ADIL FETAHU: PESË VJET NGA VENDIMI I GJND, “PËR LEGALIZIMIN” E PAVARËSISË SË KOSOVËS

Prishtinë, 19. 07. 2015 – (A nuk ditëm ta kapitalizojmë atë vendim; më shumë njohje (69) para, se pas vendimit të Gjykatës – 42?!) – Procesi që i parapriu shpalljes së pavarësisë së Kosovës – Pas ma se gjashtë vjet të administrimit të përkohshëm të Kosovës nga Kombet e Bashkuara (UNMIK-u), në nëntor të vitit 2005, Sekretari i Përgjithshëm i KB (Ban Ki Mun) emëroi ish-kryetarin e Finlandës (Marti Ahtisari) përfaqësues special të KB për të udhëhequr bisedimet midis institucioneve të përkohshme të Kosovës dhe qeverisë së RFJ (më vonë Serbisë), për të arritur një marrëveshje për statusin final të Kosovës, në bazë të Parimeve të Përgjithshme të Grupit të Kontaktit. Mirëpo, nga bisedimet e zhvilluara, që zgjatën afro një vit e gjysmë, nuk u arrit kurrëfar marrëveshje, për shkak të këmbënguljes kokëfortë të palës serbe, e cila Kosovën e trajtonte si pjesë të pandashme të Serbisë (ata edhe sot e trajtojnë kështu, duke u bazuar në kushtetutën, në mitet dhe në iluzionet e tyre!). Ahtisari më 26 mars 2007, paraqiti raport Sekretarit të KB, të cilin e njoftonte se nuk ka gjasa të arrihet marrëveshje midis palëve, prandaj ky kishte bërë Propozimin për pavarësinë e Kosovës, të mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare, si e vetmja zgjidhje e qëndrueshme. Pala kosovare u pajtua me Propozimin e Ahtisarit, ndërsa pala serbe nuk e pranoi.
Me qenë se ishte e qartë se Propozimi i Ahtisarit nuk do ta merrte pëlqimin në KS, për shkak se do ta kundërshtonin Rusia dhe Kina, u bë edhe një përpjekje, ashtu që palëve iu la edhe një mundësi që me bisedime të arrijnë një marrëveshje. Këtë herë, bisedimet që u zhvilluan prej gushtit deri në dhjetor 2007, u mbajtën nën udhëheqjen e “Trojkës” së Grupit të Kontaktit: BE-ShBA-Rusi (Ishinger-Vizner-Harçenko), mirëpo as nga këto bisedime, që zgjatën 120 ditë, nuk doli ndonjë marrëveshje midis palëve. Prandaj, pas një zgjatje të pakuptimtë të status-quos, Kuvendi i Kosovës, me pajtimin e faktorëve relevantë të bashkësisë ndërkombëtare, më 17 shkurt 2008, miratoi Deklaratën për shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran.

Reagimet e Serbisë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Qeveria e Serbisë kishte dijeni për ditën kur do të shpallej pavarësia e Kosovës, prandaj tri ditë më përpara (më 14 shkurt 2008), kishte miratuar Propozim-vendimin për anulimin e pavarësisë së Kosovës, të cilin pastaj e miratoi Kuvendi Popullor i RS dhe e shpalli si vendim të vetin. Në tekstin e njëjtë (të Propozim-vendimit të Qeverisë, dhe Vendimit të Kuvendit të Serbisë), që mbanë titullin: “Vendimi për anulimin e akteve antiligjore të organeve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë e Metohi mbi shpalljen e njëanshme të pavarësisë”, përveç Preambulës (hyrjes) së gjatë, teksti i (dispozitivit të) Vendimit ka këtë përmbajtje:
1.“Anulohen të gjitha aktet dhe veprimet e organeve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë e Metohi, me të cilat shpallet pavarësia e njëanshme, ngase shkelin sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Serbisë, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, me Kartën e Kombeve të Bashkuara, me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe me të drejtën e vlefshme ndërkombëtare. Këto akte dhe veprime paraqesin shkëputje të dhunshme të njëanshme të një pjese të territorit të Republikës së Serbisë, prandaj janë të pavlefshme dhe nul. Këto akte dhe veprime nuk prodhojnë kurrëfar efekti juridik në Republikën e Serbisë, as në rendin juridik ndërkombëtar. Shkëputja e njëanshme e një pjese të territorit të shtetit sovran paraqet dhunë juridike mbi Republikën e Serbisë dhe dhunë mbi të drejtën e vlefshme ndërkombëtare.
2. Qeveria e Serbisë edhe me këtë vendim konfirmon se Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë është pjesë e patjetërsueshme e rendit unik dhe të pandashëm kushtetues të Republikës së Serbisë, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.
3. Qeveria e Republikës së Serbisë edhe me këtë Vendim konfirmon se të gjithë Serbët dhe të gjithë qytetarët e Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, të cilët e pranojnë shtetin e Serbisë, janë plotësisht të barabartë si qytetarë të Republikës së Serbisë, dhe kanë plotësisht të drejtë të mos i pranojnë aktet jolegale mbi shpalljen e njëanshme të pavarësisë.
4. Qeveria e Serbisë konfirmon gatishmërinë që në territorin e Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet, si dhe gjithë rendin juridik të Republikës së Serbisë.
5. Qeveria e Republikës së Serbisë kërkon që edhe të gjitha organet dhe institucionet e tjera të Republikës së Serbisë të ndërmarrin të gjitha aktet dhe masat ligjore me të cilat sigurohet dhe realizohet uniteti dhe pandashmëria e territorit të Republikës së Serbisë i caktuar me Kushtetutë, në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe me Marrëveshjen ushtarako-teknike të lidhur midis Forcave ndërkombëtare të sigurisë (“KFOR”) dhe qeverive të Republikës Federative të Jugosllavisë e të Republikës së Serbisë.
6. Duke iu referuar Rezolutës së Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Serbisë, veçanërisht pikës 5 të Rezolutës, në të cilën Kuvendi Popullor kërkon nga Qeveria e Republikës së Serbisë që me Bashkimin Evropian ta vërtetojë se Misioni i Bashkimit Evropian nuk mund të vjen në territorin e Republikës së Serbisë, në Kosovë e Metohi, pa vendimin adekuat të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara,- Qeveria e Republikës së Serbisë i shpallë nul të gjitha vendimet e organeve të Bashkimit Evropian mbi dërgimin e misionit në Kosovë e Metohi. Këto vendime, si të kundërligjshme, për Republikën e Serbisë nuk prodhojnë kurrëfar efekti juridik as kurrëfar obligimi të Republikës së Serbisë ndaj Bashkimit Evropian, as ndaj kujtdo që do t’i zbatonte.
7. Qeveria e Republikës së Serbisë kërkon konvokimin urgjent të seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në të cilën, konform Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244, menjëherë të anulohet akti antiligjor mbi shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Krahinës. Qeveria e Republikës së Serbisë kërkon që Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara të ndërmerr të gjitha masat që ka në dispozicion sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe sipas akteve tjera të atij organi të Kombeve të Bashkuara, që ta pengojë shkeljen e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe menjëherë t’i anulojë të gjitha aktet dhe veprimet me të cilat shpallet në mënyrë të kundërligjshme pavarësia e njëanshme e Krahinës, si dhe ta parandalojë çdo shkelje të mëtejme të Rezolutës dhe të akteve tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të normave dhe rregullave në fuqi të së drejtës ndërkombëtare.
8. Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara që ta respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë, konform të drejtës ndërkombëtare, Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Vendimi i cituar më sipër, u publikua si akt i Qeverisë së Serbisë, në “Slluzhbeni gllanik RS”, nr.18/08, ndërsa si akt i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, në “Slluzhbeni gllanik RS”, nr.19/08. Nga përmbajtja e vendimit, përsëritjet e shumta te fjalive të njëjta, shihet se çfarë nervoze i kishte kapluar lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ata madje i jepnin vetës të drejtën që t’i shpallin nul e të pavlefshme edhe vendimet dhe aktet e Bashkimit Evropian për dërgimin në Kosovë të Misionit Evropian (EULEX); shih pika 6 e Vendimit.
Ky ishte reagimi juridik, paraprak dhe post-festum i Qeverisë, respektivisht i Kuvendit të Serbisë ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Reagimet faktike, qytetarët i mbajnë mend: protestat e dhunshme në Beograd e në qytete tjera të Serbisë, djegëjën e ambasadave të shteteve perëndimore e të dyqaneve të shqiptarëve, vjedhjet nëpër shitore. Përpos luftës së armatosur, Serbia nuk la gjë e veprim tjetër pa bë në planin kombëtar e ndërkombëtar, kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me shpresë që ta pengojë njohjen ndërkombëtare dhe funksionimin e shtetit të Kosovës.
Kërkesa e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta anulojë aktin e pavarësisë
Pas një stuhie reagimesh politike, diplomatike, faktike, kishtare e çfarë jo tjetër, Serbia i paraqiti nismën Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, që të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlerësimin (dhe anulimin) e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Diplomacia e Serbisë harxhoi shumë energji e para, duke vizituar nëpër botë shumicën e shteteve anëtare të KB, për t’i bindur ato që ta përkrahin kërkesën e Serbisë, me shpresë dhe bindje të plotë se Gjykata do ta anuloje aktin e pavarësisë, dhe se pavarësinë nuk do ta njohin shtete tjera, ndërsa ato që e kanë njohur – do t’i revokojnë njohjet!
Asambleja e Përgjithshme e KB, në mbledhjen e mbajtur më 8 tetor 2008, me 77 vota “për”, 74 “abstenime” dhe 6 vota “kundër”, e pranoi nismën e Serbisë, dhe miratoi Rezolutën nr.63/3, me të cilën kërkoi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të jepte mendimin këshillues lidhur me legalitetin dhe legjitimitetin e Deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Në Serbi, por jo vetëm atje, pranimi i kërkesës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, u vlerësua si fitore e madhe e diplomacisë serbe. Është interesant, se vetëm një ditë më vonë, më 9 tetor, Mali Zi dhe Maqedonia e njohën pavarësinë e Kosovës, gjë që Serbia e konsideroi si “thikë pas shpine Serbisë nga vëllai i vogël dhe fqinji më i afërt”.
Pyetja e formuluar në Rezolutë, së cilës duhej t’i jepte përgjigje Gjykata ishte: “A është Deklarata e njëanshme e pavarësisë, e miratuar nga institucionet vetëqeverisëse të Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”?
Procesi gjyqësor dhe Vendimi-Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë, është organi më i lartë i drejtësisë në botë, i themeluar bashkë me OKB-në (në vitin 1946). Ajo Gjykatë merr vendime të obligueshme, pa të drejtë ankese, ose jep mendime këshilluese. Vendimet i merr sipas kërkesës së ndonjë shteti anëtar i OKB-së, në rast mosmarrëveshje me shtetin tjetër. Mendimin këshillues e jep sipas kërkesës së Asamblesë së Përgjithshme, ose sipas kërkesës së ndonjë agjencie të KB. Gjykata ka 15 gjyqtarë, me mandat 9 vjet, prej shteteve-kombeve të ndryshme, por ata janë të pavarur dhe nuk e përfaqësojnë shtetin e tyre, gjë që u pa edhe në rastin e dhënies së Mendimit lidhur me pavarësinë e Kosovës, kur. edhepse Meksiko nuk e kishte njohur pavarësinë e Kosovës, gjyqtari nga ai shtet votoi në favor të pavarësisë, ndërsa Sierra Leone që më 13 korrik 2008 e kishte njohur pavarësinë, gjyqtari i atij vendi votoi kundër.
Procesi gjyqësor fillohet dhe zhvillohet me shkëmbimet me shkrim të argumenteve nga palët e interesuara, e pastaj mund të pasohet edhe me pjesëmarrjen në seancat dëgjimore për çështjen që shqyrtohet. Vendimi (edhe Mendimi këshillues është vendim, sepse merret në të njëjtën procedurë, veçse nuk është akt obligues për ndonjë palë) merret me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve, dhe bazohet në Kartën e KB dhe në Statutin e Gjykatës.
Në procesin gjyqësor lidhur me Deklaratën e pavarësisë së Kosovës, Gjykata i njoftoi shtetet anëtare të KB se në afatin e caktuar (deri më 19 prill 2009), mund të paraqesin mendimet, argumentet, komentet dhe opinionet e tyre me shkrim lidhur me pyetjen konkrete, dhe të marrin pjesë në seancat gjyqësore. Lidhur me pavarësinë e Kosovës, pjesëmarrjen në seancë gjyqësore, ose dërgimin e mendimit me shkrim i paraqitën 38 shtete; bile Venezuela e paraqiti një javë pas afatit të caktuar, por Gjykata ia pranoi sikur të ishte me afat. Në seancën përfundimtare morën pjesë 60 delegacione e përfaqësues të shteteve dhe të organizatave të ndryshme, 96 gazetarë, kameramanë e fotografë të mediave kryesore të botës. Sekretari i Gjykatës (Andra Poskakuhin) pati deklaruar se në historinë e veprimit të kësaj Gykate, ky ishte numri më i madh i shteteve të interesuara për të paraqitur opinionet dhe për të marrë pjesë në seancat gojore. Për Kosovën, mendimet dhe komentet i paraqitën: profesori Jochen Frowein, drejtor i Institutit “Max-Planck” nga Haidelbergu (Gjermani), dhe prof. Terry Gill, nga Universiteti i Amsterdamit. Nuk duhet harruar ndihmën e madhe të Qeverisë dhe diplomacisë së Shqipërisë në përkrahjen e Kosovës për atë proces gjyqësor. Ekipit të juristëve të Serbisë i printe profesori Tomas Flajner, ish-dekani i Fakultetit Juridik të Flajburgut. Seanca e shqyrtimit gojor u mbajt prej 1-11 dhjetor 2009, në të cilën pikëpamjet dhe argumentet e tyre, për ose kundër pavarësisë së Kosovës i kanë paraqitur 28 shtete të botës, duke përfshirë edhe Kosovën dhe Serbinë. Qëndrimin e Serbisë e kanë përkrahur 12 shtete: Argjentina, Azerbejxhani, Bellorusia, Bolivia, Brazili, Kina, Qipro, Spanja, Rusia, Rumunia, Venezuela, Vietnami. Kosovën e kanë përkrahur 14 shtete: ShBA, Shqipëria, Gjermania, Arabia Saudite, Austria, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Franca, Finlanda, Jordania, Norvegjia, Holanda, Britania e Madhe, dhe Burundi që nuk u deklarua shprehimisht!
Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të opinioneve dhe argumenteve të paraqitura me shkrim ose në seancën gojore, në kontekst të pyetjes që ia kishte bërë Asambleja e Përgjithshme e KB, Gjykata më 22 korrik 2010 shpalli vendimin e marrur, si konkluzë e përgjithshme e mendim këshillëdhënës se: “Miratimi i Deklaratës së Pavarësisë, e 17 shkurtit 2008, nuk e cënon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 (1999) të KS, as Kornizën kushtetuese. Konkludimi i përgjithshëm: Deklarata nuk e cenon asnjë normë të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare”.
Ky formulim i Vendimit gjyqësor, për Mendimin këshillues që kishte kërkuara Asambleja e Përgjithshme e KB, u muar me 10 vota “për”, dhe katër vota “kundër”. Për këtë përmbajtje të vendimit votuan: Hisashi Ovada (nga Japonia), që ishte njëherit edhe kryetar i Gjykatës, Abdul Korama (Sierra Leone), On Shokat Al-Kasone (Jordani), Tomas Burgental (ShBA), Bruno Sima (Gjermani), Roni Abraham (Francë), Konet Kit (Zelanda e Re), Abdulkavi Jusuf (Somali), Kristofer Grinvud (Britani e Madhe), Bernardo Sepulveda Amor (Meksiko). Kundër Mendimit këshillëdhënës votuan: Peter Tomka (Sllovaki), Muhamed Benjun (Maroko), Leonid Skotnjikov (Rusi) dhe Antonio Augusto Kankardo Trinidate (Brazil). Gjyqtari Shi Gjujong (nga Kina) nuk ka votuar, sepse më përpara (më 28 maj 2009) kishte dhënë dorëheqje.
Përndryshe, lidhur me mendimin e kërkuar, Gjykata ka pasur tri deklarime-votime. Së pari me vota njëzëri, është deklarua se është kompetente për të dhënë mendimin këshillues përkitazi me legalitetin e shpalljes së pavarësisë. Së dyti, me vota 9:5 është marrë vendimi për të dhënë mendimin, dhe së fundi 10:4 është miratua teksti i formuluar i vendimit-mendimit këshillues.
Kryetari i Gjykatës, Hisashi Ovada, me rastin e shpalljes së vendimit (22 korrik 2010), sqaroi ecurinë e procesit dhe arsyetoi vendimin e marrur, duke i dhënë përgjigje adekuate juridike pyetjes konkrete dhe precize të Asamblesë së Përgjithshme të KB, pa u lëshua në konsekuencat politike të Deklaratës mbi shpalljen e pavarësisë. Duke arsyetuar vendimin e Gjyatës, kryetari Ovada sqaroi se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk e ndalon miratimin e Deklaratës së pavarësisë. Rezoluta 1244 e KS as nuk e ka prejudikuar statusin final, as nuk e ka ndaluar shpalljen e pavarësisë, sikur që as Korniza Kushtetuese e Kosovës, që ishte në fuqi në kohën e miratimit të Deklaratës, nuk e ndalonte shpalljen e pavarësisë. Ovada bëri edhe një vështrim kontekstit të gjendjes që i ka parapri shpalljes së pavarësisë, duke filluar nga konflikti (lufta) e vitit 1999, administrimi i KB dhe prania e forcave ndërkombëtare në Kosovë, negociatat e zhvilluara për statusin e Kosovës, të udhëhequra nga Marti Ahtisari dhe nga “Trojka” (BE-ShBA-Rusi). Gjykata nuk u lëshua në pasojat juridike të Deklaratës, as sa i përket njohjes ndërkombëtare të kësaj pavarësie, as veprimeve të mëtejshme të Asamblesë së Përgjithshme të KB lidhur me rastin, por vetëm vlerësoi se Deklarata e pavarësisë nuk ka shkelur asnjë akt të përgjithshëm as të veçantë ndërkombëtar.
Reagimet ndërkombëtare ndaj Vendimit (Mendimit) të Gjykatës
Menjëherë pas shpalljes së Vendimit (Mendimit këshillues) të Gjykatës, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Ketrin Eshton, në emër të BE-së përshëndeti vendimin e Gjykatës si akt i rëndësishëm, që paraqet një fazë të re, kur duhet të fokusohemi për të ardhmën e Kosovës dhe të Serbisë në BE… Nënkryetari i ShBA-ve, Xhozef Bajden, në bisedën telefonike me kryetarin e Serbisë (Boris Tadiq) lidhur me vendimin e GjND, konfirmoi përkrahjen e plotë dhe përkushtimin e Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, dhe ftoi Qeverinë e Serbisë për veprime konstruktive me Kosovën në zgjidhjen e çështjeve praktike të jetës së njerëzve në Kosovë, në Serbi e në rajon. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ftoi palët për përmbajtje nga provokimet pas kumtesës së GjND. Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner (ish-administratori i UNMIK-ut), deklaroi se Beogradi e Prishtina tash duhet të hapin dialogun politik për zgjidhjen e problemeve konkrete. Ndërkaq, Moskva zyrtare rikonfirmoi qëndrimin e pandryshueshëm të Rusisë për mosnjohjen e Kosovës. Mediat kryesore botërore, me shenjen “urgjent” e publikuan Mendimin e GjND, e vlerësuan si bazë të mirë për njohje të reja të Kosovës. Pati edhe aso media (Rojters, etj.), të cilat theksonin se ky vendim i GjND do ndikojë në përhapjen e lëvizjeve separatiste gjithandej nëpër botë.
Reagimet në Kosovë e në Serbi
Enthusiazmi i kosovarëve për Vendimin (Mendimin) e Gjyaktës ishte i madh por edhe i civilizuar, pa asnjë ekses, duke shpresuar se pas atij vendimi do të pasojë një valë e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës. Në Serbi ishte e kundërta. Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, deklaroi se vendimi i GjND përkitazi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës është një akt i rëndë për Serbinë, duke shtuar se Gjykata nuk u deklarua për esencën dhe implikimet politike të problemit. Serbia do të vazhdojë që me aktivitete diplomatike e mjete juridike ta mbrojë integritetin e vet territorial dhe të kërkojë nga KB që problemi i Kosovës të zgjidhet me bisedime. Tadiq shprehu frikën se tash do bëhet presion mbi shumë shtete të botës që ta njohin Kosovën, por Serbia do të bëjë çmos që njohje të ketë sa më pak. Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, ishte i zhgënjyer për faktin se “Gjykata i është shmangur çështjes kryesore: të deklarohet se a kanë pasur të drejtë shqiptarët e Kosovës të tentojnë të bëjnë recesion nga Serbia”? Diplomacia serbe tërë kohën e konsideronte si presedan shpalljen e njëanshme të pavarësisë, thuase është aq naive sa të mos e di, se është e gjatë lista e shteteve në botë, të cilat pavarësinë dhe shkëputjen e kanë bërë kështu, në mënyrë të njëanshme, si: Portugalia, Zvica, Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Norvegjia, Finlanda, Islanda, Estonia, Sllovenia, Kroacia e deri te ShBA-të; madje edhe vet Serbia kështu e ka fituar pavarësinë nga Perandoria Otomane, duke e shpallur në mënyrë të njëanshme shkëputjen. Por, problemi i Serbisë është më mitin e rrejshëm për Kosovën, me hegjemonizmin për pushtimin e tokave të hueja, me kompleksin se është shtet i fortë në Ballkan!
“Avokati i Serbisë” në atë proces gjyqësor, Tomas Flajner, pas shpalljes së vendimit të Gjykatës, deklaroi se “Gjykata me këtë vendim e ka humbur legjitimitetin e vet, pasi që nuk e ka vlerësuar situatën se çka do të bëhet me serbët në Kosovë”. Ky bëri një gjest të ulët, si një avokat i dobët i cili pasi e humbë kontestin, e ngushëllon klientin dhe arsyeton honorarin e vet duke e baltosur gjykatën! Madje, edhe Kisha Ortodokse Serbe u angazhua me “terë arsenalin” e vet për të ndikuar në vendimin e gjykatës. Patriku Irinej, ditën e shpalljes së Vendimit të Gjykatës, kishte dhënë urdhër që në të gjitha kishat dhe manastiret, në kohën e caktuar të rrahin kambanat 5 minuta, e pastaj personeli dhe qytetarët të lutën (“molleban”) që vendimi i Gjykatës të jetë në favor të Serbisë, ashtu që ta anulojë pavarësinë e Kosovës! (Për reagimet në Serbi para dhe pas Vendimit e Gjykatës, autori i këtij shkrimi ka botuar disa komente në portalin B=92 (më 15 – 28 korrik), me pseudimin “Julius”, në të cilat ironizonte reagimet në Serbi). Ditën e shpalljes së vendimit gjyqësor, shumë struktura kriminale të Serbisë me emra të ndryshëm si OJQ, “Obraz”, “Car Llazar” etj, ia mësynë Kosovës përmes Mitrovicës, për pengimin e të cilëve u desh të angazhohen forca të mëdha të KFOR-it, të Policisë së Kosovës dhe të Euleksit.
Në planin politik, Kuvendi Popullor i Serbisë, në një seancë të jashtëzakonshme, të mbajtur më 26 korrik 2010, miratoi “Vendimin mbi vazhdimin e aktiviteteve të Republikës së Serbisë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Serbisë”. Vendimi i Kuvendit ka këtë përmbajtje (përkthimi jozyrtar, i autorit):
1. “Kuvendi Popullor konfirmon politikën e deritashme të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Serbisë, të zhvilluar në bazë të gjitha vendimeve të mëhershme të Kuvendit Popullor mbi Kosovën e Metohinë, dhe i urdhëron Qeverisë të shfrytëzojë të gjitha mjetet e disponueshme diplomatike e politike që kanë në dispozicion shtetet bashkëkohore anëtare të Kombeve të Bashkuara në aktivitetet për realizimin e këtij qëllimi.
2. Kuvendi Popullor shpreh përcaktimin e plotë për realizimin e unitetit shtetëror dhe politik sa i përket çështjes së ruajtjes së Kosovës e Metohisë dhe konfirmon se Republika e Serbisë kurrë nuk do ta njoh as në mënyrë eksplicite as implicite pavarësinë e shpallur të njëanshme të Kosovës e Metohisë.
3. Kuvendi Popullor konsideron se është e domosdoshme që në mënyrë paqësore të arrihet deri te zgjidhja e qëndrueshme dhe e pranueshme për të dy palët e çështjes së Kosovës e Metohisë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, e cila do të mundësojë pajtimin historik të popullit serb dhe atij shqiptar, dhe paqen dhe stabilitetin në rajon.
4. Kuvendi Popullor i shpreh mbështetjen Qeverisë në procesin e paraqitjes së rezolutës Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, miratimi i së cilës do të hapë rrugën që përmes bisedimeve të arrihet zgjidhja kompromise për Kosovën e Metohinë.
5. Kuvendi Popullor e autorizon Qeverinë që të bëjë të gjitha përpjekjet diplomatike në drejtim të miratimit të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
6. Ky vendim të publikohet në “Slluzhbeni gllasnik Republike Srbije”.
(Vendimi, me preambulën, është publikuar në “Slluzhbeni gllasnik RS”, nr.51, dt. 27 korrik 2010).
Duke vepruar sipas vendimit të cituar (pika 4 e 5), Qeveria e Serbisë më 28 korrik i paraqiti Asamblesë së Përgjithshme të KB një rezolutë destruktive, me të cilën kërkonte vazhdimin e bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës në bazë të pajtimit të dy palëve. Kundër rezolutës, e sidomos disa pikave në tekstin e rezolutës, ishin ShBA-të dhe shumica e shteteve-anëtare të BE. Pas shumë kontakteve dhe presioneve që iu bënë diplomacisë së Serbisë, më në fund u detyrua të pranojë ndryshimin dhe harmonizimin e tekstit të rezolutës me BE-në, nga e cila u hoqën fjali të cilat aludonin se duhet të vazhdojnë bisedimet për statusin e Kosovës duke gjetur zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Rezoluta e harmonizuar iu paraqit AP të KB, si rezolutë e përbashkët e Serbisë dhe BE-së, të cilën Asambleja e Përgjithshme e miratoi me aklamacion, në seancën e mbajtur (natën midis 9 e 10 shtator 2010). Seanca filloi punën me dy orë vonesë, për shkak të incidentit diplomatik që shkaktoi ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, i cili kërkoi të përjashtohen nga salla Delegacioni i Kosovës (F.Sejdiu, H.Thaçi e S.Hyseni), pasi që Kosova nuk është shtet sovran as anëtare e KB. Pasi kryesuesi i Asamblesë sqaroi se Delegacioni i Kosovës merr pjesë në cilësi të vëzhguesit e me statusin e mysafirit të Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe ShBA-ve, seanca filloi punën, në të cilën me aklamacion, pa votim, u miratua rezoluta, me këtë përmbajtje të tekstit (përkthimi im, nga gjuha serbe):
“Asambleja e Përgjithshme,
a) E ndërgjegjshme për qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara;
b) Duke marrë parasysh funksionet dhe autorizimet në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara;
c) Duke rikujtuar Rezolutën e saj 63/3, të datës 8 tetor 2008, me të cilën ka kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të jep mendimin e vet këshillues mbi sa vijon:
“A është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare shpallja e njëanshme e pavarësisë nga ana e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes të Kosovës”?;
d) Duke marrë me respekt në dijeni mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të datës 22 korrik 2010, mbi atë se a është shpallja e njëanshme e pavarësisë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare kur është në pyetje Kosova, dhe pas shqyrtimit me kujdes të tij, duke përfshirë edhe pyetjen ndaj së cilës është dhënë mendimi;
e) Merr në dijeni përmbajtjen e mendimit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbi atë se a është shpallja e njëanshme e pavarësisë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare kur është në pyetje Kosova, si përgjigje në kërkesën e Asamblesë së Përgjithshme;
f) Përshëndetë gatishmërinë e Bashkimit Evropian që ta lehtësojë procesin e dialogut midis palëve.
Procesi i dialogut vetvetiu do ishte faktor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Ky dialog do të kishte për qëllim të përparojë bashkëpunimin, realizojë përparim në rrugën kah Bashkimi Evropian dhe të përmirësojë jetesën e njerëzve”.
*
Edhepse rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk kanë karakter obligues, ato me autoritetin e organit kanë ndikim në raportet ndërkombëtare. Rëndësia e kësaj rezolute konsiston në faktin se bisedimet që do zhvillohen më tutje do të jenë për çështje teknike në marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë, e jo për statusin e Kosovës, dhe se udhëheqjen e bisedimeve e ia le në kompetencë Bashkimit Evropian, duke e nxjerrë kështu nga kompetenca e Kombeve të Bashkuara, sado që Rezoluta 1244 e KS akoma mbetet në fuqi, gjë që është një absurd i llojit të vet, ngase ajo rezolutë nuk e ka të caktuar afatin kur do të hiqet nga fuqia, as nuk përmban kushte sipas të cilave pushon së vazhduari!
Pavarësimi i Kosovës ishte faza e fundit e shpërbërjes së ish-RSFJ, prej së cilës ishin pavarësuar e krijuar shtete 6 shtete të reja, dhe Kosova u bë e shtata. Sa ishte ish-RSFJ, kosovarët kërkonin republikën e shtatë në atë federatë, por me të gjitha pasojat që pati, doli më mirë, RSFJ u shpërbe dhe Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran!  (- Kontakti me autorin: [email protected])

……………………………………………………………………………….

(Ilustrimin e përzgjodhi editori i pashtriku.org) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura