AGIM SYLEJMANI: AGIM SYLEJMANI: REVOLUCIONI I PRANVERËS SË KUQE 1981 U SHKEL ME TANKSE – RROFTË REVOLUCIONI 1981!

(Pashtriku.org, 21. 04. 2012 – Në 30 vjetorin e demonstratave të mars-prillit 1981) – Këtë vit po mbushen 30 vite që kur rrugët e qyteteve e të fshatrave të Kosovës u lanë me gjakun e bijve e bijave më të mira të popullit tone për të drejta kombëtare të mohuara padrejtësisht, për liri e barazi, ashtu siç i gëzonin edhe popujt e tjerë në ish-Jugosllavi. 30 vite që nga shpërthimi i protestave dhe demonstratave gjithpopullore, të cilat regjimi fashistoid, i mbuluar me petkun e “sistemit vetëqeverisës”, “socialist”, të “vëllazërim-bashkimit”, dhe jo vetëm ai regjim gjakatar, por as inteligjencia jonë e deri pas luftës, nuk u ndalën së paku t’ua bëjnë një analizë sadopak serioze shkaqeve dhe arsyerave që shkaktuan këtë shpërthim vullkanik të revoltës së një populli të tërë.
S’u ndal njëherë të pyes: a thua pse demonstroi ky popull pas gati katër dekadash “lirie” në ish-Jugosllavi, derisa i “gëzokan” të gjitha të drejtat?
     Por, mosanalizimi dhe mosshtruarja e çështjes së shqiptarëve për zgjidhje i ka rrënjët gjetkë. Regjimi fashistoid serbo-sllav, i cili në atë kohë ishte i koncentruar në duart e shovinistëve serbomëdhenj, të këtyre armiqve të përbetuar të popullit tonë, i ballafaquar me një krizë të gjithanshme politike, ekonomike, sociale e kulturore u mundua që të gjitha këto të këqija t’ua mveshë shqiptarëve dhe t’i fajësojë ata si “turbullues”, “luftënxitës”, “paqeprishës”, “plangprishës” etj. etj. Gjithë këtë e bënin që t’u hedhin hi syve popujve jugosllavë e sidomos opinionit ndërkombëtar dhe për t’i justifikuar të gjitha masat represive të dhunës, terrorit e gjenocidit të egër shovinist e fashist që ndërmerrnin ndaj shqiptarëve pas demonstratave të përgjakshme të Pranverës së Kuqe të ’81-shit.
     Pos kësaj, shovinistët serbomëdhenj, të vërbuar nga ëndrrat e krajlëve serbë, deshën që me çdo kusht të nënshtronin shqiptarët, t’i “qetësonin” ata dhe kështu t’i kenë duart e lira për të vepruar në realizimin e elaborateve të borgjezisë shoviniste serbe për asgjësimin e shqiptarëve dhe kolonizimin e trojeve tona stërgjyshore me kolonë serbë e malazezë.

Neuenhof, 6 mars 2011: Agim Sylejmani, duke lexuar kumtesën…

__________________________

     Por, a mund të asgjësohej një popull i tërë prej dy milionë e gjysmë? Këtë llogari ata e kishin bërë pa hanxhiun. Sepse nuk ka forcë politike, ushtarake e policore që mund të asgjësojë një popull, sado i vogël qoftë ai. Nuk ka forcë që mund të shuaj vullnetin e një populli i cili është bërë i vetëdijshëm për të drejtat e veta të mohuara padrejtësisht. Aq më tepër, ky popull jetonte në fund të shekullit 20 dhe kur populli ynë nuk ishte më ai i dikurshmi që nuk dinte të shkruante e të lexonte, kur nuk e kishte as alfabetin e vet, as historinë e tij të lavdishme të shkruar në ndonjë libër pos në lahutë e qifteli, nuk ishte populli ynë ai i djeshmi që nuk ishte i arsimuar e të mashtrohej aq lehtë nga fjalët e bukura e me kërbaç mbi kokë, e mbi të gjitha nuk ishte një popull pa nënë, sepse e ngrohte tanimë Shqipëria nënë, që i ndenji afër në të gjitha katrahurat e kohës, duke u bërë mbështetësja kryesore e aspiratave të kësaj pjese të pushtuar e të robëruar të kombit tonë.
     Regjimi i Beogradit kurrë nuk u ndal të pyeste se mos kanë ndonjë arsye të fortë këta shqiptaët që me aq këmbëngulje kërkonin ca të drejta minimaliste kombëtare? Përkundrazi, ata intensifikuan edhe më tepër dhunën e terrorin e hapët dhe pa presedan në botën bashkëkohore ndaj një populli nga më të lashtët, ndaj një populli kundër të cilit u bënë padrejtësitë më të mëdha në fillimshekullin e kaluar.
     E ç’kërkuan shqiptarët në ish-Jugosllavi? Mos kërkuan diç që të tjerët në ish-Jugosllavi nuk i kishin? Apo deshën që t’ua marrin të tjerëve ndonjë të drejtë? Jo. Populli shqiptar në ish-Jugosllavi as nuk i ka rënë ndonjëherë në qafë ndonjë populli e as që kishte pretenduar që t’ua grabis të tjerëve lirinë apo te drejtat, aq më tepër që vet nuk i ka gezuar këto të drejta e liri që nga koha e ilirëve. Shqiptaret kerkuan vetëm ato të drejta që dilnin nga vetë Kushtetuta jugosllave, të drejta të cilat i gëzonin popujt e tjerë në ish-Jugosllavi, – statusin e Republikës për Kosovës. Kërkonin të ndalej dhuna e terrori ndaj popullit tonë, të ndërpritej burgosja e rinisë sonë të kuqe, kësaj shprese të së ardhmes sonë më të lumtur; lirimin e të burgosurve për Republikë dhe të gjithë të burgosurve tjerë politikë; largimin e njësive speciale të dhunës nga Kosovaä; kerkuan pune e buke, kërkuan barazi me popujt e tjerë jugosllavë.
     Mbi këto kërkesa të rinisë dhe popullit shqiptar regjimi jugosllav shkelli me zinxhirë të tankseve e me bajoneta. Vrau, plagosi e gjymtoi me qindra bij e bija nga më të mirët e popullit në lule të rinisë dhe burgosi me mijëra të tjerë duke ushtruar mbi ta torturat më shtazarake të tipit fashist.
     Pranë gjithe kësaj dhune, terrori e gjenocidi ndaj popullit tonë, regjimi jugosllav u ballafaqua me një të vërtetë të hidhur për të se, shqiptarët nuk do ta ndërpresin kurrë luftën e tyre për të drejta e barazi, për republikë.
     Duke e parë pamundësinë e nënshtrimit të shqiptarëve dhe për t’ia larguar vëmendjen popujve jugosllavë e sidomos opinionit botëror nga kërkesat e ligjshme të popullit tonë, regjimi jugosllav u mundua me forcë duke përdorur të gjitha mjetet që të paraqes se në Kosovë ka një problem tjetër parësor dhe se kërkesa për Kosovën Republikë ka të bëjë me një çështje krejt tjetër: “shpërnguljen” e popujve joshqiptarë nga Kosova, duke e paraqitur kësisoji “mosbarazinë” gjoja të serbëve e malazezëve në Kosovë dhe “diskriminimin” e tyre nga shqiptarët!
     Por këto shpifje e trillime nuk u besonte më askush, e aq më pak populli shqiptar. Me shpifje, trillime e montime politike të çështjes së Kosovës nuk zgjidhet asgjë, e aq më pak të nënshtrohej një popull i tërë dhe të shuhet kësisoji edhe vullneti i tij për të fituar ato pak të drejta të garantuara me Kushtetutën e atëhershme të ish-Jugiosllavisë, e të mohuara padrejtësisht me dhunën e kërbaçit. Nuk mund të shuhej vullneti i popullit tonë për një Republikë për të cilën u derdh gjaku e u masakruan me qindra të rinj e të reja, derisa lufta për një republikë ishte paqësore e demokratike. Në mënyrë paqësore edhe e kërkoi këtë të drejtë populli i Kosovës, por regjimi serbo-sllav këtë kërkesë më se të ligjshme e shndërroi në të përgjakshme, duke vrarë, plagosur e gjymtuar bijtë e bijat më besnike të popullit tonë të shumëvuajtur. 

Prishtinë, 1 prill 1981: Hydajet Hyseni, duke folur para demonstruesve…

__________________________

     Pavarësisht se çfarë nxiste regjimi jugosllavë, ne as kemi qenë e as që jemi kundër ndonjë populli të ish-Jugosllavisë, as kemi kërkuar e as që kërkojmë që atyre t’u mohohet ndonjë e drejtë. Përkundrazi, ne kemi qenë, jemi e do të jemi çdoherë në krah të të gjithë atyre që luftojnë për liri dhe pavarësi kombëtare.
     Kërkesën e parashtruar hapur të shqiptarëve në Pranverën e Kuqe të vitit 1981 për statusin e Republikës për Kosovën, regjimi jugosllav dhe lakejt e tyre të pushtetit kuisling në Kosovë asnjëherë nuk e trajtoi e nuk e paraqiti drejt, duke u mundua ta paraqes si kërkesë “armiqësore”, “nacionaliste”, “irredentistre”, “reaksionare”, “kundërrevolucionare”, etj. Por asnjëherë nuk e argumentoi pse na qenka pikërisht e tillë. Me asnjë fakt sado të vogël nuk i vërtetuan bile një nga shpifjet, trillimet e akuzat e tyre. Jo se nuk deshën ta bënin këtë , por nuk kishin ku t’i gjenin, nuk kishin ku t’i mbështesnin dhe si t’i “arsyetojnë” argumentet e tyre.
     Kërkesa e parashtruar në demonstratat e Pranverës së Kuqe të vitit 1981 ishte një kërkesë minimaliste, paqësore e demokratike, e drejtë që ridhte nga vetë Kushtetuta e ish-Jugosllavisë. Them minimaliste, sepse, deri në shpërthimin e demonstratave të Pranverës së Kuqe të vitit 1981, në programet poltike të të gjitha grupeve dhe organizatave politike ilegale në Kosovë dhe në të gjitha viset e pushtuara shqiptare në ish-Jugosllavi, qofshin ato vetëm nacionaliste apo edhe revolucionare e marksiste-leniniste, kishin të njëjtën aspiratë programore – çlirimin e të gjitha trojeve të pushtuara shqiptare dhe bashkimin e tyre me vendin tonë amë, Shqipërinë!
     Edhe pse si kërkesë politike më se minimaliste, kërkesa për Republikë u përkrah pa përjashtim nga të gjitha grupacionet ilegale, të cilat në realizimin e kësaj kërkese shihnin një hap më tej drejt realizimit të aspiratave shumëshekullore të popullit tonë – bashkimin kombëtar në një shtet të vetëm dhe me një territor të unisuar.
* * *
     Në kohën e shpërthimit të demonstratave gjithpopullore të Pranverës së Kuqe 1981, edhe unë, si shumë të tjerë gjendesha prapa grilave i dënuar për veprimtari patriotike e revolucionare, si anëtar i Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës. Edhe pse shpërthimi i demonstratave të Pranverës së Kuqe 1981 më gjeti në burgun e Foqës, në Bosnë, unë pata fatin që menjëherë të nesërmen, më 12 mars 1981 të informohem për atë çfarë ka ndodhur në Prishtinë. Hasan Mala, veprimtar i çështjes kombëtare erdhi në burgun e Foqës për ta vizituar të vëllanë e tij, Heroin e Kombit – Rexhep Malaj. Gjatë kësaj vizite Rexhepi u njoftua nga i vëllai për ato çfarë kishin ndodhur një ditë më parë në Prishtinë.
     Edhe pse gjendeshim të mbyllur prapa grilave, ne përpiqeshim që përmes shkrimeve të letrave e protestave të ndryshme të japim kontributin tonë në ndriçimin, sqarimin dhe arsyetimin e shkaqeve dhe arsyerave të shpalosjes së kësaj kërkese më se të ligjshme. Por, shumë letra e protesta të tilla me shkrim nuk e panë dritën kurrë, sepse organet e sigurimit shtetëror serbo-sllavë i mbyllnin ato nëpër sirtarët e tyre të arkivave, pa lejuar që ato të publikohen. Në një nga letrat e tilla të shkruara që kemi pasur sukses ta nxjerrim jashtë mureve të burgut të Mostarit, në korrik të viti 1982, letër të cilën e kemi nëshkruar katër të burgosur politikë, Rexhep Mala, ky vigan i Revolucionit kosovar, Skender Kastrati, Behxhet Shala dhe unë (Agim Sylejmani), jemi përpjekur të parashtrojmë përkrahjen tonë me kërkesat e popullit tonë e njëkohësisht duke kërkuar që të burgosurit politikë të trajtohen si të burgosur politikë për çfarë edhe janë dënuar. Kemi parashtruar edhe torturat që u bëhen të burgosurve politikë nëpër burgje dhe sidomos gjatë zhvillimit të procedurës së hetimeve. Një pjesë të kësaj letre Xhafer Shatri në librin “Pse dergjet në burg Adem Demaçi” ka botuar disa pjesë të kësaj letre, pa e marrë mundimin ta botojë si të tërë. Në anën tjetër, ne kemi shkruar edhe materiale tjera analitike lidhur me demonstratat e vitit 1981 dhe rreth kërkesës për Republikë. Por, më të sukseshmit në shkrimin dhe analizimin e ngjarjeve të Pranverës së Kuqe të vitit 1981 e kanë bërë shokët e burgosur politikë, njëkohësisht disa nga organizatorët kryesorë të këtyre ngjarjeve më së të lavdishme dhe vendimtare në historinë tonë kombëtare, në burgun qendror të Beogradit, të njohur si “CZ” famëkeqe e Beogradit, ku janë masakruar me qindra atdhetarë e revolucionarë shqiptarë. Letrën shokët tanë e titulluan “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion” Nënshkruesit e kërsaj letre protestë, Hydajet Hyseni, Gani Koci, Zijah Shemsiu, Bajram Kosumi dhe Ali Lajçi, e panë të arsyeshme domosdoshmërinë që me rastin e katërvjetorit të demonstratave të vitit 1981, të bënin sqarimin publik të shkaqeve, arsyerave dhe karakterin e vërtetë të demonstratave të Pranverës së Kuqe të vitit 1981.

Shqiptarët prapa grilave….!

_____________________________

      Në këtë letër ata dhanë sqarimet dhe analizuan shkaqet kryesore që sollën shpërthimin e këtyre demonstratave dhe parashtrimin e hapur të kërkesave politike. Duke e lexuar këtë letër shihet qartë se shokët tanë të burgosur në burgun famëkeq “CZ” të Beogradit patën kurajon dhe guximin të shtjellojnë në mënyrë shkencore këto ngjarje kaq të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, ngjarje që bënë kthesën vendimtare në luftën e mëtutjeshme të kombit tonë për liri e pavarësi. Këtë letër shokët tanë e shkruajtën për një kohë të gjatë, me durim e guxim të pashoq, për t’ia dërguar në ditët e para të marsit 1985 Kryesisë së RSFJ-së. Pas dërgimit të kësaj letre, organet e burgut bëjnë shpërndarjen e të burgosurve, nënshkrues të kësaj letre nëpër burgje të ndryshme të Serbisë, ndërsa në “CZ” ndalën në qeli patriotin e paepur Zijah Shemsiun. Policia serbe i torturoi pa mëshirë më shumë se një muaj nënshkruesit e kësaj letre drejtuar Kryesisë së RSFJ-së, por torturat më shtazarake përjetoi Zijah Shemsiu, tani Dëshmor i Kombit, i cili këtë letër e vulosi edhe me gjakun dhe jetën e tij. Por, Zijahu e kishte përshkruar këtë letër dhe e kishte fshehur për bukuri në rrobat e tij. Kështuqë, bashkë me trupin e tij pa jetë, nga burgu famëkeq “CZ” i Beogradit erdhi në Kosovë edhe një kopje e kësaj letre-analizë të shokëve tanë të burgut. Pa asnjë hezitim me disa shokë kemi shtypur dhe shumëzuar këtë letër në formë broshure. Në të njëjtën kohe, pasi ua kishim dërguar edhe shokëve në Zvicër një ekzemplar, për çudinë dhe habinë tonë, “Zëri i Kosovës” pat botuar në dy numra në vijim pjesë të kësaj letre sikur shkrime redaksionale, pa sqaruar se ato ishin pjesë të letrës së të burgosurve, letër të cilën e vulosi me jetë patrioti Zijah Shemsiu. Tek pas kërcënimit tim se do shpërndaj njoftimin lidhur me këtë letër nëse redaksia e “Zërit të Kosovës” nuk i sqaron lexuesit e vet për të, ata në numrin në vijim, ku edhe botuan pjesën e tretë, njoftonin se ky shkrim është në fakt letra e të burgosurve politikë shqiptarë në “CZ” të Beogradit, dhe se kjo letër i ishte drejtuar Kryesisë së RSFJ-së. Kjo letër, pra, paraqet të vetmen analizë serioze dhe shkencore, letër e cila, sipas mendimit tim, duhet të botohet me rastin e 30 vjetorit të demonstrave të Pranverës së Kuqe të vitit 1981, dhe kështu t’i bëhet e njohur rinisë sonë dhe gjeneratave që do të vijnë.
     Le që na quanin “armiq” e “reaksionarë”, por edhe na i vrisnin vëllezërit më të mirë, bijtë më besnikë të popullit, dhe sërisht për këto krime të tyre të paskurpullta na akuzonin se gjoja ne u vritkemi mes vete dhe për qërime hesapesh. Regjimi fashistoid i Beogradit nuk ngurroi të përdorë edhe mjetet dhe metodat e terrorizmit shtetëror për të likuiduar edhe fizikisht militantët e patriotët shqiptarë edhe nëpër metropolet evropiane. Mendoni nse me vrasjen e tyre mund të vrisnin vullnetin e popullit e me ta edhe të mijëra e mijëra kurbetçarëve tanë anë e këtë rruzullit tokësor. Kështu më 17 janar 1982, regjimi i Beogradit kreu njërën nga krimet më të paskurpullta duke ushtruar terrorizmin shtetëror dhe në Gjermani vrau në pritë tre nga bijtë më besnikë të popullit tonë në mërgim, komunistin e paepur militant, Kadri Zekën, patriotin e flaktë Jusuf Gërvallën dhe vëllaun e tij, punëtorin e paepur Bardhosh Gërvallën.
     Po në janar të vitit 1984 regjimi jugosllav rrethoi me një ushtri të tërë dy komunistë të vendosur e patriotë të shquar të cilët kërkonin dhe mbronin kërkesat që vet populli i kishte parashtruar me kohë, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha. Pas një lufte të rreptë e të pabarabartë policia jugosllave i vrau këta luftëtarë të pathyeshëm të luftës për liri e pavarësi, për bashkimin kombëtar, por nuk shuajti dot zjarrin luftarak të rinisë sonë të vendosur për sakrifica drejt realizimit të aspiratave shumëshekullore. Kështu gjaku i derdhur i Rexhepit e Nuhiut u bë sinonim se si duhet luftuar për çështjen e madhe të atdheut dhe për bashkim kombëtar.
     Të gjitha këto lidhen me gjarjen e madhe të Pranverës së Kuqe të viti 1981, sepse për Revolucionin e shkelur me tankse më 1981, rinia jonë, dhe ne të burgosurit politikë bashkë me ta, thërrisnim me zë Rroftë Revolucioni i viti 1981!
     Pikërisht kjo është ajo që Pranverën e Kuqe të vitit 1981 e bën akoma më madhështore, sepse dëshirën për të luftuar për çështje kombëtare e rrënjosi në zemrat e rinisë sonë, për ta vazhduar dhe avancuar edhe më tej çështjen tonë kombëtare pa marrë parasyshë burgosjet e shumta, torturat çnjerëzore dhe vrasjet mizore të regjimit serbo-sllav.
     Kërkesat e parashtruara në Pranverën e Kuqe të vitit 1981 kulmonin me kërkesën e bashkimit të të gjitha territoreve shqiptare të pushtuara nën ish-Jugosllavinë në një Republikë të vetme. Pra, bashkimi i territoreve tona në një njësi të vetme, duke i siguruar kështu rrugën drejt shkëputjes përfundimtare nga robëria shekullore serbo-sllave dhe bashkimi me vendin tonë amë – Shqipërinë Nënë.
     Idetë e Pranverës së Kuqe të vitit 1981 do të vazhdonin për gati 20 vite rresht të mbesin aktuale dhe çështje për zgjidhje. Këto ide ishin një frymëzim i pakrahasueshëm edhe për luftëtarët e lirisë, të cilët nën flamurin tonë kombëtar të rreshtuar në rradhët e Ushtrisë sonë të lavdishme Çlirimtare të Kosvës e bënin vdekjen sikur me le.
     Por, nga presioni i huaj, këto kërkesa, edhe pse minimaliste, pas përfundimit të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ngushtuan në kohë dhe hapësirë, duke i lënë jashtë viset tjera shqiptare të pushtuara nga serbo-maqedonasit, një territor sa Kosova e sotme zyrtare, duke lejuar institucionet e Kosovës që të shpallnin një pavarësi të kushtëzuar për Kosovën shtet, i cili hiqte dorë nga bashkimi i trojeve të pushtuara dhe duke ia mohuar vetvetes të drejtën e bashkimit me vendin amë Shqipërinë si dhe të drejtën e vëllezërve tanë të gjakut të bashkohen me ne.
     Por, lufta jonë është e drejtë dhe patjetër do të triumfojë me realizimin e aspiratave shekullore të kombit. Ky edhe është amaneti i gjithë të rënëve në altarin e lirisë. Prandaj, kauza për të cilën u flijuan ndër shekuj, nuk është shuar, ajo flakëron edhe sot në zemrat e zhuritura të patriotëve e revolucionarëve shqiptarë për jetësimin e aspiratave shekullore – bashkimin e kombit në një shtet të vetëm – Shqipërinë e bashkuar!
     Prandaj nga thellësia e zemrës thërras: 
     RROFTË IDEALI I BASHKIMIT KOMBËTAR!
     LAVDI NË VITE E NË SHEKUJ TË GJITHË TË RËNËVE PËR LIRI E BASHKIM KOMBËTAR!
    (Kjo kumtesë u lexua në Akademinë Përkujtimore, kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të pranverës 1981. Zvicër / Neuenhof, 6 Mars 2011.)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura