PROF.DR.VEBI XHEMAILI: KONFERENCA E LONDRËS MË 22 MARS 1913 E COPËTOI SHQIPËRINË ETNIKE NË DY PJESË

Shkup, 26. 11. 2013 – Konferenca e Londrës arbitrarisht i fali Serbisë 21 qytete shqiptare nga vilajeti i Kosovës: Shkupin, Kumanovën, Preshevën, Bujanocin, Kaçanikun, Prishtinën, Gjilanin, Vushtrrinë, Mitrovicën, Ferizajin, Pejën, “Jeni Pazarin, Akevën, Trgovishtën, Rozhajën, Plavën, Gucin, Gjakovën, Prizrenin, Tetovën dhe Gostivarin. Pas Konferencës së Londrës, rrethanat shoqërore e politike të Shqipërisë bënë një kthesë të madhe në mes shteteve të Ballkanit. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 1912, dhe njohja e saj nga Fuqitë e Mëdha nën suzerinitetin e Sulltanit, ishte një akt me rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar.1 Këtë akt të Pavarësisë, shtetet sllave të Ballkanit e pritën me një pezëm të madh, e veçanërisht ashpër reagoi Qeveria e Nikolla Pashiqit, duke thënë se marrja e këtij vendimi ishte një hap i nxituar, ku preket fuqishëm interesi ekonomik e politik i shtetit serb dhe rruga e saj drejt Adriatikut.2 Kundër këtij akti madhor të shqiptarëve më i zëshmi ishte vetë Kryetari i Qeverisë Serbe, Nikolla Pashiqi dhe klika e tij. Në këto rrethana, diplomacia serbe e urdhëruar nga kryetari i saj, protestoi hapur nëpër kuluaret e diplomacive evropiane, “se shteti shqiptar fare nuk duhet të ekzistojë, ndërsa territoret e tij duhet të ndahen patjetër në mes Serbisë dhe Greqisë”. Sipas tyre, vetëm kështu Ballkani do të kishte paqe, njëherazi do të ndërpriteshin pretendimet hegjemoniste të Italisë dhe të Austro-Hungarisë.3 Marrëdhëniet shqiptaro-serbe u ashpërsuan edhe më tepër, kur Serbia pa të drejtë u bëri presion Fuqive të Mëdha, përmes Rusisë, që t’i detyronte të shfuqizonin vendimin e 17 dhjetorit 1913, pasi Shqipëria njihej në kufijtë e saj Etnik nën sovranitetin e Sulltanit. Me rastin e njohjes së Shqipërisë Etnike nga Fuqitë e Mëdha. Kryetari Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, do t’i shpreh falënderime delegacionit shqiptarë në Londër, në krye me Rasih Dinon: “Urime për liri e Pavarësi të Shqipërisë”.4


Në këto rrethana të ndërlikuara midis Fuqive të Mëdha, Austro-Hungaria propozoi projektin e vet për Shqipërinë, ku vija e kufirit kalonte nga gryka e Bunës, gjatë vijës së atëhershme të kufirit të Malit të Zi deri afër Rrzhanicës, prej këtej në gjysmë rrethi duke kaluar nga Jugu i Gucisë dhe Plavës, drejtohej në Pejë, Gjakovë e Prizren, duhej përfshirë brenda Shqipërisë. Nga Prizreni, vija kalonte në jug dhe arrinte në malet midis Liqenit të Ohrit dhe Liqenit të Prespës, duke përfshirë qytetet e Dibrës dhe Ohrit, brenda Shqipërisë. Prej këtej kufiri zbriste në jug, duke përfshirë Korçën e Janinën dhe pastaj gjatë rrjedhës së Lumit Kalamas, dilte në Detin Jon. Rusia e kundërshtoi këtë projekt etnik Austro-Hungarez dhe propozoi projekt të ri, pa qytetet e Kosovës e të Manastirit.(V.Xh) Ajo kërkonte që Shqipërisë t’i shkëputen Korça, Delvina dhe në jug Saranda.

 Konferenca e Londrës nuk pranoi parimin etnik të Austro-Hungarisë. Përfaqësuesi Austro-Hungarez, Mensdorf dhe ai rus, Bekendorf, luftuan midis tyre në Konferencë për çdo qytet shqiptar. Debate të zjarrta u bënë për qytetet verilindorë, sidomos për qytetin e Dibrës dhe Shkodrës. Këmbëngulja e Vjenës për t’i lënë Shkodrën në kuadër të Shqipërisë, ndeshi në kundërshtimin e fortë të Rusisë, e përkrahur nga Anglia dhe Franca, të cilët mbronin kërkesën e Kral Nikollës. Në këtë pikë, me ta u bashkua edhe Italia, për të dominuar shteti malazez në Shkodër me rrethinë. Nga ana tjetër, Nikolla Pashiqi i dha urdhër ushtrisë serbe që të dilte sa më parë në Detin Adriatik. Në këto rrethana tejet të vështira, duke pasur presion të vazhdueshëm edhe nga Serbia dhe Mali i Zi, Fuqitë e Mëdha vendosën ta revidojnë vendimin e mëparshëm të sjellë më 17 dhjetor, kur Shqipëria ishte njohur e plotë dhe ku bënin pjesë katër vilajetet shqiptare, që ishin në kuadër të Perandorisë Osmane. Ky vendim i ri, që vinte në fuqi pas 97 ditëve, shkaktoi ndryshime në vendimin e marrë më 17 dhjetor 1912. Fuqitë e Mëdha ranë më në fund në ujdi, më 22 mars të vitit 1913, për ndarjen e Shqipërisë në dy pjesë, atë të lirë dhe të robëruar.5
COPTIMI I SHQIPËRISË ETNIKE NË DY PJESË E LIRË DHE E ROBËRUAR
Por, si e pret Ismail Qemali këtë lajm të hidhur për ndarjen e Shqipërisë në dy pjesë. “Simpatia që më ishte shfaqur gjatë misionit tim, qe i vetmi ngushëllim që iu ofrua zemrës së copëtuar të Shqipërisë, kur morëm vesh vendimin e dhënë nga Konferenca e Londrës. Mbi gjysmën e territorit të vendit tim ia kishin dhënë Serbisë, Malit të Zi e Greqisë. Qytetet më të lulëzuara e rajonet më prodhimtare të vendit, i ishin shkëputur atdheut. Shqipëria kishte mbetur gati krejtësisht në zonat më të thata e më shkëmbore. Kështu, të lëshuar përsëri në një depresion të pikëlluar dhe me vizionin e një të ardhmeje kaq të errët të vendit tonë të rilindur, qemë të ngushëlluar kur dëgjuam se duhej të sakrifikoheshim për interesat e përgjithshme të Evropës. I ngushëlluar, por jo i dëshpëruar, u ktheva në Shqipëri, i mbështetur vetëm në iluzionin se kushte më të favorshme në të ardhmen do të mund t’i lejonin Shqipërisë që të realizonte kërkesat e saj legjitime”.
Në fund diplomacia Austro-Hungareze kërcënoi se do të largohej nga Konferenca, në qoftë se pranohet propozimi rus. Edhe Roma e përkrahu qëndrimin e Vjenës, si alete e saj, në lidhje me qytetin e Shkodrës. Fuqitë qendrore tani qëndronin të bashkuara në lidhje me bllokun tjetër, Francën dhe Rusinë, ndërsa politika anglofile tani mbahej ftohtë para propozimeve ruse (V. Xh).
Në qoftë se gjatë bisedimeve të vështira të Konferencës së Ambasadorëve në Londër u arrit krijimi i një shteti gjysmak shqiptar, kjo ishte në radhë të parë merita e ministrit të Jashtëm, kontit Berthold. Kundërshtimin më të madh kundër një Shqipërie të Pavarur e bëri Franca dhe Rusia, të cilat përpiqeshin të përfitonin sa më shumë në dobi të klientëve të tyre, Greqisë dhe Serbisë, toka të gjera me popullsi thjesht shqiptare dhe ngulën këmbë për këtë deri në fund të Konferencës. Austro-Hungaria, në këto kushte, nuk ishte në gjendje të ruajë kufijtë etnikë. Rusia kërkonte Shkodrën për Malin e Zi, ndërsa Monarkia austro-hungareze, vinte në pah se një Shqipëri pa Shkodrën nuk mund të ekzistonte. Në fund, diplomacia ruse dhe ajo franceze arritën t’i shkëpusin Shqipërisë krahinat më të pasura, Kosovën dhe trevat e tjera lindore, deri në Manastir, me afro 1 milion shqiptarë që iu dhanë Serbisë.6 Isa Boletini, në takimet që ka pasur me diplomatët e huaj në Angli dhe në vende të tjera të Evropës, ka deklaruar: “Nuk po e marr me mend se si Evropa po ia jep Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi një milion shqiptarë”.
Ndërkohë, në Konferencën e Londrës po përfundonte lufta diplomatike për caktimin kufirit shqiptaro-malazez dhe shqiptaro-serb, e ndodhur përballë këmbënguljes së lidhjes trepalëshe. Rusia pranoi që Shkodra më në fund t’i lihej Shqipërisë, me kusht që qeveria e Vjenës të hiqte dorë nga Peja, Prizreni, Gjakova dhe Dibra, duke përfshirë këtu edhe malin e Taraboshit, me Lumën. Për ta zgjidhur këtë çështje, të dy palët u detyruan të bënin lëshime të reja. Diplomacia ruse, në krye me Sazanovin, hoqi dorë nga Taraboshi dhe Luma, ndërsa Bertholdi, i interesuar për Shkodrën, që të mos binte në duar të malazezëve, hoqi dorë nga Peja, Prizreni, Gjakova, dhe krahina e Dibrës, me Tetovë, Gostivar deri në Strugë. Më 26 mars, Eduard Grej, kryetari i Konferencës dhe ambasadorët e Fuqive të Mëdha, të akredituar në oborrin e Shën Xhejmsit (Sain James), në emër të qeverive të tyre, pranuan formalisht përcaktimin e kufijve veriorë dhe verilindorë të Shqipërisë, që ishte miratuar më 22 mars 1913. Me këtë vendim, Shqipërisë Etnike iu shkëputën arbitrarisht nga trungu i saj krahina e Gucisë dhe Plavës, qytetet e rëndësishme të Pejës, Gjakovës, Prizrenit dhe Shkupit, krejt fusha e Kosovës, e banuar me shumicë të madhe nga shqiptarët, si dhe qytetet e Përlepit, Manastirit, Resnjës, Ohrit dhe Strugës, deri në Dibër.7
Më 22 mars të viti 1913, Konferenca e Ambasadorëve vendosi përfundimisht që Shkodra me rrethinën e saj t’i mbetej Shqipërisë, ndërsa Rrafshi i Dukagjinit, Kosova dhe pjesët e tjera të trevave lindore, ku binin pjesë Manastiri, Shkupi Kumanova e Presheva t’i mbeteshin Serbisë dhe Malit të Zi.8 Pas këtij vendimi pjesëmarrësit e Konferencës kërkuan nga Mali i Zi dhe Serbia që të lëshonin Shkodrën. Me këtë vendim nuk ishte dakord Esat Pasha i cili veproi ndryshe nga rekomandimet e Konferencës, pasi ai kishte edhe përkrahjen e Rusisë. Në fillim kishte në plan të parë që të niset me ushtrinë e tij kundër Qeverisë së Përkohshme për asgjësimin e saj, pasi kishte edhe përkrahjen e Qeverisë turke. Në këto rrethana, ai vazhdoi të qëndrojë edhe më tutje në Shkodër, por me nënshkrimin e armëpushimit midis Turqisë dhe shteteve Ballkanike më 16 prill siguroi përkrahjen nga Mali i Zi për t’u bërë princ i Shqipërisë dhe i jepej mundësia të themelonte një qeveri më vete, që do ta zëvendësonte atë të Vlorës. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore që Esat Pasha më në fund nënshkroi tradhtisht marrëveshjen e kapitullimit më 22 prill 1913. Me ushtrinë e tij turko-shqiptare dhe me plotë armatim ai u largua nga qyteti një muaj pas vendimit të Konferencës për copëtimin e Shqipërisë Etnike. Pra pas shtatë muaj qëndrese dhe mbrojtje të suksesshme, ushtria malazeze pa luftë e mori Shkodrën. 9 Por, pushtimi malazez nuk pati jetë të gjatë, pasi Konferenca urdhëroi Kral Nikollën që ta lëshojë Shkodrën, të cilën e bëri më 4 prill, kurse në qytet hynë forcat ndërkombëtare. Administrimi i qytetit kaloi në duar të një Komisioni Ushtarak Ndërkombëtar i kryesuar nga Sesil Burnej. Ky komision nuk lejoi të ngrihej në Shkodër flamuri kombëtar, si dhe nuk e njohu për këtë Qeverinë Provizore të Ismail Qemalit. Komisioni vendosi brenda në qytet marrëdhënie koloniale. Po ashtu në këto rrethana të reja Esat Pasha i frikuar nga invadimi ushtarak austro-italian që kishin lidhur një aleancë të fshehtë për Shqipërinë më 8 maj 1913, Esati vendosi që me ushtrinë e tij të largohej nga Shqipëria me anijet turke, gjatë muajit qershor për në Turqi. Në këtë kohë Qeveria Xhonturke e Enver Pashës ishte e pashpresë.
Në prill, Qeveria e Enver Beut vendosi të rihapte përsëri Konferencën e Paqes. Këtë herë bisedimet vazhduan deri më 30 maj 1913, kur u nënshkrua Traktati i Londrës, sipas të cilit Turqia përjashtohej përfundimisht nga Evropa. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Sulltani mundi të ruajë vetëm Kostandinopojën dhe një rrip tokësor nga Enosi në Detin Egje, deri në Media në Detin e Zi. Pjesa tjetër e territoreve iu dorëzua vendeve ballkanike. Më 7 prill 1913, Eduart Grej, në raportin e tij të para dhomës së komunave, ndër të tjera tha: “Marrëveshja e Fuqive për të respektuar kufijtë e Shqipërisë u arrit pas përpjekjesh të gjata dhe të lodhshme diplomatike. U vendos që brigjet e liqenit të Shkodrës t’i takojnë Shqipërisë, ndërsa Peja, Prizreni dhe Dibra, si dhe pas shumë përpjekjesh dhe negocimesh, edhe Gjakova të lihej jashtë Shqipërisë. Kjo marrëveshje ishte thelbësore për paqen në Evropë, dhe është arritur pikërisht për të ruajtur paqen midis Fuqive të Mëdha.
Në bazë të gjitha normave ndërkombëtare, kjo ishte tërësisht një padrejtësi e madhe kundër vullnetit të shprehur nga vetë populli shqiptar në Kuvendin e Vlorës. Pra, me këtë vendim arbitrar, ku mbi 55% e tokës shqiptare ndahej ndërmjet Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi, ishte një padrejtësi që iu bë popullit shqiptar, i cili kufizohet nga të gjitha anët me popullin e vet, që nuk i është bërë asnjë shteti tjetër. Një popull kaq liridashës, që ka luftuar pandërprerë për lirinë e vet dhe të fqinjëve të tij që nga koha e Skënderbeut e deri më sot, tani po copëtohej për interesa të shteteve të Ballkanit. Këtë ndarje politike e përshkruan më së miri Edit Durham, e cila thotë: “Përpjekjet e përbashkëta të Francës dhe të Rusisë e kishin ndarë Shqipërinë gati përgjysmë dhe i kishin caktuar kufijtë në mënyrën më mizore”.10
Në këtë mënyrë për të kënaqur aspiratat e shteteve sllave të Ballkanit, padrejtësisht nga trungu i saj u ndanë qytete dhe krahina të tëra shqiptare, si: Dibra, Peja, Gjakova, Prishtina, Gjilani, Presheva, Bujanovci, Kaçaniku, Shkupi, Kumanova, Manastiri, Struga, Kërçova, Tetova, Gostivari etj.11.
Pra, 22 marsi i vitit 1913 është datë e vendimit të turpshëm dhe arbitrar i Fuqive të Mëdha, për copëtimin e Shqipërisë Etnike në dy pjesë. Ky është një vendim i një kronike të zezë në historinë e popullit shqiptar. Kjo datë është pikënisje e të gjitha protestave dhe luftërave të pandërprera të shqiptarëve. Nga kjo datë, më shumë se gjysma e territorit shqiptar hyri nën sundimin e shteteve të Ballkanit: Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë.12 Me copëtimin e katër vilajeteve shqiptare përfituan: Serbia dhe Mali i Zi 62 500 km2, Bullgaria 55 000 km2, ndërsa Greqia 30 000 km2.”13
Kundër këtij vendimi të Fuqive të Mëdha protestoi trimi i pushkës Isa Boletini, në takimin që pati me diplomatin e njohur anglez, Eduard Grei, në Londër, ku i thotë: “Shqiptarët kurrë nuk do t’i njohin këta kufij artificialë që i ka caktuar Evropa, me diktatin e Rusisë”.14 Kjo ishte vetëm fillimi i luftërave të pandërprera të një pjese të popullit të robëruar shqiptar, për çlirim nacional dhe bashkim kombëtar, deri në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.15
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse shënoi një ngjarje me rëndësi të madhe historike për tërë kombin shqiptar kudo që ndodhej, ajo e gjeti popullsinë e nënshtruar nën sundimin serbo-sllav me një revoltë të pa përshkruar.
Ky vendim i miratuar më 22 mars nga Fuqitë e Mëdha shkëpuste territore të tëra nga Shqipëria Etnike, me fjalë tjera i kthente shqiptarët pesëdhjetë vjet prapa në luftën e filluar nga Lidhja e Parë e Prizrenit. Me këtë vendim arbitrar të Londrës riktheheshin vendimet e marra më 3 mars 1878 në Paqen e Shën–Stefanit ku e kishte vulos Rusia, ku trevat Lindore dhe një pjesë e qyteteve të Kosovës nga Shkupi, Tetova e deri në Elbasan iu dhanë Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye shqiptarët e Dibrës dhe Tetovës reaguan ashpër kudër këtij vendimi të marrë në Shën Stefan. Krerët e këtyre trevave u dërguan memorandume Fuqive të Mëdha në Stamboll, ku kërkonin që mos prekej Shqipëria Lindore, sepse ata kurrë nuk do të pranonin të hynin nën sundimin bullgarë. Populli shqiptar i këtyre trojeve, këtë memorandum të nënshkruar nga 459 atdhetarë ua dërgoi të gjithë ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të akredituar në Stamboll.16
Me vendimet e 22 marsit, trevat e Shqipërisë Lindore si pjesë përbërëse e Shqipërisë Etnike ndaheshin nga trungu i saj dhe hynin nën sundimin e ri të pushtuesit serb.17 Kundër këtij vendimi të padrejtë të Fuqive të Mëdha u protestua ashpër në të gjitha trevat shqiptare: të Çamërisë, të Dibrës, të Kosovës, të Hotit, të Grudës, të Anamalit dhe të krahinave të tjera që deri në këtë kohë bënin pjesë në hartën e katër vilajeteve të Shqipërinë Etnike. Pra, shqiptarët protestuan kudo u dërguan memorandume, protesta e letra, Fuqive të Mëdha për revidimin vendimit të 22 marsit dhe zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare.18
Në letrën protestuese, të nënshkruar nga Mehmet pashë Derralla, Isa Boletini dhe Qerim Begolli, dërguar Fuqive të Mëdha thuhej: “Ne nuk kundërshtuam marshimin e aleatëve dhe armatave të tyre për të larguar robëruesin e përbashkët. Por nuk mund të jemi dakord që një popullsi prej një milion shqiptarësh myslimanë e katolikë të bien nën sundimin e ri serb, përqindja e të cilit në këto territore shqiptare nuk arrin mbi 5%. Këtë mund ta verifikoni me dërgimin e një komisioni të lartë evropian”.19
Një memorandum tjetër në emër të trevave verilindore drejtuar Bertholdit më 25 Janar 1913, nga një grup atdhetarësh nga Italia, ku kërkohej” të na njihet e drejta jonë e shenjtë duke përfshirë në shtetin tonë të gjitha ato vise të cilat për arsye etnike, gjeografike dhe historike janë tërësisht shqiptare të cilat pjesë shumë të rëndësishme të vendit tonë janë: Shkodra, Ipeku, Gjakova, Prizreni, Shkupi, Tetova, Prishtina, Dibra, Manastiri, Ohri dhe Janina. Për të cila kanë pretendime të pabazuar shtet ballkanike, sepse këto territore janë të njohura si tërësisht shqiptare më 1880 nga Lordi Ficmoris, Goshen, Granvill. Vetëm kështu do të arrihet ekuilibri evropian dhe paqa e qëndrueshme, për ndryshe, duke na shkëputur vetëm njërin nga këto vise nuk do të ketë tjetër veçse çrregullime të përhershme dhe gjakderdhje.20 Poahtu një memorandum tjetër i paraqiti Konferencës dhe “Forin Ofisit”, delegacioni i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Londër, në krye me Rasih Dinon, Mehmet Koncën dhe Filip Nogën, ku paraqitej një statistikë e popullsisë së qyteteve të vilajetit të Kosovës, si: Mitrovica, Vuçitërna, Prishtina, Presheva, Gjilani, Kumanova, ku vërtetohej se popullsia këtyre qyteteve mbi 80% janë shqiptarë.21
Edhe pse ngjarjet e vitit 1912 në Ballkan dhe Kryengritja Shqiptare patën jehonë të madhe jo vetëm për njohjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, por edhe më gjerë, shqiptarët u tërhoqën nga Shkupi pasi Fuqitë e Mëdha garantuan se do të plotësoheshin kërkesat e shqiptarëve për “autonomi” duke marrë garanci nga Turqia. Ata me këto “premtime” dhe me plotë besim e entuziazëm duke treguar një kulturë të lartë politike dhe një tolerancë shembullore duke zbatuar urdhrat e komandantëve të tyre e lëshuan Shkupin, shkuan nëpër shtëpitë e veta, “të bindur në fitoren e autonomisë ku përfshiheshin 14 pikat e kërkesave të tyre”.22 Me këto suksese, ata vazhduan të qeverisnin në tërë qytetet e Vilajetit të Kosovës: në Kumanovë, Preshevë, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kaçanik, Ferizaj, Prishtinë, Prizren, Mitrovicë e deri në Novi Pazar etj.23hqiptarët ishin të sigurt në drejtësinë e vendimeve që do të merrnin Fuqitë e Mëdha: “se do të vendosin drejt për zgjidhjen e autonomisë shqiptare dhe të popujve të vegjël në fillim të shekullit XX”.24
Me mbarimin e Luftës së Parë Ballkanike, Fuqitë e Mëdha kësaj radhe heshtën përpara kërkesave, memorandumeve dhe protestave të shqiptarëve. Ata vendosën kundër fakteve historike dhe nuk morën parasysh luftën katërvjeçare për pavarësi të popullit shqiptar. Fuqitë e Mëdha në vend të përkrahjes kësaj radhe vepruan kundër interesave të popullit shqiptar dhe luftës së drejtë të tij. Konferenca e Londrës, në vend që të gjykonte drejt, ajo vendosi që territorin e Shqipërisë etnike më 22 mars ta ndante në dy pjesë: një pjesë të ishte e lirë dhe më shumë se gjysma e robëruar nga serbo-malazezët. Territoret nga Liqeni i Ohrit deri në Novi Pazar, territore të banuara me shumicë shqiptare, ku bënin pjesë 18 qytete shqiptare të Vilajetit të Kosovës, dhe trojeve të tjera lindore, ku bënin pjesë; Manastiri, Ohri, Struga, Kërçova, Gostivari, krahina e Rrekës deri në Dibër iu dhanë Malit të Zi dhe Serbisë.25
Për këtë ndarje më së miri do të shprehej Eduard Greji: “Marrëveshja ndërmjet fuqive lidhur me kufijtë V të Shqipërisë u arrit pas përpjekjesh të gjata dhe të vështira diplomatike. U vendos që zona bregdetare dhe Shkodra të jenë shqiptare, kurse Ipeku, Prizreni, Dibra dhe pas shumë negociatash edhe Gjakova të lihej jashtë Shqipërisë. Ky rregullim lë një pjesë të madhe territori për t`u ndarë ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, si fryt i fitores. Arritja e marrëveshjes ishte thelbësore për paqen në Evropë dhe, sipas mendimit tim, u realizua pikërisht në kohë për të ruajtur paqen midis Fuqive të Mëdha”.
Në të njejtën kohë delegacioni shqiptarë i kryesuar nga Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi dhe Dhimitër Berati kishte filluar të protestonte në qendrat diplomatike të Evropës duke kundërshtuar ashpër këtë padrejtësi ku cungohej territori i Shqipërisë Etnike, nga vendimi që kishin marrë Fuqitë e Mëdha.26nëtari i këtij delegacioni, Isa Boletini, në intervistën e tij të parë që bëri më 10 prill në Vejnë në një pritje në Ministrinë e Luftës, iu bë kjo pyetje: “Nga cili vend do të kishit dashur një mbret të ardhshëm të Shqipërisë? Isa Boletini iu përgjigj: “Së pari një princ anglez e pastaj gjerman”.27
Nga fillimi i muajit maj, delegacioni shqiptarë arriti në Londër. Në intervistën që i dha Isa Boletini gazetës “Dejli telegraf”, pasi foli gjatë për luftën 30-vjeçare dhe sakrificat që kishte bërë populli shqiptar për pavarësi në fund tha: “Prandaj kam ardhur në Londër që të protestoj, si përfaqësues i Kosovës dhe si delegat i Qeverisë së Vlorës, që të kërkoj të drejtën nga Evropa”. I pyetur se a do t’i pranonte kufijtë që i ka caktuar Konferenca e Ambasadorëve, ai u përgjigj: “Unë kurrë nuk do t’i pranoj ato kufij që i ka caktuar Evropa dhe derisa të jem gjallë do të luftoj kundër serbëve, malazezëve, grekëve dhe kundër të gjithë armiqve të Shqipërisë”.28 Kjo deklaratë e tij u botua edhe në faqen e parë të gazetës serbe “Politika”.
Nga fundi i majit delegacioni shqiptarë u largua i pakënaqur nga Londra dhe u kthye në Vlorë.29 Krerët e Lëvizjes Shqiptare kurrsesi nuk mund të pranonin copëtimin e Shqipërisë dhe marrjen e vilajetit të Kosovës nga sunduesit serbë. Dëshpërimi dhe pakënaqësia e udhëheqësve shqiptarë të vilajetit të Kosovës vazhdonte pandërprerë, edhe pse disa prej krerëve kosovarë zunë poste të larta në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Ata nuk hoqën dorë kurrë nga Pavarësia e Kosovës dhe trojeve të tjera Lindore si pjesë përbërëse e Shqipërisë Etnike. Në këto rrethana të vështira ministri i parë i Luftës Mehmet pashë Tetova, Isa Boletini dhe Ajdin Draga, i dërguan për herë të dytë telegram protestues qeverive të gjashtë Fuqive të Mëdha të Evropës ku kërkonin “rishikimin e kufijve të Shqipërisë Etnike”.30
Delegacioni shqiptar u bind se edhe Austro-Hungaria nuk donte të prishej me Rusinë dhe me Anglinë për çështjen shqiptare, pasi edhe vetë Bertholdi deklaroi: “Kërkesat e shqiptarëve janë të drejta, por ne nuk mund t’i sigurojmë kufijtë se këto na shpien kah lufta me Rusinë, pasi edhe Franca mbante haptazi anën e Rusisë dhe ishte kundër zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare, ata mbronin synimet dhe aspiratat serbe kundër Shqipërisë.31 Në këto rrethana tejet të vështira për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, është me rëndësi të vihet në dukje se Austro-Hungaria dhe Italia, për realizimin e aspiratave të tyre politike bënë marrëveshje të fshehtë për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Në marrëveshjen e tyre të 8 majit të vitit 1913, dalin në shesh qëllimet e diplomacisë sekrete dhe projekti i Fuqive të Mëdha, të parashtruara në Konferencën e Londrës për ndarjen e Shqipërisë. Ky është një shembull tipik i diplomacisë sekrete evropiane.32
Sipas kësaj marrëveshjeje sekrete në këtë projekt ishte parashikuar që në pjesën Veriore të Shqipërisë të vendosej Austria deri në Lumin Shkumbin, ndërsa në Jug të vendosej pushteti italian. Ky projekt i ashtuquajtur “sekret”, de facto ishte një kopje e marrëveshjes serbo-greke, e nënshkruar gjatë Aleancës Ballkanike ndërmjet Greqisë dhe Serbisë.
Për fatin e shqiptarëve dhe të luftës së tyre të drejtë e të pandërprerë, këto projekte hegjemoniste nuk u realizuan kurrë. Kjo është një dëshmi vetëm për “sinqeritetin” e diplomacive të Fuqive të Mëdha, për “zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në kufijtë të saj etnikë dhe bashkimin e katër vilajeteve”(V.Xh).
Me çështjen e kufijve të Shqipërisë u bë tregti e hapur ndërmjet Fuqive të Mëdha, duke i lënë Shkodrën Shqipërisë, ndërsa Serbisë iu fal tërë Vilajeti i Kosovës, me Tetovë e Gostivar, deri në Dibër.
Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje ishte që, me anë të vargmaleve të larta, të ndahej populli shqiptar me kufij në mes tyre, që sa më parë të shpërngulej dhe të asimilohej nga pushteti i egër serbo-malazez. Ndaj vendimit të 22 marsit kur Shqipëria u nda në dy pjesë nga Fuqitë e Mëdha, populli shqiptar protestoi shumë ashpër. Protestuan shoqatat dhe kolonitë shqiptare kudo që ishin. Kundër këtij vendimi arbitrar protestoi edhe delegacioni shqiptarë me M.Konicën dhe F.Nogën, që ndodheshin në Londër. Që në fillimet e Konferencës, ata u paraqitën në Forein Offis dhe deklaruan se çështja e Shqipërisë po vendosej pa kurrfarë kujdesi për vetë shqiptarët.33
Pakënaqësinë e popullit shqiptar e shpreh më së miri dhe patrioti i shquar, Dervish Hima, në letrën që i dërgon Ibrahim Temos, ku i thoshte se ishte shumë i trishtuar nga ky vendim arbitrar që kishin marrë Fuqitë e Mëdha kundër vendit tonë dhe e quante konferencën “gjyq politik evropian”. 34 Këtë padrejtësi më së miri e përshkruan mikesha e madhe e popullit shqiptar, miss Edith Durham, e cila thotë: “Kjo ishte një kurdisje e shteteve fqinje përmes Fuqive të Mëdha, në krye me Rusinë. Një lojë më e ndyrë e tradhtisë kurrë nuk është lozur, përderisa Kosova dhe trojet e tjera lindore u morën me tradhti”.35
Konferenca e Ambasadorëve i vazhdoi punimet e saj mbi statutin e organizimit të Shqipërisë dhe kufirit jugor të saj. Në 15 qershor 1913, Austro-Hungaria dhe Italia paraqitën përsëri një propozim mbi organizimin e Shqipërisë. Vetëm pas shumë diskutimesh, gjatë të cilave Franca dhe Rusia bënë në vazhdimësi kundërshtime, fuqitë ranë në ujdi ku Shqipëria më 29 korrik 1913 u shpallë principatë pa asnjë lidhje me Turqinë ku një Komision Internacional Kontrolli i përbërë prej delegatëve të gjashtë Fuqive të Mëdha do të mbikëqyrte administratën dhe financat e Shqipërisë dhe princi do të caktohej brenda 6 muajve. Pra, Shqipëria më në fund mori formën e Protektoratit e cila ishte në kundërshtim me kërkesat e popullit shqiptar që ishte në kundërshtim të plotë me sovranitetin e saj.
Kjo njohje gjysmake e një pjese të Shqipërisë, ishte një akt më i ulët sesa ajo e Kuvendit Kombëtar të cilën e shpalli Ismail Qemali më 28 nëntor në Vlorë, prandaj kjo njohje e Shqipërisë nga Fuqitë Mëdha kur nuk kënaqi aspiratat e popullit shqiptar si shtet neutral nën patronazhin e Fuqive të Mëdha. Qeveria e Përkohshme në krye me Ismail Qemalin, kurrë nuk ra dakord me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha në punët e brendshme të vendit, që cenonin hapur pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë. Kjo qeveri atdhetare kurrë nuk u pajtua as me gjymtimin territorial të Shqipërisë Etnike. Ismail Qemali shpresonte se një ditë do të vinë rrethana më të favorshme për rikthimin e Shqipërisë në kufijtë e saj etnik, pasi ky popull kreshnik ka luftuar pa ndërprerë midis Ballkanit, nga periudha heroike e Skënderbeut e deri më sot për çlirim nacional e bashkim kombëtar: “Një gjuhë, një komb, një shtet” (V.Xh).
Qeveria e Vlorës u drejtua për 14 muaj në kushte mjaft të vështira politike-ekonomike, por ajo kreu “në mënyrë të shkëlqyer detyrat më të rëndësishme historike: siguroi ekzistencën e Shqipërisë së Pavarur; ngriti shtetin e ri shqiptar; përcaktoi qysh në lindje të Shqipërisë një politikë të jashtme të paqes, neutralitetit dhe ekuilibrave në Ballkan; hodhi themelet e arsimit shqiptar; u bë shprehësja e aspiratave të thella të popullit tonë për zhvillime evropiane perëndimore”.
Austro-Hungaria insistoi në Konferencën e Ambasadorëve edhe për një garanci në mbrojtjen dhe lirinë kulturore të shqiptarëve të ngelur nën sundimin e shteteve Ballkanike. Këto propozime ajo ia paraqiti Londrës me anë të ambasadorit të saj, kontit Mensdorff. Propozimet kërkonin një barazi të plotë ligjore dhe kulturore, sepse neve kishim frikë dhe me të drejtë, që pushtuesit do të përdorshin metoda shkombëtarizimi. Mjerisht këto propozime të Austro-Hungarisë nuk kaluan, pasi diplomacia ruse ishte kundër atyre.36
Konti Berchtold, pa dyshim, ishte një nga protagonistët më të zjarrtë për krijimin e një Shqipërie të lirë. Ky i mbushur me një entuziazëm të sinqertë për këtë pikësynim të punës së tij të zorshme dhe këmbëngulëse ku pati për kundërshtare politikën pan-sllaviste. Ai tek Shqipëria dhe populli shqiptar shihte një shtet që mund të jetonte dhe i vinte keq kur luftohej në Londër për çështjen shqiptare, që nuk kishte një qeveri qendrore dhe unike të Shqipërisë. Derisa vazhdonin bisedimet në Londër, në Shqipëri deri në vitin 1913 u formuan katër qeveri: Qeveria provizore e Vlorës nën Ismail Qemalin, e dyta; Qeveria e Shqipërisë së Mesme me seli në Durrës, e udhëhequr nga Esad pashë Toptani, i cili ishte kundërshtar i fortë politik i Qeverisë së Vlorës dhe mercenar i njohur i Serbisë. Qeveria e tretë, ajo e Ded Çokut në Lezhë dhe e katërta, ishte Qeveria e Prenk Bib Dodës, e shpallur në Mirditë. Vendi paraqiste një tablo të vajtueshme të përçarjeve e ndasive politike. Në këto rrethana të brendshme në Shqipëri, fare nuk favorizuan pozicionin e ministrit të Jashtëm Berchtold, për të mbrojtur integritetin e plotë të Shqipërisë. Ai luftoi vetë me forcat e veta kundër të gjithëve në këtë Konferencë e cila zgjati mbi gjashtë muaj ku donin ta gllabëronin Shqipërinë nga harta e Ballkanit. Prandaj, sot pas njëqind vjetësh ndajmë mendimin se ishte një sukses i madh i diplomacisë Austro-Hungareze për arsye se u arrit krijimi i një Shqipërie të Pavarur dhe Autonome edhe pse gjysmake. V.Xh).
Fajin duhet kërkuar te vetë shqiptarët, pasi në këto çaste nuk shikonin bashkimin dhe mbrojtjen e vendit nga shtetet sllave por vraponin të përfitonin në dëm të popullit për interesa të veta personale. Prandaj, sot nga ajo distancë kohore i japim mirënjohje politikës Austro-Hungareze në krye me diplomatin Berthold. Edhe pse ky luftoi më të gjitha forcat për të mirën e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar në fund nuk mundi t’i kapërcente kundërshtimet e Rusisë dhe Francës për të mbrojtur kufijtë etnikë të shpallur në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Prandaj, në këto rrethana të reja midis Ballkanit duhej bërë urgjentisht një bashkim midis shqiptarëve ku aktuale ishte çështja e zgjedhjes së Mbretit për të formuar një qeveri qendrore unike.37
Shtetet ballkanike të ndihmuara nga Rusia dhe Franca, ishin shkaktarë kryesorë që penguan popullin shqiptar të kurorëzonte me sukses të plotë luftën katërvjeçare, për ruajtjen e tërësisë territoriale ku i shkëputën këto treva nga trungu i mëmëdheut. Sunduesit e rinj mbi trojet shqiptare që u vendosën si rezultat i vendimeve të Konferencës së Londrës, filluan menjëherë aplikimin e një politike të egër shtypëse për kolonizimin dhe serbizimin e këtyre viseve. Politika e egër serbe i trajtoi shqiptarët si element i huaj në krahinat e aneksuara, edhe pse ajo e dinte se këto territore denbabaden janë të tyre dhe i kanë poseduar shqiptarët para se ato të vendoseshin në Ballkan. Ajo përdori kundër shqiptarëve metodat më barbare të dhunës e të terrorit. Kjo politikë pan-sllaviste serbe çoi në shtimin e urrejtjes së të gjithë popullatës kundër sunduesit të ri. Populli shqiptar dhe krerët e saj ishin të vendosur të luftonin deri në fund kundër regjimit të egër të pushtuesve serbë. Pra, në këto rrethana filloi një fazë e re e luftës kundër sunduesve të rinj, lufta për çlirim kombëtar dhe bashkim me shtetin amë, luftë kjo që vazhdon sot e kësaj dite.
Shqiptarët e trevave lindore kurrë nuk u pajtuan me këtë vendim arbitrar, prandaj në vitin 1919 i dërgojnë një Memorandum kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Vilson, që të korrigjojë këtë padrejtësi të bërë kundrejt popullit shqiptar dhe Shqipërisë Etnike të ndarë në dy pjesë, më 22 mars 1913. Memorandumi drejtuar kryetarit Vilson fillon me fjalët e Ptolomeut ku përmend i pari shqiptarët në këto territore që janë raca më e vjetër që ndodhen në Evropë. Me shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali një muaj më pas Fuqitë Mëdha e njohën independencën e Shqipërisë të shpallur më 28 Nëntor 1912 në Kuvendin kombëtar të Vlorës. Por, pas tre muajsh njohjeje u soll një vendim tjetër arbitrar ku gjysma e Shqipërisë ngeli e robëruar nën sundimin greko-serbo-malazez.38
Flamuri ynë tregon qëndresën e patundur patriotike, atdhetare, fisnike dhe burrërore në luftërat e rrepta për mbrojtjen e tokave tona të shenjta. Flamuri ynë është shenja e qëndresës, vendosmërisë, sakrificës, trimërisë dhe betimit, që i garantoi lirinë e merituar popullit dhe vendit. Flamuri ynë ka lundruar mbi lumenj, ka valuar në duart e heronjve dhe trimave mbi fushat e nderit, nëpër betejat e përgjakshme gjatë luftërave për fitore, ka kaluar male e suka, Alpe e bjeshkë, Daçiq, Shkëlzen e Ulqin, në Gjeravicë e Manastir, Boletinë e Bujanovc, Çakorr e Ohër, Çamëri e Luboten, Preshevë, Kumanovë e Sharr, Medvegjë e Mitrovicë, Shkup e Ohër, Prishtinë e Kërçovë, Gostivar e Tiranë, Dibër e Tuz, Plavë e Guci, pra në të gjitha ato vende ku me kënaqësi bukës i thonë bukë e ujit-ujë.
Dita e shpalljes së Pavarësisë, 28 Nëntori është një ndër ditët më të ndritshme dhe ndër më të mëdhatë e Rilindjes sonë kombëtare, në gjithë historinë tonë. Liria e arritur, është vlera dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë njerëzore, e cila nuk falet e as dhurohet por fitohet me shumë punë e përpjekje e gjak dhe me vuajtje brezash, ndaj heronjtë dhe dëshmorët shqiptarë me heroizmin e tyre u bënë pasuri kombëtare dhe janë më meritorët për gjatë gjithë historisë sonë për të tashmen dhe të ardhmen e kombit tonë që nga luftërat e Skënderbeut e deri më sot.
Festat e ditëve të mëdha siç është 28 Nëntori u japin shpirt ngjarjeve historike, hise e të cilave është edhe liria jonë kombëtare të cilën deri më sot e kemi gëzuar pjesë-pjesë duke përjetuar të ndarë në disa shtete, ku gëzimi nuk ka qenë gjithkund i njëjtë dhe i plotë, ashtu siç është edhe vetë gjendja e tanishme e shqiptarëve të ndarë midis shteteve Ballkanit.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është ndër datat më kryesore të lirisë të kombit shqiptar kudo që jeton e vepron, e cila pas një periudhe të gjatë robërie prej më se 500-vjeçare, arriti në rilindjen e një shtetit të pavarur shqiptar edhe pse të vogël dhe të copëtuar nga të gjitha anët.
Edhe ashtu siç është, na bëri më të fortë si komb, kur dihet se shqiptarët ishin të kërcënuar, të pushtuar dhe të rrezikuar nga të gjitha anët për zhdukje totale. Por falë atij shteti sado të vogël e të brishtë, shpresat e shqiptarëve nuk u zhdukën kurrë, por u rritën duke na dhënë forcë dhe kurajë, për të arritur në qëllimin e duhur, në krijimin e dy shteteve të pavarura shqiptare që çojnë kombin drejtë bashkimit kombëtar.
______________
Referencat:
1 Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, Tiranë 1963, f. 11.
2 D. Tucoviq, Serbija e Shqipëria, Prishtinë, 1978, f. 81.
3 Vladeta Gjorgjeviç, Arnauti i Velike Sile, Beograd 1913; Sekula Drleviç, Ballkanski sukobi 1905-1941, Zagreb 1941, f. 63; Arben Puto, Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit (1912-1918), vëll II, Tiranë 1987, f. 28.
4 Ismail Qemali, dok. 249, f. 270; Telegram i Ismail Qemalit drejtuar Rasim Dinos me rastin e njohjes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, më 22 dhjetor 1912. Fuqitë e Mëdha ranë në ujdi me mbajt në Londër një konferencë në nivelin e ambasadorëve, për me biseduar çështjet e krijuara nga disfata ushtarake e Perandorisë Osmane. Ajo i filloi punimet më 17.XII.1912. Përfaqësuesi i Monarkisë ishte ambasadori i saj në Londër, konti Mensdorr Pouilly-Dietrichstein, të cilit iu atashuan si ekspertë të dërguarit për Mbretërinë në Cetinë, baron von Giesl dhe shefi i seksionit Theodor Ippen, ish kryekonsull vite me radhë në Shkodër dhe albanolog i shquar. Dokumenti më i rëndësishëm i diplomacisë së brishtë shqiptare ka qenë “Memorandumi” i datës 3 janar 1913. Asokohe, pavarësisht se Shqipëria nuk kishte shërbim diplomatik të rregullt, Ismail Qemali caktoi si ambasador “shëtitës” Rassih (Rasip) Dinon për në Austri, Itali dhe deri në Londër. Për në Londër, me porosi të Ismail Qemalit, ai mori me vete, nga Italia dhe Franca ku ata jetonin, Mehmed Konicën, Filip Nogën dhe Sotir Kolean. Kjo mërgatë përpiloi dhe i dorëzoi sir Edward Grey-t, Kryetarit të Konferencës së Ambasadorëve, memorandumin e Qeverisë Shqiptare, dokumentin e parë diplomatik. Ky memorandum i kushtohej kryesisht çështjes së caktimit të kufijve, duke paraqitur dhe duke argumentuar pikëpamjet dhe qëndrimin e shtetit shqiptar. Më 25 janar 1913, diplomatët shqiptarë i dorëzuan Konferencës një memorandum të dytë. Në këtë memorandum të dytë kërkohej, zbatimi i kriterit etnik, ku cilësohej më dukshëm si një kusht për sigurimin e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan. Në formulimin e kërkesave të dy memorandumeve, rëndësi të veçantë ka pasur “tradita” e 4 vilajeteve shqiptare, që kish qenë motiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
5 Georges Castellan, Histori e Ballkanit, vep e përm., f. 398; “Politika”, Beograd, më 13 prill 1913.
6AIH-Tiranë, Kujtime nga vitet e mija në Shqipëri 1911-1914 Prej C. Buchberger, i dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë në pension i Republikës së Austrisë. “Arddum videtur resgesta scri bere”…,(Salust). Kopenhagen 1971.
7 Kristo Dako, vepër e cituar, f. 154,
8 Arben Puto, Pavarësia e Shqipërisë dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha…, f.204-205.
9 Historia e popullit shqiptar II…, f. 372.
10 Edith Durham, Brenga e Ballkanit, Tiranë 1990, f. 407.
11 Qeveria…, vep. e përm., dok. 107; Abaz Ermenji, Albania, vep. e përm., f. 320-321.
12 Arben Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha (1912-1914), Tiranë, 1978, f. 503. Sipas të dhënave që ekzistojnë Serbia mori 82% territor dhe 55% popullsi më shumë sesa kishte, Mali i Zi 62% territor dhe 100% popullsi më shumë, kurse Greqia 68% territor dhe 67% popullsi më shumë.
13 Marko P. Cemoviç, Makedonski problem i makedonci, Beograd, 1913, 20.
14Gazeta “Politika”, Beograd, 8 maj 1913; Fatmira Musaj, Isa…, vep. e përm., Tiranë 1987, f. 176.
15 Fatmira Musaj, Isa…, vep. e përm., f.176.
16 Akte të Rilindjes …, vep. e përm., f. 15. Protestë e popullsisë së Tetovës drejtuar ambasadorit të Francës në Stamboll kundër vendimeve të Traktatit të Shën-Stefanit për aneksimin e trojeve shqiptare dhe të Pollogut, Bullgarisë.
17 Georges Castellan, Histori…, vep. e përm., f. 398.
18 HHStA,PA. Telegram nr.177 i konsullit nga Shkodra dërguar Vjenës, më 9 korrik 1913, ku e informon për një tubim madhështor të mbajtur në Shkodër, nga i cili i është dërguar një memorandum miqësie Fuqive të Mëdha, ku kërkohej ndërhyrja e Fuqive të Mëdha për ruajtjen e Shqipërisë etnike nga copëtimi.
19 AQSH, Fondi 68, dos. 5, f. 65. Letra është shkruar frëngjisht dhe u dërgohej të gjitha Fuqive të Mëdha: Anglisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë.
20 IH-Tiranë, Vj, 23-36-3682, Telegram dërguar Ministrit Berthold, më 25, janar 1913; nga Hasan Prishtina, Tefik Beu, Prifti Mikel Shiali, Loro Ashiku, Mark Doda, Filip Pjetri, Zef Ndoci, Ernest Kolenda, Filim Marku, e tjerë.
21 IH-Tiranë, vj, 23-36-3683, Telegram dërguar Konsullit ë Përgjithshëm Rapaport, ku i paraqesin edhe shtojcën memorandumit dërguar “Forin Ofisit” dhe ambasadorëve ; më 25 janar 1913.
22 Hamit Kokalari, Kosova djepi i shqiptarizmit, Tiranë, 1943, f. 24. Përpara këtyre ngjarjeve qeveria turke u premton shqiptarëve autonominë, duke plotësuar 12 nga 14 pikat që kishin paraqitur kryengritësit në Prishtinë.
23 Vladimir Gjeorgjeviç, Velika Serbija, vep. e përm., f. 70.
24 AQSh. Fondi 68, dos. 5.
25 Po aty. Fondi 846, dos. nr. 28/3; 18 qytetet e vilajetit të Kosovës që iu dhanë Serbisë ishin: Shkupi, Kumanova, Presheva, Kaçaniku, Prishtina, Gjilani, Vushtrria, Mitrovica, Ferizaj, Peja, Jeni Pazari, Akeva, Trgovishta, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova, Prizreni, Tetova dhe Gostivari.
26 Tafil Boletini, Pranë Isa Boletinit, Kujtime, pjesa I (1892–1916), Tetovë 1916, f. 160.
27 Po aty, f. 161.
28 Isa Boletini në Londër, në: “Politika”, Beograd, 8 maj 1913;
29 Arben Puto, Pavarësia shqiptare…, , vep. e përm., f. 364.
30 Fatmira Musaj, Isa Boletini, vep. e përm., f. 178.
31 Georges Castellan, Histori e …, f. 397.
32 Arben Puto, Çështja shqiptare…, f. 27.
33 Xheladin Shala, Marrëdhëniet…, vep. e përm., f.146.
34 Kristaq Prifti, Dervish Hima, Tiranë, 1987, f. 250.
35 AQSh, Letër e Edith Duhramit.
36AH-Tiranë, “Kujtime nga vitet e mija në Shqipëri 1911-1914” Prej C. Buchberger, i dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë në pension i Republikës së Austrisë. “Arddum videtur resgesta scri bere”, (Salust) Kopenhagen 1971, f. f.20; Më në fund Monarkisë iu deshtë të kënaqet me një formulë të përgjithshme të mbajtjes në këmbë të dispozitave mbrojtëse të traktatit të Berlinit në vitin 1878, në të cilat përcaktohej pozita ligjore e minoriteteve në shtetet Ballkanike.
37 Po aty, f.33.
38 Memorandumi është i drejtuar nga Kristo Dako dhe Mihajll Grameno, më 20 korrik 1918. Po citojmë edhe disa fjalë që janë të shkruara në memorandum; Sot ne po gëzohemi duke dëgjuar zërin fisnik të shteteve të Amerikës në krye me kryetarin e saj z. Vilson për mbrojtjen e vendeve të vogla. Ne shqiptarët sot jemi plotësisht të bindur se parimet e mëdha dhe fisnike të popullit amerikan do të triumfojnë edhe se Shqipërisë midis tjerave kombësi të vogla do t’i jepen kërkimet e saj të drejta për independencë të plotë politike edhe ekonomike si dhe tërësia e vendit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura