ALBANIAPRESS.COM PO I MBRONË SHPIFJET E RAMADAN PLLANËS NDAJ LNÇKVSHJ, METUSH KRASNIQIT, JUSUF GËRVALLËS DHE….

Reagimi i Shefqet Jasharit – Strofci ndaj Albaniapress’it për mosbotimin e shkrimit “PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ”, si reagim ndaj shkrimeve të tij të botuara në këtë portal:

ALBANIAPRESS.COM PO I MBRONË SHPIFJET E RAMADAN PLLANËS NDAJ LNÇKVSHJ, METUSH KRASNIQIT, JUSUF GËRVALLËS DHE….

Të nderuar zotëri Smajli dhe Nushi, Para dy ditësh ua kemi dërguar një shkrim-reagim me titull: Pse gënjen dhe shpif Ramadan Pllana për LNçKVSHJ dhe udhëheqjen e saj. Po qe se ka arrijtur shkrimi në redaksinë e juaj, ju lutemi të na informoni se kur do ta publikoni. Po qe se keni ndonjë pengesë të çfardo natyre po ashtu do të bëni mirë të na njohtoni. Mbesim me shpresë se do të përgjigjeni në këto kërkesa tona. Duke dëshëruar suksese edhe më të mëdha në punën e Juaj të çmuar dhe shumë të vlefshme, ju përshëndesim me përshëndetjen më të mirë: Paqa mëshira dhe bekimi i Zotit Fuqiplotë qofshin mbi Ju.

Shefqet jashari-Strofci

_______________

Pershendetje

Reagimi i juaj vjen me vonese dyvjecare (2), dhe tashme e ka humbur edhe kuptimin e saj. Ky reagim do te mund te botohej ne ndonje liber, e jo ne faqen tone.

Konsiderojme se kjo gje duhet debatuar mes jush dhe zotit Pllana, dhe nuk ka nevoje qe te perhapet edhe me gjere. Reagimi juaj nuk permbane plotesisht gjuhe te permbajtur e brenda etikes gazetareske.

Do te ishim te detyruar ta botonim Reagimin tuaj vetem atehere kur Z, Pllana merret direkt me ju, ose me veprimtarine tuaj, pra nese ishte bere fjale per ju.

Nese Z. Pllana shkruan dicka ku perfshihet edhe emri i juaj e veprimtaria e juaj, atehere do ta botojme patjeter Reagimin tuaj…

Ne nuk mund ta shnderrojme faqen e albaniapress-it ne arene konfrontimesh mes jush dhe Z. Pllana.

Konsiderojme se ju duhet t’i zgjidhni vete problemet, ne menyre private, pa buje ne media….

Ju falenderojme per mirekuptim!

Gjithe te mirat!

Redaksia

_______________________

ALBANIAPRESS.COM PO I MBRONË SHPIFJET E RAMADAN PLLANËS NDAJ LNÇKVSHJ, METUSH KRASNIQIT, JUSUF GËRVALLËS DHE….

Shkruan: Shefqet Jashari-STROFCI,

Të nderuar anëtarë të Redaksisë së Albaniapresss-it,

Përgjigja e juaj se reagimin tim nuk do ta publikoni, duke i numruar disa shkaqe, apo arsye, është një vendim që bie në kundërshtim me ”betimet’’ tuaja se ”Albaniapresssi është faqe interneti e pavarur”, dhe ka për qëllim ”t’a informojë opinionin mbarëshqiptar dhe mbarëkombëtar me rrjedhat e ngjarjeve’’ që zhvillohen në hapësirën tonë kombëtare.

U shtrohet pyetja ” shefave’’ të Albaniapresssit se, me publikimin e Reagimit tim, ” Pse Ramadan Pllana gënjen dhe shpifë LNÇKVSHJ dhe udhëheqjen e saj”, në faqet e Albaniapresss-it, aty ku edhe është publikuar intervista e Ramadan Pllanës para dy vitesh, nën titullin domethënës ”Dëshmi të kohës”, do t’a ndihmonte opinionin publik të vie deri te e vërteta se ishte apo nuk ishte Komiteti Qendror i LNÇKVSHJ ’fiktiv apo i imagjinuar’’ dhe i ” trilluar’’, siç „dëshmon’’ Ramadan Pllana në intervisten e tij.

Sigurisht se opinioni ynë do të ndihmohej po t’i kishte përballë qëndrimet e mia dhe qëndrimet e Ramadan Pllanës dhe se vetëm në bazë të krahasimit të fakteve, të të dhanave dhe argumenteve që i kemi paraqitur unë dhe zotëri Pllana, lexuesit e Albaniapresss-it do të përcaktohen se cili nga ne të dy, unë apo Ramadan Pllana, e flet të vërtetën dhe cili nga ne gënjen dhe shpifë. Shtrohet pyetja se si mund të konsiderohet Albaniapresss-i faqe interneti e pavarur kur e favorizon Ramadan Pllanën ndaj meje, duke i mbrojtur gënjeshtrat dhe shpifjet e tij ndaj LNÇKVSHJ, Komitetit Qendror, Metush Krasniqit, Jusuf Gërvallës, Sabri Novosellës, Shefqet Jasharit, Sheremet Saraçit, Xhafer Durmishit, Asllan Muharremit dhe anëtarëve të KQ, indentitetin e të cilëve nuk e ka ditur Ramadan Pllana.

Të shohim se në cilën ”shkumë’’ të detit, apo në cilat „shkaqe’’ mbështeten ” shefat’’ e Albaniapressit, për t’a arsyetuar vendimin e tyre për mos publikimin e reagimit tim në Albaniapress, pra në faqen e tyre të ” pavarur’’.

Shkaku (arsyeja) i parë: Se gjoja reagimi im ka mbërri me një ”vonesë dyvjeçare’’ dhe si i tillë ” e ka „humbur kuptimin’’ për t’u publikuar. Shtrohet pyetja për anëtarët e Redaksisë: po qe se unë kam arsye të forta, e të dëshmuara me dokumente zyrtare (të vulosura me „dy vula“, me vulën „e rrumbullakët“ dhe me vulën „katrore“), atëherë a do t’a publikonit reagimin tim, të nderuar zotërinj të Albaniapresss-it?! Me siguri përgjigja e juaj përsëri do të jetë negative, në bazë të shkaqeve apo preteksteve tjera që do të thuheshin me këtë rast.

Tani do t’i pyesim ”shefat’’ e ”Albaniapresss-it’’: Pasi që reagimit tim kundër shpifjeve të Ramadan Pllanës i paska kaluar ” ajami’’ i publikimit, sepse qenkam ”vonuar“ shumë, ndërsa shpifjet e Ramadan Pllanës kundër LNÇKVSHJ dhe udhëheqjes së saj, po sipas asaj logjike, edhe ato janë ”moçmuar” dhe si të tilla ju ka” dalur boja’’, pra nuk kanë vlerë se janë moçmuar, atëherë pse zotërinjt e Albaaniaprss-it, po i ruajnë në arkivin e faqes së tyre, jo vetëm shpifjet e Ramadan Pllanës, por të gjitha shkrimet që i kanë publikuar që nga fillimi i veprimtarisë së tyre, duke i lënë kështu në dispozicion të lexuesve për t’i shfrytzuar ato për qëllime të ndryshme.

A nuk tregon kjo se ”shefat’’ e Albaniapresss-it janë mjeshtër të hileve?! Ata po dëshmojnë se për dikend janë „nënë’’ dhe për dikend „njerkë’’, me rastin e refuzimit për publikimin e reagimit tim. Po, „shefat’’ e Albaniapresss-it po ma bëjnë me hile, kur shpifjet e Ramadan Pllanës po i ruajnë në arkivin e tyre, duke shpresuar se ”historianët“ e rrahagjoksave të Kosovës do t’i përdorin për t’a shkruar „Historinë“ e Kosovës sipas porosisë së bajraktarëve të „farës ruse’’. Pra ata po i mbrojnë shpifjet e Ramadan Pllanës, të përmbledhura në intervistën e tij: ”Dëshmi të kohës’’, duke mos lejuar që, në po të njejtin arkiv, të publikohen dhe ruhen edhe argumentet e mia të shkoqitura në reagimin tim për të vetmin shkak se, kështu, do të bien poshtë gënjeshtrat dhe shpifjet e zotëri Pllanës.

Shkaku (arsyeja) i dytë: Shkaku apo arsyeja e dytë e stafit udhëheqës të Albaniapresss-it, pse ata nuk dëshirojnë që t’a publikojnë reagimin tim është se ata ”nuk mund t’a shndërrojmë faqen e Albaniapresss-it në arenë konfrontimesh’’ në mes meje dhe Ramadan Pllanës. Prandaj ata, përpos rolit të ”liderëve’’ të romantizmit shqiptar të shekullit 21, dëshirojnë t’a luajnë edhe rolin e pleqnarit, kur propozojnë ” Ky reagim do te mund te botohej ne ndonje libër, e jo ne faqen tonë. Konsiderojmë se kjo gjë duhet debatuar mes jush dhe zotëri Pllana, dhe nuk ka nevojë që të perhapet edhe më gjerë.’’

Siç po shihet, në bazë të „këshillave’’ që po m’i japin ”shefat’’ e Albaniapresss-it, përpos zotësisë së tyre për t’a mbajtur dubë ”Agjensinë Informative Shqiptare’’ ata kanë edhe një prirje (talent) shumë të kërkuar sot në kohën e rrahagjoksave të Kosovës – atë të luajtjes së rolit të ”këshilltarit’’ për bajraktarët e farës ruse, këshilla për të cilat ata kanë nevojë shumë të madhe. I falenderoj shumë – shumë e shumë,” shefat’’ e Albaniapressit për këtë shërbim që po m’a bëjnë, duke më „këshilluar’’ se ku mundem t’a ”botoj” reagimin tim.

Sa i përket ”këshillës” tjetër se ”sherri” që ka lindur në mes meje dhe Ramadan Pllanës mund të zgjidhet duke ”debatuar“ me njëri – tjetrin, është plotësisht e drejtë. Por, a nuk është kjo një hipokrizi e tyre, sepse unë nuk po kërkoj prej tyre asgjë më tepër përpos që të m’a mundësojnë debatin me Ramadan Pllanën për çështje të cilat nuk janë aspak ”private’’ siç pretendojnë ”shefat” e Albaniapressit, por janë çështje që kanë të bëjnë me ngjarje shumë të rëndësishme historike; çështje që kanë të bëjnë me veprimtarinë e LNÇKVSHJ dhe veçmas me veprimtarinë e Metush Krasniqit dhe Jusuf Gërvallës – dy personaliteteve të shquara të historisë tonë kombëtare, dy heronjve të Kosovës dhe kombit shqiptar.

Po qe se mendojnë” shefat” e faqes së tyre „të pavarur’’ se unë me Ramadan Pllanën duhet të debatojmë nëpër kafenetë e Zvicrës, se ”nuk ka nevojë qe te perhapet edhe me gjere’’ polemika në mes nesh në medie, kjo tregon se „shefat’’ Albanapress-it as nuk janë të pavarur dhe as nuk kanë për qëllim që t’a informojnë opinionin gjithëshqiptar dhe gjithëkombëtar me ngjarjet që ndodhin në hapësirën tonë kombëtare, që me aqë bujë po e reklamojnë në Albaniapresss-in e tyre. Po të ishin të sinçerta reklamimet e ”shefave” të Albaniapress-it se faqja e tyre është e pavarur dhe se ka për synim qëllimet e lartëshënuara, atëherë edhe reagimi im do të zinte vendin e merituar në Albaniapress, aq kohë sa ka zënë vend intervista e Ramadan Pllanës, e pastaj ky do të ruhej në arkivin e saj – ashtu siç ruhet edhe intervista e zotëri Pllanës.

Është fakt, zotërinj të Albaniapress-it, se jemi në kohën e rrahagjoksave të Kosovës, „zaman“ shumë i vështirë që të thuhet dhe të mbrohet e vërteta, sepse, bajraktarët e ”farës ruse“, janë bërë ”faktorë“ që po ju shkon fjala. Ata, me punë të pista, edhe janë bërë pasanik të Kosovës, pa pritë e pa kujtuar dhe tani nuk po e kanë vështirë të blejnë ” intelektualë“ ashtu siç blehet malli e bagëtia në treg nga tregtarët!

Shkaku (arsyeja) i tretë: ”Shefat” e Albaniapresss-it, deklarojnë se Reagimi im nuk do të publikohet në faqen e tyre „të pavarur’’, sepse „nuk përmbanë plotësisht gjuhë të përmbajtur e brenda etikës gazetareske’’. Siç po shihet, ”shefat” e Albaniapress-it, përpos aftësive dhe prirjeve të lartëshënuara, ata po tregojnë se kanë edhe një prirje dhe aftësi të jashtzakonshme për të luajtur rolin e ”gjykatësit” dhe të „prokurorit“ përnjëherësh. Si duket ju ka ardhë ’’kysmeti’’ të ftohen nga bajraktarët e ”farës ruse“ për t’i zënë vendet e zbrasta në institucionet e „pavarura’’ të Drejtësisë së Kosovës – si gjykatës apo si prokurorë, për meritat e mëdha që kanë, duke e shpallur të pa „vlefshëm„ reagimin tim, pasi që, në bazë të vlerësimeve të tyre, unë nuk kam treguar ”gjuhë të përmbajtur brenda etikes gazetareske”.

Shtrohet pyetja për anëtarët e redaksisë së Albaniapress-it: Po qe se do të shkruaja një artikull për punën e tyre profesionale në redaktimin dhe mirëmbajtjen e Albaniapresss-it, duke ua nënçmuar, ç’vlerësuar, mohuar dhe pështyrë punën e tyre, pa pasur asnjë fakt, siç veproi Ramadan Pllana – veçmas ndaj Metush Krasniqit dhe Jusuf Gërvallës, a thua do të mbeteshin edhe më tutje „mbrenda etikes gazetareske” „shefat’’ e Albaniapresss-it, duke mos qarë kokën se çka shpifet për punën dhe veprën e tyre?!

Prandej edhe ky shkak apo kjo arsye e shpifur e ”shefave’’ të Albniapress-it bie poshtë si e pa vlefshme dhe jo e sinçert.

Shkaku (arsyeja) i katërt. Të shohim edhe shkakun apo arsyen e radhës pse „shefat’’ e Albaniapress-it nuk kanë mundësi t’a publikojnë reagimin tim: „Pse Ramadan Pllana gënjen dhe shpifë LNÇKVSHJ dhe udhëheqjen e saj’’„Ne nuk mund ta shëndërrojmë faqen e Albaniapresss-it në arenë konfrontimesh mes jush dhe Z. Pllana. Konsiderojmë se ju duhet t’i zgjidhni vete problemet, ne menyre private, pa buje ne media….’’ Po qe se zotërinjtë e Albanniapress-it e kanë lexuar intervistën e Ramadan Pllanës të publikuar në faqen e tyre e së këndejmi edhe reagimin tim të dërguar para disa ditësh, është krejt i pa logjikshëm dhe tepër i padrejtë konstatimi i tyre se mosmarrëveshjet – problemet që kanë lindur në mes meje dhe Ramadan Pllanës, janë „private’’, prandaj, sipas tyre ne „duhet t’i zgjedhim vet problemet në mënyrë private, pa bujë në media…’’ .

Zotërinj të Albaniapresss-it, unë me Ramadan Pllanën nuk kemi ‘’probleme’’ se ai m’i ka pre „therrat e murrizit’’, në malin që ma ka lënë baba, as për shkak se unë ia kam ‘’prishur’’ mexhen e arave Ramadan Pllanës.

Problemi në mes meje dhe Ramadan Pllanës nuk është „privat’’ siç dëshironi t’a paraqitni ju. Ai ka lindur për shkak se ju ia keni mundësuar Ramadan Pllanës t’i publikojë gënjeshtrat dhe shpifjet në faqen e juaj, kundër LNÇKVSHJ dhe udhëheqjes së saj, veçmas kundër Metush Krasniqit, Jusuf Gërvallës dhe Sheremet Saraçit (të cilët tashmë nuk kanë mundësi të mbrohen ndaj shpifjeve të Ramadan Pllanës).

Ju, zotërinj të Albaniapresss-it, duke mos e botuar reagimin tim ndaj shpifjeve të R. Pllanës, haptas po e merrni në mbrojtje Ramadan Pllanën dhe po i përkrahni shpifjet e tij ndaj LNÇKVSHJ dhe veçmas ndaj Metush Krasniqit dhe Jusuf Gërvallës.

Shkaku (arsyeja) i pestë. Të shohim shkakun dhe arsyen e fundit pse reagimi im nuk mund të publikohet në faqen e „pavarur’’ të Albaniapress-it:

„Shefi’’ i „shefave’’ të Albaniapresss-it deklaron: ”Do të ishim te detyruar ta botonim Reagimin tuaj vetem atehere kur Z, Pllana merret direkt me ju, ose me veprimtarine tuaj, pra nese ishte bere fjale per ju.

Nese Z. Pllana shkruan dicka ku perfshihet edhe emri i juaj e veprimtaria e juaj, atehere do ta botojme patjeter Reagimin tuaj…’’

Siç duket „shefi’’ i „shefave’’ të Albaniapresss-it, nuk ka pasur kohë t’a lexojë reagimin tim. Dhe vetëm në bazë të titullit është „orientuar’’, për t’a vlerësuar se bënë apo nuk bënë për t’a publikuar. Apo ndoshta ia ka lëshuar një sy, sa për të ju thënë „kolegëve’’ të tij se e „lexova’’, por në fakt – nuk e ka lexuar. Po t’a kishte lexuar reagimin tim, „ shefi’’ i „shefave’’ të Albaniapresss-it, me siguri do të kuptonte se Ramadan Pllana, jo vetëm që është marrë „drejtpërdrejt’’ me mua dhe „veprimtarinë’’ time, por ai edhe ka shpifur rrast gjëra që janë aq të pa kapshme dhe aq të pa logjikshme, jo vetëm për mua, por edhe për LNÇKVSHJ, organin udhëheqës të organizates – KQ dhe udhëheqjen e saj, veçmash për Metush Krasniqin, Jusuf Gërvallën, Sabri Novosellën e shumë të tjerë. Këtë që po e them unë, ”shefi’’ i “shefave’’ të Albaniapresss-it mund ta vërtetojë po qe se nuk e ka hudhur ende në shportë reagimin tim. Pra, të nderuar zotërinj të Albaniapress-it, jo vetëm sa për kurreshtje, lexojeni reagimin tim dhe moralisht duhet që të njejtin t’a publikoni në portalin tuaj.

Për ta përmbyllur këtë letër dua të shtoj se nuk është rastësi që ne shqiptarët jemi katandisur në këtë gjendje të mjeruar. Po të vazhdohet kështu, edhe për shumë kohë, do të mbesim gazi i botës dhe „vrima e fundit e kavallit’’.

Le Locle, 07.04.2012 (Zvicër)

________________

PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ (1 – 13)

REAGIM NË ’’INTERVISTË KUJTIMESH NGA NJË VEPRIMTAR I RADHËVE TË PARA TË LËVIZJES ILEGALE, QË NGA VITET 70-ta’’ i publikuar në ’’Albaniapress’’më 17 mars 2009, dhe në disa Web faqe në Internet.

Shkruan: Shefqet Jashari – Strofci

=============================

Shkrimet e Ramadan Pllanës “Dëshmi të kohës – për Organizatën LNÇKVSHJ, botuar në portalin pashtriku.org:

RAMADAN PLLANA: DËSHMI TË KOHËS – PËR ORGANIZATËN LNÇKVSHJ (I)

***

RAMADAN PLLANA: DËSHMI TË KOHËS – PËR ORGANIZATËN LNÇKVSHJ (II)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura