ADNAN RRUSTEMI: RITUALI I MASHTRIMEVE!

Prishtinë, 11. 12. 2015: E hedhur qëllimshëm nga Hashim Thaçi si pjesë e propagandës së tij, është krijuar një botëkuptim i përmasave të gjera, se kinse marrëveshjet e nënshkruara në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë janë traktate dhe marrëveshje ndërkombëtare bilaterale dhe kështu, pavarësisht se çfarë përmbajnë dhe për cilat çështje nënshkruhen apo sa humb Kosova e çka përfiton Serbia, nxitojnë t’i prezantojnë si arritje, duke qenë se Serbia ka pranuar të ulet me Kosovën në tavolinë, bile edhe të vendosë inicialet kryeministri i saj. Serbia shpesh ka qenë e gatshme të ulet në dialog me Kosovën, sa herë që e ka konsideruar se të ulurit dhe ndonjë copëz e nënshkruar nga ajo do t’i shërbente konsolidimit të pranisë së saj në Kosovë, apo arritjen e çfarëdo interesi në arenën ndërkombëtare. Të ulurit në tavolinë me Vuçiqin dhe Daçiqin është e vetmja fitore për Isën dhe Hashimin, përderisa Serbia mori gjithçka që kërkoi nga Kosova, e përmes kësaj edhe rrugën drejt integrimit në BE.
Marrëveshjet në mes të qeverive, të Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet të shihen vetëm nga palët nënshkruese që të kualifikojmë natyrën e tyre, paçka edhe vetë nënshkrimi është problematik, duke abstrahuar karakterin e palëve nënshkruese, si dhe pa përmbajtur elementet formale të një marrëveshjeje ndërkombëtare midis dy palëve të barabarta.
Megjithëkëtë, para se gjithash duhet të konsiderohet përmbajtja dhe çështjet për të cilat po dialogohet dhe po nënshkruhen këto marrëveshje për të kualifikuar karakterin e vërtetë të këtyre marrëveshjeve. Marrëveshjet ndërkombëtare, nominalisht nënkuptojnë pajtueshmëri të përkohshme apo të përhershme për çështje kontestuese në mes të dy palëve të tërësishme dhe për çështjet jashtë tërësisë së tyre (të përbashkëta) dhe të pranuara paraprakisht nga të dyja palët, çka nënkupton se palët që e pranojnë dhe e njohin njëra-tjetrën, çështjet ndërmjet tyre që janë kontestuese mund të negociohen dhe për të njëjtat të arrihen marrëveshje me obligime reciproke, por asnjëherë çështjet e brendshme të palëve, aq më tepër tërësisht të brendshme dhe organike dhe vetëm të njërës palë, siç janë çështjet për të cilat po dialogojnë Kosova me Serbinë, si: organizimi i policisë, gjyqësisë, sistemit fiskal, ndarja administrative e brendshme, rendi i kushtetues e deri tek ushtria e Kosovës.

Çfarë ka të Serbisë në këto çështje për të cilat na u dashka dialogu me të, e më tej marrëveshje “ndërkombëtare” me Serbinë, përveçse, që më parë iu është njohur nga Qeveria e Kosovës e drejta e pjesshme apo e plotë mbi këto çështje.
Për rrjedhojë, përfshirja në dialog me Serbinë pa njohjen paraprake të pavarësisë së Kosovës është kthim pas në pikën e negocimit për statusin e Kosovës që për fat të keq pezullon edhe vetë shpalljen e pavarësisë, së paku në raport me Serbinë, në mos përkohësisht edhe më gjerë.
Dialogu dhe për pasojë marrëveshjet me Serbinë janë masa të një procesi që e ndjekin reduktimin e pavarësisë në sfera të ndryshme dhe zakonisht në ato aspekte që i interesojnë Serbisë. Së këndejmi, çdo marrëveshje më tepër është një pjesë sovraniteti më shumë e shkëputur. Prandaj, sa më larg që shkohet me dialog dhe sidomos me marrëveshje, aq më poshtë bie integriteti dhe sovraniteti i Republikës, duke bërë që shpallja e pavarësisë me gjithë mangësitë që kishte të jetë pika kulmore e shtetndërtimit, sado që ishte hapi fillestar, nga i cili që të nesërmen filloi tatëpjeta në drejtim të kundërt edhe me vetë aktin e shpalljes për ta kthyer procesin e domosdoshëm të shtetndërtimit në një rrugëtim shtetrrënimi.
Të gjitha marrëveshjeve të deritanishme me Serbinë u shumëfishohet ose u bie rëndësia në varësi të kalimit apo të mos kalimit të “Zajednicës”. Pa marrëveshjet paraprake, “Zajednica” do të ishte e pamundur, ndërsa me marrëveshjet është kulmi i tyre. Prandaj, pamundësimi i “Zajednicës” është edhe shansi i duhur për të shmangur edhe pasojat e të gjitha marrëveshjeve të dëmshme të mëparshme me Serbinë.
Ky dialog pa kushte dhe pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës, i shërben vetëm Serbisë dhe ruajtjes së pushtetit të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, por jo edhe shtetit të Kosovës. Asnjë shtet, përkundër fuqisë së tij apo rrezikut që i kanoset, nuk do ta vërë fatin në një proces dialogu dhe lëshimesh me armiqtë e tij të hapur, që jo vetëm se nuk e njohin, por edhe e pretendojnë sheshazi deri në përvetësim, siç po bën Kosova me Serbinë. Sa më i rrezikuar dhe i dobët që jetë një shtet, aq më pak gatishmëri do të shfaqë për t’u përfshirë në procese negociuese për çështje tërësisht të brendshme të tij, të cilat legjitimojnë zgjatimet e shtetit armik, që më pas do ta bënin edhe më të dobët e më të rrezikuar se më parë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura