ARBËR BULLAKAJ I TRETI NË LISTË! ËSHTË NË POZITË TË FAVORSHME GARUESE PËR DEPUTET NË PARLAMENTIN E ZVICRËS

Pashtriku, 25 janar 2019: Delegatët e Partisë Socialdemokrate të Kantonit të Sankt Gallen duan të fitojnë një vend shtesë në Parlamentin e Zvicrës. Këtë vend të tretin ata duan ta fitojnë me një listë të fortë me kandidat të shquar. Në vendin e tretë në listë, menjëherë pas dy Parlamentareve të deritashëm është Arbër Bullakaj.
Në tetor të këtij viti Zvicra zgjedhë parlamentin e ri për katër vitet e ardhshme. Vendimin, se kush do të ulet në parlament e sjellin banorët e Kantoneve, të cilët me anë të votës japin besimin atyre politikanëve, të cilët i shohin si përfaqësues të denjë të interesave të tyre. Partitë nëpër Kantone kanë filluar me përpilimin e listave për kandidatë. Kështu edhe Partia Socialdemokrate e Kantonit Sankt Gallen. Në prezencë të kryetarit të Partisë në nivel të Zvicrës, Christian Levrat, kjo parti ka votuar listën e kandidatëve dhe ka definuar qëllimet për zgjedhje. Synimi i partisë është të fitohet një vend shtesë në parlament nacional. Një synim, i cili mund të arrihet vetëm me kandidat të fortë, të cilët mobilizojnë dhe janë dëshmuar se janë të aftë dhe të përkushtuar.

Treshi si numër magjik
Konkurrenca për vendin e mirë në listë ishte e madhe. Vendi i tretë në listë, menjëherë pas dy parlamentareve të deritashme, të cilat tradicionalisht i prijnë listës, e rritë shansin për t’u zgjedhur dhe është vend i dëshiruar. Mu në vend të tretë është votuar Arbër Bullakaj, Deputet në qytetin e WIl (SG) dhe nënkryetar i Degës kantonale të Partisë Socialdemokrate. Mbështetja e delegatëve për Arbër Bullakaj nuk është e rastësishme. Gjatë 6 viteve sa është deputet në parlamentin e qytetit Wil, ai ka arritur me sukses të bëjë shumë ndryshime ligjore në favor të migrantëve. Gjatë procedurave të natyralizimit ka mbështetur shumë njerëz, të cilëve u është refuzuar marrja e nënshtetësisë me arsyetime të ndryshme. Arbër Bullakaj gjithmonë i ka inkurajuar ata që të kundërshtojnë dhe të mbrohen kundër vendimeve arbitrare dhe u ka siguruar mbështetjen e tij. Nëse ka qenë e nevojshme ai ka avokuar për ta deri edhe në gjykatën kantonale. Si njohës i mirë i financave, Arbëri ka mënjanuar pagesat për marrjen e nënshtetësisë të ulen, pasi që ka arritur të dëshmoj se administrata ka marrë ma shumë taksa nga aplikuesit, se që është e paraparë me ligj.
Ky angazhim për barazi më të madhe, siç është thënë nga drejtoria qendrore dhe delegatët, me ne fund është shpërblyer me renditjen më të mirë të mundshme ne listën zgjedhore.
Përfaqësues i një Zvicre të re dhe progresive
Arbër Bullakaj është përfaqësues i një gjenerate të re të migranteve dhe migrantëve në Zvicër; të suksesshëm, të guximshëm dhe të gatshëm të japin kontributin e tyre në vendin ku jetojnë, por edhe me vetëbesim të plotë të kërkojnë të jenë pjesë aktive në përpilimin e rregullave dhe ndërtimin e një të ardhme të përbashkët. Kjo shtresë aktive janë edhe votues potencial. Këtë fakt e kanë vërejtur edhe partitë e ndryshme në Zvicër, të cilët mundohen t’i përfitojnë të rinj me sfond të migracionit për fushatat e tyre. Për fat të keq, këta kandidat rrallë kanë gjetur mbështetjen e duhur edhe pse nëpërmjet tyre kanë fituar votues shtesë.
Shansi historik për komunitetin shqiptar në Zvicër
Shqiptarët arritën të zënë vendin dhe pozitën e merituar në Zvicër. Ata janë të integruar mirë dhe të suksesshëm në punë, në sporte, në art, kulturë e muzikë, ne institucione publike dhe si ndërmarrës, të cilët krijojnë vende të punës. Vetëm në politikë ata nuk mund të mobilizoheshin mjaftueshëm. Kjo mund të ndryshojë sivjet. Politikani i njohur i SVP (Partisë Popullore të Zvicrës) Toni Brunner, ka vendosur të tërhiqet nga rikandidimi. Kjo do ta bëjë që SVP të humbasë ulësen e saj në Parlamentin nacional. Tani shtrohet pyetja se kush do të fitojë këtë ulëse deputeti nacional. Shanset janë të mira që ajo ulëse të shkojë tek Partia Socialdemokrate dhe ajo mund të fitohet pikërisht me Arbër Bullakajn. Marrja e ulëses në Parlamentin nacional të Zvicrës do të simbolizonte një gjë shumë të rëndësishme të historisë sonë të migracionit dhe njëherazi edhe suksesi i diasporës sonë të Zvicrës. Se a do të shfrytëzojë këtë rast historik diaspora shqiptare, do të tregohet në zgjedhjet e tetorit. Vendi i tretë në Listën e Kandidatëve për Arbër Bullakaj është parakusht shumë i mirë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura