AFËRDITA DERVISHI: RËNDËSIA E DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981 NË VETËDIJËSIMIN KOMBËTAR DHE POLITIKA SHQIPTARE E SHKOLLËS PARTIAKE TË KUMROVCIT

Pashtriku.org, 12. 03. 2015 – (Në 34 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981) – Përkufizimi – Pesha e dhembjes së jetës nën pushtim nuk ndjehet nga të gjithë njerëzit njësoj, siç nuk ndjehet njësoj dashuria për gjakun, gjuhën, kombin. Këtë e ka përkufizuar mirë Noli ynë, kur ka thënë se bukë dhe punë gjen edhe nën pushtuesin, por është bukë dhe punë e turpit. Prandaj demonstratat e vitit 1981 kanë rëndësi të jashtëzakonshme në jetën e shqiptarëve të robëruar, sepse ato, përveç të tjerash, hoqën maskat e “vëllazërim-bashkimit” sllav, nga propaganda e të cilit shumë të rinj po shkëputeshin ngadalë e pavëmendshëm nga fryma kombëtare. Aty filloi rrënimi i “mitit të vëllazërim-bashkimit” për një pjesë dhe nisi krijimi i vetëdijes kombëtare, prandaj edhe quhet me të drejtë si fillesë e Rilindjes së dytë shqiptare.
Hyrje
Çdo komb, çdo shoqëri njerëzore ka në themel të ndërtimit të shtetit dhe gjeografisë kombëtare sakrificën njerëzore. Kurse sakrifica shqiptare është shekullore, nëse u besohet burimeve historike.
Përvjetorët e demonstratave të vitit 1981, si ky, na bëjnë më të gjallë, më të kthjellët, më energjikë e më të afërt me kauzën kombëtare dhe me gjakun e të rënëve nëpër të gjitha ngjarjet e mëdha të historisë shqiptare. Këta përvjetorë, gjithashtu, na kthejnë prapa në kohën kur ishte shumë vështirë t’i thuhet – Jo – pushtetit të Kosovës, të Serbisë dhe atij të Jugosllavisë. Përvjetorët për ngjarjet e mëdha të vitit 1981, frymëzojnë dhe rrisin dashurinë për të qenë në shërbim të kombit dhe atdheut.
Demonstratat e vitit 1968 dhe sidomos ato të vitit 1981, janë fillimi i një epoke të re, jo vetëm për Kosovën, por edhe për pjesët e tjera të gjeografisë së pushtuar kombëtare, për faktin se shkundi ndërgjegjen e shqiptarëve që kishin rënë në gjumin e ‘robit’.

Ngjarjet e mëdha të demonstratave të vitit 1981, nxorën në skenën e historisë sonë më të re, idealistë të mëdhenj, të cilët me vetëdijen e tyre, si dhe me sakrificën e tyre, bëhen pjesë e atyre ndryshimeve të mëdha në jetën shoqërore të shqiptarëve, pa u lodhur shumë se çka thoshte shkolla e ideologjisë socialiste për rrugën e historisë së popullit tonë, ngase këta idealistë lanë në kujtesën tonë historike emrat dhe veprat e tyre, si shenja të historisë sonë kombëtare.
Kosova para vitit 1981
Pas kushtetutës së vitit 1974 ishte krijuar, si iluzion, një qetësi politike, jo vetëm për opinion e jashtëm por edhe atë shqiptar, sa njeriut i mbushej mendja se nuk ishin të robëruar. Prandaj, iluzionet janë të dëmshme. Por, qoftë edhe të paktë, kishte shqiptarë që guxonin të ngrenë kokën kundër këtij marifeti Titist, pastaj kundër vëllazërim-bashkimit jugosllav, por edhe kundër realitetit historik, që po përpiqej të instalohej në jetën e shqiptarëve, kur u afrohej barazi me të tjerët, por nuk u lejohej të ishin të njëjtë me shqiptarët e atdheut tonë, Shqipërisë. Politika shqiptare e kohës, as ajo në Tiranë, as ajo në Prishtinë, nuk thoshte se këto toka shqiptare ishin të pushtuara dhe, rrjedhimisht, këta shqiptarë ishin të pushtuar. Megjithatë, kjo gjendje, sidomos pas Kushtetutës së vitit 1974, ishte përfitim më shumë politik, ishte stabilitet ekonomik i politikës se atëhershme jugosllave, ngase i jepnin të hante dhe të ndërtonte të dy blloqet e mëdha që ishin krijuar pas Luftës së Ftohtë-Lindja dhe Perëndimi. Por, kjo gjendje nuk kishte ndryshuar asgjë në jetën e shqiptarëve. Ata ishin të huaj në tokën e tyre, sepse ishin të pushtuar, ata ishin të shkëputur nga ecuria historike e jetës së atdheut, Shqipërisë, sepse ai ishte shtet fqinj për ta. Në këtë gjendje, ishte krijuar edhe shtresa e bijve besnikë dhe bijave besnike të komunizmit sllav, të cilët të dalë nga “dojset”e familjeve të përkushtuara linjës së politikës së vëllazërim-bashkimit, arritën të udhëheqin procese të rëndësishme politike të Kosovës të asaj kohe nën pushtimin jugosllav. Pra, politika sllave, krijoi në Kosovën e kohës, shtresën e politikanëve lojalë, të besueshëm, me të gjitha strukturat e sistemit, të cilët në të shumtën e herëve ishin më besnikë se vetë punëdhënësit e tyre. Prandaj, hallka të sistemit ndëshkues kundër demonstruesve u krijuan jo vetëm në nivel të Kosovës, por duke filluar nga shkollat e mesme dhe fakultetet, nëpër komuna e deri te pushteti qendror i asaj kohe në Kosovë.
Kjo gjendje, kishte vështirësuar shumë veprimtarët idealistë të çështjes kombëtare, sepse propaganda sllavokomuniste i binte shumë telit për perspektivën afatgjate të kësaj pjese të popullit shqiptar, në emër të ruajtjes së ‘vëllazërim-bashkimit’. Kishte pushtetarë të atillë shqiptarë, që nuk u bënte aspak përshtypje tjetërsimi i identitetit kombëtar, duke e mallkuar më shumë Shqipërinë si shtetin amë, se sa pushtuesin sllav të tokave shqiptare.
Në anën tjetër, Serbia pushtuese, që kishte ndikim të pamatur në tërë Jugosllavinë si krijesë artificiale shtetërore, kishte kërkuar vetëm një shkak për të ndërprerë marrëdhëniet kulturore me Shqipërinë, të cilat për të rinjtë shqiptarë kudo që ishin jashtë shtetit amë, ishin të një rëndësie jetësore, qoftë edhe si shpresë për ta mbajtur gjallë frymën e idealeve kombëtare.
Organizatat ilegale dhe Pranvera shqiptare 1981
Një karakteristikë themelore e Demonstratave të vitit 1981, sidomos të atyre që pasuan pas 11 marsit të atij viti, është pjesëmarrja e të gjitha shtresave të shoqërisë së asaj kohe të Kosovës, por aty vërehej fuqishëm prania dhe udhëheqja e lëvizjes kombëtare. Kjo karakteristikë, pastaj krijoi vështirësi të caktuara në zbatimin e politikave sllave kudo, duke filluar nga niveli komunë e deri në strukturat e Krahinës së Kosovës. Në anën tjetër, gjë që pak është folur për këtë aspekt, niveli i vetëdijesimit të të rinjve shqiptarë kishte përmbysur gjithë propagandën serbe e jugosllave për gjendjen e kënaqshme në krahinën e Kosovës.

Mehmet Hajrizi përshkruan masën e demonstruesve me këto fjalë: Prishtina, më 2 prill 1981 kishte pamje të luftës: qindra mijëra demonstrues, barrikada me objekte të ndryshme nëpër rrugë, qoshqe të rrokullisura, makina të djegura, furgonë, autobusë etj (1). Ishte luftë e vërtetë, ishte luftë e pabarabartë (2).
Ngase këtë gjendje e kishte përmbysur puna e një gjenerate të tërë veprimtarësh, të kalitur mirë në frymën e idealeve kombëtare, duke punuar në vazhdimësi, në format nga më të ndryshmet, duke filluar nga ilegaliteti i thellë e deri të përballja e hapur me armë. Kjo gjeneratë e sprovoi veten në ditët më të rënda në ilegalitet, duke mos hequr dorë asnjëherë, për asnjë çmim nga rruga e vetëdijesimit të njeriut tonë, se vetëm arma e heq pushtuesin nga tokat e pushtuara. Prandaj, bëhet e pashmangshme ardhja e pranverës së madhe të vitit 1981.
Përveç kësaj dhe përveç të tjerash, Demonstratat e vitit 1981, ishin kthesë e madhe edhe në veprimtarinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sepse proceset e nisura më parë, sidomos në vitin 1968, po dëshmohej se nuk ishin të rastësishme, nuk ishin vetëm pakënaqësi sociale, siç bënte përpjekje t’i paraqiste propaganda e Beogradit dhe e Prishtinës, po dëshmohej se bazë e pakënaqësisë së tyre nuk ishte gjendja shoqërore, por padrejtësia historike dhe kombëtare që po u bëhej shqiptarëve. Mund të thuhet, prandaj, se kjo lëvizje mbolli dhe rriti aspiratën shekullore të lëvizjes së përgjithshme për liri.
Tashti po bëhej përpjekje që të kërkoheshin shenjat e kujtesës historike përtej gatishmërisë që lejonte sistemi socialist i kohës, po i ktheheshin kujtesës sonë atdhetarë dhe veprimtarë, të vrarë e të pushkatuar, të masakruar dhe të humbur gjurmësh, të ndjekur dhe të burgosur, vetëm se kishin kërkuar apo kishin luftuar për të drejtat e tyre kombëtare. Del, pra, fakti se secila lëvizje atdhetare në këto pjesë të tokave të pushtuara shqiptare, ishte vazhdimësi e simotrave të saj në periudha të ndryshme kohore, mirëpo që sistemi kishte bërë përpjekje mbinjerëzore që t’i mbulonte me pluhurin e harresës.
Ngjarjet e mëdha të këtyre viteve, sidomos demonstratat e vitit 1981 nxorën në skenën e jetës sonë kombëtare, një gjeneratë të tërë atdhetarësh e veprimtarësh të çështjes kombëtare, puna e të cilëve zhvillohej në organizata të ndryshme ilegale, po edhe në grupe të tjera, të mëdha e të vogla, e cila në vitet e fundit të shekullit që lamë pas, do të kurorëzohej me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Si atëherë, kur po zhvilloheshin demonstratat e vitit 1981, si menjëherë pas shuarjes së tyre, që kishte përpjekje dhe angazhime për vlerësimin e tyre, të nxjerra nga skutat më të errëta të regjimeve diktatoriale, po edhe të historiografisë antipopullore, edhe tashti, herë pas here, ndodh e njëjta gjë, kur bëhet fjalë për organizimin e tyre. Janë joserioze dhe joshkencore vlerësimet, që sot pas tridhjetë vjetësh të këtyre ngjarjeve të mëdha historike, të cilat mbllaçitin dhe përtypin dilema për autorësinë e tyre dhe për përmbajtjen e karakterin e qartë si dielli(3).
Selatin Novosella në librin e tij Dëshmorët e pranverës shqiptare të vitit 1981, nënvizon: Shikuar në aspektin kohor të rënies së dëshmorëve të tetëdhjetëenjëshit, del qartë se viti 1981 ishte vit i një Lëvizjeje të Pandërprerë (4). Në demonstratat e vitit 1981 ranë dëshmorë të rinj, të cilët dashurinë për atdheun dhe kombin i kishin mësuar që në edukatën familjare, i kishin mësuar nëpër librat që botoheshin në Tiranë dhe hynin ilegalisht në Kosovë e gjetiu, i kishin mësuar nga bëmat dhe veprimtaritë e të parëve të tyre, sidomos ato që nga vitit 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër u kishte lejuar fqinjëve tanë pushtimin e tokave tona. Dhe ishte bërë natë, një natë e zezë dhe e gjatë në jetën historike të pjesës së popullit shqiptar që jetonte i copëtuar dhe i robëruar. Prandaj, të rënët në këto ngjarje, ishin shkëndija e dritës në natën e errësirës së robërisë që po e mbushte shekullin, por të gjallët ende ishin të pushtuar dhe të robëruar(5) Kurse ata atdhetarë që nuk i mori plumbi i pushtuesit, sakrificën e tyre e paguan me dhjetëra vjet burgim, me izolim, me varfëri, me diferencim shoqërorë, deri edhe pa të drejtën për të bërë shkollë dhe për të punuar.
Në periudhën 1981-1900, u dënuan 3348 shqiptarë, kurse në procedurë kundërvajtëse janë shqiptuar 10.000(6) Autori S.Novosella ka gjetur se gjithsejtë për vepra penale politike dhe kundërvajtje janë shqiptuar 25.000 vjet burg, apo 250 shekuj.
Për opinionin botëror janë të njohura, burgosjet dhe sidomos izolimet famëkëqija, si dhe torturat çnjerëzore të bëra ndaj shqiptarëve, të cilat Adem Demaçi do t’i përkufizonte shumë saktë, “një plagë e historisë sonë më të re, një plagë që nuk guxon të harrohet kurrë është edhe pësimi i të izoluarve nga Kosova.(7)

Diferencimet ideologjike dhe qëndrimi i politikës shqiptare
Ngjarjet e vitit 1981, mund të thuhet, kanë ngritur atë perden e rëndë të heshtjes evropiane, kanë lëkundur peshën e rëndë të psikologjisë së robit të shqiptarët, kurse në anën tjetër, kanë vënë në dyshimin logjikën politike të vetëmjaftimit politikës shqiptare, kudo që bëhej ajo(8). Në shkrime të ndryshme të këtyre viteve, sidomos të autorëve që pas Luftës së Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, shtyhen me bërryla për të hyrë në radhët e atyre që kanë bërë diçka të vogël për ardhjen e lirisë, ka arsyetime se demonstratat e vitit 1981, i kanë cilësuar së pari kuadrot sllave në organet më të larta të pushtetit dhe të partisë së asaj kohe. Por, kjo nuk ka aspak rëndësi me ata që kanë bërë politikën në organet e pushtetit shqiptar në Kosovës, në Shkup a në Tetovë, në Tiranë, apo në Ulqin e Tivar. Sepse, një pjesë e madhe e strukturave politike shqiptare të asaj kohe, jo vetëm u identifikuan me strukturat e sistemit jugosllav lidhur me dënimin e demonstruesve dhe kërkesave të tyre politike, por edhe u vunë në ballë të veprimeve antikombëtare, duke mohuar çdo gjë, deri edhe origjinën dhe përkatësinë kombëtare, deri edhe historinë dhe përkatësinë gjeografike të shqiptarëve. Të këtillët, që nga shtresat e politikanëve, që nga shtresa e intelektualëve e deri të kryetarë komunash e drejtorë shkollash, si nëpër qytete ashtu edhe nëpër fshatrat më të izoluara, zhvilluan një politikë difirencuese të paparë edhe në ligjet e Mesjetës shqiptare, duke lënë pa të drejtë shkollimi edhe fëmijët e fillores, edhe shkollarët e mesëm, edhe studentët, duke i lënë pa punë edhe ata që vetëm kishin dikë të afërt, apo në lidhje gjaku me të dënuarit dhe të diferencuarit e pjesëmarrësve në demonstrata.
Nuk është e rastit, prandaj, se pak kohë pas demonstratave dhe orës policore, shqiptarët e shkollave partiake dhe të OZNA-s e të UDB-së, të Kumrovcit e të Beogradit, siç njihej shkolla e partisë “Gjuro Gjakoviq” në Beograd, si dhe të shkollave të tjera në Sarajevë e gjetiu, ku përgatiteshin kuadro shqiptare për të zbatuar sigurinë kombëtare të një shteti artificial, siç ishte Jugosllavia e atëhershme, po edhe të tjerë besnikë ndaj Jugosllavisë së Titos, në mesin e të cilëve edhe intelektualë e profesorë universitarë, zunë pozicionet që kishin pasur. Të tillët si: Fadil Hoxha e Veli Deva, Xhavit Nimani e Ali Shukrija, Mahmut Bakalli e Azem Vllasi, Kolë Shiroka, Sinan Hasani, e plotë të tjerë, për fatkeqësinë tonë dhe turpin e tyre, u pozicionuan paturpësisht dhe në mënyrë fyese kundër demonstruesve.
Djemtë dhe bijat e kombit që kishin kërkuar t’i jepet fund lirisë së rreme dhe pabarazisë së Kosovës, u etiketuan si irredentistë, nacionalistë, agjentë të huaj e emërtime të tjera, që i kishte pjellë kuzhina antishqiptare në Beograd e gjetiu. Por, kur këto i shqiptonin shqipfolësit, gjuha e tyre ishte shume e ashpër, ndoshta edhe për faktin se fjalët thuheshin në gjuhën shqipe.
Numri i shqiptarëve të tillë që u treguan besnik ndaj politikes së ditës nuk ishte i vogël. Ata u vunë në shërbim të proceseve politike të regjimit të asaj kohe, kështu, ata në fillim, ata i dënuan demonstratat, i burgosën organizatorët, më tutje na diferencuan. Bashkë me procesin e diferencimit, prapë përjashtimet nga shkollimi dhe burgosjet, pastaj si në një radhë pa sistem filluan rrahjet, përjashtimet nga puna dhe nga shkolla.
Shumë familje mbetën pa bukë, shumë fëmijë pa shkollë, pa lojë e pa ëndrra dhe të privuar nga dashuria e njerëzve të shtëpisë, siç më ka ndodhur edhe mua, kur isha ende fëmijë, sepse ju ka rënë hise të rriten në familje që e donin me të vërtetë kombin dhe për shpëtimin dhe lirinë e tij nuk kursenin asgjë, as jetën e tyre dhe të familjeve të tyre.

Prishtinë, prill 1981: Fjala e Fadil Hoxhës para aktivit politik të Prishtinës – mbi demonstratat e mars – prillit 1981!

Sot, 33 vjet pas demonstratave na dalin disa nga këta zyrtarë patriotë dhe se paskëshin kontribuar për çështjen kombëtare! Kurse, ne të gjallët e sotëm, po edhe ata që ia kanë falur jetën Kosovës, Dëshmorët e kombit, mbajmë mend kur na kanë quajtur “plehu i Kosovës”, “irredentistë“, ‘terroristë”, “rrugaçë“ e plotë epitete tjera fyese udhëheqësit shqipfolës Azem Vllasët me të tjerët. Kjo pjesë e kumtesës nuk bën të përmbyllet këtu, pa zënë në gojë fjalët që ka thënë në atë kohë, prijësi kryesor i shqiptarëve të Kosovës. Fadil Hoxha më 4 prill 1981 do të lexonte tekstin më fyes dhe më çnjerëzor, kur deklaronte: “…demonstruesit janë një ‘grup hajnash’, ‘gangsterë‘, të cilët kanë dalë me vjedhë, thyer dhe ofenduar. Ky grup hajnash është i shtyrë nga Shqipëria socialiste dhe nga emigracioni fashist i jashtëm, por Jugosllavia është ai shtet që atyre do t’iu gjejë vendin, për ta bira e minit do të jetë 300 grosh…” (9)
Shqipëria dhe propaganda e vetëdijes kombëtare
Pas një heshtje të shkurtër, për të cilën është folur shumë dhe është shkruar po ashtu shumë, sidomos nga njerëz që nuk e kanë njohur shtypjen sllave të shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, organe dhe dikastere të shtetit shqiptar, më në fund zunë të flasin për të vërtetën që po ndodhte në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të pushtuara nga sllavët e jugut.
Mund të thuhet se, në përgjithësi, shteti shqiptar doli në përkrahje të lëvizjeve të të rinjve dhe të demonstratave të studentëve shqiptarë në Kosovë dhe gjetiu, duke theksuar me të madhe të drejtën e tyre shoqërore, historike dhe kombëtare, gjë që nuk i pëlqente politikës së Beogradit, e as filialeve të saj në Prishtinë, në Shkup dhe në Podgoricë. Ky ishte vetëm një shkas, kur në mënyrë të njëanshme i ndërprenë marrëdhëniet shtetërore në fushën e kulturës dhe të arsimit në mes Tiranës dhe Beogradit. Kësisoj, Beogradi dëshmonte fuqinë e tij, se për të hyrë në Prishtinë, çdo gjë shqiptare, qoftë trashëgimi kulturore, qoftë mendim shkencor, qoftë libër shkollor, qoftë libër artistik, duhej të kalonte përmes Beogradit.
Gazeta “Liria”, ndër të tjera shkruan: Më shumë se kaq nuk mund të bënte Jugosllavia e Titos, nuk ka bërë as Jugosllavia e kralëve, nuk ka bërë as Gjermani e Hitlerit, nuk ka bërë as Kili i Pinoçeit. Por as këto masa fashiste nuk e kanë trembur popullin e pamposhtur të Kosovës kreshnike dhe rininë e tij të kuqe(10)
Ismail Kadare në artikullin “Kultura shqiptare në shënjestër të shovinizmit serbomadh”, nëvizon: Tani është e qartë për cilindo se fushata e ethshme e ndërmarrë kundër kulturës, letërsisë dhe arteve shqiptare, ka vetëm një qëndrim: të gjejë të gjitha metodat për të ndërprerë çdo lidhje midis kulturës shqiptare që zhvillohet në Shqipëri dhe të arrijë të zhvillohet në Kosovë, për t’i mbyllur dyert kulturës shqiptare, librave e arteve të saj; për t’i izoluar kështu përfundimisht shqiptarët e Kosovës nga gjithçka që krijohet në Shqipëri”(11)

Pa marrë parasysh se çka thonë studiues të huaj dhe shqiptarë, ata që e kanë provuar dhunën serbe qoftë edhe mbi kurrizin e tyre, apo të familjeve të tyre, apo ata që nuk e kanë provuar, faktet dëshmojnë se shteti shqiptar, për herë të parë, pas ngjarjeve të vitit 1948, fillon ta quajë me emrin e vërtetë socializmin dhe komunizmin jugosllav, si dhe bartësit shqiptarë të kësaj politike në krahinën e Kosovës dhe në vise të tjera shqiptare, të cilët duke u fshehur pas akuzave se ato demonstratat e vitit 1981 ishin kundërrevolucionare, ata zbatuan politikë të dhunës ushtarake dhe policore, që zakonisht zbatohej në vendet ku kishte aparteid. Pra, shtypi shqiptar i Tiranë dhe gjetiu, organet të shtetit të Tiranës cilësuan me saktësi qëndrimin sllav, si urrejtje nacionale, gjë që mbështetej edhe në Memorandumet dhe Programet shfarosëse që kishte hartuar politika sllave e të gjitha sistemeve shoqërore. Kurse para syve të botës kjo politikë gjenocidiale sllave u shpalua gjatë Luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jo vetëm për vrasjet masive, jo vetëm për masakrat që nuk i mban mend njerëzimi, jo vetëm për rrënimin e gjithë jetës ekonomike dhe familjare të shqiptarëve, por edhe për dhunimet ndaj femrës shqiptare, që është forma më e lartë e krimit kundër njerëzimit.
Përfundim
Ngjarjet e mëdha, si demonstratat e vitit 1981 janë pjesë e pavdekshme e kujtesës historike të njeriut shqiptar, sepse ato ishin një shteg i madhe në rrugën për të realizuar synimet tona, për ta bërë të lirë këtë pjesë të gjeografisë kombëtare, prandaj me të drejtë quhen pranvera shqiptare, një pranverë krejt ndryshe nga të tjerat, e cila do të sjellë ndryshime në jetën historike të shqiptarëve të robëruar.
Demonstratat e vitit 1981, u vlerësuan si kryengritje e shqiptarëve. Mirëpo, lë anash vlerësimet që bëjnë të gjallët, qofshin apo jo pjesëmarrës të atyre ngjarjeve, vlerësimet për pranverën e vitit 1981, nuk mund të bëhen në të gjitha epokat dhe në të gjitha situatat që i bien hise një populli, në këtë rast popullit shqiptar, kudo që jeton ai. Po ashtu, janë vlerësuar edhe si ngritje e përgjithshme e vetëdijes kombëtare shqiptare, gjë që e saktëson qëndrimi që ka mbajtur sistemi i kohës me vrasjet, me burgosjet dhe me diferencimet ndaj shqiptarëve të të gjithë shtresave shoqërore, që nuk ishin në shërbim të politikës së ditës.
Përvjetorët e tillë na bëjnë më të përkushtuar dhe më të vetëdijshëm, jo vetëm për sakrificën e madhore të të rënëve në ato demonstrata, por edhe për organizimin në kushtet dhe rrethanat e rënda të asaj kohe. Në të njëjtën kohë, na shtyn të mendojmë se çka bën liria, sidomos me ata që robëria u ishte bërë pjesë e jetës, e pasjes dhe e përuljes, sepse të tillët sot, bëjnë aq shumë zhurmë, sa ndonjëherë vihen në dilemë edhe dëshmorët e kombit që sollën lirinë me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndonjëherë, prandaj, bashkë me dilemën, edhe pyesim: athua pse nuk erdhi liria, kur paskësh pasur gjithë këta burra atdhetarë, gjithë këto gra e vajza atdhetare, që paskan punuar aq shumë për lirinë e Kosovës, e ne nuk e paskemi ditur?! Ndoshta nuk kemi mundur ta dimë, se informatat në burg nuk vinin për atdhetarinë e tyre, por për turpin e tyre se ishin vënë në shërbim të pushtuesit.
Ironia e gjithë kësaj shkon edhe më tej kur shumë nga këta na kanë quar në burg, na kanë larguar e diferencuar, na kanë rrahur e keqtrajtuar dhe të njëjtit lejohet të hyjnë në listat për t’u zgjedhur deputetë, udhëheqës institucionesh, nga ato universitare e deri te ato politike, duke bërë përpjekje që të harrojnë se ç’emër kanë pasur në Kosovën e djeshme, në Kosovën e demonstratave të vitit 1981. E di që historia nuk i fal, as lëshimet e këtilla, as qëndrimin e këtillë shkurtpamës, por as mëshirën, që është edukatë kishtare, nëse është e tillë, por nuk është dhunti e njeriut i cili sakrifikon për lirinë e vendit të tij, sepse liria nuk erdhi as me lutje e tyre të djeshme, as me rrugën e tyre paqësore të sotme, as me shtrirjen e qafës deri në poltronizëm dhe tradhti kombëtare. Ajo erdhi me mund, me punë, me përkushtim, të gjitha në shërbim të lirisë së kësaj pjese të atdheut, erdhi me Luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si për inat të historisë, të organizuar në të gjitha pjesët e pushtuara të gjeografisë kombëtare.

– Autorja është ish e burgsur politike. Prishtinë, më 2 prill 2014

(Afërdita Dervishi, PhD cand. Kolegji Universitar “Biznesi”)

_________________
Fusnotat:
1. Mehmet Hajrizi, Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë, 2008, fq.184.
2. Po aty.
3. Mehmet Hajrizi, Lëvizja kombëtare e Kosovës dhe demonstratat e vitit 1981, (kumtesë), Fakulteti Filozofik, Prishtinë, 2011.
4. Selatin Novosella, Dëshmorët e pranverës shqiptare ’81, Prishtinë, 2011, fq. 20.
5. Emin Kabashi, Demonstratat e vitit 1981 dhe psikologjia e robit të shqiptarët,(kumtesë).
6. Marrë nga libri i Selatin Novosellës Dëshmorët e pranverës shqiptare ’81, Prishtinë.
7. Ibrahim Osmani, Fahri Musliu, Tunelet e tmerrit, Prishtine 1992, fq.27-160.
8. Emin Kabashi, Demonstratat e vitit 1981 dhe psikologjia e robit të shqiptarët, Shih: paranateza e parë.
9. Muhamet Kelmendi, Kosova dhe viset tjera te banuara nga shqiptarët nën sundimin jugosllav dhe demonstratat e vitit 1981, Prishtinë, 2008, fq.91.
10. Gazeta “Liria”, nr. 3, maj 1981.
11. Ismail Kadare, Kultura shqiptare në shënjesëtr të shovinizmit serbomadh.(Cit. Muhamet Kelmendit “Kosova dhe viset tjera të banuara nga shqiptarët nën sundimin jugosllav dhe demonstratat e vitit 1981; Prishtinë, 2008, fq. 105.

***
Literatura

• Emin Kabashi, Demonstratat e vitit 1981 dhe psikologjia e robit të shqiptarët,(kumtesë)
• Emin Kabashi, Demonstratat e vitit 1981 dhe psikologjia e robit të shqiptarët (paranateza e parë)
• Gazeta “Liria”, nr. 3, maj 1981
• Ibrahim Osmani, Fahri Musliu, Tunelet e tmerrit, Prishtinë 1992
• Ismail Kadare, Kultura shqiptare në shënjestër të shovinizmit serbomadh (Cit. Muhamet Kelmendi, “Kosova dhe viset tjera të banuara nga shqiptarët nën sundimin jugosllav dhe demonstratat e vitit 1981, Prishtinë, 2008
• Mehmet Hajrizi, Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë, 2008
• Mehmet Hajrizi, Lëvizja kombëtare e Kosovës dhe demonstratat e vitit 1981, (kumtesë), Fakulteti Filozofik, Prishtinë, 2011
• Muhamet Kelmendi, “Kosova dhe viset tjera te banuara nga shqiptarët nën sundimin jugosllav dhe demonstratat e vitit 1981, Prishtinë, 2008
• Selatin Novosella, Dëshmorët e pranverës shqiptare ’81, Prishtinë, 2011.

………………………………………………………

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura