Pashtriku.org, 14 mars 2018: Historia jonë moderne, sidomos tërë shekulli i kaluar, është e stërmbushur me plot luftëra, sakrifica e qëndresë kundër robërisë serbojugosllave dhe për liri e pavarësi. Kjo rezistencë u kurorëzua në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar, pas një rezistence aktive paqësore dhjetëvjeçare dhe luftës vetëmbrojtëse gjithëpopullore dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë rrugëtim historie, pjesa e dytë e shekullit të kaluar, fillimi i viteve të ’60-ta, lidhen me një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së rezistencës kundër robërisë serbe. Kjo ngjarje është formimi në shtator 1963 i organizatës politiko-ushtarake: Lëvizja Revolucionare për Çlirimin dhe Bashkimin e Shqiptarëve, e cila u popullarizua me shkurtesën LRBSH.
Programin e kësaj organizate e shkruajnë bashkërisht Adem Demaçi dhe Ramadan Shala në shtëpinë e këtij të fundit në Pejë prej 27deri më 31 janar 1964. Programi kishte 54 faqe shkrimi me makinë. Statutin e ka shkruar Adem Demaçi në mars 1964. Kjo organizatë faktikisht ishte formuar nga bashkimi dhe shkrirja e disa grupeve politike ilegale, të cilat ekzistonin më parë, siç ishte ai i Pejës, i udhëhequr nga Ramadan Shala, që kishte një bashkëpunim të ngushtë me grupin politik ilegal të Gjakovës, pastaj grupi i Gjilanit dhe ai i Mitrovicës. Me formimin e Komitetit Qendror të LRBSH-së, këto grupe u shndërruan në komitete lokale të saj. Pra, pas Adem Demaçit, Ramadan Shala ishte figura e dytë e kësaj organizate atdhetare, e cila la gjurmë të pashlyeshme në këtë pjesë të historisë sonë kombëtare. Me jetën dhe veprën e tij, ai më vonë u shndërrua ndër simbolet më të veçanta të qëndresës sonë kombëtare.
Kush ishte Ramadan Shala?
U lind më 15 janar 1934 në Pejë. U rrit dhe kreu shkollën fillore, siç e kishte zakon të thoshte vetë Ramadan Shala, në lagjen e Karagaçit të bukur të Pejës, buzë lumit Bistricë të Pejës, pranë Grykës piktoreske të Rugovës së madhërishme. Babai i tij quhej Avdurrahman, i cili ishte pushkatuar si nacionalist më 1944 nga sllavo-komunistët, kurse nëna e tij, Habibe, me mbiemër të vajzërisë Gashi, ishte një grua burrërore, rriti me stoicizëm të madh, siç e kanë zakon nënat shqiptare, gjashtë djem dhe një vajzë, që ia kishte lënë i shoqi i pushkatuar. Familja e Avdurrahman Muharrem Shalës, babait të Ramadanit, ishte nga një derë e lashtë shqiptare dhe me traditë të gjatë atdhetare. Një vëlla i tij, mixha i Ramadanit, vritet më 1918, në luftimet me gjandarmërinë serbe në Pejë.
Pas kryerjes së shkollës së mesme ekonomike financiare në Pejë, në vitin akademik 1963/64 regjistrohet dhe bëhet student i Shkollës së Lartë Komerciale në Pejë, të cilën e kryen pas vuajtjes së burgut të parë, në vitet ’70-ta.
Më 1961, kur Adem Demaçi del nga burgu i parë trevjeçar, në këtë kohë, Ramadan Shala, tashmë ishte udhëheqës i një grupi politik ilegal në Pejë. Anëtarë të këtij grupi ishin: Shefqet Deçani, Remzi Baloku, Ahmet Zeka, Nimon Podrimja, Nezir Gashi, Sylë Shala, Ejup Kastrati, Mehmet Krasniqi, Vesel Rexhepaj dhe Avdyl Shala. Pas disa kontaktesh me Adem Demaçin, nëpërmjet të atdhetarit Hysen Dacit, anëtar i Grupit politik të Mitrovicës, në tetor 1963 themelojnë, siç është cekur më lart, Lëvizjen Revolucionare për Çlirimin dhe Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH).
Ramadan Shala dhe Adem Demaçi.
Pas formimit të Komitetit Qendror, të komiteteve lokale të Mitrovicës, të Pejës, të Gjakovës dhe të Gjilanit, pas hartimit të programit dhe statutit të saj, pra pas formimit të krejt strukturës organizative të saj, LRBSH organizon ngritjen e flamujve kombëtarë në mbarë Kosovën. Në vlugun e veprimtarisë së saj, në qershor 1964, UDB-a jugosllave ndërmerr operacionin e arrestimit të anëtarëve të saj. Ramadan Shala arrestohet më 7 qershor 1964. Me dënime të rënda dënohen 50 anëtarë të kësaj organizate, kurse rreth 300 të tjerë dënohen me dënime kundërvajtëse. Ramadan Shala dënohet me 14 vjet burg të rëndë, nga të cilat shtatë vjet i vuan në kazamatet e Lepogllavës, të Nishit dhe të Mitrovicës së Sremit. Pas daljes nga burgu më 1971, martohet me Gjylfidane Kelmendin, po nga Peja, me të cilën pati katër djemë: Arbenin, Dardanin, Astritin dhe Liburnin dhe dy vajza: Arianitën dhe Labeatën. Punësohet si komercialist në një organizatë tregtare të Pejës. Më 1981, pas demonstratave të njohura, si shumë veteranë të Lëvizjes Kombëtare, izolohet në burg për dy-tre muaj. Më 1986 arrestohet sërish me një grup politik ilegal të rinjsh dhe dënohet me gjashtë vjet burg dhe pas tri vjet vuajtjeje në burg, më 1988 lirohet nga burgu i Lepogllavës së Kroacisë, përkatësisht nga spitali i burgut, ku ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. I mbetur pa punë dhe pa mundësi ekzistence në vend, i përndjekur nga okupatori serb, më 26 nëntor 1990, emigron nga Zagrebi në Suedi, ku vendoset në Malmo. Pas 14 vjet jete në emigrim, vdes më 12 shtator 2004 në Malmo dhe varroset në vendlindje më 17 shtator 2004 në Pejën e tij të dashur, me nderime të larta, i mbuluar me flamurin kombëtar kuq e zi, me shqiponjën dykrenore, siç e meritoi.
Njohja me Ramadan Shalën
Me Ramadan Shalën u njohëm në qershor të vitit 1969 në burgun famëkeq të Nishit. Bashkë me një grup shokësh, që kishim organizuar demonstratat e 27 Nëntorit 1968, sapo ishim deportuar nga burgjet e Kosovës në këtë burg. Ramadan Shala, tashmë, po vuante atje vitin e pestë nga të 14-tat, sa ishte dënuar si njëri nga udhëheqësit e LRBSH-së. Kisha dëgjuar që më 1964 për emrin dhe veprën e tij, ngase edhe vetë kisha qenë anëtar i grupit të të rinjve të kësaj organizate revolucionare. Emrin e tij e mbaja mend mirë, ngase për të thuhej se ishte një na anëtarët më të guximshëm dhe më të shkolluar të LRBSH-së. Gjatë gjykimit të anëtarëve të kësaj organizate, emri i tij përmendej ndër më të shpeshtët. Thuhej se ishte dorë e djathtë e Adem Demaçit. Thureshin lavde për të dhe kështu emri i tij ishte bërë burim frymëzimi i brezit tim, që mëtonin të vazhdonin veprën atdhetare të brezit të tij. Andaj, kur u takuam në oborrin e burgut të Nishit, gjatë të ashtuquajturave shëtitje të të burgosurve, s’kishte nevojë për prezantim, ngase me emër tashmë njiheshim. Më kujtohet si sot, u përqafuam, jo sikur takoheshim për herë të parë, por sikur të ishim përmalluar nga një ndarje e gjatë. Kur u takuam, ishte me flokë të rënë mbi ballë, trupshkurtër, por shumë energjik, topolak, por shumë i lehtë në lëvizje, me syza me dioptri të madhe. Në përgjithësi të linte mbresën e një intelektuali të lartë. Për mua çdo njohje me të burgosur politikë, ishte emocionuese dhe më shkaktonte trema dhe ndjenja të forta, veçanërisht kur kisha dëgjuar më parë për jetën e veprën e tij, siç ishte puna me Ramadan Shalën. Meqenëse, ishte nja dhjetë vjet më i moshuar se ne pjesëtarët e grupit të ’68-ës, e quanim Baci Ramadan. U mësuam shumë shpejt me të, sikur të ishim njohur shumë vjet më parë. E respektonim shumë, por edhe ai na respektonte ne dhe ndaj nesh kishte një qëndrim plot dashuri. Me të këshilloheshim për çdo gjë dhe shkëmbenin mendime çdo ditë për gjithçka.
Meqenëse në burgun e Nishit, puna ishte e detyrueshme dhe të gjithëve na kishin caktuar në punë të rënda, në konsultim me Bacin Ramadan, vendosëm të bënim grevë urie me kërkesë që të liroheshim nga puna fizike ose të caktoheshim në punë më të lehta. Në burgun e Nishit ishte fabrika e teknikës së bardhë dhe kishte edhe mjaft punë që mund t’i kryenim. Drejtoria e burgut mori qëndrim të ashpër ndaj nesh dhe kushdo që merrte pjesë në grevë dënohej me një muaj birucë (qeli) burgu. Pas dy ditësh grevë urie, duke parë se grevës po i bashkoheshin edhe të burgosur të tjerë jopolitikë shqiptarë, filluan gjatë natës të na deportonin nëpër burgjet e Jugosllavisë.
Miq të jetës dhe bashkëpunëtorë të idealit
Bacin Ramadan dhe mua na dërguan në burgun e Mitrovicës së Sremit. Fillimisht, në burgun e Mitrovicës na mbajtën të izoluar në biruca. Nuk dinim asgjë për njëri-tjetrin se ndodheshim në të njëjtin burg. Pas dy-tri ditësh, që na kishin sjellë në Mitrovicë, filluan të na e sillnin shtypin serb. Një ditë, derisa po shikoja fjalëkryqin e gazetës “Politka”, vërej për habinë time nëpër katrorët e fjalëkryqit, fjalët shqip, shkruar me laps grafik: “Unë, Ramadan Shala, jam këtu. Po ti kush je.”Të nesërmen, shtypi më erdhi më herët, ndaj, po në katrorët e fjalëkryqit të gazetës “Politika” iu përgjigja Bacit Ramadan: “Unë jam Adil Pireva. Për shokët e tjerë nuk e di ku janë. ”Kështu, falë gjeturisë së Bacit Ramadan, me anë të fjalëkryqit, mësuam se kush nga të burgosurit e Nishit, pas grevës, ishim transferuar në Kazamatin e Mitrovicës së Sremit. Sa kohë na mbajtën të izoluar nëpër biruca, informoheshim në këtë mënyrë dhe kështu policët, pa vetëdijen e tyre u bënë “postierë” tanë dhe na bartnin “letrat”tona, me të cilat, sado pak, informoheshim për gjendjen e njëri-tjetrit. E shënova këtë mënyrë komunikimi, si një kuriozitet burgu, ku njeriu, i shtrënguar nga rrethanat, krijonte edhe kuriozitete të tilla.
Të izoluar nuk na mbajtën shumë, por edhe kur na liruan nga biruca, nuk na linin bashkë, jo vetëm në një dhomë, por as në një ndërtesë. Pas nja dy muajsh, Bacin Ramadan e sollën në ndërtesën tonë, po përsëri vazhduan të na mbajnë ndaras. Bacin Ramadan e mbanin në një dhomë vetëm, kurse mua më bashkuan me të burgosur të tjerë, që për mua ishte më vështirë sesa të isha vetëm i izoluar në një birucë. Duke qenë puna kështu, kërkova nga drejtoria e burgut që të bashkohesha me Bacin Ramadan në dhomën e tij. Mirëpo, drejtoria e refuzoi kërkesën time, andaj fillova grevën e urisë që ta realizoja këtë kërkesë. Pas katër ditë grevë urie, kërkesa ime u plotësua dhe na bashkuan në një dhomë. Dhoma ishte në katin përdhes dhe jo më e madhe se tri me katër metra, që i zinte tre shtretër të hekurt ushtarakë dhe një tavolinë të vogël me dy karrika. Natën dhe ditën na mbanin të mbyllur nën dry, por dy orë në shëtitje ditore në oborrin e burgut, në mëngjes, në drekë dhe në darkë, në pastrim dhe në toalet na bashkonin me të burgosur të tjerë. Në këto kushte, me Bacin Ramadan kemi ndenjur së bashku rreth një vit e gjysmë. Gjatë kësaj kohe, me Bacin Ramadan u njohëm deri në ndjesitë më të holla dhe më të thella. U bëmë miq të jetës dhe bashkëpunëtorë të idealit. Më duket se nuk pati mbetur asgjë nga jeta intime, që nuk ia njihnim njëri-tjetrit.
Gjatë kësaj kohe, e njoha tërë madhështinë e Bacit Ramadan, jo vetëm në aspektin atdhetar, por edhe në atë njerëzor. Ndonëse isha nja dhjetë vjet më i ri se ai, nuk më linte t’i kryeja kurrfarë shërbimi, qoftë në mbajtjen e pastërtisë së dhomës, qoftë edhe në përgatitjen e ndonjë ushqimi. Shpesh ndodhte të thoshte se akëcilin ushqim, pemë a ëmbëlsirë nuk e hante, vetëm e vetëm që të ma jepte ta haja unë. Je më i ri dhe duhet të hash më shumë, më thoshte kur kundërshtoja dhe i thosha se për atë kishte më shumë nevojë ai sesa unë. Këto ushqime i blinim ngandonjëherë në shitoren e burgut për të kompensuar sadopak ushqimin tejet të dobët të burgut.
Revolucionar që rrallë mund të takohej në jetë
Ramadan Shala ishte atdhetar revolucionar i vërtetë, me plot kuptimin më të mirë të fjalës dhe i tillë rrallë mund të takohej në jetë. Ai kundërshtonte me grevë urie pothuaj çdo padrejtësi, që i bëhej në burg. Nuk di të ketë pasur të burgosur politikë shqiptar të ketë bërë më shumë ditë grevë urie sesa Ramadan Shala. Gjatë hetimeve ishte torturuar aq shumë sa nuk ka mund të qëndronte në këmbë dhe nuk ka mund ta mbante e ta kapte me dorë as lugën për të ngrënë dhe as lapsin për të shkruar. Edhe në gjendje të tillë ai ka bërë grevë urie kundër keqtrajtimeve dhe torturave, që i bëheshin, sidomos gjatë hetimeve dhe në vitet e para të burgut.
Ai nuk i fshihte fare pikëpamjet politike e kombëtare para askujt, andaj as para zyrtarëve të policisë. Pa kurrfarë ngurrimi u thoshte se luftonte për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve me Shqipërinë dhe se këtë luftë nuk do ta pushonte kurrë deri sa të realizohej ky ideal gjithëkombëtar. Nga një herë i thosha se nuk ishte e nevojshme të hynte në konflikte të tilla me çdokë, ngase shpesh ishin me pasoja. “Jo më thoshte ai, ne duhet t’ia bëjmë me dije qëllimet tona, madje çdo pjesëtari të kombit të okupatorit, pa le më zyrtarëve të policisë, pa marrë parasysh pësimet tona. Ne jemi vetëpërcaktuar për këtë rrugë, andaj duhet të qëndrojmë”, më thoshte.
Prej tij kam mësuar shumë. Kam mësuar, jo vetëm si të sillem në burg, çfarë qëndrimi të mbaj ndaj gardianëve dhe zyrtarëve të tjerë të burgut, çfarë qëndrimi të mbaj ndaj të burgosurve të tjerë politikë dhe jopolitikë shqiptarë dhe joshqiptarë. Ai ishte korrekt dhe i sjellshëm ndaj të gjithë të burgosurve, por ishte shumë i dashur ndaj shokëve të idealit. E çmonte punën dhe veprimtarinë atdhetare të të tjerëve, kurse për veprimtarinë e vet fliste shumë pak dhe me modesti të madhe. E kishte zakon të thoshte shpesh se për mua është i madh kushdo që të ketë brohoritur apo shkruar qoftë vetëm një parullë kundër okupatorit serb. Madje edhe ndaj disa të burgosurve politikë, që ishin grindavecë e ngatërrestarë ishte korrekt dhe përpiqej t’i merrte me të mirë dhe nuk mbante mëri ndaj tyre. Kishte të tillë prej tyre që po të shihte duke folur me ndonjë polic, qoftë edhe me urdhër të tij, po të shihte se po përshëndetesh me ndonjë polic korrekt, që kishte raste tilla, ndonëse joshqiptar, pa le më po të shihte se po dilje nga zyra e “edukatorit”, që në të vërtetë ishte operativist i UDB-së, i cili mund të të urdhëronte t’i paraqiteshe në çdo kohë në zyrën e tij, ditën apo natën, se në fund të fundit, në duart e drejtësisë së tyre ishe, të vishte menjëherë etiketën e tradhtarit dhe të spiunit. Ishin njerëz të tillë, që për mendimin tim, më për nder do t’ua dinte kombi të mos merreshin fare me çështje kombëtare, por të mbanin dhe të rrisnin një familje, sesa të merreshin me gjoja politikë kombëtare, për të cilën, le që nuk kishin dije, por as burrëri, vendosmëri dhe të paktën karakter njerëzor. Baci Ramadan këshillonte që të mos shqetësoheshim nga thashethemet e tyre dhe të mos provokoheshim nga tipat e tillë. Burg është ky dhe njerëzit duhet të kuptohen edhe kur mund të mërziten dhe të nervozohen. Jo të gjithë janë të përkryer, thoshte Baci Ramadan.
Polemist virtuoz i pashoq
Ndaj policëve dhe zyrtarëve të tjerë të burgut kishte sjellje korrekte dhe brenda normave të burgut. Por, kur provokohej me ndonjë fjalë, gjë që ndodhte shpesh, ai sikur mezi priste t’ia kthente provokimin aty për aty. Ndër shumë raste do të tregoj vetëm për ndonjë syresh, për të parë virtuozitetin e tij të pashoq, me të cilin shpesh jam mahnitur. Një herë një gardian malazez, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore thoshte se kishte marrë pjesë në brigadat partizane të Shqipërisë, duke dashur të na provokojë, na thotë:
“Çka dini ju çka është Shqipëria? Po luftoni dhe po punoni për Shqipëri dhe këndej nuk keni qenë kurrë dhe nuk e keni parë kurrë Shqipërinë. E unë kam qenë dhe kam luftuar në Shqipëri”.
“Ju keni qenë në Shqipëri, kurse ne jemi lindur në Shqipëri”, ia kthen Baci Ramadan me të shpejtë dhe pa kurrfarë hezitimi.
“Po ti je nga Peja”, bërtet polici.
“Po Peja ku gjendet? Në Shqipëri, ku tjetër? Nuk luftojmë vetëm për atë Shqipëri ku ke qenë ti, por për Shqipërinë etnike, që shtrihet deri atje ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë”, iu përgjigj flakë për flakë Baci Ramadan pa ngurruar fare. Polici iku duke na sharë, siç e kishte zakon soji i tyre.
Polemika të tilla të nxehta, Baci Ramadan kishte shpesh edhe me dy të burgosur politikë serbë, me bindje monarkike, por që i thoshin vetes lotiqevcë. Njëri ishte inxhinier, kurse tjetri jurist apo ekonomist. Që të dy ishin të moshës rreth 35-vjeçare. Unë nuk merrja pjesë në diskutimin e tyre, por vetëm i dëgjoja. Një herë gjatë një shëtitjeje në oborrin e burgut njëri syresh na tha:
“Derisa të dy palët po e luftojmë dhe jemi njësoj kundër të njëjtit regjim komunist të Titos, ne faktikisht jemi aleatë. Derisa komunistët serbë kanë qenë aleatë me komunistët shqiptarë, edhe ne demokratët mund të jemi aleatë dhe të bashkëpunojmë me ju”.
“Dhe në fund të na tradhtoni si i tradhtuan komunistët tuaj komunistët tanë”, ia ktheu Baci Ramadan atij me ironi, që si duket nuk e kuptoi apo vetëm u bë se nuk e kuptoi.
“Jo, jo, ne demokratët nuk tradhtojmë”, tha ai me seriozitet.
“Po ne për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve me Shqipërinë punojmë dhe luftojmë, e ju s’keni sesi të na ndihmoni dhe të bashkëpunoni me ne në këtë luftë tonë çlirimtare”, ia ktheu Baci Ramadan sërish me ironi.
“Po ne do të merremi vesh vëllazërisht (origjinalisht: bratski) për çështjen e Kosovës kur të vijë koha”, tha lotiqevci.
“Nuk kemi çka të merremi vesh kur të vijë koha kur nuk po merremi vesh tash. Lufta jonë është nacionalçlirimtare. Ne nuk luftojmë kundër regjimeve, por kundër okupatorëve, qofshin komunistë apo demokratë e monarkistë”, tha preras Baci Ramadan.
Edhe lotiqevcët e humbën gjakftohtësinë, u nervozuan dhe ikën prej nesh si djalli nga temjani, siç i thonë një fjale.
Takimet pas daljes nga burgu
Edhe pas daljes nga burgu, me bacin Ramadan jemi takuar shpesh, ndonëse ai jetonte në Pejë, kurse unë në Prishtinë. Kemi kaluar çaste të bukura dhe të paharrueshme të jetës së bashku.
Mbresa të pashlyeshme më ka pas lënë edhe dasma e tij kur u martua më 1971. Meqenëse edhe nusja ishte nga qyteti i Pejës, sipas zakonit pejan, shkuam këmbë për ta marrë nusen. Gjatë gjithë rrugës, dasmorët, burra e gra, sidomos djem e vajza, shumë syresh të veshur me rrobe kombëtare, ecnim këmbë, duke kënduar dhe duke vallëzuar, të prirë me flamur. Vende-vende ndaleshim për të lozur dhe për të vallëzuar. Më kujtohet, veçanërisht në një shesh në qendër të qytetit, para hotelit të sotëm ”Rugova”, hareja, gëzimi, kënga dhe vallja, sidomos “Shota” rugovase, arritën zenitin e dasmës. Këtë dasmë, që ishte e tipit të traditës së lashtë shumëshekullore shqiptare, dukagjinase, ku merrnin pjesë shumë veteranë të Lëvizjes Kombëtare dhe ish-të burgosur politikë, e kam përjetuar atëherë si një demonstratë kombëtare. Me siguri regjimi komunist nuk e ka shikuar me sy të mirë këtë dasmë dhe pjesëmarrësit e saj, por për çudi nuk intervenoi, siç e kishte zakon për gjithçka dhe siç kishte vepruar në një dasmë të ngjashme në Gjakovë dy tri vjet më parë, ku kishte burgosur shumë dasmorë së bashku me dhëndrin.
Bacin Ramadan e kam vizituar në shtëpinë e tij edhe kur në Kosovë ishin rrethana shumë të rënda, siç u krijuan në Kosovë pas demonstratave të vitit 1981. Madje, familjen e tij e kam vizituar edhe pas burgosjes së sërishme të tij, më 1986, kur Baci Ramadan qe dënuar me gjashtë vjet burg. Ndonëse ishin kohë të vështira dhe me shumë rreziqe për t’u arrestuar për hiq gjë , në procese të montuara ose izolime në burg pa gjyq, siç i thoshin “në vend të caktuar”, kam qenë ndër të rrallët që e kanë vizituar familjen e tij. Pavarësisht rreziqeve për burgosje, ngase edhe vetë sapo kisha dalë nga një izolim dymujor në burg, i tipit të lartpërmendur dhe isha i përcjellë pothuajse hapur nga policia, dashuria e madhe për njëri-tjetrin, që ishte mëkuar nga ideali i lartë kombëtar, që sot, më bëhet, as që mund të kuptohet, ishte më e fuqishme se çdo rrezik për burgosje. Për shkak të rreziqeve të tilla, që na kanoseshin, ne nuk mund të hiqnim dorë nga jeta. Burgu, si vdekja, mund të na ndodhte kurdo dhe për gjithçka, madje edhe për çështje bizare, që logjika e sotme as që mund t’i rrokë, por ne nuk mund të hiqnim dorë nga liria dhe nga gëzimet e jetës, nga vetvetja, ngase do të kishte domethënien e pranimit të vdekjes për së gjalli.
Mbështeti me entuziazëm proceset pas viteve të 90-ta
Pas viteve të ’90-ta, Baci Ramadan, mbështeti të gjitha proceset, që ndodhen në botë, në Shqipëri dhe në Kosovë. Me entuziazëm mbështeti Deklaratën kushtetuese të 2 Korrikut, Kushtetutën e 7 shtatorit, Referendumin për pavarësinë më 1991, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 1992 dhe qeverinë dhe institucionet, që dolën nga këto zgjedhje. Në këtë kohë Baci Ramadan ishte me moshë në prag të ’60-tave. Duke qenë kohë e rëndë, i mbetur pa punë, me një familje të ngushtë 8-anëtarëshe, pa askënd në punë, i përndjekur nga regjimi milosheviqian, mori rrugën e mërgimit, të cilën, siç e kam njohur atë, kurrë nuk e ka dashur në jetë. Vetëm një zor i madh e ka detyruar të ndahet në atë kohë nga Kosova e tij e shtrenjtë, për të cilën ishte në gjendje të jepte gjithçka në çdo kohë. Për marrjen e azilit politik në Suedi i ka ndihmuar ish-Ministri i Informatave i Republikës së Kosovës, z. Xhafer Shatri, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, i cili në emër të Komitetit për Informimin e Opinionit Botëror me seli në Gjenevë, themelues dhe udhëheqës i të cilit ishte, i dërgon një letër, më 6 gusht 1991, kryeministrit të Qeverisë së Suedisë, z. Ingvar Karlson, në Stokholm, me të cilën e njofton atë me biografinë atdhetare dhe politike të veteranit të Lëvizjes sonë Kombëtare, Ramadan Shala.
Për herë të fundit, me Ramadan Shalën jemi takuar në nëntor 1992, në Shqipërinë tonë të ëndërruar, e cila, si çdo atdhetar tjetër, na kishte zhgënjyer me gjendjen në të cilën ndodhej në çdo pikëpamje. Morëm pjesë në manifestimet me rastin e 80-vjetorit të Pavarësisë. Ai kishte ardhur atje nga Stokholmi. Ndërkaq, unë, i zhuritur nga malli dhe gjakimi shumëvjeçar për ta parë, kisha shkuar atje pa pasaportë, duke e kaluar kufirin ilegalisht, jashtë vendkalimit kufitar nëpër një moçalishtë dibrane, që vështirë mund të përshkruhet dhe me plot rreziqe për jetë nga plumbat e kufitarëve maqedonas, të cilët nuk ngurronin të bënin krime të tilla, siç kishin bërë asokohe në disa raste të tilla. Na bashkoi atje fati i jetës në Tiranë, nga dëshira e madhe për të parë Shqipërinë demokratike, atë copë shteti të lirë, siç e kishim zakon ta quanim shpeshherë. Baci Ramadan kishte qenë disa herë mysafir në banesën e kryeministrit demokrat, Aleksandër Meksi, për të cilin më tregoi se ishte dhëndër i Pejës dhe gruan e tij e kishte diçka të afërm, që tash nuk më kujtohet se çka. Për nja dy javë, u pamë, u çmallëm, vizituam shumë vende së bashku, bëmë disa fotografi me aparatin e tij dhe u ndamë me shpresë se do të shiheshim më shpesh. Por, jeta me pamëshirëshmërinë e saj, nuk na dha ndonjë rast tjetër. Ai shkoi në Suedinë e largët, të ftohtë, por mike, kurse unë u ktheva në Kosovën tonë të shtrenjtë, ku ndonëse me kokë gjithmonë në torbë, siç i thonë një fjale, nga dashuria e madhe dhe e zjarri për të, na dukej këtu, siç do të thoshte Çajupi, më ëmbël balta se mjalta.
Baci Ramadan shkoi sërish në Suedi, por Kosovën nuk e harroi kurrë. Zemra e tij e madhe rrahu vetëm për të. Kontributi i tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, siç kanë thënë bashkatdhetarët e tij, me të cilët kontaktonte atje, ka qenë i madh dhe i vazhdueshëm deri në vdekje.
Pas vdekjes një libër lapidar i shkruar
Pas vdekjes së Bacit Ramadan, i biri i tij, Liburni, i cili është kthyer i shkolluar nga Suedia të jetojë në Kosovë, ku është martuar dhe punësuar, më njoftoi se kishte vendosur të mblidhte kujtimet e shokëve dhe të bashkëpunëtorëve të babit në një libër. E përgëzova dhe i premtova se do të shkruaja me kënaqësi kujtimet e mia për të. Meritonte Ramadan Shala që për jetën dhe veprën e tij atdhetare t’i ngrihej një lapidar i tillë i shkruar. Të shkruhet për të domethënë të shkruhet për një pjesë të historisë sonë kombëtare, ndër më të lavdishmet. Andaj, ky libër për Ramadan Shalën nuk do të jetë vetëm një relikt i shenjtë për familjen, të afërmit dhe miqtë e tij, por një histori për një nga figurat më të shquara të luftës sonë për liri, demokraci dhe pavarësi. Në kujtesën e kombit tonë, ai do të mbetet simbol i përjetshëm, i pavdekshëm dhe i veçantë i qëndresës kundër robërisë serbe. Për një jetë të njeriut, nuk di çka mund të jetë më e madhërishme.
E mua, në këtë jetë kaq të lakmueshme dhe të dashur, por edhe me plot dhembje, iluzione dhe zhgënjime, më mban dhe do të më japë kënaqësi prore bamunia që në rrugëtimin tonë drejt lirisë, të kem qenë mik i ngushtë i tij, i jetës dhe i idealit. / Prishtinë, gusht 2005.