e një romani të Vere Gordon Chaild “Man Makes Himself” Njeriu krijon vetën – edhe si individ, por edhe si qenie shoqërore kur e lënë një hajvan, fakir e korruptues të vendos për fatin kolektiv.

Për asociacionin tani Europa dhe USA po thonë se është element i pa negocuieshëm. Qeveria aktuale dhe Kryeministri Kurti me maturi e trimëri po mundohen që të përfitojnë sa më shumë nga nënshkrimet e pa kthyeshme të politikanëve të korruptuar!

Fatkeqësisht disa politikanë të opozitës e gazetarë, që politikën e kanë biznes njësoj si kolegët serb e disa kriminel të Mitrovicës së Veriut, po negociojnë sa ata që të formohet asociacioni shpejtë e shpejtë, me shpresë që paratë e korrupsionit të harxhojnë dhe shtojnë pa brenga.

Qytetarët e Kosovës në asnjë mënyrë nuk ia kanë pa hairin politikanëve biznesmen. Vetëm sherrin ia kanë pa. Askush nuk u pasura nga politikanët e korruptuar – shikuar në perspektiv të largët as ata vetë. Politikanët e korruptuar duhet të margjinalizohen deri aty sa që edhe pragun nuk duhet lejuar ta shohin, me dylbi e le më t`a arrijnë atë.

Këta korruptues kur klithin Amerika, Amerika, ma përkujtojnë atë rastin e atij njeriu: Një njeri tërë kohën e kishte lutur Zotin t’ia falë një biçikletë!? Meqë, Zoti nuk ia fali biçikletën, ai e vodhi! Kur e vodhi thoshte: Ooh, Zot, mi falë mëkatet. Edhe tani klithma e tyre Amerika, Amerika nuk është klithmë e amerikanizmit të përkushtuar, po piskamë e lutje e për falje të zhvatjes, korrupsionit. Këta zhvatës nuk e kanë frikën se po e humbin Veriun e Mitrovicës, as problemin e serbëve dhe shqiptarëve atje. Këta e kanë frikën e ndëshkimit humbjes së pasurisë të pa merituar.

Duke i shkruar këta reshta mu kujtua një akademik para disa viteve kur i kishte shkruar letër publike në Facebook Abasadorit të USA-s në Prishtinë. Kam qesh me veten time se si mund një akademik t`i drejtohet një Qeverie apo Ambasade të SHBA-s më anë të Facebook-ut!?

Po, nga shpresa si ai që nuk kishte ditur të notoj e ishte kapur për një shtage në ujë për të shpëtuar, edhe unë po i drejtohem Ambasadorit Amerikan në Kosovë Jeffrey M. Hovenier.

Zotëri Abasdador Hovenier,

Shpesh herë me të drejtë ne shqiptarët shtetin e Kosovës e kemi krahasuar me foshnjën e sapo lindur. Në anën tjetër prezent ishte edhe ai krahasimi qesharak: jemi partner me SHBA-në!? Për të kuptuar se a jemi partner i SHBA-ve së pari duhet kuptuar fjalën Partner!? Fjala partner siç e dini e ka këtë kuptim: “Ai që merr pjesë së bashku me një tjetër a me të tjerë në një lojë, në një ndeshje, në një shfaqje në skenë a në një veprimtari tjetër të tillë”.

Atëherë, bëhet pyetja si mund një foshnje që ka nevojë për përkujdesje maksimale të bëhet partner me një të rritur!? Nga përvoja natyrale fort mirë e dimë që një foshnje për t`u zhvilluar ka nevojë për përkujdesje të prindërve.  Shqipëria si vend amë i shqiptarëve bashkë me SHBA-të bënë çmos gjatë luftës që foshnja të mos vritet. Po tani, shteti bashkëkombës me problemet ekonomike e politike nuk po e ka mundësin të kujdeset për fëmijët në kopshtin e vet e lëre më t`ju ndihmoj fëmijëve jashtë kopshtit.

Zotëri Ambasador Hovenier,

e di që për ata që nuk kanë kujtesë historike do të më akuzojnë si folklorist nacionalist. Po është fakt se pas Kongresit të Berlinit e deri të Lufta e Dytë Botërore të gjitha shtetet në kufij me shqiptarët u zgjeruan në dëm të shqiptarëve. Si, Serbia, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi! Shqiptarët e Kosovës në vitet e 90-ta të okupuar nga Serbia ishin në gjendje me të vështirë se në gjendje lufte!? Vdekja dhe shfarosja e një populli është më e keqe se lufta. Prandaj lufta na u imponua si shpresë që të mbijetojmë si komb. SHBA-t, dhe shtetet aleate na ndihmuan që ta fitojmë luftën dhe si rezultat i ndihmës së Juaj dhe aleteve fituam pavarësinë, për ketë si popull jemi shumë mirënjohës.

Zoteri Ambasador Hovnier,

kam përshtypjen se shtetet janë formuar si rezultat i frikës nga tjera shtete! Shteti i jonë foshnjorë gjatë rrugëtimit ka bë gabime (për ketë arsye nuk u mora me emra të përveçëm, sepse sikur mos të ishin ata, do vinin tjerët) po edhe është ndërtuar gjatë kësaj ecejake të vështirë që në gjuhën politike i thonë proces.

Deri sa jemi te foshnja me lejoni edhe një herë ta citoj Tomas Hobs: Si foshnjat edhe të rriturit kanë natyrë njerëzore; nga kjo del se njeriu është bërë i përshtatshëm për shoqëri jo nga natyra po nga arsimi.

Kosova nga një foshnje e dikurshme tani fëmijë ka filluar të ecë me mbështetje të SHBA-s dhe aleatëve. Sovraniteti dhe arsimi këtë shtet fëmijë do e forcoj dhe zhvilloj në të ardhmen më shumë. Kosova si shtet i ri, dhe si çdo fëmijë duke eksperimentuar gjatë ecejakeve fillon ta çmoj, mbroj dhe vlerësoj drejtësinë dhe sovranitetin. Kosova si shtet i ri dhe si çdo fëmijë i brishtë që është i preokupuar me të drejtën e tij kërkon ta mbroj me fjalë, atë se çka është e tij.

Zotëri Ambasador Hovnier,

ky shtet ka ende nevojë për përkrahjen dhe kujdesin e Juaj, që fëmija të rritet dhe zhvillohet si duhet, për t`u bërë partner i denjë i Juaji. Besomë, partner si tani, dhe në të ardhmen aleat më besnik nuk keni në Evropë.

Fat e shëndet Zotëri Ambasador Jeffrey M. Hovenier

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura