ADNAN ABRASHI: DERI KUR MA KËSHTU, O MILET?!!

(Prizren, 08. 03. 2013) – Sado që dikush deklarohet: shqiptar, serb, turk, mysliman, katolik, nacionalist, fundamentalist… nuk mund të ketë asnjë individ që, në këtë Kosovën tonë të bekuar, nuk e kërkon një të ardhme më të mirë për nesër. Por, mjafton vetëm një çikëz me më shumë vëmendje ta kthejmë kokën përreth, dhe, çka do të vërejmë? Kudo papunësi dhe skamje; një përqindje e madhe e familjeve tona jetojnë në varfëri të skajshme; dita ditës prindërit më nuk mund t’i shkollojnë as fëmijët e tyre; e tërë shoqëria është e kapluar nga një degradimi moral; injoranca, hajnia, mashtrimi, gënjeshtra, korrupsioni, bizneset informale … të gjitha këto na janë familjarizuar si dukuri normale, ndërsa krimi dhe kriminaliteti, për shumë kë janë bërë një strehë shpresëdhënëse ekzistenciale. Fatkeqësisht, për njerëz me këso aspirata, si një vend i sigurt po bëhet politika; zanat ky ambicioz, i cili, jo vetëm se të ofron fuqinë e autoritetit të mbrojtur, por, si një njëri askush dikur, brenda nate të bënë dikush, dhe, krahas shumë privilegjeve tjera, të sjellë edhe goxha përfitime materiale.
Deri kur ma kështu, o milet?!!
Zakonisht, te ne mendohet se partitë janë subjekte politike, të cilat si qëllim themelor të ekzistimit dhe funksionalitetit të tyre, e kanë arritjen e marrjes së timonit të udhëheqjes me pushtetin. Në shikim të parë, ashtu edhe është, por, këtë definomë të thjeshtë duhet marrë vetëm si pjesë e një definicioni më të zgjeruar dhe më kuptimplotë. Sepse, të gjitha subjektet politike në një shoqëri të caktuar, përveç se janë grupe njerëzish të organizuar që tentojnë të vijnë në pushtet, ata, duhet ta kenë synimin, në rend të parë, që në planin e jashtëm, t’i mbrojnë interesat kombëtare dhe nacionale të atij shteti, ndërsa, në atë të brendshmen, përmes programeve të ofruara, të bëjnë diçka shumë më mirë për mirëqenien e popullit të vetë, se sa që është bërë deri më tani nga paraardhësit e tyre. Sa kuptohet dhe realizohet politika me këtë logjikë në Kosovë, është diçka krejtësisht tjetër. Ajo, te ne, edhe më tej vazhdon të mbetet si synim në kuptimin e ngushtë të definicionit të saj të thjeshtë: kryekëput si qëllim vetëm për arritjen e marrjes së pushtetit dhe pastaj “xhenet” për liderët dhe anëtarët tjerë të rrethit më të ngushtë partiak.

Deri kur ma kështu, o milet?!!
Kjo listë me gjithë ato të këqija të shumta se kah është katandisur Kosova sot me këtë qeverisje në pushtet, është e madhe. Shumë e gjatë. Por, edhe përpos kësaj gjendjeje shoqërore – politike ALARMANTE në të cilën gjendemi, ne si popull heshtim. Heshtim dhe kurrsesi nuk mund të bëhemi tok së bashku në një organizim masovik për reagim. Për këtë heshtje tonë të pakuptimtë dhe mosreagim të guximshëm qytetar, deri diku mund ta kuptoj atë pjesë të popullsisë me moshë të mesme, por kurrsesi jo rininë tonë intelektuale studentore.
Deri kur ma kështu, o milet?!!
Nga e kaluara e biografisë sime, me të cilat edhe sot e kësaj dite krenohem, pa dyshim është ai segment i jetës, se i kam takuar gjeneratës së famshme studentore të vitit 1981. Asaj gjenerate e cila beri historinë dhe ndikoi më vonë në ndryshimin kronologjik të zhvillimit të rrjedha shoqërore si vazhdimësi. Edhe ne si rini e atëhershme i kishim çapkënit tona rinore dhe me “axhamillëkun” e moshës bënim ndonjë hata por, si studentë të përkushtuar në misionin tonë, padyshim se e donim shkollën, studimet dhe mësimin, sepse ishim të etshëm për dije dhe përparim. Edhe ne si rini dashuronim dhe thurnim ëndrra për ardhmërinë, po, mbi të gjitha, e kishim në zemër Kosovën dhe shqiptarinë. Ishim mu ajo gjeneratë e vitit ’81, e cila, edhe përball plumbave, dhunës dhe terrorit të paparë fizik dhe politik që ushtrohej sistematikisht këtij populli nga pushtuesi , thyem heshtjen dekadash, dhe trasuam rrugën e lavdishme të një rezistence aktive kombëtare e cila më vonë do të na shpie deri në fitore. Fitore të papërmbaruar, me sa duket?! Ishim ne, mu ajo gjeneratë e lavdishme e kohës së intelektualëve dhe pedagogëve tanë gjenial: Ukshin Hoti, Ejup Statovci, Gazmend Zajmi, Bardhyl Çaushi e shumë e shumë të tjerëve, të cilët, mbi të gjitha, përveç dijes dhe arsimit, na mësuan dhe rrënjosën thellë dashurinë për atdheun, popullin tonë dhe lirinë… Edhe pse, unë sot, me plotë krenari e shkruaj këtë artikull për atë kohë të lavdishme të gjeneratës sime, në të cilën me pietet i kujtoj ata shokë të shumtë, të cilët, krahasuar me mua, nga ai regjim gjakatar, kanë kaluar shumë e shumë më keq, ende më vjen turp prej tyre dhe brejta e ndërgjegjes se kam bërë pak. Dhe, si mundem unë tashti, përkatës i asaj gjenerate rebeluese, ta kuptoj këtë Prishtinë të sotme universitare pasive me mbi 40.000 studentë që heshtin? Këtë rini tonë të mrekullueshme por politikisht të përgjumosur, e cila nga “kaffeteritë” të mbusha përplot, pinë “makijato” dhe indiferente sodisin një protestë në të cilën kërkohet të mbrohet Kosova, dinjiteti, pavarësia dhe sovraniteti i saj?!! Dhe, kur i vërej të gjitha këto ecuri, si mundem unë sot, student i kohës së atyre intelektualëve dhe profesorëve gjenial dhe të pavdekshëm atdhetar, ta kuptoj heshtjen e këtyre doktorëve dhe profesorëve tanë akademik pa kurrizor? Mbylljen e gojës së tyre mu në këtë moment vendimtar!
Deri kur ma kështu, o milet?!!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura