AFRIM KASOLLI: TEKSTI I MARRËVESHJES THAҪI – DAҪIQ, PIKË PËR PIKË SI PLATFORMA E SERBISË

Prishtinë, 21. 04. 2013 – (Fjala e Afrim Kasollit në seancën e jashtëzakonshme parlamentare, Raportimi i Kryeministrit për tekstin e Marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë – Unë do të doja të numëroja një seri pasojash që do të ishin të menjëhershme nëse teksti i kësaj marrëveshje aprovohet përfundimisht: Teksti për të cilën ka rënë dakord Hashim Thaçi mundëson që policët dhe pjesëtarët e sigurimit serb, të cilët kanë vrarë polic shqiptar, t’i veshin uniformat e Policisë së Kosovës dhe të legalizohen. Ligji për Vetëqeverisje Lokale u garanton qytetarëve serb të drejtën e organizmit komunal, por jo edhe atë etnik. Thirrja në nenet e këtij ligji për bashkim etnik të komunave është tejkalim i normave të tij. Asociacioni i Komunave Serbe, në kuptimin praktik përbënë një autonomi etnike të serbëve në Kosovë.
Autonomia e serbëve të Kosovës shprehet përmes “asociacionit” i cili ka President, zëvendës-president, kuvend, përfaqëson, ka kufij, buxhet, organe ekzekutive në fushën e arsimit, kulturës, sigurisë, gjyqësisë, urbanizmit dhe shëndetësisë. Ai përmban të gjitha atributet të cilat i dedikohen shtetit. Ky asociacion është autonomi për shkak që ngushton kompetencat e organeve qendrore karshi atyre të asociacionet si në fushën e sigurisë ashtu edhe atë të gjyqësisë ndërsa zgjeron ato komunale përmes autonomisë.
Në momentin e ndarjes mbi baza etnike dhe bashkimit mbi këtë bazë krijohen kushte për një ndarje etnike mes shqiptarëve dhe serbëve dhe struktura të reja shtetërore të cilat në thelb shprehin një autonomi që i ka të gjitha atributet e autonomisë përveç emrit.

Bashkimi Evropian u angazhua shumë që Republika e Kosovës të mos përmbaj asnjë element shqiptar të shtetësisë duke i ndërruar asaj identitetin kombëtar dhe duke u përpjekur për t’i krijuar Kosovës një identitet tjetër, çfarë në realitet nuk e ka.
E drejta qytetare u predikua si një prej vlerave më të mëdha evropiane. Pa pritur, në rastin e serbëve në Kosovë, kjo vlerë e lartë evropiane, së paku e proklamuar kështu tek ne, u bë e parëndësishme.
Format reale të autonomisë do të shfaqen gjatë procesit të implementimit, atëherë kur do të krijohet kuvendi (parlamenti) i asociacioni (Republika Serbe), statuti (kushtetuta), financimi (Buxheti), policia (serbe) dhe përfaqësimi i serbëve (autonomia) në të gjitha strukturat e shtetit. Në këtë kohë Hashim Thaçi mund edhe të mos jetë Kryeministër i Kosovës, por do të mbahet mend edhe nga serbët edhe nga shqiptarët si kryeministri më i mirë që ka pas ndonjëherë Serbia në Kosovë.
Le të bëjmë një shqyrtimin të Platformës politike të Serbisë për bisedimet me Kosovën dhe ngjashmërisë së saj me tekstin e marrëveshjes aktuale.
PLATFORMA POLITIKE E SERBISË PËR BISEDIMET ME KOSOVËN
Në pajtim me Kushtetutën e saj dhe me parimet bazë të ligjit ndërkombëtar, Republika e Serbisë, në besim të mirë, ofron platformën politike për bisedime me përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë (PIS), duke shpresuar që një zgjidhje afatgjate e qëndrueshme për Kosovën dhe Metohinë është e arritshme përmes dialogut të sinqertë mes dy palëve. Andaj:
• Qeveria e Republikës së Serbisë, me qëllim të mbrojtjes së interesave të saj shtetërore përmbahet nga arritja e çfarëdo marrëveshjeje parciale me PIS brenda kornizës së të ashtuquajturit “dialog teknik” për shkak të faktit se ato çojnë në ndryshimin e situatës në terren në avantazh të PIS, sikur edhe në dobësimin e pozicionit negociues të Serbisë në dialogun politik të nivelit të lartë dhe mund të çojnë në destabilizim potencial të rrethanave që janë relative për sigurinë.
• Pika fillestare themelore për bisedime me PIS në nivelin e lartë politik është që Republika e Serbisë, në pajtim me ligjin ndërkombëtar, dhe më tej sipas Kushtetutës së saj dhe vullnetit të popullit, nuk e njeh dhe kurrë nuk do ta njohë shpalljen unilaterale të “pavarësisë” së Kosovës;
○ të gjitha të drejtat dhe kompetencat, që mund t’i jepen PIS-së si rezultat i negociatave, vetëm se do të transferohen tek organet e AP KiM në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregulloret e tjera të Republikës së Serbisë.

Pra, nuk do të ndryshohet asnjë ligj i Serbisë dhe as Kushtetuta e Serbisë. Por ligjet në Kosovë do të duhen të ndryshojnë.

PLATFORMA E SERBISË
• Republika e Serbisë, përmes një përfaqësuesi të lartë të autorizuar posaçërisht, dhe ekipit negociator të autorizuar posaçërisht, veçanërisht insiston në:
A) Themelimin e Komunitetit Autonom të Komunave Serbe në Kosovë dhe Metohi (ZSO KiM), të përbërë nga autonomia territoriale e katër komunave nga pjesa veriore e Kosovës dhe Metohisë dhe komunat e tjera me popullatë shumicë serbe dhe minoritare (p.sh. Graçanica, Shtërpce, Gora, etj.) në bazë të Statutit special për Autonominë e Komuniteteve për Komunat Serbe të Kosovës dhe Metohisë (sikur në rastin, për shembull, e Katalonisë) që do të garantohet nga akti më i lartë ligjor i Krahinës dhe nga Deklarata publike e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare të përfshirë në këtë proces;
TEKSTI I MARRËVESHJES SË BRUKSELIT:
Mund të shihet qartë se kësaj pike të platformës i korrespondon pika 1 e tekstit të Marrëveshjes. E cila konkretisht thotë: 1. Do të ketë një Asociacioni/Bashkësi me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësia do të jetë e hapur për secilën komunë tjetër nëse anëtaret aktuale pajtohen.
PLATFORMA E SERBISË
– Kjo autonomi do të presupozojë ekzistimin e përgjegjësive autentike në fushat e:
– Arsimimit (fillor, sekondar dhe të lartë);
– Shëndetësisë (të gjitha nivelet e shëndetësisë);
– Sportit;
– Kulturës;
– Shërbimeve të informimit publik;
– Mbrojtjes së ambientit;
– Formulimi dhe menaxhimi i politikave të mbrojtjes së ambientit dhe zhvillimit të qëndrueshëm (Statuti i Autonomisë së Katalonisë, neni 84, paragrafi 2, pika j)
– Planifikimi urban;
– Autoriteti ekskluziv për rregullimin e planifikimit urban dhe menaxhimit të instrumenteve të tërë procesit, sikur edhe në procedurat për procesimin e kërkesave dhe miratimin e tyre (kopjuar nga Statuti i Autonomisë së Katalonisë)
– Autoritetin ekskluziv për rregullimin e sistemit për zhvillimin e tokës urbane, që përfshinë përcaktimin e kritereve për llojet e ndryshme të tokës dhe përdorimit të tokës (kopjuar nga Statuti i Autonomisë së Katalonisë).
– Autoritet ekskluziv për krijimin dhe zhvillimin e politikës për tokë dhe banim, menaxhim të hapësirave publike me ekzistimin e një sistemi efikas të intervenimit administrativ në procesin e ndërtimit, planifikimit urban dhe përdorimit të tokës (kopjuar nga Statuti i Autonomisë së Katalonisë);
– Bujqësia;
– Pylltaria;
– Inxhinierimi i Ujit;
– Gjuetia dhe Peshkataria;
TEKSTI I MARRËVESHJES SË BRUKSELIT:
Kjo që sapo lexuam i korrespondon Pikës 4 të tekstit të Marrëveshjes e cila thotë: 4. Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje dhe ligji kosovar komunat pjesëmarrëse duhet të jenë në gjendje të bashkëpunojnë për të zbatuar fuqitë e tyre kolektivisht përmes Asociacionit/Bashkësisë. Asociacioni/Bashkësia do të ketë mbikëqyrje për zhvillimin ekonomik, arsim, shëndetësi dhe planifikim urban e rural.
PLATFORMA E SERBISË
Gjyqësia (prokurorët publikë të instancës së parë dhe gjykatat e instancës së parë dhe të dytë, gjyqet në rajonin e ZSO KiM do të themelohen nga ligjet në nivelin krahinor; megjithatë, do të përcaktohet në marrëveshje se kjo rezulton nga procesi politik, se ligjet duhet të parashohin një mekanizëm me të cilin qytetarët të ZSO KiM munden, përmes përfaqësuesve të tyre, të ndikojnë në zgjedhjen dhe përbërjen e gjykatave. Këto gjykata do të kenë autoritetin në rajonin e ZSO KiM, sipas rregulloreve të fuqizuara në Krahinë, për të vendosur në të gjitha çështjet gjyqësore që ndërlidhen me marrëdhëniet bazike personale, të drejtat dhe detyrat e qytetarëve, të shpallin dënime dhe masa të tjera kundër kryesve të veprave kriminale dhe veprave të tjera të dënueshme të përcaktuara me ligj; për të vendosur rreth ligjshmërisë së akteve individuale të organeve dhe organizatave që ushtrojnë autoritet publik; të vendosin rastet e ndërlidhura me çështjet pronësore apo çështje të ligjit të punës dhe të vendosin rreth çështjeve të tjera në pajtim me ligjet në fuqi);
TEKSTI I MARRËVESHJES SË BRUKSELIT:
Kjo pjesë i korrespondon Pikës 10 të tekstit të marrëveshjes. Në to thuhet: 10. Sistemi i drejtësisë do të integrohet në kornizën ligjore të Kosovës dhe do të operoj brenda kësaj kornize. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të formoj një panel të përbërë nga shumica e gjyqtarëve serbë të Kosovës për t’u marrë me të gjitha komunat që kanë shumicë serbe.
Një njësit i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqtarët do të jenë të vendosur në Mitrovicën veriore (Gjykata e Qarkut e Mitrovicë). Secili panel i divizionit të lartshënuar, do të jetë i përbërë me një shumicë të gjyqtarëve serbë të Kosovës. Gjykatësit përkatës, do të vendosen varësisht nga natyra e rastit në të cilin janë përfshirë.
PLATFORMA E SERBISË
Punë të Brendshme (Policia Autonome mund të themelohet sipas modelit të policisë Autonome të Katalonisë dhe me përgjegjësi të ngjashme. Ajo do të ishte, në kuptimin formal, pjesë e Forcave policore të Kosovës, edhe pse do të funksiononte nën autoritetin e Këshillit Ekzekutiv të ZSO KiM në territorin e Autonomisë dhe sipas përgjegjësive të definuara me ligjet në pajtim me aktin më të lartë ligjor të AP KiM dhe Statutin e ZSO KiM);
TEKSTI I MARRËVESHJES SË BRUKSELIT:
Pikërisht për këtë pikë të platformës së Serbisë bën fjalë pika 7, 8 dhe 9. Pra: 7. Duhet të ketë një forcë policore të quajtur Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës duhet të integrohen në strukturën e Policisë së Kosovës. Pagat do t’i marrin vetëm nga Policia e Kosovës.
8. Pjesëtarët e strukturave tjera të sigurisë serbe do t’iu ofrohet një vend i njëjtë në strukturat kosovare.
9. Do të ketë një Komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç). Komandanti i këtij rajoni duhet të jetë serb shtetas i Kosovës i nominuar nga Ministria e Brendshme nga një listë e dhënë nga 4 kryetarët e këtyre komunave në emër të Asociacionit. Përbërja e Policisë së Kosovës në veri do të reflektojë përbërjen etnike të popullsisë së katër komunave. (Do të jetë një tjetër Komandant Regjional për komunat e Mitrovicës Jugore, Skenderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti regjional i katër komunave veriore do të bashkëpunojë me komandantët e tjerë regjionalë.
PLATFORMA E SERBISË
Në platformë shënohen në këtë vazhdë dhe:
1. Minierat;
2. Energjia;
3. Telekomunikacionet;
TEKSTI I MARRËVESHJES SË BRUKSELIT:
Për këtë siç thuhet në tekstin e marrëveshjes, në pikën 13 të saj, do të ketë dialog shtesë, deri më 15 qershor 2013.

PLATFORMA E SERBISË
Këshilli Ekzekutiv ka autoritetin ekskluziv në çështjet që ndërlidhen me tregtinë dhe organizimin e panaireve, përfshirë planifikimin administrativ të aktiviteteve tregtare në territorin e ZSO KiM (marrë nga Statuti i Autonomisë së Katalonisë, neni 121, paragrafi 1, pikat a-f).
– Politika fiskale dhe financat;
– Autoritetet e ZSO KiM do të kenë, në pajtim me aktin më të lartë ligjor të AP KiM, një mundësi të garantuar për vendosjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me autoritetet e Republikës, sikur edhe të drejtën e financimit shtesë nga mjetet e ndara nga buxheti i Republikës së Serbisë;
Për këtë pikë të platformës së Serbisë tashmë është rënë dakord nga ana e kryeministrit Thaçi, e kjo dakordësi është fondi për zhvillimin e veriut, pra “buxheti paralel”.
PLATFORMA E SERBISË
– Elementet e tjera të organizimit të brendshëm (lloji, përbërja dhe modeli i zgjedhjes së autoriteteve) të ZSO KiM do të harmonizohen përmes dialogut politik;
Pra, siç dhe është bërë deri më tash në raundet e takimeve në Bruksel, midis Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiçit.
PLATFORMA E SERBISË
Në çdo rast, ZSO KiM do të ketë një Asamble të Komunitetit Autonom dhe një Këshill Ekzekutiv të Komunitetit Autonom, që do të jenë të ngarkuar me zbatimin e detyrave nga përkufizimi i përgjegjësive të ZSO KiM, siç është paraparë me Statutin.
TEKSTI I MARRËVESHJES SË BRUKSELIT:
Ndërkohë pika 3 e tekstit të marrëveshjes, ku thuhet se: “3. Strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të ndërtohet mbi bazën që e parasheh statuti aktual i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si Presidenti, zv/Presidenti, Kuvendi dhe Këshilli”, përkon pjesën e mëposhtme të Platformës së Serbisë:
PLATFORMA E SERBISË
Në çdo rast, ZSO KiM do të ketë një Asamble të Komunitetit Autonom dhe një Këshill Ekzekutiv të Komunitetit Autonom, që do të jenë të ngarkuar me zbatimin e detyrave nga përkufizimi i përgjegjësive të ZSO KiM, siç është paraparë me Statutin.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura