Prishtinë, 21. 04. 2013 – (Fjalimi i Albin Kurtit në mbledhjen e tetë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, mbajtur më 21 prill 2013) – Të dashur aktivistë, Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në këtë mbledhje të tetë të organit më të lartë të Lëvizjes sonë. Ndërmjet mbledhjes së shtatë dhe të tetë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! jemi angazhuar më shumë dhe jemi organizuar më mirë. Njëkohësisht, e kemi përhapur e publikuar Alternativën tonë Qeverisëse si në frymën e saj, po ashtu edhe në elementet e saj përbërëse të atyre 20 kapitujve në kuadër të tri shtyllave të lidhura: shtetit të së drejtës, shtetit zhvillimor dhe shtetit social.
Për dallim nga rritja, ngritja dhe zgjerimi që shënon Lëvizja VETËVENDOSJE!, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për Kosovën. Përkundrazi, në muajt e fundit njëri lajm i keq e pasonte dhe e mbulonte tjetrin. Po përballemi me intensifikimin e privatizimit të pasurisë publike dhe me shtimin e pazareve me Serbinë për shtetin e Kosovës. Në këta muajt e fundit, pra, njëri lajm i sipërvendosej lajmit tjetër edhe më të keq se ai paraprak. Marrëveshja Thaçi-Daçiq e mbuloi lajmin për shitjen e 75% të aksioneve të Telekomit, i cili bëri të harrohej shitja e Distribucionit dhe Shpërndarjes së KEK- ut, pronësia e të cilit do t’i bartet Konzorciumit Limak-Çalik me 3 maj. Ngjajshëm bisedimet për Asociacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe e mbuluan çështjen e Fondit Zhvillimor për Veriun, i cili më tej i mbuloi skandalet në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe jo vetëm aty. Kështu, një e keqe virtualisht zvogëlohej, sepse pasohej nga një e keqe tjetër.
Marrëveshja e së premtes është edhe më e keqe seç kemi pritur. Serbisë iu pranuan të gjitha kërkesat, ndërsa Kosova nuk fitoi asgjë, ama bash asgjë. Nuk ka shqiptarë normal askund që mund të festojnë, të gëzohen e ta përshëndesin një marrëveshje të këtillë pse u arrit ajo.
Mediet e regjimit po gënjejnë se shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc janë të kënaqur me marrëveshjen dhe se liderët e tyre e kanë përshëndetur atë. Zëri i cili më së miri tregoi të kundërtën është Orhan Rexhepi, kryetar i LKSH-së dhe ish komandant i UÇPMB-së. Ai tha që “Marrëveshja mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit për sa është e dëmshme për Kosovën edhe shumë herë më e dëmshme është për Luginën e Preshevës. Ishte më shumë histerike se sa historike”.
Mandej, Jonuz Musliu, lideri tjetër atje, ka deklaruar “Ne jemi të dëshpëruar pas marrëveshjes së djeshme në Bruksel, e cila nuk duhej të ndodhte, ku Prishtina e nënshkroi atë duke ngarendur që me gjysmë Kosove të shkojë në Evropë, çka ende nuk ka asgjë të sigurt, duke harruar shqiptarët e Luginës së Preshevës nën Serbi, të cilët deri dje edhe ata shin në të njëjtën lëkurë.” Kurse kryetari tjetër i një subjekti tjetër në Luginë të Preshevës, dhe njëherazi deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ka thënë “Procesi i bisedimeve në Bruksel nuk është një rast i fundit që ne ishim të harruar apo injoruar. Lugina e Preshevës edhe në konferencën e Gjenevës, Rambujesë dhe Vjenës kishte kërkuar të inkuadrohet në këto negociata e konferenca, por të gjitha kërkesat tona nuk ishin marrur parasysh si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina.”
Me marrëveshjen e së premtes kanë ndodhur dy normalizime. Së pari, normalizimi i marrëdhënieve Thaçi-Daçiq, me ç’rast Serbia merr e Kosova jep. Dhe, së dyti, normalizimi i marrëdhënieve Serbi-Bashkim Evropian, ku Serbia ecën drejt Brukselit, e ky i fundit i mbyll të dy sytë ndaj kriminelëve të luftës që janë bërë krerë shtetëror atje. Mbi të gjitha, me marrëveshjen e pardjeshme nuk është normalizuar marrëdhënia Kosovë-Serbi, por përfundimisht është abnormalizuar shteti i Kosovës.
Me këtë Qeveri dhe me këso qeverisje Kosova kurrë nuk do të integrohet në Bashkimin Evropian. Ju po e shihni që as liberalizimi i vizave që është temë kryesore e Qeverisë nuk po duket askund në horizont, se lëre më diçka më tepër. Por, s’ka mundur të jetë ndryshe kur korrupsioni qeveritar nuk e kursen as prodhimin e pasaportave dhe shpërthejnë skandale të njëpasnjëshme pikërisht aty.
Ju kujtohet qysh krerët qeveritarë thoshin se në fund të dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve do të ketë njohje reciproke dhe do të ketë traktat të paqes midis Kosovës e Serbisë. Jo vetëm që nuk u bënë as njëra e as tjetra, por Serbia e konfirmoi mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe ajo vetëm sa është bërë më anti-shqiptare
Siç e kemi paralajmëruar ne të Lëvizjes VETËVENDOSJE! shumë kohë më parë, Kosova po bosnjëzohet dhe marrëveshja e së premtes në Bruksel është hap i madh në drejtim të gabuar. Pjesa e qytetit të Mitrovicës në veri të lumit Ibër me këtë marrëveshje shndërrohet në një kryeqytet paralel të Kosovës. Shqiptarët do ta kenë kryeqytet Prishtinën, ndërkaq serbët do ta kenë kryeqytet veriun e Mitrovicës. Pra, po bëhet kryeqytet paralel vendi në të cilin spastrimi etnik dhe kolonizimi nuk është ndalur as pas luftës. Kjo marrëveshje është edhe shërblim për dhunën e strukturave kriminale atje edhe legjitimim politik e justifikim posteriori i tyre.
Për Kosovën tash e tutje do të jenë dy adresa: Prishtina dhe veriu i Mitrovicës. Do të pyetet Presidenti e kryeministri i Kosovës në njërën anë, por edhe Presidenti e kreu i Këshillit të Asociacionit apo Bashkësisë në anën tjetër. Situata me këtë kryeministër të dobët përballë Serbisë së trimëruar e të inkurajuar sigurisht që do të reflektohet edhe në interpretimet negative të paqartësive që do të shfaqen përgjatë zbatimit të kësaj marrëveshje. Zbatimi i saj në terren do të jetë veçse më i keq sesa teksti në letër.
Lëvizja VETËVENDOSJE! do të angazhohet që brenda Kuvendit të Kosovës dhe jashtë tij do ta kundërshtojë fuqishëm këtë marrëveshje dhe zbatimin e saj. Të mos harrojmë që kjo marrëveshje edhe po s’u bë marrëveshje rrezikojmë të zbatohet, për shkak se Qeveria e Kosovës përherë ka bërë zbatime të njëanshme të dakordimeve provizore me faktorët ndërkombëtarë, ndërkohë që pazarin e bënte me Serbinë, e cila vazhdimisht mbetej e pakënaqur në fund. Në Kuvendin e Kosovës ne tashmë kemi iniciuar një Komision Hetimor parlamentar, për shkak se ky dialogu politik përveç se i gabueshëm në premisa, i padrejtë në axhendë dhe shumë i dëmshëm në rezultatet e tij, është edhe tërësisht jo transparent.
Në takimet që u mbajtën në Bruksel kishim informim formal të kryeministrit vetëm deri tek raundi i shtatë. Dy raundet më të rëndësishme ishin raundi i tetë edhe i nëntë, mbani mend që kishim bisedime 13 orëshe për çfarë nuk kishim as informim, se lëre më raportim në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kësisoj është shkelur edhe Kushtetuta në pjesët e saj pozitive, është shkelur edhe Rezoluta e 18 tetorit e Kuvendit të Republikës së Kosovës, prandaj ne shpresojmë që edhe deputetë të tjerë që janë opozitarë do ta mbështesin këtë komision hetimor parlamentar, në mënyrë që të zbulojmë se çfarë krejt ka ndodhur e s’ka ndodhur në këtë dialogun politik në Bruksel. Në fakt, në masën në të cilën mbështetej një nismë e tillë, do të mund të themi se njëmend opozita bëhet apo ribëhet opozitë.
Gjithashtu ne të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk mund të kufizohemi brenda këtyre institucioneve të Ahtisaarit, prandaj do të organizojmë tubime, e aktivitete, e protesta, e demonstrata me qytetarë në javët, muajt në vijim, për shkak se nuk mund ta ndalim të keqen në Kosovë pa e ndalur këtë Qeveri, e cila edhe e prodhon edhe e mirëmbanë të keqen, si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në atë politik.
Bashkimi i Mitrovicës është gjithsesi i mundshëm dhe padyshim i nevojshëm, mirëpo ai nuk është i dëshiruar nga Qeveria e Kosovës. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Alternativën e saj Qeverisëse e ka shpjeguar gjërë e gjatë dhe e ka përshkruar në hollësi se si është i mundur bashkimi i këtij qyteti të Kosovës i cili është me rëndësi historike, me rëndësi industriale e kombëtare, sepse nuk mund të ketë as shtet të Kosovës dhe as bashkim kombëtar pa Mitrovicën e bashkuar. Me dy poteza shteti i Kosovës bjen në ofanzivë karshi Serbisë dhe e zbraps shtetin armiqësor të Serbisë.
Potezi i parë ndërprerja edhe përfundimi i këtyre pazareve me Serbinë, të cilët dihet që janë për çështje të brendshme të Kosovës dhe pa asnjë kusht për Serbinë. Me këto bisedime, siç e kemi thënë qysh herët, nuk forcohet pavarësia e Kosovës prej Serbisë, por pavarësia e veriut të Kosovës dhe serbëve të Kosovës prej shtetit të Kosovës. Potezi i dytë është bllokimi i mallrave të Serbisë në kufi. Kosova është tregu më rentabël për ekonominë prodhuese vendëse të Serbisë dhe në këtë aspekt prodhuesit serbë të cilët i sjellin aq shumë të mira shtetit serb që udhëhiqet prej kriminelëve të luftës atje, e shfrytëzojnë tregun e Kosovës, nga i cili, në fakt, janë të varur edhe ata edhe vet shteti i Serbisë. Po të bllokoheshin mallrat e Serbisë dhe të përjashtoheshin nga tregu i Kosovës, sigurisht që kjo do ta vendoste shtetin armik serb në një pozitë të palakmueshme dhe rrjedhimisht, ata mandej do të zbrapseshin edhe në aspektin politik dhe do të vinin ta lusin shtetin e Kosovës, e jo të na kërcënojnë e rrezikojnë siç po bëjnë aktualisht.
Në Alternativën tonë Qeverisëse ne i kemi vënë një mori hapash të bashkërenduar, të cilët përbëjnë mënyrën edhe parimore edhe strategjike se si bashkohet Mitrovica e integrohet veriu. Kemi thënë që Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të shpallet dhe bëhet ushtri, e jo siç ka vepruar qeveria aktuale, e cila u mor vesh në Bruksel që FSK-ja të mos shkelë në veri të Ibrit, me ç’rast madje edhe për katastrofa natyrore duhet të pyetet komandanti i KFOR-it, përkatësisht NATO-s dhe më pas ai duhet t’i pyes krerët e atyre komunave në veri. Kemi nevojë për prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje, një gjendje kjo e luftës pa luftime dhe një bazë të njësisë speciale të policisë së Kosovës që do të vendosej në Lagjen e Boshnjakëve, në ish bazën e KFOR-it, përkatësisht ish remontin ushtarak. Më tej, te baza të tjera të njësisë speciale së bashku edhe me forcat ushtarake të jenë në afërsi të pikave kufitare 1 dhe 31. Çdo shtet normalizohet në këtë mënyrë dhe çdo Qeveri normale do të vepronte kësisoj.
Mandej, duhet të ndërpriten burimet financiare të strukturave ilegale dhe armiqësore të Serbisë. Kjo është një gjë që dihet, madje edhe vendndodhja e tyre, përveç financave të tyre dihet se ku janë dhe për të gjitha fondet ilegale që janë atje, ato duhet të gjurmohen, të hetohen dhe të pritet financimi i tyre nga Serbia, e cila përbën në fakt edhe bazën e bizneseve joformale dhe të krimit të organizuar.
Më tej, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa reciprocitet e simetri të të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët në Serbi. Shqipëria dhe Kosova bashkërisht duhet të angazhohen për shqiptarët kudo që ata janë e posaçërisht për ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Në përgjithësi, dihet se ka më shumë shqiptarë në Serbi, se sa serbë në Kosovë dhe le të mos harrojmë se arsyeja kryesore pse Serbia e ka synuar decentralizimin në Anamoravë është që ta hedh farën e ndarjes dhe izolimit të Kosovës Lindore nga Kosova.
Ju e dini që qeveritë dhe kryeministrat e pasluftës janë munduar t’i integrojnë serbët duke iu dhënë ose premtuar mijëra euro kesh, duke iu falur traktorë, apo duke ua ruajtur pagat edhe kur ata punonin për Serbinë. Zgjidhja është krejtësisht ndryshe. Jo para e privilegje, por zhvillim arsimor e ekonomik dhe barazi para ligjit. Jo bisedime me Serbinë e strukturat e saj, por integritet territorial për vendin e sovranitet për shtetin.
Pra, metodat në aspektin e sigurisë, mbrojtjes së politikës duhet të kombinohen me metodat socio-ekonomike. Nuk bën që të merret diçka prej Alternativës Qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të provohet që në mënyrë të izoluar të zbatohet siç ka bërë Qeveria e Kosovës.
Mandej, në mesin e metodave të tjera socio-ekonomike, e domosdoshme është ajo për rivitalizimin Trepcës e funksionalizimin e saj, i cili do të rezultonte me punësimin e rreth 8.000 vetave. Këtë gjë ne e shpjegojmë hollësisht në Alternativën tonë Qeverisëse, me ç’rast kemi bërë një studim të detajuar që rezulton me të dhënat se nëse investojmë 177 milionë euro në Trepçë, në kapacitetet e saj prodhuese, atëherë deri në 455 milionë do të mund të eksportonim vetëm në vitin e parë metale të përpunuara dhe gjysëm të përpunuara. Po ashtu, rivitalizimi i Trepçës do të kontribuonte në bashkimin e qytetit, sepse ndarja mbi Ibër e ka lënë minierën e Stan Tërgut në njërën anë, ndërsa shkritoren në Zveçan në anën tjetër.
Mitrovica duke u ndarë u shndërrua në qytetin më të varfër të Kosovës dhe ai është i vetmi qytet në Kosovë të cilit i është zvogëluar popullsia përgjatë viteve. Bashkimi i Mitrovicës dhe rivitalizimi i Trepçës nuk janë dy gjëra të ndryshme.
Duhet të ofrohen bursa për shqiptarët dhe serbët nga veriu për shkollat e mesme dhe në Universitet të Prishtinës. Të kemi investim në spitalin e Prishtinës dhe atë në jug të Mitrovicës, në mënyrë që aty të ofrohen shërbime të mira. Të forcohen fshatrat shqiptare dhe ato në lagjet e Mitrovicës të banuara me shqiptarë në veri, duke u ofruar mjete për ndërtimin e shtëpive, infrastrukturë të mirë, transport publik falas për në jug të Mitrovicës dhe anasjelltas tri herë në ditë, lehtësim në punësim, lehtësim për regjistrim në Universitet, etj.
Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, pra gati një vit pasi që u krye lufta në Kosovë, 11 shqiptarë janë vrarë, me dhjetëra të tjerë janë keqtrajtuar, lënduar, e plagosur, ndërsa 1.564 familje me gjithsej 11.364 anëtarë janë dëbuar përgjatë javëve në vijim, e posaçërisht gjatë muajit shkurt të atij viti. Secili shqiptar i dëbuar duhet të kërkojë që të kthehet në pronën e tij dhe njëkohësisht, ata duhet të organizohen, mobilizohen për këtë dhe shteti duhet t’i ndihmojë ata. Të gjithë ata shqiptarë që nuk duan të kthehen duhet ta thonë haptas këtë dhe t’ua shesin të tjerëve pasurinë, pra atyre që duan të kthehen. Qeveria duhet ta mbështesë dhe përkrah këtë me një program të veçantë. Sigurisht që nuk do të lejohet që Qeveria e Serbisë t’i blejë pronat e shqiptarëve në veri. Të gjithë shqiptarët që janë detyruar t’i shesin pronat e tyre, Qeveria e Kosovës duhet t’ua blejë ato.
Këta janë hapat të cilët i ka paraparë Lëvizja VETËVENDOSJE!, të cilët integrojnë veriun, e bashkojnë Mitrovicën pa i diskriminuar serbët, me ç’rast dhe njëherë po e them të mos harrojmë që integrimi i serbëve në Kosovë nuk është integrim elitar, ku krerët politik të tyre integrohen në institucionet e Kosovës, me ç’rast mbase më shumë prodhohet e njëjta sesa që integrohet ajo ekzistuesja. Por, integrimi i vërtetë është integrim shoqëror që vjen nëpërmjet drejtësisë, nëpërmjet barazisë dhe nëpërmjet zhvillimit ekonomik. Integrimi konjuktural në institucione i serbëve nuk është as plotësisht i vërtetë dhe as i qëndrueshëm. Integrimi i vetëm i qëndrueshëm është ai shoqëror, i cili do të mund të bëhej me një qeveri dhe një qeverisje tjetër.
Ne bashkimin kombëtar nuk e duam si bashkim kombëtar kundër serbëve, por e duam për hir të shqiptarëve, lirisë së tyre si komb, barazisë së tyre me kombet e tjera dhe njëkohësisht paqes, sigurisë e stabilitetit afatgjatë në Ballkan. Lëvizja VETËVENDOSJE! duhet që edhe më tej Alternativën e saj Qeverisëse ta lexojë, ta rilexojë, ta mësojë, ta shpërndajë, ta afirmojë sa më shumë që është e mundur, sepse ky është një program me fitoren e së cilës fitojmë të gjithë ne, rrjedhimisht secili prej nesh.
Ju faleminderit.
……………………………………….
Rexhep Selimi: “Kryeministër, dëshmorëve ua ndërrove flamurin,
ua çarmatose ushtrinë, ia shpërbleve armikun”
Liburn Aliu, Seanca e jashtëzakonshme – raportimi i Hashim Thaçit 21.04.2013
Afrim Hoti: Teksti i Marrëveshjes personale të
Thaçit si ato të bëra me Nikolla Pashiqin – 21 prill 2013