Prishtinë, 17. 12. 2014 – Në kohën e shpalljes së pavarësisë (1912), tokat shqiptare gjithandej ishin të pushtuara nga ushtritë osmane, serbe, greke, malazeze. Luftërat ballkanike dhe Lufta e Madhe, siç quhej Lufta e Parë Botërore, moscaktimi në terren i kufijve të shtetit, moskonsolidimi i brendshëm, ndërlikimet ndërkombëtare, propaganda e fqinjëve, marrëveshjet e hapëta e të fshehta për copëtimin e trojeve, mosnjohja e pavarësisë nga shtetet e botës, e kishin mbarsur shtetin e porsalindur me probleme të shumta e të mëdha, të cilat kërcënonin zhbërjen e tij. Çështja kombëtare shqiptare ishte në pikëpyetje të madhe. Në seancën e Asamblesë së Lidhjes së Kombeve, më 17 dhjetor 1920, kur Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes me të drejta të barabarta, lordi Robert Cecil deklaronte: “Asgjë nuk është më thelbësore për paqen në Europë, sesa rregullimi i çështjes së Ballkanit. Sa më shumë vonohet rregullimi i çështjeve kombëtare në Ballkan, aq më shumë do të vazhdojnë të ruhen kërcënimet dhe rreziqet për paqen në Europë”.
Themelimi i Lidhjes së Kombeve
Lidhja e Kombeve u themelua në Konferencën e Paqes në Paris (më 28 prill 1919). Parimet e presidentit amerikan Vudrov Vilson, të formuluara në “14 pikat e Vilsonit”, u bënë thelbi i Statutit të Lidhjes së Kombeve. Në ato 14 pika, Wilsoni shprehte politikë e diplomaci të re transparente, e jo politikë e diplomaci pas kulisave; siguri kolektive ndërkombëtare dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje. Lidhjen e themeluan fituesit e Luftës së Parë Botërore, si një organizëm botëror që do të garantonte sigurinë dhe paqen ndërkombëtare, por shpejt u pa se qëllimi kryesor ka qenë dominimi i fuqive të mëdha në botë. Pakti i themelimit përcaktonte pozitën juridike, të drejtat dhe obligimet e shteteve anëtare. Ishin tri kategori të shteteve anëtare: 1) shtetet-anëtare themeluese, që ishin 32 shtete pjesëmarrëse të Luftës së Madhe; 2) shtetet-anëtare të ftuara për t’iu bashkuar Lidhjes, pasiqë Pakti të hynte në fuqi (shtetet neutrale); dhe 3) anëtaret që do pranoheshin në të ardhmën. Prej themelimit të Lidhjes së Kombeve (1919), deri me shuarjen e saj dhe themelimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (1945). Numri i shteteve anëtare të LK ka ndryshuar vazhdimisht, për shkak të heqjes dorë nga anëtarësimi, për shkak të përjashtimit, ose për shkak të humbjes së subjektivitetit të shtetit.
Gjenevë, 1921: Fan Noli – duke hyrë në Lidhjen e Kombeve.
Kërkesa dhe debati për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve
Me shpresë se Konferenca e Paqes do të vendoste paqen e vërtetë pas gjithë atyre luftërave, dhe se organizata e krijuar në atë Konferencë (Lidhja e Kombeve) do të ishte një mbrojtëse e kombeve dhe shteteve, qeveria e atëhershme e Shqipërisë, përmes përfaqësuesit të vet në
Konferencën e Paqes, Pandeli Evangjeli, më 12 tetor 1920, paraqiti kërkesë zyrtare për ta pranuar Shqipërinë anëtare të Lidhjes së Kombeve. Më vonë (më 22 nëntor), kryesuesi i Delegacionit të Shqipërisë, Fan Noli, kërkesës për anëtarësim ia bashkëngjiti një memorandum, me të cilin shpjegonte në hollësi, dhe ashtu siç dinte Noli, argumentonte statusin dhe sovranitetin e shtetit shqiptar, prej njohjes së tij nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913), dhe Protokolli i Firencës, deri në atë kohë.
Kërkesa e Shqipërisë për t’u pranuar në Lidhjen e Kombeve fillimisht hasi në kundërshtimin e shumicës së krerëve e pjesëmarrësve të Asamblesë, dhe të komisioneve e nënkomisioneve. Kundërshtimet kryesisht bëheshin me arsyetimin se: a) Shqipëria nuk ishte një shtet i krishterë; b) se nuk ishin vendosur kufijtë faktik të shtetit dhe nuk kishte stabilitet në vend; c) se qeveria e Shqipërisë asokohe nuk ishte njohur nga asnjë fuqi. Kundërshtimi i kërkesës vinte si pasojë e propagandës greke e serbe e përkrahur nga disa fuqi, dhe e paditurisë së krerëve të vendosjes për problemet ballkanike. Por, më i zëshmi kundër pranimit të Shqipërisë ishte përfaqësuesi i Francës, i cili propozonte të shtyhej kërkesa deri sa të caktohej statusi i Shqipërisë me një marrëveshje të re ndërkombëtare sepse, sipas tij, marrëveshja nga Konferenca e Londrës (1913) kishte humbur fuqinë!
Akuzat e propagandës greke e sllave se, siç thoshin ata, “qeveria turko-shqiptare do t’i shtypte e masakronte të krishterët”, më së miri i demantonte vet prezenca dhe paraqitja madhështore e Nolit i cili, si prift ortodoks që ishte, e kryesonte Delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes. Noli kishte dije e kulturë të gjerë, fliste anglishten e frëngjishten sikur shqipen, ishte orator i shkëlqyer dhe miqësia e tij me personalitete të shquara në Asamble e në komisione, siç ishin Obri Herbert e Robert Cecil, por edhe personalitete tjera të shquara, bënë efektin e lobimit dhe siguruan përkrahjen në debatin e zhvilluar në Asamble për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Ai i siguronte pjesëmarrësit e Konferencës për bashkëjetesën dhe punën e përbashkët të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga besimet. Këtë bashkëjetesë të harmonishme e ilustronte me faktin se në zgjedhjet e mbajtura, në shumë distrikte ku myslimanët mbizotëronin në numër, ishin zgjedhur deputetë të shumtë krishterë. Këtë e ilustroi me të dhëna nga distrikti i Dibrës, ku prej 78 deputetëve të zgjedhur, 32 ishin të krishterë, dhe kryetari i Dhomës ishte i krishterë. Derisa në Kosovë e në Greqinë e Veriut nuk lejohen shkolla shqipe, në të vetmin fshat serb në Shqipëri (Vrraka, afër Shkodrës), që kishte gjithsejt njëqind banorë, kishte shkollën në gjuhën serbe, sikur që pakica e vogël greke në Shqipëri kishte shkollat në gjuhën e tyre, të cilat i financonte shteti shqiptar.
Lordi Robert Cecil tha se “feja nuk duhet të lidhej fare me çështjen e kërkesës për anëtarësim në Lidhjen e Kombeve”, dhe apeloi fuqishëm në Asamble se “paqja në Europë nuk do të sigurohet kurrë nëse Shqipëria nuk do të garantohej përballë pretendimeve të fqinjëve të saj”. Lordi Cecil argumentoi kontinuitetin e statusit të shtetit shqiptar, duke thënë se: “Njohja e parë (nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, vr.j.) e sjell një shtet në bashkësinë e kombeve dhe pas kësaj ky shtet ekziston, përveç kur ai zhduket me pëlqimin e përgjithshëm apo me pushtim; qeveritë mund të njihen a të mos njihen kohë pas kohe, por shteti mbetet… nuk ka arsye që të vihet në diskutim ndershmëria e Shqipërisë ose dëshira dhe mundësia e saj për të përmbushur detyrimet e veta ndërkombëtare”.
Raporti i Komisionit dhe debati në Asamble
Lidhur me kërkesën e Shqipërisë për pranim në Lidhjen e Kombeve, një komision kishte hartuar raportin, në të cilin përshkruante kushtet e konstatuara nga Memorandumi dhe dokumentacioni i bashkangjitur kërkesës. Komisioni konstatonte se Qeveria aktuale e Shqipërisë nuk ishte njohur nga asnjë fuqi e madhe, dhe se njohja prej fuqive të mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e 1914, kur edhe ishte caktuar princi (Vidi) – nuk është efektive! Megjithatë, komisioni vlerësonte se Qeveria shqiptare ekziston dhe e përfaqëson ndjenjën kombëtare dhe autoritetin mbi gjithë Shqipërinë, dhe se zotohet t’iu përgjigjet të gjitha detyrimeve që merr nga marrëveshjet ndërkombëtare. Sa i përket kufijve, komisioni vlerësonte se ata nuk janë caktuar de facto dhe mund të pësojnë ndryshime nga ndonjë marrëveshje ndërkombëtare. Përfaqësuesi i Serbisë kishte thënë se “Shqipëria nuk është një shtet, por vetëm një çështje ndërkombëtare”.
Marrë në përgjithësi, raporti i komisionit nuk ishte në favor të pranimit të Shqipërisë. Mirëpo, falë zgjuarsisë, autoritetit e miqësisë dhe lobimit të Nolit e miqve të tij, në debatin e zhvilluar në Asamblenë të mbajtur më 17 dhjetor 1920, të gjithë diskutuesit përkrahën kërkesën dhe u deklaruan në favor të pranimit. Kthesë kryesore të disponimit pro kërkesës së Shqipërisë, kishte bërë fjalimi brilant, konstruktiv dhe i argumentuar me parime, që kishte mbajtur juristi i njohur, lordi Robert Cecil, atëherë përfaqësues i Afrikës së Jugut, i cili ishte edhe raportues në Asamble. Përkrahje të madhe kishin dhënë me diskutimet e tyre edhe përfaqësuesi i Kanadasë, Australisë, Perandorisë Britanike, Indisë, Italisë, Rumanisë, madje edhe përfaqësuesi i Francës (Vivian), i cili në fillim këmbëngulte për shtyrjen e pranimit. Kur kryetari i Asamblesë e kishte hedhur në votim, të gjithë 35 përfaqësuesit e pranishëm të shteteve anëtare të Lidhjes së Kombeve votuan për pranimin e Shqipërisë, pa asnjë votë kundër, e 7 abstenime, që nuk ishin të pranishëm. Kështu, Shqipëria më 17 dhjetor 1920, u bë anëtarja e 43-të e Lidhjes së Kombeve, dhe këtë status do ta mbajë deri me shuarjen e asaj Lidhje, në vitin 1945, kur u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara, por që për shkaqe dhe arsye të ndryshme Shqipëria në këtë u anëtarësua dhjetë vjet më vonë, tek në vitin 1955.
Pranimi në Lidhjen e Kombeve ishte një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë, pasi që kështu bashkësia ndërkombëtare ia njohu dhe përforcoi sovranitetin dhe në një mënyrë i garantoi kufijtë që ia kishte caktuar de jure Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Pranimi në Lidhjen e Kombeve ishte arritja më e madhe politike e Shqipërisë asokohe, madje shumëkush aktin e pranimit në Lidhjen e Kombeve e konsideronte si akt më i rëndësishëm se vet akti i shpalljes së pavarësisë (1912). Avantazhet e fituara me anëtarësim ishin të mëdha në krahasim me statusin që kishte para anëtarësimit. Fjala e rastit që mbaji Noli pas pranimit në Lidhjen e Kombeve, ngjalli emocione te të pranishmit. Gjatë gjithë kohës dhe kontakteve me përfaqësues të vendeve anëtare, anëtarë të komisioneve e të Asamblesë, Noli ishte në epërsi me zgjuarsinë, kulturën, elokuencën, oratorinë, dashamirësinë. Anëtarësimi në Lidhjen e Kombeve u bë kryesisht falë punës së suksesshme të Nolit dhe përkrahjes shumë të madhe të lordit Robert Cecil, e miqve tjerë. Suksesi i arritur në Lidhjen e Kombeve e bëri Nolin figurë kryesore në jetën politike të Shqipërisë deri në vitin 1924, kur u bë edhe kryeministër, për t’u larguar përgjithmonë nga Shqipëria pas kthimit të Ahmet Zogut në pushtet, me ndihmën e Serbisë.
( Kontakti me autorin: [email protected] )