Pashtriku.org, 19. 09. 2013 – Në kuadrin e konsolidimit të shtetit shqiptar administrata e Mbretit Zog përpiloi në vitin 1928 një listë të tregtarëve dhe sipërmarrësve kryesorë për çdo prefekturë të vendit. Me qëllim që të përcillte në botën e jashtme nivelin ekonomik e tregtar të Shqipërisë dhe të nxiste sa më shumë shkëmbimet tregtare, Tirana ia përcolli këto lista edhe përfaqësive të veta jashtë shtetit, përfshirë Faik Konicën në Legatën Shqiptare në Washington.
Këto lista, që sot gjinden në arkivat e Bibliotekës së Kongresit … kanë vlerë të çmuar historike pasi janë pasqyrim relativisht i saktë i nivelit të zhvillimit ekonomik e tregtar të vendit dhe janë dëshmi e traditës sipërmarrëse në rrethet dhe qytetet përkatëse.
Po botojmë sot listën e tregtarëve të Prefekturës së Beratit, ku përfshihen tregtarët dhe sipërmarrësit me qendër në këtë Prefekturë, dhe që ushtronin veprimtarinë në Lushnjë, Fier, Vlorë dhe, natyrisht Berat. Vërejmë në krye të herës referencën ndaj Prefekturës, si njësi themelore ekzekutive e administratës shtetërore, nga ku mund të deduktojmë rolin e vakët të prefekturave në sistemin e sotëm krahasimisht me atë të Mbretit Zog. Mjafton të theksojmë se sistemi i zhdërvjelltë i prefekturave nën Mbretin Zog kishte ngritur dhe ruajtur në nivel nën/Prefekture edhe njësi thelbësore administrative të shtetit shqiptar, si nën/Prefektura e Kurveleshit, e Devollit, e Çamërisë, e Himarës, e Petrelës, etj, të cilat sot janë bjerrur ose harrur. Por le të kthehemi tek lista e tregtarëve dhe e sipërmarrësve të Prefekturës së Beratit, duke i përcjellë sipas vendit ku ushtronin aktivitetin.
Faksimile e listës se tregtarëve të Prefekturës së Beratit më 1928.
Berati i vjetër
Tregtarët e Prefekturës së Beratit me veprimari në qytet
Në listën e lartpërmendur vërejmë se tregtarët e Beratit me aktivitet në qytet ndaheshin në tre kategori kryesore: manifature, kinkaleri dhe “kolonial”.
Tregtarët në manifaturë ishin: C. Nushi [emri nuk jepet], Vëllezërit K. Manushi, Athanas Dushniku, Gaq Goxhomani, Vangjel Pinguli, Petreq Gjergo, e Kosta Gjergo. Kurse në kategorinë “kinkaleri” shënoheshin Jan Ikonomi e vëllezër; Sotir Haxhinasta; Llamp Tavanxhi; e Jorgji Anastasiadhi. Në kategorinë “kolonial” përmendeshin LLamb Gjylaku e Vangjel Xhamo. Kurse Zihni Çipi përmendej në kategorinë e përbashkët “manifaturë e kinkaleri”.
Sikurse vërehet, shumica dërrmuese e sipërmarrësve të qytetit të Beratit ishin nga lagja Kala.
Tregtarët e Prefekturës së Beratit me veprimari në Lushnjë
Ndër tregtarët e Prefekturës së Beratit që ushtronin veprimarinë në Lushnjë kemi dy kategori kryesore: tregtarë she sipërmarrës në kategorinë “manifaturë e vogëlsina” dhe ata që “merren me eksportimin e sendeve të ndryshme drith, etj”. Në kategorinë e pare përmenden: Mihal Bozo; Taqi Bozo; Andrea Papi; Jan Moisiu; Petro Llazo; Bush Bozo; dhe Kiç Puka. Kurse në kategorinë e “eksportuesve të sendeve të ndyshme drith, etj.” përmenden: Laz Boz; Kov Bozo; dhe Ahmet Resuli.
Tregtarët e Prefekturës së Beratit me veprimtari në Fier
Lista e tregtarëve dhe sipërmarrësve me veprimtari në Fier ishte më e gjerë sa i takon spektrit të veprimtarisë tregtare dhe eksport-importit. Po ashtu,për herë të parë aty gjejmë një tregtar që kategorizohet si “barnator”, dhe pikerisht një Sotir Bitri. Në Fier gjejmë po ashtu më fort të ngulitur institutin e sipërmarrjes në vëllazëri. Tregtarët dhe sipërmarrësit kryesorë sipas kategoritë përkatëse përmenden si vijon:
Vëllazën Gjata – ku si lloj tregtie përmendet “kolonial dhe lëkurash gjithfarësh; eksporton e importon mallnat e vendit, drith, etj”.
Vëllazëria Veria – “importon e eksporton mallra vendi”;
Idriz Bjuloja – “kolonial dhe import/eksport mallra vendi”. Në të njëjtën kategori janë edhe Adem Cuba e Vëllazën; Ban Nito; Kozma Gjini; Taq Bozdo; Koço Papuçiu dhe Ramiz Omari.
Tregtarët e Prefekturës së Beratit me veprimtari në Vlorë
Për vetë pozitën gjeografike si port i rëndësishëm tregtar, Vlora jepte hapësirë më të gjerë në veprimtarinë e sipërmarrjes dhe tregtisë. Prandaj edhe fusha e tregtisë dhe e sipërmarrjes këtë është më e larmishme. Në krye të listës për Vlorën është një “Ligor Panajoti e vëllezër”, veprimaria e të cilit jepet si vijon: “Përfaqësues &depoziton, importon, eksporton sapunëra, toilette, alcool, miell, baker, etj.” Madje “Llazër Panajoti e Vëllezër” listohet dy herë, me tjetër numër rendor në tabelën përkatëse, dhe me veprimtari që përfshin: “industrial, fabrika paketash (qese letre), shitës me shumicë dhe komisionar dhe axhent shëtitës në Shqipni”.
Lista e Vlorës përfshin edhe këta sipërmarrës e tregtarë:
Qamil Cara; Ban Dema – “kolonial, import-eksport mallra vendi”;
Gaq Papa & Vllazër; Kusta Capo; Llazar Sota; Vasil Taso – “manifakturë me shumicë e kinkaleri”;
Liçe Xhega – “kolonial dhe mallra vendi:; dhe
Mihal Kusta – “manifaturë e kinkaleri”.
Shënojmë se lista nuk përfshin tregtarët dhe sipërmarrësit e Prefekturës së Vlorës me veprimtari në qytet, që do të botohet tjetër here.
Lista mbyllet me tregtarët dhe sipërmarrësit me veprimtari në Ballsh
Ata janë:
– Mosko Panajoti – Manifaturë
– Safet Hyseini – Manifaturë
-Lazzar Paftali – Manifaturë
-Lluk Papa -Spicer
-Lutfi Hysein -Tregtar.
Origjinali i dokumentit jepet bashkëngjitur. Sikurse përmendëm, lista e tregtarëve dhe sipërmarrësve në një ndër prefekturat kryesore të vendit përcjell fillesat e kapitalizmit shqiptar nën administraten e Mbretit Zog. Eshtë me interes të gjurmohet fati i atyre tregtarëve dhe sipërmarrësve të lartpërmendur dhe zhvillimi apo përfundimi i veprimtarisë së tyre në ngjarjet e vrullshme dhe tragjike që e prisnin vendin në vitet e mëpasme.