ADNAN ABRASHI: MASHTRIMI SI DUKURI DHE PROFESION?!

(Prizren, 20. 07. 2012) – Po ta konsultojmë Fjalorin shpjegues të terminologjisë së gjuhës shqipe, me nocionin “MASHTRIM” duhet të nënkuptojmë: dredhi, zotime a premtime të rreme, lajka e mënyra të tjera që përdor dikush për t’ia hedhur një tjetri ose për të nxjerrë ndonjë përfitim vetjak.
Zakonisht, ne si shkas të përdorimit të kësaj shkathtësie të pamoralshme nga dikush, e perceptojmë kryekëput si për qëllime të realizimit të ndonjë interesi apo përfitimi material, gjë, që, kjo formë motivuese vërtet është më e përhapur në shoqërinë tonë. Por, mashtrimi si dukuri, shpesh në jetën tonë, shprehet edhe në forma tjera, sikur ta zëmë: “mashtrimi emocional”- paralel partnerit legal të dashurosh edhe dikë tjetër; “mashtrimi seksual” – përveç me partnerin legal, të kesh marrëdhënie seksuale jashtëmartesore edhe me dike tjetër; “mashtrimi politik” – kjo formë shumë e përhapur e mashtrimit kolektiv, zakonisht bëhen nga ana e një individi (apo disa bashkëmendimtarëve që formojnë një strukturë organizative rreth tij) me ndikim të madh ideologjik, dhe si qëllim kanë që, tek masat të rekrutojnë sa më shumë anëtarë të rinj në radhët e veta, apo të përfitojnë sa më shumë vota nga qytetarët gjatë fushatave zgjedhore…
Gjatë manipulimit taktikë të mashtruesve tanë individual dhe kolektiv (politikanëve dhe partive politike), pa dyshim se mjeti themelor i tyre është GËNJESHTRA. Pra, joshja me fjalë të bukura e me sjellje jo të çiltra për të të bërë për vete e për të përfituar diçka nga ti dhe ju; mbajtja dhe të ushqyerit neve me shpresa të kota e me premtime boshe… etj..

…………………………………………………

Në çdo shoqëri të organizuar si shtet, por edhe tek ne në Kosovë, mashtrimin si mënyrë e paligjshme me qëllimin të një interesi apo përfitimi material, sanksionohet dhe ndiqet si vepër penale.
Edhe pse një mashtrues ordinar (më së paku ai kolektiv – politik) me aktin e vetë të mashtrimit gjithmonë ligjërisht mund të dënohet, në përditshmërinë tonë, përveç atyre legale-politike, shpesh mund të hasim në forma shumë më të sofistikuara të mashtrimeve të ndryshme, të cilat, vështirë se ndonjëherë mund të përfundojnë para institucioneve të drejtësisë. Shkaku kryesor i mundësisë së vogël të ndjekjes së tyre “exoficio” qëndron lajthitja e vetëdijshme e të mashtruarit, nga i cili ai përfiton ndonjë favor tjetër direkt apo indirekt motivues nga ky veprim. Apo, shprehur me atë urtësi popullore në metaforë: “Ujku i ngopur, delet në numër”.
Gjatë hulumtimit tim shumëvjeçar të paraqitjeve dhe dukurive të ndryshme përgjithësisht paranormale dhe specifike në shoqëri, kam hasur në shumë raste si forma karakteristike të mashtrimit të qëllimshëm dhe të vetëdijshëm nga i cili zakonisht dalin të kënaqur edhe mashtruesi dhe i mashtruari. Ja njëra prej tyre si shembull, i bërë në formë të intervistës (bisedës):
“Placebo-Efekti” – biznes për marrjen e patentë-shoferit
Në kërkim të njerëzve që merren me mashtrime specifike, përmes kanaleve të mija miqësore u njoftova dhe kontaktova me Mërgimin (nuk është ky emri i tij i vërtetë), një djalosh që ishte diku rreth të tridhjetave. Me kusht që mos të publikohet në ndonjë vend identiteti i tij i plotë, ai në lidhje me “profesionin e vet specifik” që kishte punuar dikur, me zemërgjerësi pranoi të më besohet. Realisht, profesioni i tij mund të përshkruhet me disa fjalë: gjente kandidatë që konkurronin për marrjen e patentë-shoferit dhe për një shpërblim të konsiderueshëm, ju garantonte se përmes lidhjeve të veta të forta që ka tek anëtarët e komisionit, do të intervenojë dhe pa kurrfarë problemesh ta kalojnë provimin. Për çdo afat verifikues, gjente së paku 5-6 kandidatë dhe për një “intervenim”, tarifa ishte 100-150 Euro. Ata që paraqiteshin tek Mërgimi, nuk i nënshtroheshin asnjë rreziku të humbjes eventuale të parave. Nëse kandidati nuk e jepte provimin, paratë e deponuara ju ktheheshin pa kurrfarë problemi. Pra, sikur na thoshte edhe vetë, “çdo gjë bëhej me garanci”.
Në shikim të parë, dukej se në këtë punë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, por poenta e specifikës së profesionit të tij ishte se, ai fare nuk intervenonte tek kompetentët, por vetëm priste dhe “lutej” për çdonjërin në veçanti. Nga pesë “klientë”, ta zëmë, sa i gjente për një afat, gjithnjë me rastësi qëllonin që një, dy, apo më tepër “fatlumë” ta kalonin me sukses provimin testues. Këtyre kuptohet, paratë nuk ju ktheheshin, ndërsa ata që “nuk kanë pasur fat”, pa kurrfarë komplikimesh i merrnin pas deponimet e tyre. Te këta të fundit, zakonisht e kishte të përgatitur arsyetimin: “Diçka si duket nuk ka qenë në rregull”, “nuk e ka mbajtur premtimin ai i komisionit” … etj. Në këtë punë, asnjëra anë nuk mbetej e pakënaqur. Të parët, sepse e kishin zgjedhur problemin, ndërsa të dytët, nuk kishin se çfarë të humbasin nga dështimi – Mërgimi ju kthente në tërësi paratë e tyre të deponuara”.
Nga të lindi kjo ide?- ishte pyetja ime e parë që i bëra.
“Ideja qe e rastësishme dhe vjen si rezultat i njohjes sime shumë të mirë të mentalitetit tonë. Ne shqiptarët jemi popull që më së paku i besojmë vetes dhe energjisë së madhe kreative që gjendet në brendinë e qenies sonë. S’ke çfarë të bësh! Jemi të tillë! Gjithnjë mbështetemi tek të tjerët dhe vetëm garantimi i dikujt nga jashtë, ne na mban të sigurt dhe në veprim. Nga psikologjia aplikative dihet se një dëshirë e flaktë e sforcuar me fuqinë e besimin, gjithnjë ka tendenca të realizohet. Besimi është bindje e fortë dhe produkt i mendjes, andaj, unë me këtë metodë, vetëm ju ngjall këtë energji për t’u shndërruar ajo në fuqi kreative. Në aplikimin e kësaj rregulle të natyrshme të piskës njerëzore, fillimisht, eksperienca e parë ishte me djalin e vëllaut tim. Ai vijonte klasën e tretë të shkollës së mesme. Në fund të vitit, m’u ankua se i kishte disa njësha dhe e vëreja se brengosej pa masë. Kishte frikë edhe nga i ati – vëllai im, i cili sigurisht nuk do t’ia falte suksesin me riprovim, ose me përsëritjen e vitit. Që t’ia lehtësoja dhembjet, i garantova se i njoh mirë profesorët nga këto lëndë dhe i premtova se do të intervenoj te ata për një notë kaluese. Vetëm kërkova nga ai të mësojë sadopak, i mbushur përplot siguri në vete, me të mbaruar viti shkollor, djaloshi im i vëllait e kaloi klasën pastër pa asnjë njësh, por gjithnjë i bindur se kisha intervenuar unë për të”.
A nuk mendon se me këtë “BIZNES” bënë mashtrim të njerëzve?
“Unë nuk mendoj ashtu. Edhe në medicinë e keni efektin “pacebo”, kur pacientit i prezantohet një bar i fortë, e në realitet i jepet një sheqerkë nga burimi. Vetë bindja dhe siguria e pacientit, aktivizon forcat mbrojtëse që gjenden në brendinë e tij. Edhe unë vetëm ndërmjetësoj, vërtet, jo tek anëtarët e komisionit, por në psiken e tij. Kandidati i cili jepet 200 euro, dhe është i sigurt se nuk i humb ato para, me besim se dikush punon dhe vepron për të, shkon i sigurt në provim. Nga ai, tërësisht është eliminuar frika, që zakonisht është pengesë kryesore në rrugën e arritjes së dëshirave dhe synimeve tona jetësore Eliminimi i frikës shkakton sigurinë dhe sforcon besimin në sukses. Edhe kjo është një punë me meritë. Ndoshta edhe shumë më e vlefshme sesa na duket në fillim. Andaj, nuk e kuptoj fare, pse mendoni se kjo punë duhet të jetë mashtrim!? Nëse “klienti” nuk kishte sukses, pa kurrfarë problemi ia ktheja paratë, andaj asnjëri prej tyre nuk ka motiv të më akuzojnë për mashtrim. Nuk e di se sa e keni të njohur këtë realitet, por unë, nga shumë klientë të ndonjë “magjistar” dhe “magjistare”, “falltare” dhe “falltarë”, “hoxhë” dhe “shehlerë”… që t’iu bënin hajmali dhe “magji” për dhënien e provimit. Në këto raste, gjatë mossuksesit, asnjëri prej tyre nuk ua ka kthyer paratë, kurse tek unë këtë e kanë “të garantuar”. Edhe “magjistari”, “falltari”, “hoxha”… apo “shehu”, zbatojnë principin e njëjtë. Me lutjet dhe hajmalitë e tyre vetëm tentojnë të aktivizojnë atë që thamë se quhet “BESIM”, e që është në vetë ne”.
Sa kohë merreni me këtë “PROFESION”?
“Menjëherë pas licencimit të “autoshkollave” dhe kalimit të kompetencave për marrjen e patentë shoferit te kosovarët. Atëbotë, vëreja se interesimi ishte e madhe, sepse shumë të rinj, që veç ishin shoferë pa leje, ia kishin mësyrë provimit për patentë-shofer. Shumica prej tyre veç kishin një eksperiencë në vozitje, prandaj, në bindjet e tyre, procedura e nënshtrimit të verifikimit të dijes ishte tërësisht formale. Ka më se tre muaj që më nuk merrem me këtë “biznes” dhe për këtë, shkaqet janë nga më të ndryshme. Në rend të parë, korrupsioni në këto institucione veç është në ngritje dhe tanimë punët kryhen drejtpërdrejt me anëtarët e komisionit, ose përmes auto-shkollave, që i kanë lidhjet e tyre tek kompetentët dhe kandidatëve ju garantohet marrja e patentë-shoferit, me kusht që të regjistrohen tek ata”
A ju ka brejtur ndërgjegjja, ose, përveç shkaqeve që i cekët, mos vallë është edhe kjo arsyeja që ju largon nga kjo mënyrë e fitimit dhe sigurimit të ekzistencës?
“Ndoshta edhe mund të jetë. Duhet të ketë në mua edhe ndonjë dromcë latente të fshehur në nënvetëdijen time, sikur e thoni ju, “e brejtjes së ndërgjegjes”. Por, unë, sot e gjithë ditën, ende jam i bindur se kam vepruar drejt dhe se misioni im ka qenë ndërmjetësues. Atyre që nuk u kryeja punë, ua ktheja paratë, kurse ata që e kalonin provimin, ndaheshin të kënaqur dhe më falënderoheshin pa masë. Shikoni, edhe vetë energjia ime intuitive, në njëfarë forme shpërndahet kah ata. Edhe unë, me besim dhe optimizëm prisja dhe lutesha për ta. Besoj se asnjëri deri më tani, nuk më ka mallkuar. E tëra ka qenë, si thuhet “hallall”. Sa merresha me këtë biznes, sekretet e “placebo-efektit” te ky “ndërmjetësim”, nuk i dinte asnjë njeri, prandaj s’kishte edhe mënyrë se si të zbulohej.
Pas kësaj bisede, vërtet, nuk kisha ide se si ta përmbyllja këtë artikull, veçse me disa dyshime që i krijova vetes: Sa e sa veprime të tilla ka në jetë, ku ne besojmë se sukseset tona vetjake janë meritë e të tjerëve? Atyre iu falënderohemi dhe atyre ju kemi borxh (kuptohet, paraprakisht, nëse nuk e kemi paguar çmimin, apo nuk do ta paguajmë më vonë atë)?
Sa i përket eksperiencës së Mërgimit se, “ne si popull, në përgjithësi, nuk kemi aq besim në vete”, kjo ka mundësi të jetë një realitet yni i hidhur.
Vlerësojeni edhe ju vetë…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura