SHERADIN BERISHA: PËR EULEX’in SHKAQET E VRASJES SË ABEDIN REXHËS – SANDOKANIT JANË TË PANJOHURA (!!!) FAMILJA REXHA KËRKON EKSPERTIZË TË RE NGA EKSPERTËT VENDOR!

Pashtriku.org, 23. 05. 2014 – EULEX’i para dhjetë ditësh ka zhvarrosur me ekskavator eshtrat e Abedin Rexhës – Komandant Sandokanit në fshatin e tij të lindjes Vajnikë, për të vërtetuar mënyrën e vrasjes së tij gjatë luftës. Dhe për çudi kjo ekspertizë (autopsi) ka rezultuar me: “shkaqet e vdekjes së Abedinit janë të panjohura”! Të mërkurën (më 21. 05. 2014), Sanije Rexha, bashkëshortja e Komandant Sandokanit – është ftuar në Departamentin e Mjekësisë Ligjore për ta nënshkruar rezultatin e ekspertizës dhe për t’i marrë eshtrat e Abedin Rexhës. Por ajo, nuk e ka nënshkruar rezultatin që ka dalë nga kjo ekspertizë. Në një konferencë të organizuar para Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Sanije Rexha ka deklaruar: “Më kanë thirr të nënshkruaj dhe ta marr trupin e Abedinit për ta varrosur. Unë s’e vura nënshkrimin pasi nuk pajtohem me rezultatin e ekspertizës”…”Në bazë të asaj që e pashë në atë ekspertizë, thuhet se shkaqet e vdekjes së Abedinit janë të panjohura”. Ajo pretendon se me këto rezultate, EULEX’i e ka vrarë për së dyti Abedin Rexhën – Sandokanin, dhe si rrjedhim i kësaj situate, ajo kërkon një ekspertizë të re, por nga ekspertët vendor.


Varri i Abedin Rexhës – Komandant Sandokanit, në Vajnikë të Skënderajt.

 ***
Më 30 nëntor 2009, bashkëshortja e Komandant Abedin Rexhës – Sandokanit, Sanije Rexha ka ngritur një padi penale kundër Gani Gecit, i cili në nomenklaturën e kaluar ishte deputet i LDD në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në padinë penale të ngritur në Prokurorinë e EULEX’it, Geci akuzohet për vrasjen e Abedin Rexhës – Sandokanit, gjatë luftës, më 08 tetor të vitit 1998.
Sanije Rexha, para gazetarëve të tubuar në Sheshin, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe Parlamentit të Kosovës ka deklaruar:
“Kam bërë një padi pranë EULEX për rastin e bashkëshortit tim që këtë akt kriminal e ka krye Gani Geci. Është dëshmia e gjallë që edhe vetë e ka pranuar dhe mbarë masa shqiptare e din edhe kush e ka krye këtë akt edhe vetë e ka pranuar publikisht pas vrasjes së tij. Gani Geci e ka pranuar. Kam fakte se pas vrasjes së tij i ka çuar në familjen e Abedinit disa burra që kanë kërkuar besë. Ne ju kemi kundërpërgjigj që ai njeri i familjes nuk ka qenë, nuk është vrarë privatisht. Ai duhet t’i japë llogari Shtabit të Përgjithshëm dhe drejtësisë së Kosovës”.

E pyetur nga gazetarët, se pse nuk ka ngritur padi deri më sot, Sanija ka thënë se: “Deri vonë e kam pas qëllimin që t’ia jap dënimin vetë, ta vrasë publikisht. Këtë e them shumë hapur, por me ndërhyrjen e familjes dhe shoqërisë nuk e kam bërë dhe kam vendosur të ngre padi” – ka thënë ajo.
Sanije Rexha, para gazetarëve ka deklaruar se vrasja s’ka ndodhur për motive familjare (edhe pse Sanije Rexha është motra e Sabit Gecit dhe ka lidhje farefisnore me Gani Gecin), por pikërisht për motive ushtarake, sepse “Gani Geci ka qenë kundër UÇK’së, dhe kundër strukturave të UÇK’së, kjo është arsyeja”, ka theksuar Sanija.
S.Rexha, pastaj ka shpjeguar se vrasja ka ndodhur pas disa tentativave të Gani Gecit për ta vrarë Abedinin. “Dy herë ka tentuar Ganiu ta vrasë, në njërën herë kam qenë edhe unë prezent, na u ka kall vetura. Të dytin rast i ka shpëtuar konfliktit mu atë ditë që ka tentuar ta vrasë, në mbrëmje, e ka zënë pusinë dhe e ka vra, këtë e di mbarë Drenica”, ka theksuar para gazetarëve Sanije Rexha.
Duke rikujtuar ditën, kur është vrarë Abedin Rexha-Sandokani, Sanije Rexha thotë: se kjo ka ndodhur ditën e enjte – më 08 tetor 1998 rreth orës 15 e 13 minuta.

***
Më 22 maj 2014, në rrjetin social “facebook”, një familjar i Abedin Rexhës, lidhur me vrasjen e tij, ka shkruar: “Abedin Rexha është vra pabesisht, pas shpine nga pusia e Gani Gecit. Të gjithë e dimë se Abedini ka dy plumba, njërin në zogun e këmbës së majtë, ku edhe këpuca është e shpuar e për fat ja kam ruajtur ashtu të përgjakura, e tjetrin pas shpine, në krahror, ku plumbi nuk ka depërtuar jashtë. Edhe vetura e cila ekziston është e shpuar me qindra plumba….”.
***
Jeta dhe vepra e luftëtarit të lirisë, Abedin Rexha (i lindur më 8 korrik 1969 në Vajnikë), ishte e veçantë, ashtu sikurse ishte për shumë çka i veçantë, luftëtar i radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me Komandantin Legjendar Adem Jasharin, guximtar e sypatrembur deri në vdekje, për çka dhe bashkëluftëtarët e tij e quajtën “SANDOKAN”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura