Zvicër, 18 shkurt 2019: Shkrimtari amerikan Fred Rid boton bisedën që pati me Hirësinë Janullatos, ku mes të tjerash Hirësia thotë një nga çuditë e tij të çmëndura antifetare dhe antishqiptare: “Njerzit në Perëndim duhet ta kuptojnë se në thelb Islamizmi është një Parti politike. Forca të fuqishme antiortodokse duan të krijojnë Republikën e parë Islamike në Europë, pikërisht këtu, një Shqipëri të Madhe që do përfshinte Kosovën dhe një pjesë të Maqedonisë”. (Siç shihet, Hirësia e hodhi helmin grek kundër harmonisë fetare në Shqipëri, kundër kombit shqiptar).
Tani le të shohim gjykimin e kundërt nga personalitete të shquar europianë. Lordi Goschen, ambasador britanik në Stamboll që e njihte mirë gjëndjen në kohën e trazuar rreth Kongresit të Berlinit, më 1880 i shkruan për Shtetin, lordit Granvijë në Londër në lidhje me Shqipërinë e më gjerë:
“Kombësia e saj është kërcënuar në veri nga malazezët që mbrohen nga Rusia; në jug prej grekëve që mbrohen nga Anglia e Franca…Nëse krijohet një Shqipëri e fortë, motivet e pushtimit nga një fuqi e huaj në rast shpërbërje të Perandorisë Otomane do çdukeshin. Një popullsi me pjesën më të madhe myslimane do qe një burim vështirësish të mëdha për vëndet sllave apo greke që do të donin ta pushtonin. Unë mendoj se mundësia e ndërhyrjes europiane në Siujdhesën ilire do zvogëlohet, po të mbahet më këmbë kombësia shqiptare”.
Burrështeti anglez me emër, Lordi Fitzmaurice e mbështeti plotësisht lordin koleg në Stamboll. Për këtë, Libri Blu britanik vlerëson se Ai “i patundur në pikëpamjet e tij e duke zbrapsur prerazi synimet serbe mbi prejardhjen e banorëve të Mitrovicës e të Kosovës në tërësi, përmes Letrës që i dërgon Forein Ofissit më 22.7.1880 përsërit se tërë hartat që kish parë dëshmonin prejardhjen shqiptare dhe jo sllave të këtyre viseve. Ai përkrahu Lordin Goschen për domosdonë e krijimit të një Province të Madhe shqiptare të ndarë në 4 Vilajete, – Shkodra, Janina, Kosova dhe Manastiri”.
Antishqiptari Anastas Janullatos
***
Miss Durham u vu në anën e bashkëkombasve të shquar për gjykimet e tyre të drejta. Ajo shtoi si profete: “Po të qenë pranuar projektet e Lordit Fitzmorisit, mbase nuk do qe derdhur kaq gjak në Ballkan, as në Europë.. Shqipëria ish në çelësat kryesorë të Lindjes, e se shumë prej vështirësive që lidheshin me këtë çështje, ridhnin ngaqë vazhdimisht Shqipërisë nuk i qe dhënë rëndësia që duhej”.
***
Me pikpamjet e tij anti-mysliman e antishqiptar Hirësia Janullatos nuk shkel thjeshtë në dërrasë të kalbur, por ecën në baltë të ndotur. Në të vërtetë lufta donkishoteske kundër myslimanizmit është luftë për fitore politike. Kur po themelohej Bashkimi Europian, Presidenti butaforik francez që merrej teorikisht me këtë punë, shënoi në krye se “BE-ja ngrihet mbi themelet e Krishtërimit”… Marrëzi e tërë sa e ndjeu dhe vetë se po e kthente në organizim fetar sa të hymnizonte dhe Kryqëzatat kishtare me krime të përgjakshme… Dhe e hoqi termin e “krishterimit” te BE-ja. Shqiptarët në tërësi e kanë zgjidhur si askush bashkëjetesën harmonike mes feve. Është fisnikëri e adhurueshme si prej Zotit kodi zakonor shqiptar: kur në një shtëpi myslimanësh vjen një prift i krishterë, ai vihet në krye të vëndit. Po ashtu, në një mjedis të krishterë, hoxha vihet në krye të vëndit.
Erdhi dhe Patriarku i Rusisë në Shqipëri. Vizitë e habitëshme por e spjegueshme. Ai erdhi të ngrinte lart në opinionin shqiptar figurën e kolegut të tij Janullatos duke i thurur hymne e duke larguar mjegullën rreth tij, sidomos kur u bë, për habinë shqetsuese të shumicës së shqiptarëve, dhe Shtetas shqiptar! Ardhja e tij sillte gjithashtu mesazhin e tij, se ‘Rusia e do Shqipërinë’ dhe kjo e ka vëndin nga Lindja bashkë me Janullatosin për krahu!’.
Mirëpo Shqipëria me gjithë degëzimet e saj vëndin e ka nga Perëndimi euro-atlantik. Nuk ka asgjë ruse apo greke. Përmëndim një dëshmi të krishtërimit ku emërtimet të gjitha janë në gjuhën e perëndimit, asnjë greke a ruse:
“Mesha (shqip) = missam (lat.).
Shent (shenjt)= santum.
Altar = alterem.
Kërshëndella = Crist Natalia.
Rushajet = Rosalia.
Kisha = ciesa.
Pashkë = pascua.
Katedrale = catedrale.
Ungjill = Ungile.
Ëngjëll = Angelo.
Ferr = Inferno.
Parajsë = Paradiso.
Djall = Diabolo… e të tjera.
Për të mos mbetur pas, edhe emisarët grekë që kanë marrë në dorë tërë çelsat e kishës shqiptare, Gjon Pagëzorin psh e emërtojnë Joan Pagëzori, Jorgos – për Gjergj …e me radhë. Edhe më tej: Kishën tonë Ortodokse Noli dhe shqiptarët e emërtojnë në thelbin e saj – Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Emërtimi i saktë “Shqiptare” tregon cilësinë e saj që është Shqiptare. Pikërisht këtë emërtim emisarët grekë e hoqën dhe e quajnë “Kisha…e Shqipërisë”, domethënë cilësinë e saj e zëvëndësojnë me përkatësinë: mund të jetë dhe kishë greke por që është e Shqipërisë në Shqipëri!…! E tërë kjo lodër, këto shpifje e trillime, për komedinë e tyre groteske mbi Vorio-Epirin! Aq më tepër kur shtetarët dhe politik-zuzarët tanë antishqiptarë nga të dy anët
u hapin udhët gjer te mbjellja e varrezave greke në trojet shqiptare (në ato varreza do futet dhe emri i tyre përqafuar me eshtrat e vrasësve të atdheut të vet).
***
E mbyll shkrimin modest me gjykimin e burrështetit dhe senatorit të shquar Justin Gotard, që u drejtohet si të çmëndurve të Athinës dhe të përgjumurve të Tiranës ku komandon Janullatos për Vorio-Epir: “Po të kthejmë sytë nga ana greke, shohim se një pjesë e Epirit i është marrë kombit shqiptar. Mirëpo kurdoherë Epiri dhe Shqipëria kanë qënë e njëjta gjë si nga ana etnike dhe gjeografike, kështu që Epiri është Shqiptar”. (A ka njeri ndonjë ilaç kinez t’ua japë akademikëve tanë vulëhumbur që për këto dëshmi figurash të shquara të hapin dhe ata gojën, qoftë dhe duke mbyllur sytë, se ndoshta mos u pritet rroga e dytë nga jashtë!…)