ALBIN KURTI: AVANCIMI NË KURRIZ TË SHQIPTARËVE!

(Prishtinë, 14. 03. 2012) – Zgjerimi i bisedimeve me Serbinë edhe me temën e veriut të Kosovës tashmë po paralajmërohet vazhdimisht dhe nga të gjitha anët. Por, me këtë qeveri zëre se s’ka se si të ndodhë ndryshe. Veriu është lënë vazhdimisht anash dhe pa kujdes të shtuar, gjë që qëllimisht i ka krijuar hapësirë të mjaftueshme Serbisë për ta shtrirë dhe konsoliduar kontrollin e saj të papenguar dhe të pasfiduar. Qeveria e Kosovës ka marrëveshje xhentëlmene me Serbinë, UNMIK-un e EULEX-in, për t’i lënë të qeta e të pacenueshme strukturat kriminale të Beogradit atje.
     E përbashkëta e qeverive në Prishtinë, Beograd dhe Shkup është se që të tria avancojnë drejt Brukselit në kurriz të shqiptarëve. Serbia e mori statusin e vendit kandidat për BE, Maqedonia po i nis bisedimet për integrim të përshpejtuar në BE, ndërsa Kosovës i premtohet dialogu për negociatat për liberalizimin e vizave dhe studimin e fizibilitetit për studimin e fizibilitetit.
     Sipas marrëveshjes në Bruksel, pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë quhen ‘pika kaluese’. Menaxhimi i Integruar i Pikave Kaluese parasheh që EULEX-i të jetë jo vetëm në pikat kaluese në Rudnicë e Bërnjak, por edhe në Mutivodë e Muçibabë. Kështu, kufiri ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë, me aprovimin e negociatorëve kosovarë që përfaqësojnë kryeministrin në dialogun me Serbinë në Bruksel, u degjenerua në kufi administrativ. Çdokush që vjen nga Serbia në Kosovë, së pari do të hasë në EULEX-in, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe as kufirin ku është vendosur si kufi i një shteti.
     Me këtë fusnotë, Rezoluta 1244 u rifreskua politikisht. Me marrëveshjen për emërtimin e shtetit të Kosovës pa republikë e me fusnotë, Kosova e përbrendësoi Rezolutën 1244 si esencë të veten (edhe më shumë sesa Planin e Ahtisaarit). Fjala “republikë” në emërtimin e shtetit të Kosovës është shumë e rëndësishme, kur të kihet parasysh Kushtetuta e Serbisë, ku thuhet që Kosova është pjesë e Serbisë. Pra, me këtë fusnotë, dhe sidomos pa fjalën Republikë, pushon kundërthënia e Kosovës me Kushtetutën e Serbisë.
     Zaten, i gjithë procesi i dialogut në Bruksel, me nëntë raunde dhe shtatë marrëveshje, është zhvilluar përbrenda kornizës së Kushtetutës së Serbisë. Është vërtet indikative se si në çdo marrëveshje që është arritur, si dhe në çdo shprehje e formulim që është gjetur, vazhdimisht janë kujdesur që të mos e cenojnë Kushtetutën e Serbisë. Kurse në bash çdo zgjidhje që kanë arritur, rregullisht e kanë cenuar dhe shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sidomos nga aspekti i definimit të Kosovës si Republikë dhe shtet i pavarur e sovran. 
     Nuk janë bërë këto koncesione që të përfundojnë ato, por pikërisht që të mos përfundojnë. Funksioni i secilit kompromis është përforcimi i dialogut drejt kompromiseve të reja. Secila marrëveshje përkthehet në gjasa të rritura për marrëveshje të tjera. Duke qenë se përmes fusnotës Kosova u bë më pak se shtet, veriu i Kosovës do të mund të bëhet edhe më shumë se autonomi.
     Zgjerimi i bisedimeve me Serbinë edhe me temën e veriut të Kosovës tashmë po paralajmërohet vazhdimisht dhe nga të gjitha anët. Por, me këtë qeveri zëre se s’ka se si të ndodhë ndryshe. Veriu është lënë vazhdimisht anash dhe pa kujdes të shtuar, gjë që qëllimisht i ka krijuar hapësirë të mjaftueshme Serbisë për ta shtrirë dhe konsoliduar kontrollin e saj të papenguar dhe të pasfiduar. Qeveria e Kosovës ka marrëveshje xhentëlmene me Serbinë, UNMIK-un e EULEX-in, për t’i lënë të qeta e të pacenueshme strukturat kriminale të Beogradit atje.
     Pas Gjermanisë, doli se edhe Britania e Madhe ka pasur qëndrim më të avancuar për Kosovën sesa vetë Qeveria e saj. Ajo ka qenë kundër referimit te Rezoluta 1244 në fusnotë. Aspak e çuditshme: Britania e Madhe e ka ndjekur qëndrimin e kryeministrit të Kosovës kur ky thoshte që ka vdekur Rezoluta 1244 dhe se ajo nuk do të pranohet.
     Mirëpo, natyrisht që kur kryeministri i Kosovës e ndërron qëndrimin, Britania e Madhe është absurde ta mbajë të njëjtin. Bëhet absurde që një shtet të mbajë qëndrim më parimor dhe më përparimtar për një vend tjetër sesa vetë qeveria e atij vendi.
     Thjesht, ajo nuk është mënyra se si funksionojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. Mbase edhe në këtë pikë po na përsëritet historia: ashtu qysh në shkurt të vitit ’89 Sllovenia dhe Milan Kuçani ishin shumë më radikalë për çështjen e Kosovës sesa udhëheqja e atëhershme e Kosovës, edhe tani, në shkurt të vitit 2012, Gjermania dhe Angela Merkel ishin më të avancuar rreth Kosovës e karshi Serbisë sesa Qeveria e Kosovës.
    Para vetëm 23 vjetëve, me dhjetëra njerëz u vranë, me qindra u plagosën, kurse me mijëra u arrestuan e persekutuan në mbrojtje të autonomisë së Kosovës. 23 vjet më vonë kemi qeveri që s’na e mbron Republikën dhe hoqi dorë nga ajo!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura