PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ (11)

Reagim me shkas ndaj rrenë – shpifjeve të Ramadan Pllanës

PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ (11)

Shkruan: Shefqet Jashari – Strofci

RAMADAN PLLANA SPEKULON ME KQ TË LNÇKVSHJ, DUKE MOHUAR DHE FALSIFIKUAR SHUMË TË DHËNA DHE ARGUMENTE QË KANË TË BËJNË ME FUNKSIONIMIN E TIJ

Të shikojmë se ç’mjeshtri perfide përdorë Ramadan Pllana për t’i falsifikuar ngjarrjet dhe të dhënat që kanë të bëjnë me LNÇKVSHJ dhe organin udhëheqës të saj Komitetin Qendror. Ramadan Pllana, duke keqpërdorur faktin se edhe ai vet për 7-8 muaj (prill-nëntor 1979) ishte anëtar i KQ-së, të LNÇKVSHJ, me intervistën e tij si dhe shkrimet tjera që kanë të bëjnë me LNÇKVSHJ, përpiqet t’i arrijë dy qëllime: Në njërën anë mundohet për ta ngritur vetvehten (me pyka), kurse në anën tjetër për t’i ulur, nënçmuar dhe mohuar shumë të tjerët, të cilët i ka njohur, apo si ka njohur fare personalisht, e as që e ka e njohur punën dhe veprën e tyre në kuadër të LNÇKVSHJ dhe të KQ, para se të jetë burgosur në nëntor të vitit 1979.

Sa i përket çështjes së themelimit të LNÇKVSHJ, Ramadan Pllana e trajton këtë çështje në bazë të të dhënave kontradiktore që i ka hasur nëpër shkrime të autorëve të ndryshëm dhe në bazë të të dhënave që i ka sajuar dhe përpunuar vet, për të ardhur kështu në përfundimin që atij ju ka dukur më i saktë, më i drejtë dhe më i përshtatshëm. Pra ai e merr për datë të themelimit të Lëvizjes verën e vitit 1977. Edhe unë deri para pak kohe, deri sa nuk e kam lexuar të plotë dhe me vëmendje intervistën e Ramadan Pllanës, kam qenë në dilemë për datën e formimit të Lëvizjes. Tash, pas krahasimit të ngjarjeve që kanë ndodhur gjat vitit 1976/77 dhe pas një meditimi të nevojshëm për këtë çështje, e kam të qartë dhe me siguri të plotë dëshmoj se themelimi i LNÇKVSHJ është bërë në verën e vitit 1976, e kurrësesi në verën e vitit 1977. Por, për këtë çështje, nuk është e nevojshme të bëhen polemika e as të brengoset kush, ngase dokumentin për themelimin e LNÇKVSHJ e pat dërguar përfaqësuesi i KQ i LNÇKVSHJ në Shqipëri, pranë organeve përkatëse, menjëherë pas themelimi të organizatës dhe se, me siguri, ai dokument gjendet në njërin nga arkivet e rujtura mirë të Shqipërisë.

Të shikojmë se si përgjigjet Ramadan Pllana në pyetjen e intervistuesit: ‘’Sa anëtarë kishte Komiteti Qëndror dhe kush ishin në kry të tij’’.

Intervistuesi kërkon nga Ramadan Pllana t’i përgjigjet qartë dhe shkurt në dy pyetje: sa anëtarë kishte KQ-ja (pytja e parë) dhe pyetja e dytë: kush ishin në krye të tij.

Ramadan Pllana edhe pse i ka pasur të gatshme përgjigjet, në bazë të dëshmive të mia që ia kam dhënë revistës ‘’DRITA’’, të botuar më 1997 në Suedi, po edhe të letrave që i kemi shkëmbyer me zotëri Sheradin Berishën gjatë vitit 2003 për çështjen e themelimit të LNÇKVSHJ dhe të KQ-së. (Ramadan Pllana ka pranuar se është shërbyer me të dhënat e këtyre dy burime), ai nuk është shërbyer me to, apo është shërbyer duke i manipuluar faktet.

Pasi që Ramadan Pllana kishe për qëllim të spekulonte me numrin e anëtarve të KQ-së dhe me kreun e organizatës, ai, në vend se të japi përgjigjen e kërkuar, kalon në çështje tjera të KQ-së, pastaj bëri ca shpifje dhe, në fund, jep një përgjigje të klonuar për dy pyetjet e interveistuesit.

Citojmë ‘’dëshmitë’’ e ‘’veprimtarit të orëve të para’’:

Dëshmia e parë: ‘’Tani po flas për ‘’Komitetin Qëndror’’të LNÇKVSHJ-së. ‘’Në fillim, ne nuk dinim për atë Komitet asgjë, sepse, në Organizatë ishim shumë konspirativ.’’ (Fjala në fillim, na jep të kuptojmë se ai më vonë paska mësuar shumë gjëra për KQ-në, por asnjë herë nuk tregon burimin e të dhënave dhe as kohën (muajn, vitin, kur ka mësuar për ato të dhëna.)

Rrena e parë: Kjo është një rrenë e kulluar, sepse Ramadan Pllana që nga dita kur ai e ka shkri grupin e tij ’’Shkëndiat e kuqe’’në vjeshten e vitit 1978 në LNÇKVSHJ, është bërë anëtar i Organizatës, së bashku me anëtarët e grupit të tij. Për të qenë anëtar i organizatës, kandidatët është dashur ta lexojnë dhe ta pranojnë Statutin e Organizatës dhe ta bëjnë betimin. Këto dokumente (Statutin dhe Betimin) ia kam dhënë Ramadan Pllanës. Prandaj, Statuti i ka përcaktuar detyrat e anëtarit të organizatës dhe detyrat e anëtarit të KQ të LNÇKVSHJ etj. Pra është rrenë e kulluar të thuhet se në ‘’fillim nuk dinim për atë Komitet asgjë’’.

Dëshmia e dytë: ‘’ Shefqet Jashari (…) ishte kordinatori kryesor në mes meje e Sabri Novosellës dhe, poashtu në mes meje e Metush Krasniqit. Me Jusuf Gërvallën, Shefqeti nuk njihej. Sabriu, ishte kordinatori në mes nesh.d.m.th.në mes meje e Shefqetit, me Jusufin. Për vijën Metush – Sabri – Jusuf, nuk kam ditur as atëherë dhe nuk di as sot’’

Po kush, atëherë, paska qenë koordinatori dytësor (jo kryesor) mes Ramadan Pllanës e S. Novosellës???!!!

Rrena e dytë: A thua kush mund ta ketë të qartë këtë pshtjellim të fjalëve të Ramadan Pllanës, i cili, në vend se të përgjigjet në pyetjen e intervistuesit për numrin e anëtarëve të KQ-së, ai spekulon me funksionimin e KQ-së. Ai i përmend disa prej personaliteteve që e kanë drejtuar LNÇKVSHJ, por, për kohën që flet, pra për aq sa ishte anëtar i KQ-së (prill-nëntor 1979) Ramadan Pllana nuk ka ditur për identitetin e tyre, (as me emra të vërtetë dhe as me pseudonime), përpos meje (Shefqet Jasharit), që isha lidhje komunikimi në mes tij dhe një anëtari të KQ-së, kur kishim të bënim me marrjen e ndonjë vendimi, apo shqyrtimin e ndonjë propozimi që kishte të bënte me veprimtarinë e LNÇKVSHJ. Por, çështjen e funksionimit të KQ-së, tashmë, e kam shpjegar më herët në këtë shkrim, prandaj nuk e shoh të udhës t’a trajtojë edhe një herë.

Sipas ’’dëshmive’’ të Ramadan Pllanës, shifet se ai është munduar, duke hargjuar kohë dhe franga, për të ardhur deri të ‘’argumentet’’ se sa anëtarë kishte Komiteti Qendror i LNÇKVSHJ.

Citojmë’’dëshmitë’’ e tij: ‘’Dhe në bazë të veprimtarisë sime në LNÇKVSHJ, të lidhjeve të mia, të tërthorta apo të dretpërdrejta, me këtë ’’Komitet Qëndror’’sipas të dhënave që jep Shefqet Jashari, në revisten’’Drita’’ të vitit 1997, botuar në Suedi, pastaj pas bisedave, si private në Kosovë, si me telofonata me disa shokë të Lëvizjes sonë, me Sheremet Saraçin, Ismet Saraçin, Asllan Muharremin, Rexhep Ahmetin dhe Xhafer Durmishin, që të pestit të lidhur drejtpërsëdrejti me mua ose me Shefqet Jasharin apo Sabri Novosellën, kam arritur në përfundim se në këtë ‘’Komitet Qëndror’’ ishin: Metush Krasniqi, Sabri Novosella, Shefqet Jashari, Jusuf Gërvala dhe Ramadan Pllana”. Në intervistën e përmendur të Shefqet Jasharit, përveç tjerash thuhet: “Ideja për themelimin e LKÇKVSHJ-së ka lindur në pranverën e vitit 1976, ndërkaq, pas disa takimesh me veprimtarë të shumtë në pushimet e verës (korrik-gusht) të atij viti, në shtëpinë e Sabri Novoselllës, është mbajtur Mbledhja për formimin e kësaj Organizate. Në këtë mbledhje ishin prezentë: Metush Krasniqi, Sabri Novosells dhe Shefqet Jashari. Aty, u raportua për formimin e disa celulave. Metushi, ka formuar 5 celula (prej tyre, një në Shkup), Sabriu, 3 celula dhe Shefqeti, 2 celula”. – Fakte të tjera nuk ka.’’

Është për t’u habitur me qëndrimin mohues dhe injorues të Ramadan Pllanës ndaj meje dhe të dhënave që i kam publikuar në gazetën ‘’Drita’’, duke ditur se edhe unë kisha marrë pjesë në themelimin e LNÇKVSHJ dhe organit udhëheqës të saj, KQ-në. Madje, Ramadan Pllana, ka pasur mundësi të bisedojë me mua për këtë çështje, sepse jetojmë jo larg njëri tjetrit në Zvicër, madje edhe për faktin se, siç e din edhe ai vet, unë kam pasur të dhëna për KQ-në e LNÇKVSHJ më tepër se të gjithë ata së bashku me të cilët është konsultuar zotëri Pllana, jo se kam pasur dije, merita apo aftësi superiore ndaj tyre, por për shkakun e vetëm se rrethanat historike apo fati m’a mundësuan që t’i kem ato të dhëna.

Për ta pasur të qartë lexuesi se është apo nuk është e vërtetë dëshmia e R. Pllanës, mbi të dhënat e LNÇKVSHJ që gjenden në gazetën DRITA, jam i detyruar t’i publikoj disa të dhëna (dëshmi) nga letrat e shkëmbyera (nga letra e parë) gjatë vitit 2003, në mes meje dhe zotëri Sharadin Berishës, i cili kishte dëshirë të tubonte të dhëna për të shkruar për veprimtarinë e LNÇKVSHJ. Citojmë disa fragmente nga letra e parë që ma dërgoi Sheradin Berisha, në maj të vitit 2003, me rastin e leximit të Intervistes time, të botuar më 1997 në gazetën DRITA:

‘’Z. Shefqet, Më 9 maj 2003 përmes postes e mora disketën, në të cilën ma kishit përcjellur Intervistën tuaj të botuar në revistën’’Drita’’që del në Suedi. (…) ’’Zotëri Berisha i thekson disa prej të dhënave që i ka gjetur në atë Intervisë: .’’Ditën e formimit të LNÇKVSHJ-së Komiteti Qëndror i saj ka patur 9 anëtarë: Metush Krasniqi, Sabri Novosella, Shefqet Jashari dhe 6 kryetar të Komiteteve Qarkore të LNÇKVSHJ-së.’’ ‘’Pas një kohe në Komitetin Qëndror të LNÇKVSHJ-së janë pranuar edhe 6 anëtarë të rinj dhe numri i udhëheqjes qëndrore ka arritur në 15 anëtarë….’’ ‘’LNÇKVSHJ-ja kishte:

a) Komitetin Qëndror;

b) Komitetet Qarkore (të qyteteve); dhe

c) Komitetet e Vendit (në fshatra, organizata punuese etj)’’. (…)

Në bazë të të dhënave që na i jep zotëri Sheradin Berisha, hudhet poshtë dëshmia e R. Pllanës, se ‘’fakte tjera nuk ka’’ në Intervistën e lartëshënuar përpos atyre që i shënon Ramadan Pllana për LNÇKVSHJ.

Për t’u dhanë argumente tjera plotësuese lexuesëve të kopallave të R. Pllanës, se nuk është e vërtet se në Intervistën time ‘’fakte tjera nuk ka ‘’ përpos atyre që i shënon Ramadan Pllana për LNÇKVSHJ, e shoh të udhës t’i nxjerri disa fragmente nga Intervista ime dhënë gazetes ‘’DRITA’’.

DRITA: Gjatë viteve të 70-ta ishte një frymë paksa më liberale në Kosovë. Gjatë kësaj kohe lindi edhe LNÇKVSHJ-a. Meqë Ju jeni njëri nga themeluesit e LNÇKVSHJ-së a ka mundësi të na thuani për gazetën Drita se kur u krijua ajo Lëvizje, kush mori pjesë në themelimin e saj, si u organizua Lëvizja në fjalë dhe cili ishte qëllimi i themelimit të saj.

Sh.Jashari: (…) Duke ditur se me vdekjen e Titos nuk do të ketë personalitet që do t`i mbajë nën kontroll nacionalizmin kroato-slloven dhe shovenizmin serb, dhe si rrjedhim i kësaj gjendje do të vijë deri te shkapërderdhja e Federatës Jugosllave, Metush Krasniqi, Sabri Novosella dhe unë, pas bisedave të shumta që i zhvillonim herë në shtëpinë e Sabriut e herë në shtëpinë e Metushit, por duke u konsultuar çdo njëri prej nesh edhe me shokë me të cilët kishim besim të plotë, vendosëm ta formojmë një Organizatë, thjeshtë kombëtare, pa ngjyrime ideologjike. Donim të ishim të përgaditur, që në momentin e duhur Lëvizja jonë të jetë e zonja t`i prijë popullit për t`i prerë prangat e robërisë dhe për të realizuar ëndrrën e shenjët për çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare, dhe bashkimin e tyre me Nënën Shqipëri. Parapërgaditjet kanë filluar në pranverë të vitit 1976 dhe kanë zgjatër disa muaj. (….) U muarëm vesh, që çdonjëri prej nesh t`i zgjedhi shokët me të cilët do të punojë në formimin e celulave të para. Celulat duhet të formoheshin prej njerëzve që s`kanë qenë të burgosur politik, që për pushtetin kukull të Kosovës të mos jenë të përcjellur, të jenë autoritativ në vendet ku jetojnë dhe punojnë, të kenë aftësi organizative, përvojë jetësore, dhe mbi të gjitha të jenë atdhetarë të mirëfilltë. (…) Mbledhjen për formimin e Organizatës e bëmë në shtëpinë e Sabri Novosellës. Çdo njëri raportum për punën tonë: Nga sa çelula i kemi formuar (…) Bilansi i përgjithshëm i punës tonë ishte kështu: Unë i pata formuar dy çelula, Sabriu tri çelula, kurse Metushi pesë çelula. Një çelulë e kishte pas formuar në Shkup. Shumica e njerëzve të pyetër nga ne kishin shprehur dëshirën që Organizata ta merrë emrin: ’’Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi’’. U vendos që Metush Krasniqi të jetë kryetar i Lëvizjes, që vetëm atij t`ia tregojmë emrat e vërtetë të përgjegjësve të Celulave dhe të gjitha msheftësitë tjera. U vendos që Celulat e formuara t`i shëndrrojmë në Komitete Qarkore (Komitete të komunave), dhe përgjegjësit e atyre të jenë kryetarë të Komiteteve Qarkore. Që udhëheqja e Komiteteve Qarkore të jetë prej tre anëtarëve. Që çdo antarë i tyre të formoi Komitete të Vendit, ku ata kanë mundësi, (në qytete, fshatra, organizata punuese etj.) me kujdesin më të madhë, që mos të depërtojnë në radhët tona njerëz që do t`i sjellin dëme Lëvizjes drejtëpërdrejtë apo tërthorazi. U muarëm vesh që antarët e udhëheqësive të Komiteteve Qarkore të mos ia tregojnë njëri tjetrit emrat e përgjegjësve të Komiteteve të vendit, si dhe u muar vendimi që askush nuk guxon ta pranoj askend për antarë Lëvizjeje pa e njohut mirë më së paku dy vjet. Po ashtu u vendos që në vend të emrave të përdoren pseudonimet. Atë ditë u krye edhe betimi, tekstin e të cilit e pat përgaditur Sabriu. Betimi u bë para fotografisë së Skenderbeut dhe Flamurit kombëtarë. U morëm vesh që Projektstatutin e Lëvizjes t’a përgaditë Metushi. Takimi tjetër për aprovimin e Statutit u vendos ta bëjmë në shtëpinë e Metush Krasniqit. Për çështjet që diskutuam atë ditë e kishim edhe mendimin e të gjithë përgjegjësve të çelulave të formuara. Prandaj vendimet e marra atë ditë ishin në përputhje të plotë me mendimet e përgjegjësve të celulave të formuara (…) Në fund të mbledhjes unë dhe Sabriu veç e veç ia kemi treguar (Metushit) emrat e vërtetë të përgjegjësve të celulave. Me këtë akt Metush Krasniqi (përkundër rrefuzimit të tij që zgjedhja e kryetarit të bëhet në këtë çast) faktikisht u bë kryetar i Lëvizjes.

Pas dy muajve, u mbajt Mbledhja për shqyrtimin e Projektstatutit. Janë bërë ca ndryshime të vogla me kërkesën e Sabriut dhe dy kryetarëve të Komiteteve Qarkore.

DRITA: shtë e njuhur ajo se Lëvizja ishte tejet konspirative. A ju kujtohen shtyllat themelore në të cilat është mbështetur veprimtaria e Juaj ilegale?

Sh.Jashari: Për të mos ardhur te zbulimi i plot i Lëvizjes, siç ka ndodhur në Organizatat e mëparshme, ne vendosëm, që konspiracioni të jetë në shkallën më të lartë që është e mundur. Dua ta marrë si ilustrim vetëm një rast prej shumë rasteve tjera të ngjashme. Ta zëmë, rastin kur është futur në Kryesinë e ngushtë Jusuf Gërvalla. Unë nuk kam ditur se si quhet, çfarë profesioni ka, ku punon dhe jeton dhe ku është lindur. Sabriu ka thënë se e njoh një kohë të gjatë, është atdhetar i mirëfilltë, dmth, i pa infektuar nga ideologjia e djallit të mallkuar, bolshevike. Rrjedhë nga një familje me tradita kombëtare, është i zoti i gishtit dhe i penës. Është i organizuar në një grup prej 5-6 vetësh. Më në fund Sabriu propozoi që në Kryesinë e ngushtë të pranohet përpos tij edhe një bashkëpunëtor i tij.

Veprimtaria jonë ilegale ka hecur në këto drejtime:

1. Që në gjithë Kosovën dhe në të gjitha Viset shqiptare nën okupimin Jugosllav ta kemi një strukturë udhëheqëse dhe organizative të përbërë nga atdhetarë të zot, që në momentin e duhur tu dalin zot Viseve shqiptare, dhe t`i prijnë popullit në Luftën çlirimtare për t`i prerë prangat e robërisë;

2. Që kuadri udhëheqës i Lëvizjes dhe antarësia e saj të ngritën në pikpamje kombëtare, intelektuale, dhe ushtarake, nëpërmjet leximit të literaturës përkatëse;

3. Armatimi i çdo anëtari të Lëvizjes me pushkë automatike dhe mjete tjera lufte, ka qenë detyrë parësore;

4. Të dijmë se ku ruhet armatimi i Mbrojtjes Teritoriale, lloji i armatimit dhe sasia që disponon çdo komunë;

5. Të dijmë për kuadrin udhëheqës (oficerët) të Mbrojtjes Teritoriale;

6. Që njerëzit tanë t`i fusim nëpër organet udhëheqëse të pushtetit në të gjitha nivelet, që nga Komitetet Komunale, Komitetin Krahinorë, e duke i përfshirë edhe Sekretariatet e Punëve të Brendshme;

7. T`i zbulojmë spiujtë dhe në momentin e përshtatshëm t`i neutralizojmë ata;

8. Kemi shkruar punime të ndryshme duke rrahur çështje politike dhe kombëtare, që ishin në atë kohë aktuale;

9. Kemi bërë përgaditje për nxerrjen e Organit të Lëvizjes ’’Zëri i Kosovës”;

10. Kemi ndikuar te familjet e mira që t`i dërgojnë fëmijtë e tyre nëpër shkolla ushtarake për të studjuar artin ushtarak;

11. Kemi pasur kontakte me përfaqësuesit e Shqipërisë në Konzullatën e Shqipërisë në Stamboll;

12. U kemi dërguar protesta me shkrim Organizatave të ndryshme të OKB për gjendjen e shqiptarëve nën okupimin serbo-Jugosllav dhe kemi kërkuar lirimin e Adem Demaçit nga burgu,

13. Nëpëmjet njerëzve tanë që kanë pasur shokë të ngushtë në udhëheqësinë e KK të Kosovës, jemi njohtuar për debatet dhe vendimet që ka marrë Komiteti Krahinorë i Kosovës, etj…

DRITA: Po thua se Jusufi u fut në udhëheqjen e ngushtë të LNCKVSHJ-ës, sipas propozimit të Sabriut, por me gjithatë thuani se nuk e keni njohur fare? A nuk merrte Jusufi pjesë në mbledhjet tjera të udhëheqjes, ku tashma ishte zgjedhur? A ka mundësi t`i përmendni me emra se kush merrte pjesë në mbledhjet e juaja dmth të udhëheqjes të ngusht. (Nëse mendoni se janë në rrezik njerëzit, mos i cekni emrat por NN dhe numrin total të ksaj udhëheqje). Si quhej ajo udhëheqje dhe sa antarë i kishte?

Sh.Jashari: Për shkak të konspiracionit u vendos që për një kohë të caktuar të mos tubohet e tërë udhëheqja qendrore, por ne të tretë: Metushi, Sabriu dhe unë të jemi lidhje e komunikimit të të gjithë antarëve të udhëheqësisë qendrore, kur kemi të bëjmë për të shqyrtuar ndonjë propozim, apo për të marrë ndonjë vendim. Siç e kam cekur edhe në një pyetje të shtruar më parë, për strukturën udhëheqëse, për emrin e Organizatës, për shqyrtimin e Projektstatutit dhe aprovimin e tij, janë bërë diskutime dhe është marrë mendimi i të gjithë përgjegjësve të celulave dhe për çdo gjë kemi vendosur në bazë të mendimit të shumicës. Edhe pas formimit të Lëvizjes, kemi punuar në të njëjtën mënyrë. Dua t’ua tregoi një rast që tregon se me çfarë fanatizmi u zbatua konspiracioni te ne. Në një mbledhje Sabriu e bëri kërkesën t`ia gjejmë një makinë shkrimi për nevoja të Lëvizjes. Një shok imi që ishte kryetar i një Komiteti Qarkor dhe anëtar i udhëheqësisë së ngusht që nga dita e themelimit të organizates (SH.S) ma dha makinën e tij të shkrimit. Sabriu ma caktoi ditën, kohën parullën (pseudonimin) dhe vendin që do t`ia dorëzoj makinën shokut të Lëvizjes të cilën edhe ia dorzova. Tek pas 10-12 vitesh, pra në shkurt të 1990, kur erdh Sabriu të më vizitojë nga Malmo në Zurih, (që ato ditë kisha ikur nga Kosova – praktikisht nga Zagrebi) më tregoi se makinën e shkrimit në fjalë unë ia paskësh dorzuar Jusuf Gërvallës. Kjo tregon se çfarë konspiracioni i thellë është mbajtur në mes nesh. Ndonëse unë e kam njohur Sabriun me dhjetra vite, pastaj së bashku i kemi vuajtur dënimet në burgun e Goli Otokut, ishim në përbërje të udhëheqjes së ngushtë të LNÇKVSHJ-ës, mirëpo kur ishte fjala për rregullat e konspiracionit, ato i kemi zbatuar me rigorozitet të tillë që rrallherë ka ndodhur në veprimtarinë ilegale të Kosovës.

-Ditën e formimit të LNÇKVSHJ, udhëheqësia qendrore, që ne e patum quajtur Komitet Qendror, ka pasur nëntë anëtarë:

– Metush Krasniqi me dy kryetarë të Komiteteve Qarkore,

– Sabri Novosella dhe unë po ashtu me nga dy kryerarë të Komiteteve Qarkore.

Në këtë Udhëheqësi pastaj janë pranuar me propozimin e Sabriut Jusuf Gërvalla vet i dyti, Ramadan Pllana, i propozuar nga unë në cilësinë e kryetarit të Rinisë së LNÇKVSHJ, dhe tre kryetarë të Komiteteve Qarkore të propozuar nga Metush Krasniqi. Pra gjithsejt 15 anëtarë. Natyrisht, edhe në këtë rast, nuk janë përmendur me emra ata që s’ishin të pranishëm në mbledhje.’’

SQARIM: rreth numrit të anëtarëve të KQ të LNÇKVSHJ:

Unë Shefqet Jashari-Strofci, kam bërë një gabim kur e kam dhënë numrin e përgjithshëm të anëtarëve të KQ të LNÇKVSHJ. Pra KQ në prag të burgosjes time nuk i ka numruar 15 anëtarë, por 14 anëtarë. Në Intervistën time të botuar në ‘’DRITA’’ më 1997, kam dhënë sqarime se bashkëpunëtori im Shaban Kelmendi, i cili me propozimin tim u bë anëtar i KQ-së, ditën e themelimit të LNÇKVSHJ dhe të KQ-së. Por, pastaj pasi i kreu disa detyra, duke ndihmuar në përgaditjet teknike për ta botuar ‘’Zëri i Kosovës’’, Organin e LNÇKVSHJ, e ca detyra tjera. Ai na bindi se për shkaqe objektive, pat kërkuar largimin e tij si anëtar i Organizatës dhe si anëtar i KQ-së. Kuptohet që ne e patëm arsyetuar dhe e patëm pranuar kërkesen e tij. Por, kur kam bërë llogaritjen e anëtarëve të KQ-së, (se sa anëtarë numëronte në ditën e formimit të tij), e kam llogaritur edhe Shaban Kelmendin, të cilin me kërkesën e tij e patëm larguar. Pastaj, kur i kam numëruar anëtarët e KQ-së, të cilët janë pranuar më vonë, në mënyrë që t’a bëjë publik numrin e përgjithshëm të anëtarëve të KQ-së në prag të burgosjes sime më 15 nëntor 1979, kam gabuar në llogaritje duke dhënë kështu numrin 15 në vend të numrit 14, (për shkak se kam harruar t’a largoj nga lista e anëtarëve të KQ-së Shaban Kelmendin).

Siç po shihet Ramadan Pllana nuk ka pasur nevojë të lodhet, të mundohet e të bëjë hargjime të pa nevojshme për të ‘’mësuar’’ për numrin e anëtarëve të KQ të LNÇKVSHJ, ngase këtë fakt e ka pasur të qartë në intervistën time të botuar në ‘’Drita’’ të Shefki Osekut.

Edhe pse Ramadan Pllana ’’dëshmon’’ se në shkrimet e tij është shërbyer me argumentet që gjenden në intervistën e lartëshënuar, edhe pse “dëshmon” se është mbështetur edhe në letrat që i kemi shkëmbyer për çështjen e organizatës me zotëri Sheradin Berishën, ai nuk është shërbyer me to, por përkundrazi i mohon, ose i falsifikon shumicën e atyre argumenteve.

Jam i bindur se lexuesi i ’’dëshmive’’ të Ramadan Pllanës tani e ka të qartë qëllimin e shpifjeve, gënjeshtrave dhe falsifikimin e të dhënave dhe ngjarjeve nga R. Pllana, të cilat kanë të bëjnë me LNÇKVSHJ dhe organin udhëheqës, KQ-në. Siç po shihet, Ramadan Pllana e gënjen lexuesin e tij kur ’’dëshmon’’ se në intervistën time të lartëshënuar ‘’fakte tjera nuk ka’’. Me fragmentet që i nxora nga ajo Intervistë, shihet se ka argumente të mjaftueshme për numrin e anëtarëve të KQ-së, ditën e themelimit (që numëronte nëntë anëtarë), dhe ka argumente se në prillin e vitit 1979, kur Ramadan Pllana u bë anëtarë i KQ-së, arriti në numrin 14. Po ashtu ka fakte se në krye të LNÇKVSHJ ishin: Metush Krasniqi, Jusuf Gërvalla, Sabri Novosella dhe bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë që ishin anëtarë të KQ-së. Po ashtu kishte fakte për Strukturën organizative të Organizates, e çështje tjera.

(VIJON)

© Pashtriku.org

______________________

Reagim me shkas ndaj rrenë – shpifjeve të Ramadan Pllanës

PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ (12)

Shkruan: Shefqet Jashari – Strofci

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura