ARTUSHA IME – NË LUBJANËN E SAJ TË FËMIJËRISË KËNDOI NË 15 VJETORIN E PAVARËSISË

Arta në Lubjanë…

Nga Elife Podvorica Jashari, Prishtinë 22 shkurt 2023

…Kësaj here për të kënduar me rastin e 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

-Rruga e mbarë Arta e shumë suksese çika jem. E përqafoja dhe përzemërsisht i uroja rrugë të mbarë, atë ditë kur e përcollëm në aeroportin e Shkupit.

-Eu- isha përfshirë e tëra në ca emocione që më ngjanin si re e dendur që mezi priste të shpërthente pikat e shiut që e kishin rënduar aq shumë. E rënduar dhe e trazuar ndjehesha, dhe mundohesha të mos shpërtheja në lot, sepse kam ndjesinë që sikur të filloja të shpalosja ditët e para atje, do të mbytesha në lot të përjetshëm. Sa herë e kujtoj fillimin e jetës sime në Lubjanë, zëri i saj që bërtiste e protestonte që mos ta lija në çerdhe, kur e dërgoja në kopshtin  e fëmijëve, më vjen e më pushton gjithë qenien time, si një jehonë vitesh që kanë kaluar, por që kanë mbetur aq të freskëta në memorien time. Klithmat e saj, më përcëllojnë ndërgjegjjen time prej nëne, sikur të kisha kryer një vepër makabre.

Ishim tërsishtë të vetmuar atë vit kur u dasht të linim vendin tonë dhe kah sytë këmbët, secili në fatin e tij. Pjesa tjetër e familjes, kishte mbetur në rrugë e papunë. Masat e dhunshme ishin bërë pjesë e çdo familje shqiptare të Kosovës së viteve 90-ta. Unë duhej të punoja në mënyrë që të arrinim t’i ndihmonim familjes në Kosovë që ishte e rrezikuar për mbijetesën, ndërsa Artën deshi e s‘deshi duhej t’a çoja në çerdhe.

Kështu ajo u bë pjesë e kësaj vorbulle dhe “kafshatë që s‘kapërdihet, është or vlla mjerimi”, ishte çdo fillim i ditës së re për te. Nuk kuptonte asgjë. Ishte vetëm 2 vjeçe, dhe nuk e kuptonte pse ishim ndarë nga gjyshërit e familjarët tjerë që i gëzoheshin aq shumë lindjes së mbesës së parë në familje. Nuk e kuptonte as gjuhën kur i flisnin mësueset në çerdhe, nuk i rrinte as mami për disa orë afër dhe e linte që të gjindej ashtu siç dinte e mundej një fëmijë 2 vjeç…..

Vitin që shkoi, në mënyrë të përafërt, bashkëshorti i kishte rrëfyer djalit dhe nuses për këto gjëra, dhe në momentin kur i ishim afruar derës së kopshit të para 32 viteve, lotët më kishin mbërthyer, dhe u mbanin iso dënesjeve të tij që nuk mundi të përmbahej, por qante në dënesë, dhe të dukej se një copë e shpirtit tonë sillej atypari si somnabul në muzgun që kishte lëshuar vellon e tij të errët..

Artës – fëmiut tonë të parë, i kishte rënë hise ndryshimi i sistemeve ballkanike në mënyrën më të vrazhdë të tyre, duke filluar nga lufta në Slloveni kur duhej të shkonim zvarrë në podrumet që të mbronin nga bobardimet, pastaj lufta e Bosnjës dhe Kroacisë, ardhja e refugjatëve atje dhe takimi me sytë e tyre të tmerruar nga lufta e çmendur, si dhe fillimi i luftës në Kosovë.

Shqiptarët e asaj kohe, pavarësisht stuhisë së viteve pushtuese, nuk u dorëzuan, por vepronin e organizoheshin aty ku ishin dhe ashtu siç mundnin.

Artushës së vogël i kishte rënë hise të mirrte pjesë në shumë protesta e organizime që bëheshin në emrin e kauzës kombëtare për lirinë e Kosovës bashkë me dy prindërit e saj dhe me dhjetëra bashkëatdhetarë të asaj kohe që jetonin e vepronin në Slloveni.

-Ehhhh…….

Por, ajo sot ishte e ftuar nga ambasada e Kosovës në Slloveni, të këndonte me rastin e ditës së Pavarësisë së Kosovës.

O zot! Si u kthyen gjërat dhe çfarë rrjedhe morën ato në lumin e ngjarjeve të rrëmbyeshme koherash, që të duket sikur je duke shiquar një film të largët…

Arta sonte, përveç që kishte kënduar, ajo fillimisht u ishte drejtuar  mysafirëve edhe në gjuhën sllovene dhe kishte shpalosur në pika të shkurtëra jetën e saj në Slloveni… Se i kishte kryer atje katër klasa të shkollës fillore, që hapat e parë të muzikës i kishte filluar atje, që kishte kënduar hymnin nacional të sllovenëve kur ishin bërë shtet në bankat e shkollës fillore, bashkë me mësuesen e saj të parë Irena, që kishte rrëshqitur mbi majat e malit në Postojnë dhe me tren kishte hyrë labirintheve të shpellës së saj. Që në vitin kur kishte fituar bursën “Erazmus” për një vit studime në Lubjanë, kishte zbuluar që “Stari Grad”, ishte i ndërtuar mbi rrënojat e një kështjelle ilire, dhe se që në bedenat e saj ajo kishte kënduar këngën e “UÇK’-së si fëmijë gjashtë vjeçësh, bashkë me fëmijët e mikes së mamit.

E sonte, ajo po këndonte disa nga perlat e muzikës artistike shqiptare, në mesin e të cilave edhe dy këngë të Nexhmije Pagarushës…. dhe këtu midis Lubjanës, ndërsa mysafirët ishin ngritur në këmbë për ta nderuar performancën e saj.

-Kurrë në jetën time s’kam kënduar me aq emocion – po më thoshte ajo pas performancës që kishte pasur, para një audience të shumtë, në të cilën kishin qenë të ftuar elita politike sllovene dhe shumë bashkëatdhetarë që jetojnë e veprojnë me dekada në Slloveni.

E kush e ka menduar se një ditë, unë do të vijë në Slloveni dhe do të festoj 15 vjetorin e Shtetit të Kosovës. Sa ndjenjë e mirë moj mami, më zgjaste ajo zërin përtej telefonit tërë entuziazëm.

– Eh… Arta ime… Erdhi dhe kjo ditë… – thosha unë duke shijuar sensin e gjërave të bukura kur vijnë në jetë, dhe nuk di si t’i pagëzosh…

Urime çika jem. E kemi merituar këtë ditë a… thoshim mes vete dhe qeshnim sa mundnim tërë gëzim e lumturi…

Gëzuar Dita e Pavarësisë së Kosovës – 15 vjet shtet…!

____________

MBRËMJE ARTISTIKE NË TIRANË

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura