ABDULLA MEHMETI: UNIVERSITETI I TETOVËS KAMBANË ZGJIMI E SHEKULLIT TË RI

Tetovë, 04. 06. 2015 – Sot, më 4 qershor 2015, me rastin e 21 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, përveç njoftimit publik për shënimin e 4 Qershorit, si Dita e studentëve shqiptarë, bartësi i kësaj iniciative, Abdulla Mehmeti, me disa bashkëpunëtorë bënë homazhe dhe vendosën buqeta me lule të freskëta te varri i Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Fadil Sulejmani. Përndryshe, Bashkësia Kulturore Shqiptare, në vitin 2009, datën 4 qershor e ka shpallur festë: Dita e studentëve, e cila pritet të hyjë së shpejti në kalendarin e festave në Republikën e Maqedonisë. Kjo datë, 4 qershori, përveç në përvjetorin e parë të themelimit të Universitetit të Tetovës, më 1995, asnjëherë nuk është shënuar si festë, as nga Universiteti e as nga ndonjë subjekt tjetër. Me publikimin disa shkrimeve, dëshmive të reja dhe dokumenteve autentike, vitin e kaluar, me rastin e 20 vjetorit të themelimit Universitetit, opinioni i gjerë tanimë është i njoftuar, por pritet që në të ardhmen edhe organet drejtuese të këtij Universiteti të ndërmarrin hapa konkret për ndryshimin e datës 17 dhjetor, e cila është konsideruar deri më sot si datë e themelimit të Universitetit të Tetovës dhe vendosjen e datës 4 qershor, si datë zyrtare e themelimit të tij. Me këtë do t’u bënim nderë të gjithë atyre që sakrifikuan për themelimin dhe ngritjen e këtij tempulli të dijes, si institucion i parë i arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, do të korrigjohej padrejtësia disavjeçare dhe do të dëshmohej pjekuri intelektuale ndaj së vërtetës historike për datat me rëndësi të veçantë kombëtare.

– Abdulla Mehmeti – 

SHPALLJE
Për festimin e 4 Qershorit – Ditës së Studentëve Shqiptarë, me rastin e 21 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës:
Të nderuar studentë, profesorë, punonjës shkencorë, veprimtarë dhe aktivistë, dashamirë të arsimit, të gjithë Ju që ndihmuat në jetësimin e projektit kombëtar për themelimin dhe ngritjen e Universitetit të Tetovës, data 4 qershor është ditëlindja e Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë.
Bashkësia Kulturore Shqiptare, në cilësinë e themeluesit të këtij Universiteti, që nga viti 2009 këtë datë e ka shpallur ditë feste – DITA E STUDENTËVE SHQIPTARË, prandaj edhe në këtë përvjetor Ju ftojmë që ditën e nesërme, 4 qershor 2015, ta shënojmë si ditë feste në mënyrë dinjitoze dhe në të gjitha format e mundshme.
Nesër, më 4 qershor 2015, në orën 13:00, të interesuarit mund të marrin pjesë në homazh te varri i Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Fadil Sulejmani.
Lavdi dëshmorit të arsimit, Abdylselam Emini!
Lavdi studentëve dëshmorë të luftës së vitit 2001!
Lavdi punës dhe sakrificës së Rektorit të parë, Prof. dr. Fadil Sulejmani!
Lavdi veprës dhe punës vetëmohuese të udhëheqësve të tjerë të Universitetit, prorektorëve, dekanëve, profesorëve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë veprimtarëve, të cilët i shkrinë forcat fizike dhe mendore në altarin e diturisë dhe të arsimit kombëtar!
Lavdi sakrificës së studentëve të gjeneratës së parë!
Zoti e bekoftë Universitetin Shtetëror të Tetovës!

Tetovë, 3 qershor 2015

Në vazhdim, lexoni më gjerësisht për këtë datë, me rastin 21 përvjetorit të themelimit të UT-së:
UNIVERSITETI I TETOVËS KAMBANË ZGJIMI E SHEKULLIT TË RI
(Me rastin e 21 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës*)
Abdulla MEHMETI

Njëzetenjë vjet më parë, më 4 qershor të vitit 1994, në sallën solemne të Kuvendit komunal të Tetovës u mbajt Kuvendi themelues i Universiteti të Tetovës. Ky projekt kombëtar konsiderohet si kambanë zgjimi e shqiptarëve të Maqedonisë në epokën moderne.
Shqiptarët e Maqedonisë edhe më parë kanë bërë përpjekje për realizimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare, dhe në mënyrë të veçantë për arsimin e lartë. Por, iniciativa më serioze ishin dy, iniciativa e Unionit të Inteligjencies Shqiptare për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, me seli në Shkup, dhe iniciativa e Kuvendit komunal të Tetovës për hapjen e një fakulteti ose institucioni tjetër të arsimit të lartë me mësim në gjuhën shqipe, në nivel të kësaj komune.
Në takimin e përbashkët të përfaqësuesve të subjekteve politike dhe jopolitike shqiptare në Maqedoni, më 20 gusht të vitit 1993, në Shkup u formua Komisioni Amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, në kuadër të Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi” të Shkupit, i cili pas miratimit të dokumenteve të nevojshme, mbajtjes së disa takimeve dhe zhvillimit të shumë bisedimeve me organet përkatëse të pushtetit të atëhershëm nuk arriti të sigurojë zgjidhje për realizimi e kësaj iniciative. Ngjashëm ndodhi edhe me iniciativën tjetër nga Kuvendi komunal i Tetovës, kërkesa zyrtare drejtuar organeve përkatëse të pushtetit nuk hasi në mirëkuptim dhe nuk rezultoi me asnjë efekt pozitiv.
Iniciativa për hapjen e Universitetit të Tetovës nuk ka qenë vazhdimësi e asnjërës nga këto iniciativa, edhe pse janë realizuar disa takime pune, sidomos me Komisionin Amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe. Të gjitha takimet janë realizuar në frymën e bashkëpunimit, të afrimit dhe homogjenizimit të faktorit shqiptar, për arritjen e rezultateve sa më të plota. Për qasjen ndryshe ndaj kësaj çështje nga ana e Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni dëshmojnë faktet dhe dokumentet e shkruara, sidomos Platforma për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni (janar 1994), Komunikata e BKSH-së (2 mars 1994), Shkresa me Konkluzionet e Kryesisë së BKSH-së drejtuar Komisionit Amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, si dhe dokumente të tjera.
Hapja e Universitetit Shqiptar në Maqedoni (nga Kuvendi themelues më 4 qershor 1994: Universiteti i Tetovës, i emëruar sipas selisë së tij), ka qenë ide e mëvetësishme, autoktone dhe plotësisht e ndryshme nga iniciativat tjera, sepse koncepti, mënyra e veprimit, taktika dhe strategjia, si dhe e tërë filozofia e veprimit ishte prurje e re e Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni. Në asnjë dokument të miratuar dhe publikuara gjatë fundit të vitit 1993 dhe fillimit të vitit 1994, dhe me asnjë rast, nuk është përmendur nevoja e parashtrimit të ndonjë kërkese drejtuar organeve përkatëse të pushtetit të atëhershëm në Republikën e Maqedonisë, por e gjithë ideja ka qenë ,,marrja e fatit në duart tona” për themelimin e Universitetit, zgjedhja e organeve drejtuese të tij, njoftimi opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, ,,futja në lojë”, e subjekteve politike, kuvendeve komunale dhe përfaqësuesve shqiptarë në organet e pushtetit të asaj kohe, sigurimin e mbështetjes për realizimin e këtij projekti, realizimi i punëve përgatitore dhe fillimi me punë i Universitetit të Tetovës në vitin akademik 1994/1995.
Asgjë nuk ka qenë e paplanifikuar dhe pa analiza të hollësishme. Është studiuar hollësisht korniza ligjore, baza kushtetuese, mbështetja sipas akteve ndërkombëtare për realizimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare në nivel universitar dhe janë ndërmarrë aktivitetet e nevojshme për ngritjen e kësaj iniciative në kohën më të përshtatshme, sipas vlerësimit tonë. Muaji qershor nuk ka qenë i zgjedhur rastësisht, as vendi dhe as pjesëmarrësit. Pas përgatitjeve të nevojshme, më 4 qershor 1994, u mbajt Kuvendi themelues i Universitetit të Tetovës, siç edhe ishte planifikuar.
Më 4 qershor, dita e shtunë, nga orët e hershme të mëngjesit rritej numri i pjesëmarrësve, delegatëve të këtij Kuvendi, që vinin nga të gjitha qytetet shqiptare në Maqedoni, nga Prishtina dhe viset tjera, për në qytetin e Tetovës ku do të mbahej ky Kuvend me rëndësi historike për të ardhmen tonë. Kjo ishte edhe një mundësi e unifikimit të qëndrimeve për mbrojtjen e të drejtave tona të ligjshme, meqë deri atëherë nuk ishte organizuar asnjë takim i këtij niveli, ku pa dallim të përkatësisë politike dhe bindjeve të tjera, të silleshin vendime me peshë për një çështje me interes kombëtar.
U mblodhën bashkë në një vend dhe me një qëllim madhor, përfaqësues të partive politike, të shoqatave dhe asociacioneve të tjera që i tubonin shqiptarët në Maqedoni, përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal, intelektualë me tituj shkencorë, profesorë universitetesh, veteranë të arsimit, biznesmenë dhe dashamirë të tjerë.
Para fillimit të punimeve të Kuvendit themelues, duke mbajtur përgjegjësi si organizator dhe duke dashur që punimet e këtij Kuvendi të kenë rrjedhë të suksesshme dhe përfundime të dëshiruara, u mbajt një mbledhje konsultative e bartësve kryesorë të kësaj iniciative, për t’i njoftuar me planet dhe detyrat që do t’u besohen nga ky Kuvend, me qëllim përfundimtar që Universiteti të fillojë me punë në vitin shkollor 1994/95.
Kjo mbledhje para fillimit të punimeve të Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës u mbajt në sollën e vogël të Kuvendit komunal të Tetovës, me fillim në orën 10:00. Në këtë mbledhje morën pjesë 11 vetë, mes tyre: dr. Fadil Sulejmani, dr. Murtezan Ismaili, dr. Ali Vishko, dr. Masar Kodra, dr. Rahmi Tuda dhe anëtarë të Kryesisë së BKSH-së. Mbledhjen e udhëhoqi kryetari i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, Abdulla Mehmeti. Qëllimi i kësaj mbledhje përgatitore ishte njoftimi me qëndrimet e Kryesisë së BKSH-së, për rendin e ditës, mbarëvajtjen e punës, mbajtjen nën kontroll të situatës pas tensionimit të shkaktuar nga organet drejtuese të Kuvendit komunal të Tetovës, me mbylljen e derës së sallës ku ishte planifikuar t’i zhvillojë punimet ky Kuvend, edhe pse paraprakisht ishte siguruar leje me shkrim nga organet përkatëse të Kuvendit komunal, me kërkesë të Bashkësisë Kulturore Shqiptare, si organizator i këtij Kuvendi, si dhe kërcënimeve nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme; për hapjen dhe drejtimin e punimeve të Kuvendit, ruajtjen e gjakftohtësisë edhe po të ketë tone polemizuese, mënyrën e emërimit dhe përbërjen e Komisioneve amë për secilin fakultet të ardhshëm të Universitetit; nënshkrimin Deklaratës për hapjen e Universitetit të Tetovës nga të gjithë pjesëmarrësit, e cila do të miratohej për njoftimin e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm etj.
Asgjë nuk ka qenë e pa planifikuar dhe pa analiza të hollësishme. Është studiuar hollësisht korniza ligjore, baza kushtetuese, mbështetja sipas akteve ndërkombëtare për realizimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare në nivel universitar, dhe janë ndërmarrë aktivitetet e nevojshme për ngritjen e kësaj iniciative dhe realizimin e saj në kohën më të përshtatshme, sipas vlerësimit tonë. Muaji qershor nuk ka qenë i zgjedhur rastësisht, as vendi dhe as pjesëmarrësit.
Në kohën e paraparë, në orën 11:00, në sallën solemne të Kuvendit komunal të Tetovës i filloi punimet Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës. Me fjalë rasti, këtë Kuvend e hapi Abdulla Mehmeti, në cilësinë e Kryetarit të BKSH-së, në organizimin e së cilës u bënë ftesat dhe u organizua ky Kuvend. Sipas planifikimit të mëhershëm, u emërua edhe Kryesia e punës së Kuvendit, në përbërje: dr. Murtezan Ismaili, dr. Fadil Sulejmani (kryesues), dr. Ali Vishko, mr. Ruzhdi Lata dhe Abdulla Mehmeti, në cilësi të organizatorit të këtij Kuvendi. Në vazhdim, z. Fadil Sulejmani, pasi u falënderua për besimin e dhënë, e paraqiti referatin e tij të përgatitur për këtë Kuvend, për arsyeshmërinë shoqërore dhe ekonomike të themelimit të Universitetit të Tetovës.
Në këtë Kuvend morën pjesë 116 delegatë, nga të gjitha viset shqiptare në Maqedoni, përfaqësues të partive politike, asociacioneve jopolitike shqiptare, përfaqësues të komunave, ndërsa pjesën më të madhe të delegatëve e përbënin intelektualë me tituj shkencorë.
Me rastin e 21 vjetorit të mbajtjes së këtij Kuvendi, në mënyrë autentike do ta paraqesim shkrimin e korrespodentit të gazetës ,,Flaka”, Enver Shala, për punimet e Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994:
,,Tetovë, 5 qershor 1994.
Tetova dje ishte dëshmitare edhe e një date historike për popullin shqiptar. Në sallën e Kuvendit të komunës së Tetovës, me iniciativë të Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni u mbajt mbledhje përkitazi me organizimin e shkollimit të lartë, i cili me vendimin e të pranishmëve u shndërrua në Kuvend për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe në Maqedoni, ku morën pjesë intelektualë të rangut universitar nga të gjitha trojet e Maqedonisë ku banojnë shqiptarët. Që në fillim të mbledhjes kryetari i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, Abdulla Memeti, pos tjerash, kërkoi që në këtë tubim të dominojë arsyeja, mençuria dhe harmonia mes të pranishmëve (që ishte paralajmërim se do të ketë edhe diskutime polemizuese), ndërsa lidhur me arsyeshmërinë e hapjes së këtij institucioni në Maqedoni foli dr. Fadil Sulejmani.
Dr. Fadil Sulejmani përkujtoi se në Maqedoni me kohë është i pranishëm një potencial i mirë i intelektualëve të profileve të ndryshme me arsim sipëror të cilët disponojnë tituj magjistrash dhe doktorësh të shkencave. Tash të evidencuar mbi 150 e së shpejti ky numër do të jetë edhe mbi 200, që është një bazë e mirë për nismën e një institucioni të lartë siç synojmë. Shkollimi i lartë dhe sipëror i shqiptarëve në Maqedoni nuk duhet t’i pengojë askujt, shqiptarët kanë të drejtë të shkollohen deri në fund, që u është mohuar deri tash, dhe se gjithë kjo do të shërbejë edhe si urë afrimi mes dy popujve. Nuk kemi rrugëdalje tjetër pa mos i realizuar të gjitha të drejtat kombëtare. Ai tha se universiteti në gjuhën shqipe në Maqedoni në fillim do të fillojë me punë me gjashtë fakultete, sa kemi kushte tash, ndërsa për këtë vendim do t’i informojmë forumet përkatëse dhe faktorin ndërkombëtar duke kërkuar edhe përkrahjen e tyre. Nga diskutuesit e shumtë (mbi 30) ishte edhe mr. Halim Purellku, i cili kërkoi që kjo iniciativë të vihet në procedurë të rregullt me vendimin e kuvendeve të Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, ku kuvendarët janë kryesisht shqiptarë. Nënkryetari i KK të Tetovës, Liman Kurtishi, njoftoi të pranishmit se ky kuvend (i komunës) në shkurt të këtij viti i ka bërë një kërkesë Ministrisë së Arsimit që të bëjë përgatitjen e elaboratit për funksionimin e një fakulteti në Tetovë, por pa rezultat. Dr. Reshat Nexhipi tha se me themelimin e universitetit do t’i tregojmë botës se me çfarë potenciali disponojmë, e nëse pengohemi nga pushteti maqedonas, atëherë le të shihet se sa demokratik është ky shtet. Duhet ë jemi të vendosur në realizimin e qëllimit tonë, tha Agni Dika, ne e dëshirojmë universitetin dhe do ta kemi. Dr. Agim Vinca i bëri një vështrim më të gjerë seriozitetit të problemit, por nisur nga përvoja jonë e hidhur, kur disa punë i lëmë të pakryera, ose i nisëm dhe i lëmë në gjysmë, tha se duhet të mobilizohemi deri në fund për hapjen e universitetit si nevojë jetike e popullit shqiptar në IRJM. Mr. Sefedin Haruni foli gjerësisht për atë se çka është punuar në kuadër republikan për hapjen e Fakultetit Pedagogjik, duke ua sqaruar të pranishmëve edhe fazat e realizimit, diskutim ky që hasi në kundërshtim te kryesuesi i punës së Kuvendit, dr. Fadil Sulejmani. Përveç të tjerëve, në diskutim u inkuadrua edhe profesori Xhevahir Shaqiri, i cili tha se përherë kur është kërkuar diçka për avancimin e arsimit shqip, kemi hasur në vështirësi te pushtetmbajtësit maqedonas. Ashtu ishte edhe në vitin 1945-1946 kur duhej të hapen paralelet në gjuhën shqipe në gjimnazin e Tetovës. Por me këmbënguljen tonë, pasi që u tubuan 150 nxënës, ia arritëm qëllimit që Tetova të jetë qytet i parë në Jugosllavinë e atëhershme ku u hapën klasa të shkollimit të mesëm në gjuhën shqipe. Mendimet e veta i prezantuan mr. Nexhat Abazi, dr. Tahir Zajazi, dr. Gjylimsere Kasapi, Jashar Kasami, Daim Iljazi, mr. Nexhibe Palloshi, dr. Rahmi Tuda, dr. Bedri Kambri e shumë të tjerë.
Diskutimet kishin të bëjnë me çështjen se, a thua ky Kuvend ka kompetenca që të mund ta themelojë Universitetin në gjuhën shqipe në Maqedoni, për çka mendimet e veta i paraqitën dr. Halim Purellku, dr. Alajdin Abazi, dr. Agim Vinca e të tjerë. Ata kërkonin që ky aktivitet të merr rrjedha ligjore, gjë që duhet të bëhet nëpërmjet marrjes së vendimit të tre kuvendeve komunale, ku janë këshilltarët shqiptarë në shumicë, procedurë kjo që është zbatuar edhe në themelimin e Universitetit të Manastirit, kur vendimin për themelimin e tij e kanë marrë kuvendet komunale të Manastirit, Prilepit dhe Ohrit.
Pasi njëzëri kuvendarët votuan për sjelljen e Vendimin për themelimin e Universiteti në gjuhën shqipe në Maqedoni, kuvendarët e pranishëm aprovuan edhe Deklaratë për themelimin e Universitetit dhe e nënshkruan atë, në të cilën pos tjerash thuhet:
,,Me këtë deklaratë e njoftojmë opinionin se Kuvendi i intelektualëve shqiptarë të rangut universitar mori vendim për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe në Maqedoni. Në rrethanat e krijuara në Maqedoni, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, kur u vunë kufijtë e paligjshëm brenda territoreve tona etnike dhe u bë i pamundshëm studimi i shqiptarëve nga Maqedonia në Universitetin e Prishtinës, e më gjerë, si dhe të bojkotuar nga universitetet e Maqedonisë, që i financojnë edhe shqiptarët, intelektualët shqiptarë të rangut universitar nga Maqedonia e panë të arsyeshme që të mbajnë Kuvendin për ngritjen e iniciativës për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni. Nga fakti se në këtë republikë mijëra shqiptarë me shkollë ë mesme e kanë të pamundshme t’i vazhdojnë studimet universitare, është nevojë e zhvillimit të natyrshëm e civilizues, marrja e këtij vendimi historik e human për ngritjen e kuadrove arsimore e shkencore të shqiptarëve në Maqedoni në gjuhën e tyre amtare.
Për këtë shkak, më 4 qershor 1994, në Tetovë u mbajt Kuvendi i intelektualëve shqiptarë të rangut universitar nga Maqedonia dhe mori këtë vendim: themelohet Universiteti në gjuhën shqipe në Maqedoni, me seli në Tetovë”.
Ky Kuvend e zgjodhi Kryesinë e Universitetit, prej tre anëtarësh, në përbërje: dr. Fadil Sulejmani, dr. Agni Dika dhe dr. Murtezan Ismaili. U zgjodh njëkohësisht Këshilli themelues (amë) në përbërje prej 18 anëtarëve, nga tre për gjashtë fakultetet që do të themelohen, të cilët janë: Fakulteti Filologjik, dr. Mahmud Hysa, dr. Imail Ahmedi dhe Mr. Nexhibe Palloshi; Fakulteti Filozofik, dr. Masar Kodra, dr. Avzi Mustafa dhe dr. Gjylimsere Kasapi; Fakulteti Juridik – Ekonomik, mr. Musli Halimi, mr. Abdulla Aliu dhe mr. Petrit Pollozhani; Fakulteti Pedagogjik, dr. Tahir Zajazi, mr. Rahim Ganiu dhe mr. Abdirauf Pruthi; Fakulteti Teologjik, dr. Feti Mediu, mr. Bari Aliu dhe ef. Sulejman Rexhepi; dhe Fakulteti i Arteve, Adem Kastrati, Miftar Memeti dhe Zijadin Ismaili. Universiteti fillon punën në vitin shkollor 1994-1995. Selia e universitetit do të jetë qyteti i Tetovës.
Kërkohet nga kuvendet komunale të Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, si dhe nga përfaqësuesit tanë politik në Parlamentin dhe Qeverinë e Maqedonisë, të marrin përsipër sjelljen e aktvendimit për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe, thuhet në Deklaratë.
Pasi që deklarata u aprovua me duartrokitje, Kuvendi i përfundoi punimet, ndërsa organet e zgjedhura mbajtën takimin e vet të parë, që të konkretizohen dhe intensifikohen punët”.
Vlen të theksohet me këtë rast se, në shkrimin e gazetarit Enver Shala, duke pasur parasysh afatin e shkurtë kohor për përgatitjen e këtij shkrimi nga zhvillimi i punimeve të Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës, janë përvjedhur disa lëshime, edhe atë: Nuk është përmendur Komisionit amë për themelimin e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, në përbërje: dr. Bedri Kamberi, dr. Murat Murati dhe mr. Nexhbedin Beadini, i cili është zgjedhur dhe emëruar nga ky Kuvend, ndërsa është përmendur gabimisht Komisioni amë për themelimin e Fakultetit Pedagogjik, për të cilin është lënë të vendoset më vonë, pas marrjes së pëlqimit nga Komisioni Amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, me seli në Shkup.
Në vazhdim e paraqesim listën (jo të plotë) të pjesëmarrësve dhe diskutime në këtë Kuvend:
Kryesia e punës së Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës: 1. Abdulla Mehmeti, 2. dr. Ali Vishko, 3. dr. Murtezan Ismaili, 4. dr. Fadil Sulejmani, 5. Mr. Ruzhdi Lata.
Pjesëmarrës në Kuvend, me mandat të delegatit të ftuar: dr. Masar Kodra, dr. Rahmi Tuda, dr. Agim Vinca, dr. Tahir Zajazi, dr. Bedri Kamberi, dr. Veli Veliu, dr. Agni Dika, dr. Alajdin Abazi, dr. Avzi Mustafa, dr. Murat Murati, dr. Gjylimsere Kasapi, dr. Reshat Nexhipi, dr. Feti Mehdiu, mr. Agim Shabani, mr. Vebi Kadriu, mr. Ibrahim Veliu, mr. Hamit Xhaferi, mr. Ismail Ahmedi, mr. Nexhbedin Beadini, mr. Sefedin Haruni, mr. Halim Purellku, mr. Xhemaludin Idrizi, mr. Shaqir Aliti, mr. Nexhibe Palloshi, mr. Agim Leka, mr. Abdyl Koleci, mr. Nexhat Abazi, Beqir Berisha, Ejup Ajdini, Sheqibe Beadini, Enver Shala, Agron Reka, Musa Arifi, Ejup Mahmuti, Xhevahir Shqiri, Kadir Shabani, Mustafa Arifi, Muharrem Idrizi, Refik Vejseli, Jashar Kasami, Nexhmedin Neziri, Ismail Arsllani, Shaban Xheladini, Jakup Marku, Xhabir Ahmeti, Isak Zejneli, Zeqir Kadriu, Iljaz Halimi, Liman Kurtishi, Daim Iljazi, Hafet Sherifi, Fatmir Sulejmani, Fadil Bekteshi etj.
Pjesëmarrës në diskutime, sipas radhës: 1. Dr. Bedri Kamberi, 2. Mr. Halim Purellku, 3. Prof. Xhevahir Shaqiri, 4. Dr. Veli Veliu, 5. Liman Kurtishi, 6. Dr. Reshat Nexhipi , 7. Dr. Agni Dika , 8. Jakup Marku, 9. Mr. Abdyl Koleci, 10. Beqir Berisha , 11. Dr. Feti Mehdiu, 12. Fadil Bekteshi, 13. Dr. Murat Murati, 14. Mr. Sefedin Haruni, 15. Isak Zejneli, 16. Mr. Nexhat Abazi, 17. Daim Iljazi, 18. Dr. Rahmi Tuda, 19. Myqereme Rusi, 20. Dr. Agim Vinca, 21. Zeqir Kadriu, 22. Mr. Nexhibe Paloshi, 23. Jashar Kasmi, 24. Dr. Tahir Zajazi , 25. Iljaz Halimi , 26. Dr. Gjylimsere Kasapi, 27. Mr. Ismail Ahmedi, 28. Hafet Sherifi, 29. Nexhmedin Neziri dhe 30. Samet Huseini.
Me rastin e 15 vjetorit të mbajtjes së Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës, në vitin 2009, Bashkësia Kulturore Shqiptare në Maqedoni solli Vendim për shpalljen e 4 Qershorit ditë feste, dhe këtë e bëri publike për opinionin e gjerë përmes një Komunikate, në të cilën thuhet:
– Duke marrë parasysh rëndësinë historike të kësaj date për shqiptarët e Maqedonisë dhe për kombin shqiptar në përgjithësi;
– Duke konsideruar se ky Kuvend i hapi rrugë arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, me themelimin e Universitetit të Tetovës;
– Duke konsideruar se ky hap i madh historik, nxiti dhe iniciativa të tjera për hapjen e institucioneve të arsimit sipëror, si: Fakulteti Pedagogjik, me mësim edhe në gjuhën shqipe, në kuadër të Universitetit të Shkupit, Fakulteti i Shkencave Islame, i hapur një vit më vonë nga Qeveria e Maqedonisë, i cili ishte njëri nga 7 fakultetet e parapara në përbërje të UT-së, Universiteti i Evropës Juglindore, i hapur me iniciativën e komisionarit të posaçëm të OBSE, Van Der Shtul, në përpjekje për gjetjen e zgjidhjes për arsimin sipëror në gjuhën shqipe, si dhe iniciativave të tjera, në interes të avancimit të së drejtës për arsimim në gjuhën amtare;
– Duke i pasur në konsideratë të gjitha sakrificat e popullatës shqiptare, rënien e dëshmorit të arsimit, Abdylselam Emini, si dhe të studentëve të këtij Universiteti, të cilët në vitin 2001 u flijuan në altarin e lirisë, me idealin e madh për liri dhe barazi, sigurimin e të drejtave kombëtare, për flamur, gjuhë amtare dhe shkollë shqipe;
– Duke e çmuar lartë sakrificën e profesorëve, sidomos nga qendrat universitare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, të cilët nuk e kursyen potencialin e tyre intelektual, mendor dhe fizik për arsimimin e brezit të ri;
– Duke e vlerësuar lartë sakrificën dhe përgjegjësinë e studentëve, për sigurimin e ardhmërisë së tyre dhe të perspektivës për gjeneratat e reja, me vite të tëra e mbrojtën Universitetit nga kthetrat e injorancës politike, shovinizmit dhe barbarisë antidemokratike;
-Duke qenë të bindur se hapja e Universitetit, sigurimi i të drejtës së secilit për arsimim në gjuhën amtare në të gjitha nivelet, pa dalim të përkatësisë etnike, gjuhësore dhe fetare, i kontribuon zhvillimit të përgjithshëm, avancimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, paqes ndërkombëtare dhe progresit:
Datën 4 QERSHOR, si ditë më të ndritur nga historia më e re e popullit shqiptar në Maqedoni propozon të shënohet si festë kombëtare: DITA E STUDENTËVE.
Dita e themelimit të Universitetit të Tetovës, 4 Qershori, duhet të jetë festë kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë. Datën 4 qershor duhet ta festojmë si Dita e Studentëve. Kjo datë duhet të përfshihet edhe në kalendarin e festave në Republikën e Maqedonisë. Institucionet nuk duhet të heshtin, aq më pak studentët, sepse kjo festë i nderon ata dhe e nderon çdo shqiptar. Kjo datë nga historia jonë më e re i bashkon të gjithë, i nderon të gjithë, na bën të gjithëve të ndjehemi krenarë!
* ) Ky shkrim është publikuar në gazeta dhe portale në gjuhën shqipe, me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës. Me rastin e 21 vjetorit, ky shkrim publikohet me ndryshime dhe plotësime. Autori, A.M.

======================

Homazhe te varri i Dr.Fadil Sulejmanit ( 4 qershor 2015 )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura