HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (1)

Në 42 vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, (17. 01. 1982 – 17. 01. 2024)

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (1)

Në vitin 2022, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, botoi librin e veprimtarit të Lëvizjes sonë Kombëtare Hasan Ukëhaxhaj, „KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ“. Redaktor i librit është Ibish Neziri, recensent Fatmir Z. Arifi, can PhD, kurse lektor, Mr. Sheremet Krasniqi. Librin për shtyp e përgatiti MArt. Adil Beqaj, ndërsa u shtyp në Shtypshkronjën „Lenagrafik“. Libri i kushtohet katër bashkëveprimtarëve të autorit: Ismail Haradinajt, Jashar Salihut, Xhavit Hoxhës dhe Dinë Ahmetit.

Në 42 vjetorin e rënies së Jusuf Gërvallës (bashkë me vëllain e tij Bardhoshin dhe bashkëveprimtarin Kadri Zeka – më 17 janar 1982), me lejen e autorit Hasan Ukëhaxhaj, portali pashtriku.org boton pjesë – pjesë këtë libër me vlerë historike.

Në vijim ju ftojë të lexoni fjalët e redaktorit, Ibish Neziri dhe të recensentit, Fatmir Z. Arifi.  

/ Sheradin Berisha © Pashtriku.org /

***

FJALA E REDAKTORIT

Pas një pritjeje relativisht të gjatë, më në fund, e kemi në dorë historikun e themelimit të Komitetit të Deçanit të LNÇKVSHJ-së, i cili erdhi në dorën e lexuesit falë punës së kujdesshme e të palodhshme të njërit prej themeluesve dhe udhëheqësve të këtij komiteti, Hasan Ukëhaxhajt.

Autori, librin e ka ndarë në 18 kapituj,duke përfshirë këtu edhe parathënien, përmes së cilës lexuesit i tregon se si i lindi ideja për ta shkruar rrugëtimin e këtij komiteti, dhe hyrjen, të cilën e fillon me përmendjen e dy ngjarjeve të vitit 1924, të cilat, si thotë autori, „në historinë e Shqipërisë hynë me përmasa kthesash“, siç është vrasja e heroit Avni Rustemi dhe Revolucioni Demokratik i Qershorit, i cili bëri që kryeministri Ahmet Zogu ta braktiste atdheun për t’u kthyer pas gjashtë muajsh në Tiranë me ndihmën e Beogradit, me një çmim relativisht të lartë, të cilin e pagoi Shqipëria, duke i dhënë ndihmësit edhe territore.

Ashtu sikurse secili zhvillim, secila ngjarje, që e ka parahistorinë e vet, edhe Komiteti i Deçanit i LNÇKVSHJ-së e ka parahistorinë dhe historinë e vet, e cila, falë punës dhe angazhimit të palodhshëm të anëtarëve të këtij komiteti, ka bërë që këmbëkryq të zërë vend në historinë më të ndritshme të popullit shqiptar të kohës më të re. 

Ringritja – Lëvizja ilegale, Incidentet – Vizita ime në Shqipëri, Temat e hartimit për maturantët, Shënimi i një përvjetori, janë kapituj rrëfyes ngjarjesh nga parahistoria, e cila pashmangshëm do të çonte të themelimi i këtij Komiteti, gjurmët e të cilit asnjëherë nuk do të fshihen, aq më tepër tani, pas publikimit të këtij libri.

Komiteti i Deçanit – Formimi, Statuti i Lëvizjes Nacional – Çlirimtare të Kosovës, Veprimtaria e Komitetit të Deçanit, Shtrirja, Grupi „Shqiponja”, Demonstratat e 1 e 2 prillit të vitit 1981 në  Prishtinë, Komiteti i Drenasit, Veprimtaria, Grupi i Mitrovicës, Grupi i Llapit, janë kapitujt tjerë, nëpërmjet të cilëve lexuesi do të njihet me veprimtarinë e këtij Komiteti, ndarjen e detyrave të anëtarëve, shtrirjen dhe zgjerimin e tij, në radhë të parë në rrethin ku kishte zënë fill vetë ky Komitet, përmes grupit “Shqiponja” e pastaj edhe në treva të tjera të Kosovës, si në atë të Drenasit, përmes Bajram Gashit, i cili, bashkë me shokët në fshatin Llapushnik, me udhëzimet e Ismajl Haradinajt krijoi Komitetin e Drenasit, si dhe krijimin e dy grupeve të tjera – Grupin e Mitrovicës me Bislim Bajramin, për krijimin e të cilit kontributin kryesor e dha Avdullah Hasanmetaj dhe Grupin e Llapit me Beqë Hajrizin, për krijimin e të cilit rolin kryesor e kishte pasur Xhavit Hoxha bashkë me Muhamet Rogovën.

Gjithë rrugëtimin, duke filluar që nga ideja e themelimit e deri në përfundimin e punës së këtij komiteti, autori Ukëhaxhaj e sjell në mënyrë kronologjike, pos përmes kujtimeve të tij, edhe përmes kujtimeve të disa prej aktorëve kryesorë të këtij komiteti si Shkurte Drita Kuqi e Avdullah Hasanmetaj, dhe anëtarëve të degëve të tij – Bajram Gashi e Ismet Sopi, Bislim Bajrami e Smajl Smakiqi, Muhamet Rogova e tjerë.

Libri është i pasur me mjaft citime dhe referenca nga libra e studime të ndryshme mbi rrugëtimin e popullit shqiptar deri te liria, si dhe me fusnota sqaruese, por në të flitet edhe për krijimin dhe rolin që ky Komitet luajti përreth një vit sa veproi dhe ndikimin e tij në ngjarjet e vitit 1981 dhe zhvillimet e tjera pas këtij viti, të cilat edhe i dhanë dërmen Jugosllavisë.

Publikimi i Statutit të organizatës, mbi bazën e të cilit u krijua dhe veproi ky komitet, librit i jep peshë të veçantë, ashtu sikurse edhe kapitulli i fundit rreth e për LNÇKVSHJ-në dhe Komitetin, i cili në vete përbën një shkrim të Jusuf Gërvallës, publikuar, mbase për herë të parë, në “Fokusi” të  datës 17 janar 2004, dy letra të Jusuf Gërvallës, Letër Nazmi Selmanajt e prillit të vitit 1980 dhe Letër Enver Hoxhës, 19 gusht 1980, Fragmente nga biografia e shkurtër e Nimon Mustafës, një intervistë të Jusuf Gërvallës dhënë gazetës gjermane TAZ (Die Tageszeitung) publikuar më 20 janar 1982, bashkë me lajmin për vrasjen e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës, ndonëse intervista ishte bërë dy vjet më parë, pastaj një intervistë e veprimtarit Xhavit Hoxha të botuar në librin “Thirrjet e kohës” të autorit Kadri Rexha me titull “Kemi qenë nacionalistë e irredentistë dhe kemi mbetur të njëjtit idealistë”, e cila hedh mjaft dritë mbi Komitetin e Deçanit, dhe tri poezi, njëra dhe e vetmja e Jusuf Gërvallës e shkruar në mërgim me titull “Shqipja bën edhe pa gjëmë, i mjafton lavdia”, kushtuar Nebih dhe Tahir Mehës, si dhe poezitë “Ti më kujton dhembje, miku im”, e Din Ahmetajt dhe “Komiteti i Deçanit” e Shkëlzen Ukëhaxhajt.

Libri është i pasuruar edhe me faksimile e fotografi të ndryshme, që e pasurojnë akoma më shumë.

Gjuha me të cilën është shkruar libri është një gjuhë e pastër, e kuptueshme për secilin lexues, kurse domosdoshmërinë e krijimit të këtij Komiteti e bën krejtësisht të kuptueshëm.

Për të mos u zgjatur shumë, po ia lë lexuesit që ai vetë ta vlerësojë rëndësinë e madhe që ka ky libër, i cili, pos kujtimeve, sjell edhe shumë ngjarje nga më të rëndësishmet për historinë e popullit shqiptar si paraprijëse të themelimit të Komitetit të Deçanit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, iniciuar nga Jusuf Gërvalla dhe themeluar nga Ismail Haradinaj, Hasan Ukëhaxhaj e bashkëveprimtarë tjerë, të cilët lexuesi do t’i gjejë në këtë libër.

Dhe, fare në fund, ndonëse është thënë shumë, nuk mund të thuhet se është thënë e tëra për Komitetin e Deçanit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi. Ky libër, pos që për lexuesit është shumë informues, për studiuesit është tabelë orientuese për secilin anëtar të këtij komiteti që derisa u ndanë nga jeta nuk e pushuan luftën për çlirimin e Kosovës, të cilin edhe e arritën.

 Ibish Neziri

Bardhaniq, shtator 2022

***

FJALA E RECENSENTIT

Libri “Komiteti i Deçanit”, vepër e studiuesit dhe veprimtarit të njohur, Hasan Ukëhaxhaj, përbën një nga botimet e rralla së fundmi mbi historinë e shqiptarëve në shekullin e shkuar. Ai, e mbarështron rrëfimin e tij duke u mbështetur në referenca autentike, gjë që e bën këtë libër të veçantë për disa arsye:

Së pari, autori në kuadër të vështrimit historik, e trajton gjendjen e rënduar të shqiptarëve në kuadër të disa marrëveshjeve ndërkombëtare të shekullit XX, të cilat kanë pasur pasoja të thella në zhvillimin, avancimin dhe shtet-ndërtimin e kombit shqiptar si tërësi. Me të drejtë autori shkruan se këto pasoja po vazhdojnë të kenë ndikim negativ edhe në shekullin XXI, për sa i përket të drejtës së bashkimit kombëtar si fazë e përmbylljes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. 

Së dyti, autori i këtij libri, me një mjeshtëri të rrallë ofron të dhëna të sakta për sa i përket Komitetit të Deçanit, duke filluar nga: ideja, themelimi, shtrirja dhe veprimtaria e tij, duke u bërë një dëshmi e fortë se një libër i këtillë i ka munguar historiografisë shqiptare dhe komunitetit të historianëve që merren me studimin e kësaj periudhe.

Së treti, kjo monografi ka një vlerë të shtuar për faktin se është shkruar nga njëri prej protagonistëve të themelimit dhe drejtimit të Komitetit të Deçanit. I shkruar nga një distancë kohore dyzetvjeçare, me një metodologji të përshtrirjes së problemeve nga e komplikuara tek e thjeshta, autori nuk ka rënë për asnjë moment në grackën e subjektivizmit, ku jo rrallë herë studiuesit rrëshqasin pavëmendshëm. Përkundrazi, dëshmia e gjallë e pranisë e bën këtë vepër edhe më të denjë e të pakontestueshme.

Së fundmi, Hasan Ukëhaxhaj, në kuadër të kësaj monografie historike, përveç kujtesës së tij si dëshmitar i kohës, na ofron dhe dëshmi nga bashkëveprimtarët e kësaj organizate si dhe një sërë dokumentesh arkivore, e sidomos nga arkivat e shtetit shqiptar, të viteve 1960-80-ta. Këto dokumente janë referencë e qëndrueshme, e cila pasqyron zhvillimin dhe kontributet e shtetit shqiptar në unifikimin e gjuhës shqipe, ngritjes së vetëdijes kombëtare te shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze, avancimin e dijes dhe kulturës në kuadër të marrëveshjeve midis institucioneve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. 

Brenda këtij libri, lexuesi do të gjejë një vështrim të gjallë mbi përpjekjet dhe sakrificën e njërës nga organizatat e fshehta anti-jugosllave, e cila ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë moderne kombëtare të shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze, siç ishte Komiteti i Deçanit.

Ndër të tjera, Hasan Ukëhaxhaj, në kuadër të këtij studimi, na sjell biografi të çmuara të emrave me kontribute të njohura dhe të vlerësuar si personalitete të fushave të ndryshme, veprimtarë të shquar të lëvizjes së fshehtë çlirimtare, ose luftëtarë të zotë, të cilët u flijuan për liri, për çlirimin e Kosovës dhe si qëllim të fundmë – bashkimin e kombit shqiptar.

Lexuesit kureshtar dhe studiuesit të ardhshëm do t’u vijnë aq të gjalla ngjarjet e rrëfimet gjithandej nëpër faqet e librit, sikur të ishin protagonistë. Ndonëse ky ka qenë vetë synimi i autorit tek thotë: “Përmes këtij libri, do të mundohem t’i kthej shokët të gjallë në mesin tonë”. Kjo dëshirë mund të jetë ura, të cilën shkrimtarët rëndom e ngrenë për të lidhur brezat e epokat, apo dhe petku me të cilin është mbështjellë pengu i tij e i të gjithë neve – Amaneti ynë i Madh, dhënë të parëve tanë e shokëve që ranë.

Fatmir Z. Arifi

(VIJON)

© Pashtriku.org

_______________

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (2)

———————————————————-

Më 19.01.2023 në TV Klan Kosova (emisioni Ora 7), Hasan Ukëhaxhaj flet për   Komitetin e Deçanit dhe ndikimin e tij në vitet 80-ta

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura